Flamingo Revolution/Arlinda Guma
Zoti Kryeministër!
Aleksandri i Madh mbante një shërbëtor të veçantë,
që t’i kujtonte çdo ditë se ishte i vdekshëm.
Ti pate një aradhë me;
servilë, lakej e puthadorë,
gazetarë dhe artistë të shitur,
klounë, lolo oborri, akrobatë dhe konkubina,
por askujt prej tyre nuk i ra ndër mend,
të ta kujtonte këtë urtësi divine.
Zoti Kryeministër!
Perandoritë asnjëherë nuk rrëzohen nga “armiqtë e jashtëm”.
Ato kalben së brendshmi.
Kur pretorianët e nxorën në ankand fronin e Perandorit të Romës,
(ashtu siç ti nxore në shitje Shqipërinë,
si një skllave të rreckosur, të cilën mund ta përdhunonte ofertuesi më i lartë)
Juliusi, që bëri ofertën më të mirë,
qëndroi në fron vetëm 66 ditë,
bashkë me habinë pse Senati e dënoi me vdekje!
Sepse ka gjëra në këtë botë,
që as nuk shiten e as nuk blihen, Zoti Kryeministër!
Zoti Kryeministër!
Napolon Bonaparti ka thënë se ashtu si në shah,
edhe në jetë, njeriu duhet ta dijë se kur duhet të mbrohet,
kur duhet të sulmojë
dhe kur duhet të tërhiqet…
E di, do t’ishte një krahasim krejt i pavend ky me Napolonin,
Aleksandrin e Madh
apo Perandorin Romak,
pasi ti nuk ke as ndërgjegjen e një zyrtari të rëndomtë, në një cep të humbur të Athinës së dikurshme,
a të Romës,
apo atë të një ushtari të plogët në fund të kavalerisë së Napolonit…
Por,
sa kohë do të të duhet që të bindesh se duhet të tërhiqesh?
Ka një kohë për gjithçka…
Por atdheu nuk ka më kohë, Zoti Kryeministër!
Zoti Kryeministër!
Flamingot janë shpendë elegante, por mbi të gjitha, dinjitoze,
që protestojnë sipas mënyrës së tyre;
ato migrojnë dhe nuk kthehen më kurrë atje ku ua trazojnë habitatin…
Sipas mënyrës së tyre, kjo është edhe protesta ime,
veçse… unë nuk do largohem.
Nuk di të t’i bërtas fjalët e kësaj poezie,
kam drojë për t’u folur me megafon turmave,
Ndaj do të t’i them
qetë,
qartë,
saktë…
Nuk pretendoj as të jem Diogjeni, gjeniu sfidues i Korinthit,
(edhe pse… shpesh më duket sikur edhe unë, njëjtë si ai, jetoj brenda një fuçie
por ndryshe nga ai, jo për zgjedhjen time…
në këtë qytet që ti e ke shndërruar në një fuçi të madhe, gjigante,
ku ke mumifikuar në çdo cep egon tënde të stërmadhe dhe arrogancën ekstreme)
pra, sot do të të flas përmes dritës së pakët të fenerit të tij,
kinikut të të vërtetave lakuriqe ndaj materies së pushtetit:
– Hapu Zoti Kryeminstër! Lësho udhë!
Se Shqipërisë ia ke zënë diellin!…*
©Arlinda Guma
14 Qershor, 2026
*Shënim: Kur Aleksandri i Madh shkoi të takonte Diogjenin në Korinth, ky i fundit i tha me shpërfillje: “Hapu pak se më ke zënë diellin!”
Si gjithmonë jeni koherente Arlinda. Ju lumtë “lufta” s’është vetëm në sheshe, çdonjeri prej nesh bën “luftën” e tij!