Prania e Inteligjencës Artificiale e ka tronditur industrinë e botimeve, duke e parë si një rrezik për jetesën e shkrimtarëve dhe si një kërcënim ekzistencial për krijimtarinë njerëzore. Por jo të gjithë po ia mbathin të trembur. Annabel Nugent bisedon me autorët që po e pranojnë IA-në në punën e tyre.
Annabel Nugent
Inteligjenca Artificiale (IA) është anatemë për shumë autorë. Në fund të fundit, çfarë është shkrimi nëse jo një punë dashurie, kulmi i shprehjes njerëzore? Në luftën kundër robotëve, ai supozohej të ishte bastioni i fundit i krijimtarisë. E megjithatë, ja ku jemi… shtrirja si me tentakula e IA-së ka filluar të infiltrojë raftet e librave tanë.
Historitë rreth autorëve që përdorin IA-në, të cilat kanë filluar të shfaqen rregullisht ndërsa softueri po bëhet më i përhapur, shpesh priten me mosbesim. Më shokuesi ishte një raport i muajit mars nga The New York Times, ku thuhej se romani horror i shumëpërfolur i një autoreje, i titulluar Shy Girl, do të tërhiqej nga një shtëpi e madhe botuese pasi u zbulua përdorimi i pretenduar i IA-së. Autorja e tij, Mia Ballard, ka mohuar ta ketë përdorur vetë IA-në për ta shkruar romanin, duke thënë për The New York Times se një i njohur që ajo kishte punësuar për të punuar në një version të hershëm të vetëbotuar kishte integruar mjete të IA-së. Gazeta amerikane pak kohë më pas ndërpreu marrëdhëniet me një gazetar të pavarur (freelance), pasi zbuloi se ai kishte përdorur IA-në për të ndihmuar në shkrimin e një recense libri.
Muaj më vonë, polemika përfshiu revistën letrare Granta, pasi një platformë zbulimi e IA-së tregoi se fituesi i konkursit të saj të tregimit të shkurtër ishte produkt i dyshuar i Inteligjencës Artificiale. Olga Tokarczuk, autorja fituese e çmimit Nobel e romanit “Hyn me plugun tënd mbi kockat e të vdekurve”, shkaktoi debate kur, gjatë një interviste në skenë, zbuloi se i kërkon ndihmë makinës – të cilës i referohej me dashuri si “e dashur“ – për të zhvilluar personazhet e romaneve të saj, duke e pyetur se çfarë lloj muzike do të dëgjonin ata. Reagimi ishte aq i ashpër, saqë ajo lëshoi një deklaratë të mëvonshme ku këmbëngulte se e përdorte teknologjinë vetëm për kërkim (research).
Është mjaft e lehtë të kuptosh pse shkrimtarët mund të joshen nga IA-ja. Keni nevojë për një sinonim? Pyetni IA-në. Jeni bllokuar e nuk dini sesi të përfundoni një fjali? Pyetni IA-në. Jeni afër afatit dorëzimit? IA-ja mund t’ju ndihmojë me këtë. Por për shumë shkrimtarë, IA-ja është gjithashtu një kërcënim ekzistencial, një kërcënim që ata besojnë se rrezikon jetesën e tyre. Një studim i Kembrixhit vitin e shkuar zbuloi se më shumë se gjysma e novelistëve në Mbretërinë e Bashkuar besojnë se IA-ja do ta zëvendësojë punën e tyre si shkrimtarë të fiction-it.
Titujt e gazetave janë dënues, ata tregojnë se IA-ja dhe autorët thjesht nuk shkojnë bashkë. Por i njëjti studim tregoi se një e treta e novelistëve të anketuar në MB po e përdorin tashmë IA-në gjenerative në procesin e tyre të shkrimit – dhe këta janë vetëm ata që e pranojnë. Xhindi ka dalë nga shishja, por pranimi i përdorimit të këtyre mjetevë në çfarëdo lloj mënyre është ende një tabu për autorët. Por a duhet të jetë kështu? A ka një botë tjetër në të cilën IA-ja mund të shfrytëzohet për të ndihmuar dhe jo për të dëmtuar botën e librit?
