Alex Curmi
Kohët e fundit, isha vetëm në një bar duke pritur një mik. Për të kaluar kohën, fillova të bisedoja me një të panjohur. Ai kishte një mënyrë të folur të lirshme dhe të sigurt, gjë që e admirova. Diskutuam për tema për të cilat di pak: për paqëndrueshmërinë e ekonomive moderne, mundësinë e udhëtimeve komerciale në hapësirë, gjithëbërjen apo gjasat e një grushti shteti në Rusi. E pashë veten duke u afruar dhe duke bërë pyetje: mendoja se mund të mësoja shumë nga ky person. Më në fund kaluam te psikologjia, që është më shumë fusha ime. U ndala te mendimi se sa e lehtë është bërë për njerëzit që të pranojnë ide të çuditshme. “Disa njerëz besojnë çdo gjë,” vërejti ai. “Madje disa njerëz besojnë se Toka është e rrumbullakët!”
Është gjithmonë e më e vështirë të shpërfillësh se sa të fragmentuara dhe bizare janë bërë besimet tona. Ne jetojmë në flluskat tona të përcaktuara nga kanalet, feed-et dhe influncuesit që ndjekim. Si rezultat, mund të arrijmë në përfundime shumë të polarizuara rreth vaksinave, klimës, gjinisë, gjeopolitikës, formës së Tokës dhe çdo gjëje tjetër. Mosmarrëveshjet për tematika të tilla shpesh dëmtojnë marrëdhëniet, largojnë miqtë dhe njerëzit e dashur.
Si u përkeqësuan kaq shumë gjërat? Besoj se përgjigjia është, pjesërisht, se ne jemi vazhdimisht të ekspozuar ndaj një forme të re karizme. Si psikiatër, gjithmonë jam magjepsur nga kjo cilësi: magnetizmi që sjell një ndjenjë të thellë besimi, besnikërie ose entuziazmi te të tjerët. Psikologjia e karizmës na tregon se ajo nuk është domosdoshmërisht një faktor X magjik dhe i papërkufizueshëm, por më tepër një grup aftësish dhe sjelljesh. Njerëzit ndonjëherë e kanë atë në mënyrë natyrale, e ndonjëherë e mësojnë.
E kam njëfarë eksperience me këtë. Kur fillova podcast-in tim disa vite më parë, luftova (ashtu siç luftoj ende) me zërin tim monoton. Të gjithë ekspertët e krijimit të përmbajtjes thoshin të njëjtën gjë: ndrysho tonin, ritmin dhe volumin e të folurit për të maksimizuar angazhimin e audiencës. Prodhimi i lëmuar është opsional, komunikimi karizmatik jo. Mënyra e tregimit të ngjarjeve, gjuha e trupit, revolta morale dhe shumë të tjera mund të zotërohen për t’i ndihmuar personalitetet e ardhshme të internetit t’i hedhin një magji audiencës së tyre.
Ka qenë një mësim i madh për mua të zbuloj se sa e vështirë mund të jetë të diskutosh tema të mëdha në hapësirën e shëndetit mendor në mënyrë të përgjegjshme, madje edhe si një profesionist i trajnuar. Gjithashtu është bërë e qartë në mënyrë tronditëse se sa lehtë mund ta shtrembërojë dikush të vërtetën për, le të themi, antidepresantët, psikoterapinë ose ADHD-në, kur nuk ka asnjë përvojë apo njohuri në atë fushë – për sa kohë që ata shfaqen me besim dhe bindje.
Rreziqet e karizmës nuk janë asgjë e re, natyrisht. Historia është plot me shembuj të njerëzve që përdorin sharmin për të çuar përpara interesat e tyre. Diktatorët, udhëheqësit e sekteve dhe mashtruesit janë të gjithë dëshmi se një person përndryshe i arsyeshëm mund t’i dorëzohet një fushate joshjeje të zbatuar mirë.
Ndryshimi tani qëndron te shkalla. Zgjedhjet në SHBA të vitit 2024, për shembull, u përshkruan gjerësisht si “zgjedhjet e podcast-eve“, pasi të dy kandidatët (Trump me më shumë sukses) pranuan intervista shumta të lehta në këtë mjet. Ata arritën te miliona njerëz, jo me politika, por me “energji pozitive”. Dhe nuk keni pse të jeni një figurë publike për ta shfrytëzuar sharmin në këtë mënyrë – çdo video me tërheqjen e duhur mund të bëhet virale, pavarësisht nga qëllimet apo ekspertiza e atij personi.
Pse mashtrohemi kaq lehtë nga karizma? Ashtu si shumë aspekte të psikologjisë sonë, ne mund ta kuptojmë atë më qartë përmes lentes së të kaluarës sonë evolucionare.
