Një kohë e çmuar sa një përqafim-Eris Rusi

in Tirana Review by

Eris Rusi

Në fakt, ka të paktën tre lloj leximesh që mund t’i bëhen një teksti letrar, nisur nga interpretimi i tij.

Lloji i parë është ai kur:

Mesazhi është njëkohësisht i qartë për atë që e jep dhe për atë që e merr. Lexuesi di që po depërton brenda tekstit duke njohur kodin dhe mekanizmat e përdorur nga autori në krijimin dhe ndërtimin e tij. Pra pakti autor-lexues është i qartë dhe i mirëkuptuar nga të dyja palët.

Lloji i dytë është ai kur Mesazhi është i qartë për atë që e transmeton, por është i paqartë për atë që e merr. Errësimi dhe dritëhija mund të jetë e programuar qëllimisht nga autori, për të dekurajuar leximin e menjëhershëm të veprës dhe për t’i devijuar kuptimit të mesazhit përcjellës. Kjo lloj situatë paraqitet në rastet kur autori arrin të shohë përtej kohës së tij.

Lloji i tretë është ai kur Mesazhi është i errët për autorin, por mund të deshifrohet nga një lexues i informuar. Një lexues i kujdesshëm, një kritik që hyn dhe bën një analizë depërtuese, një psikolog apo interpretues letërsie mund të kapë ato domethënie që i shpëtojnë dhe vetë autorit.

Kjo skemë, në raport me librin “Rrëfej unë, gruaja”, plotësohet akoma më shumë, nëse marrim parasysh që leximi i çdo teksti mund të shoqërohet me një ndjesi të caktuar, e cila mund të jetë e mirë ose e keqe, mund të ngjajë me pamjen e dikujt që e kemi për zemër ose mund të sillet rrotull në ajër si një aromë e këndshme mëngjesi.

Pas leximit të këtij libri, ndjesia që unë përftova quhej liri. Ideja e lirisë, e braktisjes së vetes në një botë pa kufij të ngushtë, pa ditë të shtrembëta, pa zhurmën dhe kaosin e jetës së kthyer përmbys, mund të quhet pa mëdyshje mrekulli në botën tonë.

Mendja qetësohet papritur, vihet rehat në pozicion pritës, nuk përpëlitet me dëshpërim në kërkim të përgjigjeve apo rrugëzgjidhjeve, nuk kundërshton, përkundrazi rigjenerohet.

Gjatë leximit, mendja e percepton të vërtetën e kjo gjallëron ndjesinë e lirisë në vetvete.

Bëhet fjalë për një përmbledhje me tregime ku që në titull ne kemi një barazpeshë midis funksionit të rrëfimit dhe figurës së gruas, sikur këto dy elemente jo vetëm të bashkëjetojnë, por të shkojnë mrekullisht me njëri -tjetrin. Nga teksti, ne mund të shohim menjëherë që në morinë e personazheve, gjejmë gati kudo jo thjesht dashurinë, por dashurinë ndaj vetes, jo thjesht buzëqeshjen, por buzëqeshje për veten, jo thjesht mirësinë, por mirësi ndaj vetes.

Ky lloj personalizimi më pëlqen. Ka diçka thuajse moskokëçarëse, që lidhet me lirinë, e kjo e fundit jo nga të gjitha mund të interpretohet njëlloj, por të gjithë e duan ta kenë të tyren.

Mopasani, në tregimin “Frika”, shkruante: “Epo mirë, unë, zotëri, i përkas racës së vjetër, që dëshiron të besojë[…] Pikërisht kështu, zotëri: është varfëruar imagjinata, duke kapur në befasi të padukshmen. Sot toka më ngjan si një botë e braktisur, e shkretë, e zhveshur: janë larguar besëtytnitë që e bënin poetike. Kur dal, natën, sa dëshirë do kisha të dridhesha nga ai ankthi prej të cilit plakat bëjnë shenjën e kryqit sa kalojnë pranë mureve të varrezave. Sa do doja t’i besoja asaj gjësë të mjegullt e tmerruese që imagjinojmë se e shohim kur rrëshqet mes hijesh.”

