Nata e fundit në Romë-Gatitja/Ovidi (Poemat e ekzilit)
Kur mësyn në mendje më i trishti kujtim,
i asaj nate, ora e mbrame në qytetin tim,
kur e kujtoj at’ natë kur u nisa e lashë gjithçka pas
më të shtrenjët, edhe tash lotët m’rrëshqasin sysh.
Ja po soste ajo ditë kur Çezari pat dhënë urdhër
Të degdisesha përtej brigjeve më të largëta të Italisë.
S’kishte kohë as dëshirë të gatiteshe e niseshe
Ç’të merrje e ç’të lije, zemra ish’ mpirë nga ajo pritje.
S’mendoja hiç për skllevërit a kush vinte me mua,
Teshat a të tjera nevoja në ekzil.
Isha trandur si njeri, më gjuajti Jovi me rrufe,
Bash ai që çon një jetë të panjohur për ne.
Por kur vetë pikëllimi m’i largoi retë e zeza të mendimit,
dhe më së fundi shqisat nisën të japin shenja jete,
Ua thashë dy fjalë miqve të trishtuar në prag të largimit,
S’ishin shumë si kaherë, atyre pak të mbeturve
Sakur e dashura grua në krahë shkrehej në vaj,
E lotët i shkisnin pa pushim faqeve të saj pa faj
Ime bijë n’ato brigje të Libisë së paskaj
S’dinte gjë për fatin e atit të saj.
Kahdo të çapiteshe, n’trishtim e hidhërim ziplot,
A thua brenda mureve gatiteshin për përshpirtje
Gra, burra, bashkë me fëmijët më qanë për së gjalli
S’kish vend në atë shtëpi që s’u la me lot.
Nëse krahasimi lejohet me ma të mëdhajat ndodhí
Kjo ishte f’tyra e Trojës kur u bë shkrumb e hi
Tani britmat e njerëzve dhe të qenve heshtnin
hëna në kup qiellës pa natën që u thye.
E lau me dritë dhe e shndriti Kapitolin,
ndanë shtëpisë sime, porse kjo s’kishte rëndësi,
U luta: ju fuqi që zotëroni këto toka kësoane,
O ju faltore, s’do t’u shohin më kurrë me sy
O zota të qytetit madhështor të Kuirinusit[1]
S’pranoj kurrsesi t’ju lë lamtumirë të përgjithjetshme
Ani se e ngre mburojën shumë vonë, i plagosur,
liroje këtë dëbim nga barra e urrejtjes,
dhe i shpjegoja atij njeriu-zot çfarë më gaboi,
asisoj s’mendon se faji im është krim,
asisoj autori i dhimbjes time e di atë që di ti.
nëse zoti është i kënaqur, ashtu duhet të jem edhe unë .”
U fola zotave me një lutje si kjo,
gruaja ime edhe më shumë, qante me gulshe mbyturazi.
U lëshua para Larit[2], me floknajën kërleshur,
me buzët që i dridheshin vatrën e ftohtë preku,
U blatoi lutje Penatave,[3] gjithsesi
Anise s’i ndihnin bashkëshortit të saj shortzi.
____
Përktheu: Granit Zela
[1] Kuirinusi ishte perëndi e shtetit të Romës.
[2] Lari-perëndi shtëpiake
[3] Penatat-pernëdi shtëpiake
Një letër për Borges-in nga Susan Sontag, 10 vjet pas vdekjes së tij
Susan Sontag 13 Qershor, 1996, New York I dashur Borges, Meqenëse letërsia jote mbante gjithmonë shenjën