Paraardhësit tanë e kaluan pjesën më të madhe të kohës (afërsisht 94% të historisë njerëzore) si gjahtarë, duke jetuar në fise nomade që mund të përbëheshin nga vetëm 20 veta. Grupe kaq të vogla, të vëna përballë forcave të natyrës, kishin nevojë për udhëheqje të fortë. Si shumë kafshë, njerëzit kanë hierarki statusi. Gjahtarët me status të lartë ndoshta kishin shumë nga tiparet që ende i lidhim me karizmën sot: kontakt të shkëlqyer me sy, gjuhë trupi që sinjalizonte siguri, një zë bindës.
Ndryshimi ishte se, në atë kohë, ju kishit mundësinë të vëzhgonit bashkëmoshatarët tuaj gjatë gjithë ditës, çdo ditë: të metat e tyre, virtytet e tyre, kompetencën e tyre, shpesh duke u përballur me rrezik vdekjeprurës. Nëse një person ishte thjesht sipërfaqësisht simpatik, ju e kuptonit shpejt. Karizma do të fitonte vetëm nëse shoqërohej nga cilësi të tjera të rëndësishme, duke përfshirë gjykimin e shëndoshë, karakterin e mirë dhe urtësinë.
Kështu nuk ndodh tani. Teknologjia na lejon t’i fshehim pjesët e pakëndshme të vetes tonë shumë më lehtë, duke zgjedhur vetëm pjesët më të mira për konsum publik. Truri ynë nuk u evoloi për të përpunuar copa të zgjedhura me kujdes të sjelljes së dikujt tjetër, të shkëputura nga pjesa tjetër e jetës së tyre, kështu që ne jemi të prekshëm ndaj mashtrimit. Një shembull i frikshëm është ai i Ruby Franke-t, bloggeres së prindërimit me miliona abonentë, e cila u burgos për abuzim të fëmijëve pasi dy nga gjashtë fëmijët e saj u gjetën të rrahur dhe të kequshqyer.
Ne kalojmë shumë kohë duke u shqetësuar se si mendjet e adoleshentëve janë të deformuara nga bota online. Jemi thellësisht të vetëdijshëm se sa të prirur janë ata ndaj manipulimit nga figura që duken mbresëlënëse. Ajo që nuk kuptojmë është se ne të gjithë jemi adoleshentë kur bëhet fjalë për internetin. Media sociale algoritmike ka ekzistuar vetëm për rreth 15 vjet, dhe ne mbetemi kryesisht të pandërgjegjshëm se sa rregullisht ajo e anashkalon gjykimin tonë më të mirë. A ka ndonjë mënyrë për të dalë nga kjo ndjeshmëri e sapofituar?
Forma më e mirë e mbrojtjes kundër tepricave të karizmës është mendimi kritik. Ne duhet ta konsiderojmë atë si një sistem imunitar kolektiv, dhe ai duhet të jetë qendror për kulturën tonë dhe për mënyrën sesi ne i edukojmë të rinjtë tanë. Atyre duhet t’u mësohet se si t’i vlerësojnë burimet, të interpretojnë informacionin dhe të njohin anshmërinë. Në mënyrë të ngjashme, ndarja e besimit nga përmbajtja duhet të konsiderohet një aftësi bazë jetësore. Shikimi i kundër-argumenteve kur jemi të tërhequr emocionalisht nga perspektiva e dikujt duhet të jetë rutinë, dhe ndryshimi i mendjes atëherë kur është emocionalisht e vështirë duhet të nxitrt.
Gjithashtu do të ishte e dobishme që njeriu mesatar të mësonte bazat e komunikimit të sigurt. Kjo jo vetëm që mund t’ju ndihmojë që të shpreheni kur keni diçka me vlerë të vërtetë për të ofruar, por gjithashtu ju mëson të shihni përmes dikujt që me kënaqësi do të përdorte taktika të tilla për të mashtruar ose joshur.
Në përgjithësi, karizma duhet të jetë në fakt një sinjal alarmi që na inkurajon të jemi më skeptikë ndaj një individi, e jo më pak. Kur dikush mund të gjykojë në mënyrë bindëse për tema të rëndësishme si financat, kujdesi shëndetësor ose Lindja e Mesme, ne duhet të bëjmë pyetje. Çfarë përvoje kanë ata? A kanë integritet? Çfarë kanë për të fituar nga ky këndvështrim? Çfarë nevoje mund të jetë duke adresuar te unë ky person? Nga ana ime, herën tjetër që do të diskutoj diçka të rëndësishme, do ta lehtësoj tonin, ritmin dhe volumin, dhe do të përpiqem t’i lë faktet të flasin vetë.
Përktheu: Arlinda Guma
Variacion mbi fjalën gjumë- Margaret Atwood
Variacion mbi fjalën gjumë- Margaret Atwood Do të doja të të vështroja teksa fle, gjë që