SHKRIMTARI VETËVRASËS-Jorge Majfud

in Letërsi/Tharm by

JORGE MAJFUD*

Atë mëngjes mora vendimin për diçka që e kisha menduar prej kohësh: t’i jepja fund jetës, në mesditë, fiks në dymbëdhjetë.
U ula në karrige, para skrivanisë dhe përfundova kapitullin e fundit të romanit tim, për të cilin më ishin dashur dhjetë vjet që të grumbulloja dokumente dhe po aq vite të tjerë pune të ankthshme. Kur vura pikën e fundit, ndjeva se jeta ime qe zbrazur si edhe shishja e bojës, dhe, me vendimin e prerë për t’u përballur me vdekjen, e cila po më buzëqeshte nga ana tjetër e jetës, hapa sirtarin e skrivanisë, ku ishte pistoleta me qytën e zezë, me tytën metalike të lëmuar dhe me mullirin rrotullues, në të cilin kishte vetëm një plumb, gati për të dalë andej me një të shtënë. Për një çast vështrova mrekullinë dhe rrezikun e asaj arme që ma kishte dhuruar im atë natë, kur ndodhi ajo ngjarje që do të ndryshonte rrjedhën e jetës sime.
E ngrita pistoletën, shtriva krahun dhe, me syrin tek shënjestra, e kalova nëpër dhomë; por aty ku vendosej vështrimi, shpirti im gjente veçse një humnerë marramendëse vetmie dhe dëshpërimi. Atëherë, duke e lënë veten të shkretuar, mblodha krahun dhe e mbështeta grykën e armës mbi tëmth. Tërhoqa shkrehësin, shtrëngova këmbzën dhe… Bum!!!… Goditja qe aq e fortë sa më vërviti përpjetë dhe pastaj u shemba përdhe praptas. Gjaku shpërtheu lumë dhe era e barutit mbyti dhomën, atë dhomë me tavan të ulët, me mure plot me libra, me një derë që dilte në rrugë dhe me një dritare prej nga futej një ajër i ftohtë si vetë vdekja.
Kaloi kohë dhe askush nuk mori vesh për boshin që la mungesa ime, derisa policia më gjeti të shtrirë në mes të një lëmi me gjak të tharë, me tëmthat vrimosur tejetej, me pistoletën në dorë, me trupin e deformuar nga dhjamosja e tepërt dhe me mjekrën e dendur, ku krimbat kishin bërë folenë e tyre.
Policia, e habitur, konstatoi se unë, në rrethanën e shkrimtarit vetëvrasës, kisha lënë një dëng me letra mbi skrivani dhe një shënim ku thosha: «Askush të mos qajë mbi kufomën time, askush të mos vendosë lule mbi varrin tim. Le ta marrin vesh të gjithë se vdiq një njeri, i cili nuk mundi të gjente dot lumturi veç përmes vdekjes…».
Kur lajmi doli në shtyp: «Shkrimtari vetëvrasës i dha fund jetës në mesditë, fiks në orën dymbëdhjetë…», lexuesit morën vesh se protagonisti i romanit tim, roman i krijuar nga realiteti dhe fantazia, pati një përfundim më të lumtur nga jeta ime.

_____

*Horhe Mahfud (1969) – shkrimtar dhe eseist uruguaian. Ka mbrojtur titujt master në letërsi dhe doktor në filozofi në Universitetin e Xhorxhias (2008). Është i njohur për romanet e sidomos për esetë e tij kritike që janë botuar rregullisht në mediat dhe gazetat më prestigjioze të botës: “Milenio Diario” (Meksiko), “La Republika” (Montevideo), “Panamá América”, “La Vanguardia” (Barcelonë), “Courrier Internacional” (Paris), “Hispanic Culture Review” (Universiteti George Mason), “Pegaso” (Universiteti i Oklahomës), “Tiempos del Mundo” (Washington), etj.
H. Mahfud, veç Universitetit Georgia ka qenë profesor në Universitetin Linkoln dhe në Universitetin Jacksonville. Ai ka marrë disa çmime letrare ndërkombëtare: Mención Premio Casa de las Américas, La Habana, Cuba 2001, Excellence in Research Award’, University of Georgia 2006, and Faculty Award for Excellence in Scholarship and Professional Activities, etj.
Është autor i dhjetëra librave, midis të cilave shquhen: “Koha që më takoi të jetoj” (2004), Qyteti i hënës (2009), “Iluzionistët” (2012), “Kritika e pasionit të pastër”, etj.

Përktheu nga spanjishtja Bajram Karabolli

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

DËSHTIM-Janis Ricos

DËSHTIM-Janis Ricos Gazeta të vjetra të hedhura në oborr. Përherë të njëjtat.

Një orë- Erich Fried

Një orë- Erich Fried M’u desh një orëpër të korrigjuarnjë poezi që

Harta-Wislawa Szymborska

Harta-Wislawa Szymborska E sheshtë si tavolina ajo është vendosur mbi të. Asgjë
Go to Top