Disa autorë mendojnë kështu. Anthony Horowitz, novelisti dhe skenaristi i njohur i serisë Alex Rider dhe Midsomer Murders, është më optimist sesa mund të tregojë materiali i errët i veprave të tij. “IA-ja mund të jetë një mik i mrekullueshëm… megjithatë një mik i rrezikshëm,” paralajmëron ai.
Autori bëri bujë në maj kur pranoi se përdorte ChatGPT-në “gjithë kohës“ si pjesë të procesit të tij. Sot, ai dëshiron të sqarojë se për cilën pjesë të procesit bëhet fjalë. “Rreptësisht për kërkim (research),“ thotë ai tani. “Kurrë nuk do të vendosja dy fjalë nga IA-ja pranë njëra-tjetrës.” Horowitz-i nuk ndihet i turpëruar ta përdorë IA-në në këtë mënyrë. “Nuk kam absolutisht asnjë turp që e përdor, fare,“ thotë ai. “Do të ishte çmenduri të hiqje dorë nga një burim kaq i jashtëzakonshëm.”
Çfarë është vendimtare, ajo nuk është kurrë burimi i tij i vetëm. Gjatë telefonatës sonë, Horowitz-i kërkon ndjesë për t’iu përgjigjur derës për një pako që ka mbërritur. Pakoja, në fakt, lidhet direkt me bisedën tonë: një kopje e librit Stay Alive: Berlin 1939-1945 nga Ian Buruma. Është një nga dhjetëra librat historikë (jo-fiction) që Horowitz-i po lexon për romanin e tij të ri të fiction-it historik. “Burimi im i parë i njohurisë dhe i informacionit janë ende librat,” thotë ai. “Mund ta ktheja kamerën dhe t’ju tregoja të gjithë librat që kam lexuar deri tani.”
Horowitz-i më lexon një pasazh nga romani i tij i ardhshëm, për një grua dhe një djalë që mbërrijnë në Aerodromin e Croydon-it. “IA-ja më tregoi fillimisht se Aerodromi i Croydon-it ishte emri i aeroportit në vitin 1933, kohë kur vendoset ngjarja, dhe gjithashtu më tregoi se një pasagjer zbriste nga avioni dhe shkonte fillimisht në një stacion mjekësor ku kontrollohej për sëmundje që mund të importoheshin nga vendet e tjera,” thotë ai. “Këto janë dy gjëra që i mora nga IA-ja. Përshkrimin e pasaportës? Atë e mora nga një libër. Dhe pjesa tjetër, lidhja midis nënës dhe djalit, ajo jam thjesht unë. Pra, siç e shihni, madje edhe në atë pjesëz të vogël, keni tre burime: IA-në, librat dhe mua si shkrimtar.”
Në mars, rreth 10,000 autorë, përfshirë Richard Osman dhe Kazuo Ishiguro, botuan një “libër të zbrazët“ në shenjë proteste ndaj përdorimit të veprave të tyre nga IA-ja.
Horowitz-i e merr parasysh që romanet e tij mund të jenë përdorur për të trajnuar modelet e IA-së. Mund të mendoni se përdorimi i IA-së e bën atë bashkëfajtor në vjedhjen e punës së tij, por ai nuk po e humb gjumin për këtë. “Nëse do ta jetoje jetën në atë mënyrë, nuk do të haje asgjë. Nuk do të vishje asgjë. Nuk do të bëje asgjë, sepse çdo gjë e vetme që kemi rreth nesh është në njëfarë mënyre e kompromentuar. Dhe kjo është bota në të cilën jetojmë,“ thotë ai, por shton se ka “simpati të madhe“ për kolegët e tij autorë në të njëjtën pozitë.
