Fragment nga romani “Marksi ka humbur kujtesën”/Arlinda Guma

in A(rt)ktivizëm/Letërsi/Tharm by

Arlinda Guma

Ai dëgjoi telefonin të vibronte në xhepin e xhaketës. E mori në duar dhe pa emrin e saj në ekran. Nuk u përgjigj. Ndali hapat dhe vështroi përreth. Toska M’Buzatin e kishte njohur në atë vend.
Iu kujtua ajo, vite më parë, përpara fasadës së murrme të atij pallati të vjetër, ku një artist rruge kishte vizatuar Marksin me pamjen e një bulldogu dhe me një nga ato gojëzat që u vihen në turi për të mos kafshuar. Marksin me pamje qeni e tërhiqte për zinxhiri shkrimtari Mario Vargas Llosa me një shprehje vetëkënaqësie në fytyrë.
Ajo kishte qëndruar disa minuta përpara murales, pastaj kishte nxjerrë nga çanta një kanaçe me bojë spërkatëse dhe kishte bërë një njollë të madhe, të kuqe, në fytyrën e Llosës.
Kur ishte kthyer të ikte ishte gjendur ballë për ballë me Usianin.
– Kjo po që është interesante! Mario Vargas Llosa në versionin Mark Rothko, – i kishte thënë ai duke i kapur shpejt dorën që mbante bojë spërkatësen, sikur të kishte kapur një kriminel të rrezikshëm.
Ajo kishte çliruar dorën me inat dhe kishte hedhur kanaçen në çantë.
Të dy ishin kthyer edhe një herë nga Marksi dhe nga ajo çfarë kishte mbetur nga Llosa. E kishin parë në heshtje për disa minuta, pastaj Usiani kishte folur sërish:
– Ç’ju ka bërë Llosa, që e urreni kaq shumë?
Ajo i kishte thënë me zë të prerë:
– Ato esetë e tij për kapitalizmin, aq sublimuese, janë armë të shkatërrimit në masë!
– Po Mark Rothko? Edhe ai e “sublimon” kapitalizmin?
– Hëm… ai, – kishte vazhduar ajo sertë, – CIA përfshiu çfarë i kapi dora në programin e saj për promovimin e ekspresionizmit abstrakt… Një fushë me ngjyra, që nuk thotë asgjë, mbetet gjithmonë mjeti i duhur për t’i shpërqendruar njerëzit prej çështjeve thelbësore të pabarazisë; klasore, gjinore, e të gjitha të tjerave. Në teori, artistët janë ata që “krijojnë tendenca”, por në praktikë, ato i krijon CIA! Kishte heshtur për disa çaste pastaj kishte shtuar: – Mendoni se nëpunësit e CIA-s kishin shije aq të holla në pikturë? Mendoni se atyre u interesonte vërtet cilësia e artit që promovonin, përpara qëllimeve të tyre politike, krejtësisht joartistike?
Usiani kishte heshtur. I ishte afruar “veprës” edhe më, duke thënë:
– Pa shih, i paskan vënë një fre në gojë Marksit… Thua ngaqë kafshon?
Ajo ishte kthyer nga ai dhe e kishte zhbiruar me sytë xixëllitës.
– Ah, e kuptova, – ishte tërhequr ai menjëherë, – ndalohen rreptësisht shakatë me Marksin…
Ajo nuk i kishte kthyer përgjigje.
– Si mendoni, – kishte vazhduar pastaj Usiani, – është i djathtë apo i majtë artisti që e ka realizuar këtë? Unë them se duhet të jetë patjetër i djathtë. Këtë të fundit e kishte thënë disi me drojë, se mos ajo kthehej sërish ta shihte me sytë xixëllitës, sikur të kishte bërë gafën e shekullit.
– Patjetër i djathtë? Ç’po thoni? Vetëm një mendjeshkurtër do ta thoshte këtë, – ia kishte kthyer ajo, ende me sytë nga “vepra”.
Ai kishte heshtur prapë. Ajo dhe xixëllimat e saj e shpartallonin sa herë që hapte gojën.
– Unë mendoj se artisti është një tip ekzibicionist, pa asnjë bindje politike apo prirje ndaj ndonjë ideologjie të caktuar, – kishte thënë ajo. – Ka dashur thjesht të provokojë. Të turbullojë mendje. Në ditët e sotme është shumë komode të mos mbash qëndrime. Dhe artistët, si narcizë të mëdhenj, shpesh e vënë famën dhe sensacionin përpara mesazhit që duhet t’i përcjellin shoqërisë.
Ajo kishte hedhur çantën në sup. Mezi priste që të ndahej nga ai.
