Marrëdhënia e Maria Callas-it dhe Pasolini-t: Arti që i mbijetoi edhe vdekjes

in Kinema/Letërsi/Muzikë by

 

Je si një gur i çmuar që është shkatërruar dhunshëm në një mijë çakulla, për t’u rindërtuar pastaj me një material më të durueshëm se ai i jetës, që është materiali i poezisë – Pasolini

Shkruar nga: Roberta Errico

Përktheu: Arlinda Guma

Në vitin 1968, regjisori dhe poeti Pier Paolo Pasolini është gati për të xhiruar filmin e tij të ri:“Medea”.

“Medea” e intelektualit friulian është frymëzuar nga historia e magjistares së Kolkhidës, veprat mbi të cilën u vunë në skenë nga dramaturgu grek Euripidi, por Pasolini synon ta përdorë historinë e Medeas për të treguar një tragjedi moderne: botën e tretë “primordiale”(të lashtë), të lidhur me ritet e saj antike, e cila takon cinizmin e qytetërimit perëndimor.

Medea i beson një njeriu të gjithë jetën e saj, për të ajo tradhton origjinën dhe kulturën e saj, ndërsa ai e fundos atë në një konfuzion total. Ajo sforcohet të jetojë larg vendit të saj për Jasonin, udhëheqësin e guximshëm, por kur ai e lë pas dhjetë vjetësh dhe dy fëmijëve, për t’u martuar me të bijën e mbretit të Korintit, ajo çmendet nga hidhërimi dhe kryen një hakmarrje të tmerrshme: me një magji ajo nxit të fejuarën e tij të kryejë vetëvrasje dhe më pas vret dy fëmijët që kishte me Jasonin.

Roli që duhet të luhet në film është jashtëzakonisht kompleks dhe produksioni është ambicioz. Producentët i sugjerojnë Pasolini-t këngëtaren Maria Callas për rolin kryesor, por ai është i mëdyshës. Të dy artistët janë antietikë: dy botë të kundërta, në dukje të papajtueshme. Pasolini nuk është ekspert i operas dhe për më tepër ai e konsideron këngëtaren një shprehi të borgjezisë që aq shumë e urren. Ajo ka parë tre filma nga poeti friulian, Vangelo secondo Matteo, Edipo Re e Teorema, dhe është e intimiduar nga ky regjisor italian; i pazakonte dhe provokues. Pavarësisht nga kjo, pas këmbënguljes së producentit Franco Rossellini, i sigurt për aspektin reklamues që mund të sjellë prania në film e “Callas-it hyjnore”, në Tetor të vitit 1968, këngëtarja takon për herë të parë regjisorin dhe të dy mbeten të elektrizuar nga një njeri-tjetri.

Pasolini e quan Callas-in:“Një pamje e jashtëzakonshme fizike, me ato sy të mëdhenj në një fytyrë me nofulla të spikatura, me karakteristika dhe shprehi që përshtaten në mënyrë të përkryer në mitologjinë time fizionomike”, siç do t’i tregojë gazetarit Alberto Ceretto në një intervistë në “Corriere della Sera” Prill të vitit 1969. Edhe këngëtarja ndjen se sapo ka takuar një person të veçantë, një regjisor të aftë, i cili do të ishte në gjendje t’i vishte rrobat e asaj Medeas, për të cilën ajo ndihet në njëfarë mënyre disi e destinuar të jete, si ngaqë e ka interpretuar atë në teatër aq shumë herë, si edhe për shkak se në të kaluarën regjisori danez Carl Theodor Dreyer ia kishte propozuar atë rol, por vdekja e tij e kishte ndërprerë papritmas projektin.

Anna Maria Cecilia Sophia Kalogheropoulou, aka Maria Callas, greke si Medea, e braktisur nga burri i saj, e fortë në publik dhe e brishtë në jetën private. Pasolini e interpreton kështu figurën e kësaj gruaje “të pakohë, arkaike dhe mitike“, siç e përshkruan në një intervistë, të lartësuar në rolin e perëndeshës në phanteonin e muzikës lirike. “Ajo i përket botës së fshatit, fshatit grek agrar, dhe më pas ajo u arsimua për një qytetërim borgjez. Kështu që në njëfarë kuptimi u përpoqa të përqendroja në personazhin e saj, atë ç’ka ajo është, në tërësinë e saj komplekse “, këto janë fjalët e regjisorit italian, të mbledhura në librin “Pasolini i panjohur”, nën kujdesin e kritikut të filmit Fabio Francione.

“Medea është përballja e universit arkaik, hieratik, klerikal, me botën e Jasonit, një botë që është racionale dhe pragmatike”, shpjegon Pasolini në librin “Il sogno del centauro”. Jasoni është heroi i aktual, i cili jo vetëm që ka humbur sensin e metafizikes, por as nuk bën ende pyetje të kësaj natyre. Ai është pragmatiku apatik, të cilit hulumtimi i është ekskluzivisht qëllim për sukses”.

