Kur fatet e kombeve vendosen në jahte miliarderësh/Arlinda Guma

in Esé/Në kohërat e kolerës by

Pazari është kryer dhe kryeministri nuk tërhiqet, jo se s’do, por se nuk ka rrugë tjetër…

            Arlinda Guma

Në intervistën që Jared Kuahner kishte dhënë në lidhje me investimin në Sazan e Nartë, më bëri mjaft përshtypje natyrshmëria me të cilën ai fliste për takimin me kryeministrin shqiptar Edi Rama. Ata ishin takuar në një jaht! (Në jahtin e një miku të tyre miliarder, që siç del së fundmi ka qenë i implikuar në çështjen e ishullit famëkeq Epstein.) Edhe kryeministri shqiptar nga ana e tij ka folur me të njëjtën natyrshmëri për atë takim.
Në të vërtetë, jo se nuk e dimë që fatet e kombeve luhen nëpër tavolina miliarderësh, gjatë eventeve të tyre “argëtuese”, por nëse herë të tjera këto takime janë zhvilluar në një rreptësi të madhe masash privacy-je dhe të paekspozuara në medie, të deklaruara kaq hapur, gjithandej, si në këtë rast, me ishullin e vendit tënd si aperitiv, si një mall pa zot në mes të detit, të ngjallin shumë irritim.
Një kryeministër serioz dhe i përgjegjshëm nuk zhvillon takime nëpër jahte duke shkuar atje si langua i rrahur! Sado i varfër qoftë vendi që ai drejton. Është autoriteti i institucionit para së gjithash.
Një kryeministër dinjitoz dhe i përgjegjshëm zhvillon takime me palën e interesuar vetëm në zyrën e tij. Është serioziteti i shtetit që ai përfaqëson.
E madje, pasi dëgjon me kujdes idete e tyre, një kryeministër i përgjegjshëm zhvillon dëgjesa publike me banorët e vendeve ku synohen të bëhen këto investime. Duke i mbajtur shënim me përulësi një për një propozimet dhe ankesat e tyre. Dhe informohet mirë se çfarë përfiton komuniteti nga këto investime. Pastaj të gjitha këto i shtron në tavolinë për shqyrtim, duke ftuar, mbi të gjitha, ekspertë mjedisorë.
Kështu do të vepronte një kryeministër që e do vendin e tij. Një kryeministër i majtë që është zgjedhur në atë post për të përfaqësuar para së gjithash interesat e më të dobtëve, të komunitetit, para atyre të miliarderëve.
Por sa larg është e gjithë kjo që përshkrova nga modeli real i kryeministrit që kemi!
Sa larg!
Kryeministri Edi Rama, edhe në ato raste të pakta kur zhvillon dëgjesa publike, gjatë gjithë kohës flet vetë. Edhe në rastin kur ndonjë prej dëgjuesve guxon ta kundërshtojë, ai e bullizon me një arrogancë të tejskajshme. (Me të njëjtën arrogancë që bullizon edhe gazetarët.) Edhe pse, nëpër dëgjesa të tilla, edhe dëgjuesit i përzgjedhin që të jenë militantët e tyre, madje i urdhërojnë me mesazhe që të jenë entuziastë dhe brohoritës.
Atëherë ku do t’i shprehë shqetësimet populli?
Po ndoshta kjo nuk i intereson kryeministrit tonë. Ndoshta ai ka në plan që të klonojë e të rrisë një popull tjetër, pa ankesa. Një popull të pazëshëm, një popull memec që vetëm do ta votojë verbtaz dhe do ta duartrokasë.
Më ka bërë mjaft përshtypje edhe vizita e tij në Izrael një vit më parë. Në një kohë kur bota e ka shpallur kriminel lufte Benjamin Netanyahu-n dhe kur asnjë vend nuk zhvillon takime ndërshtetërore me të, kryeministri shqiptar është i vetmi që e takon “me këmbët që i dridhen”, siç u shpreh vetë. Kanë një hall të përbashkë, të dy duan t’i shpëtojnë drejtësisë!
(Për ta bërë dallimin: Këto ditë kryebashkiaku dinjitoz i New York-ut, Zohran Mamdani, i cili gjithashtu është i majtë, refuzoi të merrte pjesë në festimet që do mbaheshin në Ditën e Izraelit.) Ishte irrituese sesi menjëherë pas kthimit nga Izraeli, kryeministri organizoi gjithë mercenarët mediatikë (me në krye një shkrimtar sharlatan si Ben Blushi), të cilët i paguan me taksat tona, të bënin shkrime proizraelite dhe kundra Palestinës, në të cilat shpjegohej imtësisht pse Palestina nuk e meriton lirinë… Duhet të kesh një deformim shumë të rëndë në shpirt të mbash një qëndrim aq çnjerëzor ndaj një populli martir si ai i Palestinës, të deklarosh se fëmijët e palestinezë, që digjen së gjalli nga ushtria izraelite, e meritojnë atë makabritet! 
Të jesh solidar ndaj çështjes së Palestinës është ajo që e dallon njeriun nga speciet e tjera. Jemi një komb i vogël, që e kemi përjetuar në lëkurë fatin e Palestinës, pikërisht në vitin 1913 kur na copëtuan dhe na shpërngulën nga trojet. Por nuk është çudi që ta provojmë sërish nëse nuk do të jemi vigjilentë.
Ne, opinioni publik, dimë vetëm për çështjen e investimit në Sazan e Nartë, por sa marrëveshje të tjera sekrete mund të jenë lidhur në atë takim? Sa? Ç’copë tjetër prej Shqipërisë duhet të jetë shtuar në menu? Unë mendoj se kjo nuk mbaron me Sazanin.