Ai e kishte kapur sërish nga dora dhe e kishte pyetur për emrin, duke u përpjekur të bënte një ton zëri të rreptë, si ai që bën një polic kur kap në gabim një qytetar që është konfuz për të drejtat e tij.
Ajo nuk ia kishte thënë emrin. Kishte nxituar hapat.
Ndërsa ai kishte mbetur atje, duke ripërtypur në mendje përgjigjet e saj fshikulluese.
Kishte qenë aq e fuqishme, aq tunduese, aq nxitëse ajo bisedë e shkurtër me të, saqë ai as nuk e kishte vënë re që edhe pamja e saj nuk kishte të sharë; përpara një personaliteti aq ngacmues ajo ishte sfumuar e gjithë.
Në ditët në vazhdim këmbët e kishin çuar sërish përpara fasadës së murrme të pallatit të vjetër, me shpresën se do ta haste përsëri, por nuk e kishte parë më. Fasada kishte mbetur e njëjtë, me njollën e kuqe në fytyrën e Llosës, ndërsa mu mbi këpucët e tij ishin shtuar dhe dy mbishkrime: Jay Z forever dhe “U largove moj, më shkatërrove”.
Marksi kishte mbetur i paprekur. Ashtu i panjollë dukej sikur vërtiste nëpër buzë një lloj qesëndie të lehtë për çfarë i kishte ndodhur Llosës.
Por një ditë, pikërisht atëherë kur i kishte humbur të gjitha shpresat, Usiani kishte gjetur atje një djalë të ri. Djaloshi nxirrte paketën e cigareve nga xhepi, merrte një cigare, e ndizte, e thithte një herë, pastaj e hidhte përtokë duke sharë nëpër dhëmbë. E fuste paketën në xhep, pastaj fillonte sërish. Nxirrte paketën, ndizte cigaren, e thithte një herë, pastaj e hidhte përtokë duke sharë.
Usiani i ishte afruar dhe i kishte ofruar një cigare nga të tijat.
Djaloshi e kishte marrë, e kishte thithur një herë, pastaj e kishte hedhur përtokë edhe atë, duke sharë.
– Çfarë ka ndodhur? – e kishte pyetur Usiani, duke ruajtur në fytyrë një shprehje neutrale prej të painteresuari.
– Nuk e sheh? – i ishte përgjigjur tjetri duke treguar nga fytyra me njollë e Llosës. – M’u desh një kohë e gjatë për ta realizuar këtë punë dhe, ja rezultati! Po unë e di kush ma ka bërë këtë!
– Kush? – kishte pyetur menjëherë Usiani duke i zgjatur një cigare tjetër.
– Janë ato… ato… Ato sorrat, – i kishte thënë djaloshi, pastaj ishte ulur në gjunjë me një shprehje të dëshpëruar në fytyrë.
Usiani ia kishte lënë të gjithë paketën, me shpresën se ai do t’i tregonte më shumë për “sorrat”, por ajo ishte rrëzuar përtokë, ndërsa djaloshi kishte vazhduar të shpaloste të gjithë erudicionin e tij gjuhësor në fushën e fjalive dëshirore drejtuar “shpendëve”, të tilla si: “Iu daltë mjekra një pashë”, etj.
Ashtu i ulur në gjunjë, Usianit i ishte dukur sikur djaloshi po e qante me ligje Mario Vargas Llosën.
Ai kishte dashur të vazhdonte më tej me pyetjet por tjetri nuk i ishte përgjigjur më.
Kishin kaluar ditë, javë, muaj, por nuk ishte dorëzuar.
Një ditë Usiani kishte shkuar në librari dhe kishte blerë Kapitalin, nën vështrimin gjithë kureshti të librares.
Kishte filluar ta lexonte, edhe pse “Kapitali” i ndillte gjumë.
Dhe, më në fund durimi i tij ishte shpërblyer; e kishte parë “bojëspërkatësen” në një kronikë televizive, gjatë një proteste, teksa kundërshtonte një polic. Siç mësoi më vonë, ajo dhe disa protestues të tjerë ishin ndaluar nga policia dhe aty i takonte Usianit të tregonte veten, duke demonstruar të gjithë zotësinë e tij në profesionin e avokatisë që ushtronte prej vitesh. Ishte bërë avokati i saj, megjithë kundërshtimet e shumta, të llojit “unë di të mbrohem vetë…”

5 Qershor, 2021 – 28 Maj, 2025

Botuar më 22 Gusht, 2025

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top