Përkushtimi i palodhshëm i “The New Pope” drejt trasgresivitetit

in Kinema by

Ju jeni po aq i bukur sa Jezusi, por nuk jeni në të vërtetë Jezusi

  Nga Phiippa Snow

Filmi i ri i Paolo Sorrentino-s në HBO, paraqet një variacion të dekadentizmit të “The Young Pope”.

Në filmin “The New Pope”– “Papa i ri”,  të vitit  2017, Paolo Sorrentino na solli atë që ka qënë me siguri një nga skenat më të mira televizive të dekadës së fundit – që do të thotë, duke filluar që nga Jude Law, si Papa Pius XIII, i veshur në stolirat e tij ceremoniale, deri tek nuancat blasfemuese të përsosura të klubit të LMFAO: “I’m sexy and I know it” (Unë jam sexy dhe e di këtë).

Dickie Greenleaf gjeti te Law një personazh shumë të përshtatshëm për kombinimin e tij të veçantë midis bukurisë fizike, arrogancës dhe sjelljes së tij të guximshme, duke na thënë se dëshirorja dhe hyjnorja mund të jenë pak a shumë e njëjta gjë. (“A e dini, Atë i Shenjtë?”, i thotë Sekretari i shtetit, Pius-it në mënyrë të irrituar në një episod të hershëm.”Ju jeni po aq i bukur sa Jezusi, por nuk jeni në të vërtetë Jezusi.” “Në të vërtetë unë mund të jem akoma më i pashëm”, i përgjigjet Pius-i i ngërdheshur. Por mbajeni sekret.”). “Nuk u provua asnjë variacion tjetër muzikor për këtë skenë,” njoftoi Sorrentino GQ-në, i cili e quajti përdorimin e këngës së LMFAO-s “trippy”(psikedelike) dhe “spektakolare”. Kjo ka një kuptim; si filmi, ashtu edhe kënga, janë idioteske, pikërisht sepse i jepet kaq shumë rëndësi bukurisë fizike. Domethënë, të shohë një burrë te pashëm mund të jetë po aq konfuze për një shikues sa të dëshmojë një mrekulli. Duket sikur “The New Pope” (“Papa i ri”), na thotë se të qenit sexy të afron sadopak me perëndinë.

Pius-i i XIII, arqipeshkvi Lenny Belardo i New York-ut, një sex symbol, që ka ves të madh duhanin dhe pi Cherry Coke Zero, zgjidhet në pozicionin më të fuqishëm të Kishës Katolike, me shumë hidhërim nga kardinalët që e zgjodhën, ai është gjithashtu një tiran: konservator, plot me ndëshkime infernale dhe me sa duket i imunizuar ndaj mëkateve të trupit. Nëse “The Young Pope” do të kishte qënë filmi që interneti besonte se do të kishte qënë – një film për një Papë tërheqës, të shthurur, duke përfaqësuar Kishën Katolike në imazhin e tij epshor dhe liberal – do të kishte qënë si ata pacientët që mbërrijnë me urgjencë në spital dhe nuk mund të bëhet më asgjë për ta, një shaka monotone që nuk ishte aq e mprehtë sa për të hapur një shfaqje. Përkundrazi, idetë e shkollës së vjetër të Lenny-t, ekstremizmi i tij fillestar dhe opinionet e tij ndaj vlerave seksuale bashkëkohore, e bënë atë një antihero intrigues. “The Young Pope” rezulton si një meditim 10-orësh mbi kontradiktat e natyrshme të një njeriu që mund të gabojë dhe që ka cilësi tokësore. Ai është po ashtu një kanal përcjellës i zërit të pagabuar dhe qiellor të Zotit.

Në pjesën më të madhe të filmit, Lenny ndihet bosh. Ai është një njeri i fiksuar me mungesën e prindërve të tij të vërtetë, duke shpresuar të paqësohet me një tjetër lloj Ati. Ai refuzon të lejojë publikun e tij të vështrojë fytyrën e tij “të bukur”, një veprim që ai e sheh si vetëmohim dhe që shikuesi mund ta interpretojë qoftë si një lojë fuqie ose si një lojë marketingu jashtëzakonisht të zgjuar. Në finalen e sezonit të “The Young Pope”, ai pëson një atak në zemër ndërsa qëndron në ballkonin e Bazilikës së Shën Pjetrit, duke besuar se ka dalluar prindërit e tij në mes të turmës. “Një ditë do të vdes,” u thotë ai besimtarëve, “dhe më në fund do të jem në gjendje t’ju përqafoj të gjithëve, një nga një.” Ёshtë ky një tjetër dështim i trupit dhe një njohje e kufijve të tij përballë një pozicioni që kërkon që ai të kanalizojë hyjnoren.