Callas-i është entuziaste për këtë rol. E njohu Pasolinin në një moment të errët të karrierës së saj dhe të jetës së saj private. Mjedisin teatror e konsideron në rrugën e perëndimit, dhe për më tepër ajo sapo ka dalë nga një marrëdhënie e stuhishme – “nëntë vjet sakrificash të padobishme”, do të thotë ajo – me pronarin e anijeve grekun Aristotel Onassis, i cili në vitin 1968 i shkakton një dhimbje të tmerrshme duke u martuar me të venë e John F. Kennedy-t, Jackie Bouvier Kennedy. Historia shkakton shumë thashetheme dhe këngëtarja, gjithmonë e rezervuar, e gjen veten kundra dëshirës së saj, në faqet e para të gazetave roze.

Në set, përkundrazi, është në një vend të sigurt, një strehë ku vetëm arti është i lejuar. Pasolini e trajton atë si një fëmijë, respekton dhe njeh brishtësinë e saj dhe, për më tepër, kërkon diçka nga ajo që askush nuk e ka kërkuar kurrë: një interpretim të pangarkuar prej zërit të saj sublim. Callas, në filmin “Medea” nuk nxjerr asnjë notë. Është mundësia e çmuar të tërhiqet nga personazhi i saj publik dhe të bëhet diçka e re. Në këto kushte të favorshme, mes dy artistëve lind ajo lidhje e fortë që të dy do ta dekantonin në letrat e tyre private dhe që do ta bëjë Medeën një film të fuqishëm dhe të rëndësishëm për kinemanë ndërkombëtare. “Ne jemi shumë të lidhur shpirtërisht, siç rrallë është e lejuar të jetë,” shkruan ajo.

Inteligjenca, ndjeshmëria dhe përkushtimi i Pasolinit ndaj saj, e bëjnë Callasin të bjerë në dashuri me të. Edhe ai gjithashtu bie në dashuri -platonike-, aq shumë sa i kushton një seksion të tërë në librin me poezi Transumar e organizzar  por i sigurt për orientimin e tij seksual, ai është i vetëdijshëm se kjo dashuri nuk mund të jetë kurrë aq e plotë sa ajo dëshiron. Një ndjenjë qe poeti friulian e sublimon në përmbledhjen që ia kushton me titullin “Një dashuri dhe jeta”.

Bashkëpunëtorë, ndonjëherë të keqkuptuar, si unaza që ai jep në fund të xhirimeve, Callas vazhdon të shpresojë se ai do të martohet me të, por kjo nuk ndodh. Pasolini vuan për shkak se Ninetto Davoli i tij i dashur ka vendosur të martohet, dhe Maria, pavarësisht gjithçkaje, pranon të bëhet ngushëlluesja e tij. “Nuk jam e lumtur për ty, por e lumtur që besove tek unë. I dashur mik, jam e palumtur që nuk mund të të të qëndroj prane në këto kohë të vështira për ty, siç ke qenë shpesh ti me mua”, shkruan ajo. “Ti tekefundit, burrë kaq inteligjent, duhet ta kishe kuptuar. Por përkundrazi kapeshe edhe ti pas një ëndrre”.

Maria ndihmon Pier Paolo-n për të kapërcyer zhgënjimin dhe tregon një kurajë më të madhe se ajo e Medeas, duke ndihmuar njeriun që ajo dashuron të përballojë dhimbjen e humbjes së të dashurit. Ajo i thotë atij se arti dhe vetëvendosja janë ilaçi për çdo të keqe, madje edhe për atë te errëtën dhe të thellën e dhimbjeve të dashurisë.

Këngëtarja i tregon atij se ajo ka gjetur strehë në muzikën e saj “shoku që nuk tradhton” dhe, në një italian që është pak i çalë, vazhdon të thotë se “atë paqen që ti mendon se unë e kam, e kam vërtet, ia imponoj vetes. Të thashë miku im im i dashur, që besoj në qeniet njerëzore. Unë dhe unë, e vetme, kam bërë atë që më takon në shoqëri […] Di gjithashtu se krenaria më shpëton nga aq shumë gjëra”.

Më 2 Nëntor te vitit 1975, miqësia e tyre dhimbsurake u ndërpre nga e pariparueshmja: vdekja e parakohshme dhe e dhunshme e Pasolini-t. Një dhimbje e padurueshme për Maria Callas-in, e cila tashmë që i ka provuar vështirësitë e jetës, dorëzohet poshtë peshës së palumturisë – siç është rrëfyer nga mikja e saj e ngushtë Giovanna Lomazzi – dhe vdes e vetme, në shtëpinë pariziane të Rue Georges Mendel, dy vjet pas Pier Paolo Pasolini-t, 16 Shtator 1977.

Këta dy artistë të paanë, të cilët arritën maksimumin në fushat e tyre përkatëse, pa dashje i kanë dhënë botës edhe poezinë dhe hijeshinë e lindur nga miqësia e tyre, duke na mësuar që pikërisht dashuria mund të marrë forma nga më të ndryshmet, pa e humbur fuqinë dhe respektin që meriton.


Pier Paolo riafirmon Marinë, deri në ditën e vdekjes së tij tragjike, dashurinë e tij të madhe, për këtë si dëshmi janë vargjet e bukura dhe të shumta që i kushtoi asaj në letrat dhe poezitë e tij:
“Je si një gur i çmuar që është shkatërruar dhunshëm në një mijë çakulla, për t’u rindërtuar pastaj me një material më të durueshëm se ai i jetës, që është materiali i poezisë “.

Marrë nga: The Vision

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top