Lexuesi i këtij libri beson tek imagjinata dhe qytetet që i mbush me jetë përfytyrimi i autores. Kemi Balerinën parisiene, që hap librin, e ndjesia që merret është sikur ne vetë shkelim në rrugët e Parisit, thithim ajrin e ftohtë e të mbushur me diell të këtij qyteti, pastaj mërmërimat e buta, fjalët e ngrohta, shprehjet në frëngjisht, dialogë të shkurtër të mbushur me një pasion të ngrohtë, që të zbavit. Lexuesi e ndjek tregimin deri në fund, ku duket sikur nuk ka një rizgjim nga ëndrrat, kur ato janë të bukura vërtet.

Më pas vjen pjesa “Edhe mbretëreshat kanë ëndrra”. Një rrëfim i gjatë ku kemi mall, por jo nostalgji, ku në sipërfaqe mund të shihen bukur si rrjedhin ndjesi të mira edhe me njerëz që fare pak mund të qëndrojnë brenda ekzistencës sonë. Nju Jorku, Zonja e Lirisë, pra statuja, më tej sheshe e hapësira të mbushura pafundësisht me liri, nga ajo më e shtrenjta, që ngroh zemrat dhe ëndrrat. Nora, protagonistja që vjen nga Evropa e largët dhe Miranda, irlandezja, e në mes tyre një kohë e çmuar sa një përqafim. Liri, liri, të vjen të ngresh zërin me pamjen e Nju Jorkut, të qytetit që të marros, në sfond, aty ku ka dashuri dhe nuk ka mëkat.

Kapërcimi më tej bëhet në tregimin “Vegimi”, diçka midis reales dhe tejreales, që fare mirë mund të ilustrohet me shënimet e Kolrixhit, që vijnë në formën e një pyetjeje të thjeshtë:

“Nëse një burrë do të shëtiste Parajsën në ëndërr dhe t’i jepnin një lule si provë që ai kishte qenë aty, e nëse gjatë zgjimit ai do ta kishte në dorë atë lule… atëherë?”

Atëherë edhe ëndrrat janë reale si jeta vetë, sugjeron autorja, frymëzojnë liri dhe dëshirë, dhe vdekja e çdo gjesti shënon lindjen

e dickaje të re në sfond. Kështu ndodh me cigaren e fundit, e cila nuk ndizet asnjëherë, por flaket ndërsa në barkun e femrës miklohet pritja e një fëmije si ngazëllim hyjnor.

E kështu më tej, deri sa në rrëfimin “Pasqyra” gjendemi përballë imazhit klasik të letërsisë;sozia, dyfishësia e individualitetit, si kusht i pashmangshëm i çdo ekzistence njerëzore.

Çdo gjë, në këtë tregim, më ngjan artificiale. Jeta e protagonistes e tillë. Ëndrra artificiale, dëshirat po ashtu. Vetëm dhimbja jo. Kjo e fundit përplaset e thyhet si një pasqyrë e cila ndahet në njëmijë pasqyra të tjera, ku secila reflekton dhe e shumëfishon dhimbjen.

Pa menduar dot deri në fund për interpretimin e tekstit, pyes veten në mund të jetë kaq e thellë ndjesia e dhimbjes tek një femër?

Po e përgjithësoj. Krejt libri i Mimozës, në fakt, mund të konsiderohet si një lloj pasqyre ku ne shohim të reflektuar gruan në lirinë e saj, ku njerëzit nuk janë qenie të panjohura të shndërruara në zhurmë, por muzikë e ëmbël në sfond, ku inati dhe mllefi janë zëvendësuar me bekime të ëmbla, të shkruara në shqip e gjuhë të tjera, që e bëjnë interesante ditën dhe jetën, ku zemra nuk është më ë ngushtë dhe e kërrusur, por afrohet e kërkon zemra të tjera.

I tillë,atëherë është leximi i këtij libri, e në fund nuk të ngelet përfytyrimi i tokës së shkretë e të braktisur, por gjallëria e jetës që të bën të buzëqeshësh. Sepse vërtet që letërsia nuk fillon të ekzistojë vetëm përmes punës së një individi të vetëm, por Ajo ekziston vetëm kur përqafohet nga të tjerët dhe bëhet pjesë e e të bukurës që ngroh gjithsecilin prej nesh.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.