“The New Pope” hapet me të në gjendje kome dhe me një infermiere të re që kujdeset për të në një dhomë të ndriçuar nga një kryq neoni – meqë ai është sexy dhe ajo e di këtë, infermierja e re nuk është në gjendje ta mbajë veten nga masturbimi pasi kryen pastrimin e tij të çdo natë me një sfungjer. Nuk kemi asnjë dyshim mbi angazhimin e palodhshëm të Sorrentino-s drejt trasgresivitetit. Titrat e hapjes tregojnë murgeshat që vallëzojnë si strippers nën notat e një melodie Euro-house (muzikë e viteve 80′). Ato ngjajnë me diçka nga një film nunsploitation (filma erotikë me qëllim tërësisht komercial) me regji nga Gaspar Noé.

Çfarë të rejash kemi nga “The New Pope”? Sepse seriali HBO  nuk po jepet i gjithi menjëherë, por me episode dhe është e vështirë  të dish saktësisht përmbajtjen e tij. Në episodet e tij të parë, harku narrativ i shfaqjes fillon të tregohet me ritmin e ngadaltë të kërmillit. Me Lenny Belardo-n tani të padisponuar, Vatikani duhet të votojë për një zëvendësim. Së pari, emërohet një Papë i quajtur Françesk, me prirje socialiste, pastaj atë e largojnë. (Bamirësia mund të fillojë në shtëpi, por nuk fillon në shtëpinë e Zotit, ku njerëzit e shenjtë nuk kanë ndër mend të lënë luksin e tyre ceremonial.) Një njeri më i moderuar emërohet për pozicionin dhe pas disa murmuritjeve autokritike, ai pranon.

“The New Pope”, Papa i zgjedhur luhet nga John Malkovich dhe pa dyshim që jeni të vetëdijshëm nëse e keni parë marketingun e këtij sezoni. Ai është një anglez me një theks jashtëzakonisht të lajthitur. Sir John Brannox është një pispilluq, një ish-punk dhe është aq i butë, sa personazhet e tjerë vazhdimisht thonë se ai është prej porcelani. Ekziston një batutë e famshme mbi miqësinë e tij të ngushtë me Meghan Markle dhe një tjetër në lidhje me qarqet mondane. “Personazhet e mi të preferuar janë Dennis Hopper, Jack Nicholson, Sean Penn, Sharon Stone dhe Marilyn Manson,” vëren ai ndërsa shikon Easy Rider . “Duken njerëz të lirë.” Kur thotë “prindër”, tingëllon sikur po thotë “papagaj”, dhe kur thotë “Papë”, fjala ka më shumë rrokje sesa duhet të ketë.

“Ai është bindës, është joshës, ai ju pushton”, thotë shefja e tij e marketingut. “Ky njeri është si prej kadifeje.” Më vonë, ajo vëren se ai i kujton dikë:”Aktorin tim të preferuar, John Malkovich.” “Nuk ia kam idenë,” ngrit supet Brannox, sikur s’e di kush është John Malkovich. Ky lloj meta-humori është gjaku i jetës së “The New Pope”, absurditeti i tij disa herë justifikohet me shtimin e ca notave surreale. Marilyn Manson, i cili luan veten, bëhet zëvendësues i publikut kur paraqitet të takojë Papën dhe është i zhgënjyer që nuk takon Papën e ri dhe sexy nga sezoni i parë. Vatikani i lutet me edukatë Sharon Stone-it, edhe ajo në rolin e saj, të përmbahet “nga kryqëzimi ose çkryqëzimi i gjunjëve” gjatë vizitës së saj në Vatikan. Gjatë gjithë serisë, subjekte po aq të larmishme dhe shqetësuese sa abuzimi i fëmijëve dhe terrorizmi, për të mos përmendur vrasjen dhe shfrytëzimin e punonjësve të mitur të seksit, marrin pjesë bashkë ​​me të tjera subjekte flakëruese, si skena nudo dhe shaka në lidhje me SSC Napoli.

Me sa kujtoj, vetëm një personazh femëror, nën moshën 50 vjeç, e cila ka një dialog, nuk zhvishet lakuriq. Sidoqoftë, tifozët e “The Young Pope” nuk do të presin domosdoshmërisht të njëjtin ton koherent, por as nuk do zhgënjehen me disa dalje nga temat pikante të Sorrentino-s. “The New Pope”, ashtu si paraardhësi i tij, është një sintezë diskoje e nxitur nga politika e dendur kishtare dhe e sex appeal-it të stilit camp (stil i ekzagjeruar dhe vulgar) me energji njëkohësisht ekscentrike dhe ekstatike.