Ai gjithashtu nuk është i shqetësuar nga thashethemet se autorët e IA-së mund të zëvendësojnë plotësisht njerëzit. “Për mua ky nuk është një shqetësim i madh sepse IA-ja nuk mund ta bëjë atë aq mirë sa unë,“ thotë ai thjesht. “Ne jemi më të mirë se IA-ja.”
Por kjo nuk do të thotë se ajo nuk mund të japë një dorë ndihmëse. Gazetarja dhe autorja Katie Prescott gjithashtu e konsideroi IA-në të vyer në shkrimin e biografisë së saj të shumëshitur, The Curious Case of Mike Lynch: The Improbable Life & Death of a Tech Billionaire, rreth sipërmarrësit të ndjerë britanik të teknologjisë dhe themeluesit të kompanisë pionierë të IA-së, Autonomy. I quajtur “Bill Gates-i i Britanisë”, suksesi i Lynch-it u zbeh nga akuzat për mashtrim masiv financiar, gjë që nga ana tjetër ndez një dekadë gjyqesh dhe një gjykim rraskapitës në të cilin ai u shpall i pafajshëm për të gjitha akuzat, derisa vdiq javë më vonë në një aksident në superjahtin e tij.
Isha me të vërtetë, me të vërtetë me fat që kisha IA-në,“ thotë Prescott-i. “Isha nën një presion të jashtëzakonshëm kohor dhe përballesha me male me informacion, rreth 2,000 faqe vendimesh kontabël shumë të ndërlikuara. Dhe në themel të atij vendimi ishin transkriptet nga një prej gjyqeve më të gjata dhe më komplekse në historinë ligjore britanike.“ Për të ndihmuar veten, Prescott-i i ngarkoi burimet e saj në Google NotebookLM – një mjet i IA-së që funksionon si një asistent kërkimor personal veçanërisht inteligjent. Pyeteni atë për çfarëdo që dëshironi rreth asaj që keni ngarkuar dhe do të merrni një përgjigje të saktë. Ai madje mund ta kthejë përmbajtjen e dokumenteve tuaja në një podcast çuditërisht realist.
NotebookLM i mundësoi Prescott-it të zbulonte hollësi të imëta në këto dokumente – thashetheme të vogla të industrisë që ajo ndoshta nuk do t’i kishte gjetur kurrë ndryshe. Si për shembull një prezantim jashtëzakonisht i çuditshëm me temë nga “Winnie the Pooh“ që Lynch-i dhe ekipi i tij kishin bërë. NotebookLM gjeti përmendje të tij në tre referenca në dukje të papërfillshme në transkriptet e intervistave me dëshmitarë më pak të rëndësishëm në gjyq, të cilat Prescott-i mbase nuk do t’i kishte lexuar nga fillimi në fund. “Nuk është diçka që do ta kishit gjetur nëse do të kërkonit rregullisht me fjalë kyçe,“ thotë ajo.
Në recensat e librit të saj, kërkimi i Prescott-it përshkruhet si “pedant“ dhe “i imtësishëm”. Avokatët, nga të dyja palët e gjyqit, ishin sinqerisht të mahnitur nga ritmi me të cilin ajo ishte në gjendje të treste dhe analizonte sasitë e pakapërcyeshme të informacionit të paraqitur para saj. “Kujtesa e tyre për çështjen janë mure e mure e mure me dosje,“ thotë Prescott-i. “Avokatët asistentë duhej të shkonin te dosja e duhur për të gjetur informacionin e duhur. Ata thanë se u deshën 10 vjet.”
Megjithatë, ashtu si Horowitz-i, IA-ja është vetëm plotësuese për punën e Prescott-it; ajo nuk është një zëvendësim. “Është një mjet. Nuk do ta bëjë punën time për mua,“ thotë ajo. “Natyrisht që nuk mund të shkruash një libër vetëm nga informacioni. Këtë mund ta bësh vetëm duke folur me njerëz; kjo kërkoi një ndërtim të madh besimi, lidhjet e mia si gazetare teknologjie, nënshkrimin e marrëveshjeve të konfidencialitetit (NDA), gjithçka që është buka dhe gjalpi i gazetarisë bazë. Gjërat që IA-ja nuk mund t’i bëjë.”
