Pse shkruaj?/Blerta Derhemi

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga Blerta Derhemi.

Vijon më poshtë.

Pse shkruaj?-Blerta Derhemi

Si e perceptoj të shkruarin?

Të shkruarit është aftësia për të zhbërë dhe ribërë hapësirën, kohën dhe vendin ku ndodhesh, duke e transformuar të zakontën në të pazakontë. Për më tepër të shkruarit është liri, është arratisje, është fluturim, është udhëtim, madje nga ato udhëtime ku nuk të shpie asnjë biletë apo avion, sado pasuri materiale të kesh. Ndaj shkrimin e shoh si ikje dhe ardhje. Ikje nga vetja dhe realiteti, ikje nga e shkuara dhe e tashmja për kah e ardhmja. Ardhje, ardhje drejt dhe përballë vetes. Ky mund të jetë nga destinacionet më të vështira të shkrimit udhëtim.

Pse shkruaj?

Përmes të shkruarit përpiqem të materializoj përjetimet, emocionet dhe gjurmët e lëna prej tyre në të ndërgjegjshmen apo të pandërgjeshmen time. Në përpjekjen për këtë materializim, sado çuditshëm mund të tingëllojë, fjala nuk është e para. Shkrimi, por sidomos poezia, fillimisht vjen në trajtën e një imazhi të cilin më duhet ta “pikturoj”, jo me penela por me fjalë. Nuk mbaron me kaq, sepse ky imazh në sajë të ngjyrave që mbart ka aftësinë të luajë një melodi të caktuar (edhe pse nuk kam fare vesh muzike), melodi e cila pret të shkruhet, jo me nota muzikore por me fjalë. Ndaj fjalën e shoh si një instrument kaq të fuqishëm.
Leximi i fjalës më jep ndjesinë se jam në gjendje të prek ndjenjat dhe emocionet. Perceptimi i tyre bëhet kaq konkret dhe real, del jashtë mendjes dhe zemrës dhe rri aty mbi fletën e bardhë duke pritur që ta kundroj, ta ledhatoj, ta kritikoj apo mbase dhe ta urrej?! Këtu më duhet të shtoj me domosdo faktin që të shkruarit përmes procesit të brendshëm të reflektimit e frymëzimit, më ka ndihmuar të rritem, të arrij një pjekuri të caktuar mendimi, të ruaj thelbin tim pa u tunduar nga rrethanat e jashtme, të pastroj veten nga mëritë, duke ma lënë ndjesinë e urrejtjes gjithnjë jashtë vatrës ku digjem, shuhem dhe rindizem, përsëri me fjalën e shkruar.

Si e përjetoj procesin e të shkruarit?

Që fëmijë më kanë magjepsur flokët e dëborës. Në orvatjen e tyre për t’iu afruar tokës, më ngjasonin si fluturza kristali frymë-pezull përpara se të thërrmoheshin e të njëtrajtësoheshin në një vel të bardhë. Po si ishte e mundur që thërrmoheshin aq qetësisht?! Ndoshta kjo magjepsje më bën ta përjetoj të shkruarin si një thërrmim të asaj që jetoj përditë, të përballjes me të bukurën dhe të shëmtuarën, të çasteve të ëmbla dhe të hidhura, të dashurive të shuara dhe të atyre ende në frymë… Magjia nis kur thërrmijat fillojnë e zgjohen nëpër qelizat e mia duke endur, jo tisin e bardhë të dëborës, por pëlhurën e poezisë. Kjo pëlhurë merr trajtat e përrallave të treguara e të lexuara prej gjyshërve, të qëndismave dhe dandellave thurur prej gjysheve, fillon merr shkëlqimin e syve të sime mëje, nis frymon me ritmin e zemrës së të vegjëlve të mi, ngroh zemrën e dashuruar miturisht, merr trajta resh, yjesh, ëndrrash… E gjithë kjo gjendje më lejon të përjetoj kthimin e shpirtit tek vetja në gjëndjen e vet të kulluar, të pandotur prej asgjëje, prej aty jam unë që i jap ngjyrat që dua çdo grimce të jetuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që
Go to Top