Ashtu si te ”The Young Pope”, edhe “The New Pope” përshkohet nga një interes për pabarazinë midis gjendjes fizike dhe asaj shpirtërore. Në rastin e shfaqjes së trupave të sëmurë dhe me aftësi të kufizuara, kjo herë pas here manifestohet në diçka jo të këndshme. Është fjala për dëlirësinë e natyrshme të këtyre personave. Trupat e tyre nuk u ofrojnë atyre mundësinë për të qenë sa më venalë, të vetëpërqendruar ose të aftë të shpërdorojnë seksualtetin e tyre si ekzemplarë “të përsosur”. Brannox-i, i cili zgjedh emrin e Papa Gjon Pali-it të III, është një ekzemplar burrërie më pak i përsosur sesa Lenny Belardo dhe është logjikisht edhe më pak fanatik. Ai beson se dashuria – qoftë fetare apo romantike – duhet të shfaqet vetëm si ëmbëlsi abstrakte, kurrë si pasion konkret. Qëndrimi i tij i arsyeshëm ndaj fesë dhe mënjanimi ndaj konfliktit të vërtetë, e bëjnë spektatorin tifoz të tij në mënyrë shumë më të lehtë se sa paraardhësi i tij. (“Kam vuajtur kur Britania e Madhe votoi për Brexit-in,” u psherëtin ai kardinalëve të mbledhur. Brannox, c’est moi.)

Ёshtë për të ardhur keq, pra, që shumë shikues do të kalojnë dy të tretat e para të “The New Pope” duke mos parë Lenny-n, një djalë i keq, i cili është më argëtues se një burrë me virtyte. Për shkak se klipet promovuese tregojnë se ai kthehet, nuk mendoj se do ta konsideroni si spoiler nëse ju them që dalja e tij në skenë nga fundi është ajo ç’ka i jep kuptim serialit “The New Pope”. Zoti, në mençurinë e Tij të pafund, e ka parë të arsyeshme ta bëjë atë më muskulor se kurrë në konvaleshencën e tij. Në këtë mënyrë, ndërkohë që ai rishfaqet, duke dalë nga një oqean i qetë, i kaltër, i veshur me një palë rrobabanjoje papale tërësisht të bardha, filmi na ofron një sekuencë të re po aq camp dhe marramendëse sa montazhi i sezonit të parë LMFAO. A është një sekuencë ëndërrimtare? Padyshim që është ëndërrimtare. Shkelja e syrit që Law-s i jep kamerës gjithashtu funksionon në mënyrë figurative, një shenjë e asaj që publiku ka parashikuar gjatë gjithë kësaj kohe.

“Falënderoj Zotin që u rrita katolik,” ka thënë dikur John Waters, “kështu që seksi do të jetë gjithmonë i pistë.” Në moshën 73 vjeç, Waters është ende i njohur si Papa i Trash-it, duke kundërshtuar një teori të paraqitur nga “The Young Pope”:”Të rinjtë janë gjithmonë më ekstremë sesa të moshuarit.” Ashtu si Sorrentino, ai është i vetëdijshëm për fuqinë e vënies në kontrast të hyjnores dhe tokësores, dhe që secila cilësi shërben për të rritur potencialin e tjetrës. “Ndonjëherë ne e ngatërrojmë bukurinë me ekstazën”, thotë Lenny. “The New Pope”, ashtu siç edhe “The Young Pope” përpara tij, ndonjëherë ngatërron spektakolaritetin, seksualitetin apo trasgresivitetin, me ekstazën. Ka një mish-mash në mesazhin e tij, që mund të ishte akoma më shqetësues nëse nuk do ishte edhe komik, i guximshëm, i mrekullueshëm dhe ndryshe nga gjithçka tjetër në televizion. Malkovich, në rolin e Brannox-it është argëtues, edhe nëse nuk ka atë konfliktin e brendshëm ose shikimin e dashur që Law i drejton kamerës. Sidoqoftë, është e vështirë të matesh me ato rrobabanjoje të bardha. Nëse Sorrentino nuk do të kishte krijuar asgjë tjetër përveç atij imazhi zbavitës dhe të pashlyeshëm, “The New Pope” do ta kishte garantuar ende vendin e tij në parajsën televizive.

_____

Philippa Snow – shkrimtare – Norwich, Angli.

Punët e saj janë botuar në revistën Artforum, Sight & Sound, GARAGE, Frieze, The Cut, dhe Tank.

Përktheu: Aurora Sahatçi

Marrë nga: The New Republic

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top