Si Horowitz-i ashtu edhe Prescott-i janë të qartë për faktin se asnjëri prej tyre nuk e përdor atë për qëllime krijuese, duke e vënë kufirin te kërkimi dhe organizimi. Por disa autorë janë gjithashtu kuriozë për aftësitë imagjinative të IA-së. Autori i romaneve policore Ajay Chowdhury, i njohur më së miri për serinë e tij Kamil Rahman, po eksperimentonte me IA-në në punën e tij që në vitin 2023. Sot, ai vlerëson se e përdor IA-në më shumë se kurrë.
Përtej kërkimit të thjeshtë, për të cilin gjithashtu e përdor, IA-ja i ofron Chowdhury-t një redaktor fillestar të tekstit (copy editor) dhe një hapësirë për të shkëmbyer ide – dikë, ose diçka, me të cilën mund të ndajë mendime. “E mendoj atë si një redaktor sipas kërkesës,“ thotë ai. “Kështu që unë zhvilloj llojin e dialogut që mund të kisha me redaktorin tim të vërtetë: ‘Shiko, jam pak i bllokuar këtu, si mendon se duhet të veproj?’ Dhe pastaj hedhim disa ide. Tani, 95 për qind të asaj që del unë e hedh poshtë, por herë pas herë ajo nxjerr diçka që ndez një ide për një drejtim ku mund të shkoja.”
Ndërsa Chowdhury nuk e përdor IA-në për të shkruar romanet e tij – “së pari, nuk mendoj se shkruan shumë mirë dhe së dyti, mirë, cili do të ishte qëllimi?“ – ai ka përdorur ChatGPT për të gjeneruar rezultate të mundshme për skena të caktuara si, le të themi, sesi një i robëruar mund të shpëtojë nga kurthi i një vrasësi duke përdorur vetëm pleh kimik dhe mjete kopshtarie. Ai e ka përdorur atë për të ristrukturuar seksione për të ndihmuar me ritmin e tregimit dhe ka përdorur një faqe gjenerimi imazhesh për të ndihmuar në nxitjen e imagjinatës së tij. Ai i kërkon reagime (feedback), duke bërë kujdes ta formulojë kërkesën e tij në mënyrë të tillë që përgjigjjia të jetë e sinqertë dhe jo servile (bot-et e bisedës njihen për një anshmëri konfirmimi që i bën ata tepër lavdërues). Dhe shumicën e kohës reagimet që merr janë në përputhje me atë që do të thoshte redaktori i tij në Penguin. “Megjithatë redaktori im i vërtetë është natyrisht më i mirë!“ Për Chowdhury-n, një pjesë e madhe e kësaj ka të bëjë me bërjen e procesit të shkrimit më efikas.
Vlen të përmendet se Chowdhury dhe Prescott-i që të dy kanë patur përvojë të mëparshme në teknologji, gjë që mund të shpjegojë sigurinë e tyre në pranimin e këtyre mjetevë. Ndoshta dyshimi rreth autorëve që përdorin IA-në tregon për një mosbesim më të gjerë ndaj asaj se çfarë është kjo teknologji dhe se çfarë nënkupton ajo për punën krijuese. Ai gjithashtu ngre pyetje në lidhje me anashkalimin, ose të paktën mjegullimin, e procesit krijues – diçka që ka qenë gjithmonë e konsideruar si thelbësisht njerëzore. Por ajo që është e qartë është se IA-ja nuk do të largohet së shpejti. Disa shkrimtarë vazhdojnë ta shmangin atë plotësisht; të tjerë do të përshtaten sipas kushteve që janë ende në proces e sipër duke i përcaktuar.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The Indepemdent