Étienne de La Boétie
Ka vepra, me të cilat francezet njihen që në shkollë të mesme. *Diskursi mbi Nënshtrimin Vetëdashës* nga Étienne de La Boétie është një vepër e tillë. I studiuar shpesh si pjesë e kurrikulës akademike dhe letrare dhe i përfshirë në programin e provimit të maturës franceze (*baccalauréat*), ky tekst i shekullit të XVI-të, shkruar nga një i ri 18-vjeçar, shërben gjithashtu si ftesë për lexues të të gjithë brezave për të reflektuar mbi shoqërinë, mbi përgjegjësinë individuale e kolektive, si dhe mbi mekanizmat që e çojnë një popull të pranojë nënshtrimin e vet.
La Boétie shtron një pyetje thelbësore – e cila mbetet po aq aktuale në ditët e sotme:
Pse njerëzit zgjedhin t’i nënshtrohen një pushteti që i zhvesh ata nga liria e tyre?
Si mundet një njeri i vetëm të ushtrojë pushtet mbi mijëra, apo edhe miliona të tjerë? Si mundet që një mori individësh të pranojnë të jetojnë nën sundimin e një tirani, kur ata, të marrë së bashku, zotërojnë forcën e nevojshme për t’u çliruar?
La Boétie nuk e sheh tiraninë thjesht si pasojë e dhunës apo e fuqisë së një sundimtari. Përkundrazi, ai e kërkon zanafillën e saj, në radhë të parë, te sjellja e vetë njerëzve. Sipas tij, një tiran nuk zotëron nga natyra ndonjë fuqi më të madhe se ajo e nënshtetasve të tij. Pushteti i tij mbështetet, para së gjithash, te bindja e atyre që i shërbejnë. Nëse njerëzit thjesht do të pushonin së mbështeturi tiranin, autoriteti i tij do të shembej.
Këtu qëndron paradoksi thelbësor i veprës së tij: njerëzit nuk janë thjesht të nënshtruar me forcë; ndonjëherë ata kanë dhënë pëlqimin e tyre për vetë shtypjen që u është imponuar. La Boétie shqyrton arsyet e këtij nënshtrimi dhe identifikon disa mekanizma që qëndrojnë në themel të tij.
Të bërit zakon është një nga faktorët kryesorë të sundimit. Njerëzit e lindur në robëri, me kalimin e kohës, fillojnë ta shohin gjendjen e tyre si diçka të natyrshme. Duke mos njohur asgjë tjetër, atyre as nuk u shkon ndërmend ta kërkojnë atë; liria shndërrohet në një ide të largët, pothuajse të harruar.
Këtij procesi i shtohen shpërqendrimet, argëtimet dhe favoret që ofrohen nga ata që janë në pushtet. Tirani e nxit varësinë e nënshtetasve të tij duke u ofruar kënaqësi, spektakle dhe privilegje të ndryshme, të gjitha këto për t’ua larguar vëmendjen nga humbja e lirisë së tyre.
La Boétie përshkruan gjithashtu një sistem sundimi të ndërtuar mbi një zinxhir varësish. Përreth tiranit gjendet një rreth individësh të privilegjuar, të cilët përfitojnë nga pushteti i tij. Këta, nga ana e tyre, mbështeten te të tjerë, të cilëve u shpërndajnë favore. Kështu, sundimi mbahet gjallë përmes një rrjeti interesash, privilegjesh dhe bashkëfajësie.
Përballë këtij realiteti, La Boétie mbron një ide thellësisht humaniste: liria është një e mirë natyrore, thelbësore për njerëzimin. Qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta; nuk ka asnjë justifikim që ato të heqin dorë përgjithmonë nga dinjiteti dhe pavarësia e tyre.
Thirrja e tij nuk është për dhunë, por për një zgjim të vetëdijes. Ai u bën thirrje njerëzve ta rimarrin lirinë e tyre përmes një akti vullneti: duke pushuar së shërbyeri. Sepse pushteti i një tirani, sado i frikshëm të duket, varet tërësisht nga ata që zgjedhin ta mbështetin atë.
Gati pesë shekuj pasi u shkrua, * Diskursi mbi Nenshtrimin Vetwedashës * mbetet jashtëzakonisht aktual. Ai na kujton se liria nuk zhduket vetëm kur rrëmbehet me forcë; ajo mund të humbasë edhe përmes indiferencës, frikës, zakonit dhe dorëzimit. Mësimi i madh i La Boétie-s mbetet kështu një pyetje universale: misteri i vërtetë i tiranisë mund të mos jetë pushteti i atij që urdhëron, por nënshtrimi i atyre që binden.
Liria fillon atëherë kur njeriu pushon së e konsideruari nënshtrimin e vet si diçka të pashmangshme.
https://fr.wikipedia.org/wiki/Discours_de_la_servitude_volontaire
Përktheu: Adriana Koxha
Imazhi shoqërues: Statuja e Étienne de La Boétie à Sarlat-la-Canéda (Dordogne).
Fragment-Rafael Noboa
Rafael Noboa Nuk e kam falur kurrë vëllanë tim binjak që më braktisi, më la vetëm,