Mendoj gjithashtu se marrëveshjet që kryeministri shqiptar ka nënshkruar me Benjamin Netanyahu-n janë ku e ku më të rënda se shitja e një ishulli. Pazari është kryer dhe kryeministri nuk tërhiqet, jo se s’do, por se nuk ka rrugë tjetër. Ndaj, edhe nëse ky investim në Sazan anullohet, duhet të qëndrojmë shumë syhapur. Në ato marrëveshje duhet të jenë luajtur shuma mjaft të mëdha! Ben Blushi nuk leh gratis! E ka demonstruar me pagën stratosferike që merrte nga inceneratorët.
Ashtu siç të gjithë e shohim, këto protesta në Shqipëri nuk janë më një çështje e mbrojtjes së pelikanëve prej pelivanëve. Ato janë shumë më shumë se kaq. Ato tashmë janë çështja jonë kombëtare. Personi që filmoi protestuesin që e tërhoqën zvarrë, në mënyrë të pandërgjegjshme i ka bërë një shërbim të pamasë kombit. Sepse ajo skenë na zgjoi nervin të gjithëve. Revolta flinte së brendshmi por duhej ajo shkëndijë, duhej ajo skenë çnjerëzore, e padurueshme, për të na bërë ta nxirrnim jashtë gjithë atë revoltë. Dua ta falënderoj me mirënjohje këtë njeri!
Protesta është edhe në emër të asaj nënës që shet në trotuar, të cilës polici arrogant i bashkisë ia derdh karrocën në mes të asfaltit, në emër të pensionistëve, që nuk i shohin dot fëmijët e tyre të degdisur në emigrim, e që vdesin vetëm, në emër të të gjithë banorëve të Shqipërisë që po i përzënë me forcë nga prona e tyre, për Spitalin Onkologjik që nuk ka ilaçe, për çmimet që janë rritur në maksimum sepse kjo qeveri “turistike” kujdeset vetëm si t’ua lehtësojë jetën turistëve, jo shtetasve të saj.
Protesta është edhe në emrin tim dhe në emër të të gjithë artistëve të papërlyer që nuk pranojnë të shiten e të trajtohen si lolo në Kopshtin e Edenit që qeveria e ndërtoi me 4 milionë dollarë, ndërkohë që jeta artistike në vend ka marrë fund dhe ku i vetmi art i pranueshëm është ai i patronazhistëve.
Askush në atë protestë nuk e urren Amerikën, sepse Amerika nuk është presidenti i saj, ashtu siç Izraeli nuk është qeveria e tij dhe ashtu siç Shqipëria nuk është kryeministri i saj. Të gjithë popujt kanë të njëjtin fat përballë dhunës së pushtetit. Ja pse protestat në Shqipëri kanë fituar solidaritetin e njerëzve të thjeshtë në gjithë globin. We are all Albanians, shkruajnë ata dhe unë nuk e kam parë kurrë më të bukur Shqipërinë sa ç’e shoh këto ditë. Do të vij me pushime në Shqipëri dhe në bluzë do të vë logon e flamingove, thotë një tjetër.
Kurrë më parë atdheu nuk më është dukur kaq dinjitoz! Por një ndihmë të madhe mendoj se kanë dhënë edhe fëmijët e emigrantëve shqiptarë në gjithë botën, të cilët, të edukuar me atdhedashuri, e kanë përhapur lajmin gjithandej. Këta flamingo të rinj e të bukur që nuk i harrojnë rrënjët e tyre. Një falënderim mirënjohës edhe për ta!
Pranë Zvërnecit ndodhet varri i Marigo Posios, vajzës shqiptare tejet të emancipuar për kohën, aktivistes që përveç të tjerash qëndisi edhe flamurin e Pavarësisë, porse që vdiq në varfëri e mjerim e varrosur nga kisha, si dhe të shumë ortodoksëve të tjerë patriotë, të cilët e shkrinë pasurinë e tyre për Shqipërinë… Universi asnjëherë nuk punon në mënyrë të rastësishme. Ai i lidh fijet ngadalë, në heshtje, derisa të gjitha këto pika të mistershme takohen diku me njëra-tjetrën dhe realizojnë më në fund plotin e ndërtuar imtësisht prej ndërthurjes së sa e sa kohëve!
Një frymë e shenjtë po na merr për dore dhe po na tregon rrugën e humbur prej shekujsh…
Po na tregon se kombet nuk duhen të behën parqe lodrash për miliarderët apo sheshe betejash për kriminelët e luftës!

©Arlinda Guma

7 Qershor, 2026

__________________

Arlinda Guma është autore e katër romaneve: Bulevardi i Yjeve (2014), Terma humanitarë si fjala bombardim (2016), Bob Legjenda (2021) dhe Marksi ka humbur kujtesën (2025).
Letërsia e saj është botuar në disa revista letrare ndërkombëtare, përfshirë revistat amerikane Words Without Borders dhe Poets & Writers, në revistën greke Teflon, etj. 
Poezitë e saj janë përfshirë në antologji letrare ndërkombëtare dhe janë interpretuar nga aktorë të huaj në shumë vende të botës.
Që prej vitit 2018, ajo është themeluese dhe drejtuese e revistës kulturore defekt-teknik.com, e cila ruhet në Bibliotekën e Kongresit Amerikan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kritika e përshkruan si një autore të guximshme dhe jokonformiste, “që shkruan me grusht.”

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top