Anne Carson, Arti i Poezisë/Intervistë nga The Paris Review

in Letërsi by

Intervistuar nga Will Aitken

Intervistë e vitit 2004.

Unë dhe Anne Carson-i u takuam për herë të parë në vitin 1988 në një workshop shkrimtarësh në Canada, dhe që atëherë kemi lexuar punët e njëri-tjetrit. Intervista që vijon është një gërshetim i bisedave tona të zakonshme dhe i diskutimeve rreth temave që shqetësojnë veprën e Carson-it – misticizmi, antikiteti, obsesioni, dëshira.
Carson-i lindi më 21 qershor, 1950, në Toronto, fëmija i dytë dhe i fundit i Margaret dhe Robert Carson-it. E ëma ishte shtëpiake; i ati punonte për Toronto Dominion Bank. Gjatë fëmijërisë së saj, familja u zhvendos nga njëra degë bankare në tjetrën, në qytete të vogla të Ontario-s si Stoney Creek, Port Hope, Timmins.
Në vitet 1970, Carson-i studioi filologji klasike në Universitetin e Toronto-s dhe më pas greqisht, me studiuesin e njohur të antikitetit klasik Kenneth Dover në Universitetin e St. Andrews në Skoci. Në vitin 1981, ajo u rikthye në Universitetin e Toronto-s për të shkruar një tezë doktorature mbi Safon, e cila më vonë u bë Eros the Bittersweet (Erosi i hidhur dhe i ëmbël) – një traktat i shkurtër e i ngjeshur mbi rolin qendror që ka mungesa te dëshira. Sot, Carson-i jeton në Ann Arbor, ku jep lëndët e filologjisë klasike dhe të letërsisë krahasuese në Universitetin e Miçiganit.
Ndonëse gjithmonë ka hezituar ta quajë veten poete, Carson-i ka shkruar një formë heretike poezie pothuajse gjithë jetën e saj. Vepra e saj është e ngulmuese dhe novatore, një gërshetim zhanresh e stilesh që për vite me radhë nuk arriti të tërhiqte vëmendje. Në fund të viteve tetëdhjetë disa revista letrare në Shtetet e Bashkuara nisën ta publikonin punën e saj. Hapësirat letrare kanadeze ishin dukshëm më pak mikpritëse, dhe vetëm kur Carson-i mbushi dyzetë e dy vjeç, një botues i vogël kanadez, Brick Books, botoi librin e saj të parë me poezi, Short Talks.
Deri nga mesi i viteve nëntëdhjetë, Carson-i nuk po përpiqej më të gjente botues; përkundrazi, botuesit po garonin për ta gjetur atë. Brenda një kohe të shkurtër, u botuan tri përmbledhje me poezi dhe ese – Plainwater: Essays and Poetry (1995); Glass, Irony and God (1995); Men in the Off Hours (2000) – si dhe një roman në vargje, Autobiography of Red (1998), i cili gërsheton natyrshëm mitin grek, homoseksualitetin dhe jetën në qytezat e vogla të Ontario-s. Më pas pasuan dy libra me sa duket akademikë: Economy of the Unlost dhe përkthimi i saj i poezisë së Safos, If Not, Winter, të dy në vitin 2002.
Çmimet dhe vlerësimet vërshuan njëri pas tjetrit: një bursë Guggenheim (1995); çmimi Lannan (1996); çmimi Pushcart (1997); një bursë MacArthur (2000); si dhe çmimi Griffin për Poezinë (2001). Në vitin 2002, Carson-i u bë e para grua që mori çmimin T.S. Eliot për Poezinë në Angli për librin The Beauty of the Husband: A Fictional Essay in 29 Tangos.
Përgjatë disa viteve të fundit, Carson-i ka punuar mbi një operë të folur për tri gra mistike – Afërditën, heretiken franceze të shekullit të katërmbëdhjetë Marguerite Porete-n, dhe Simone Weil-in. E rraskapitur nga kërkesat e gëzueshme të festave, Carson-i u shtri mbi një divan kadifeje ngjyrë portokalli dhe biseduam – të ripërtërirë nga filxhanët me çaj oolong – për disa orë me radhë.

INTERVISTUESI

Dua ta nis me poezinë tënde “Stanzas, Sexes, Seductions”. Është një varg aty që më ndali menjëherë: “Poezia ime personale është një dështim.” Kjo më bëri të pyes për dy gjëra: Çfarë quani poezi personale? Dhe a ndieni me të vërtetë se është një dështim, apo është thjesht personazhi i poezisë ai që flet?

CARSON

Hëm, mendoj se ka shkallë të ndryshme të vetes në poezi të ndryshme. Disa prej tyre duken larg meje e disa shumë pranë, dhe ato më të afërtat përgjithësisht nuk thonë atë që unë do të doja të thoshin. Dhe kjo është e vërtetë për personazhin brenda poezisë, por është e vërtetë edhe për mua si vetvete.

INTERVISTUESI

Kur ktheheni pas dhe shihni “The Glass Essay”, për shembull, a e konsideroni një poezi personale? A e shihni atë si një dështim?

CARSON

E shoh si një ngacmim apo si lojë në sipërfaqe me gjëra që do të doja t’u jepja kuptim në një nivel më të thellë. Mendoj se e kam aftësinë për të regjistruar fakte sensuale dhe emocionale – për të ndërtuar një sipërfaqe bindëse të mënyrës sesi e ndiejmë jetën, si jetën fizike ashtu edhe atë emocionale. Por kur shkrova “The Glass Essay”, doja gjithashtu të bëja diçka që do ta quaja kuptim i asaj sesi ndiejmë jetën dhe nuk besoj se ia dola.
Gjithashtu nuk di sesi do të mund të bëhej kjo, por po të lexosh Virginia Woolf-in apo George Eliot-in, merr me vete një aromë të kuptuari – këtë aromë në kokë se ke kaluar diçka që e kuptove bashkë me njerëzit në atë histori. Kur mendoj për shkrimet e mia, nuk e ndiej këtë.

INTERVISTUESI

A ndodh kjo ngaqë është ende pjesë e përvojës suaj personale që vazhdon?

CARSON

Hëm, kjo është e mundur. Por si mund të arrijë t’i gjykojë njeriu ato gjëra?

INTERVISTUESI

Apo që mund të jetë një dështim për ju, por një sukses për të gjithë të tjerët që e marrin në dorë?

CARSON

Mendoj se po, sepse kjo kapje e sipërfaqes së faktit emocional është e dobishtme për të tjerët në atë masë që i trondit e i shtyn të mendojnë, ta kryejnë vetë atë aktin e tyre të të kuptuarit. Por gjithsesi nuk mendoj se e kam çuar mendimin deri në fund.

INTERVISTUESI

Ka edhe një varg tjetër te “Stanzas, Sexes, Seductions” – “Dua të jem e papërballueshme” – që më duket i saktë dhe mjaft shprehës për ju si shkrimtare.

CARSON

Më kujtohet sesi më erdhi me vërshim ajo fjali në errësirë, si një akullnajë. Ndjeva sikur isha një anije që lundronte drejt Polit të Jugut dhe papritur një akullnajë del duke u shpërfaqur me shpejtësi nga errësira, dhe thjesht e hodha në letër. Më vjen mirë që është e saktë për atë që unë e kam dhe e zgjedh ta kem si efekt te njerëzit. Nuk e di saktësisht pse ndodh kështu.

INTERVISTUESI

Më parë keni thënë se me “e papërballueshme” kishit parasysh një kuptim metafizik.

CARSON

Eh, po, nuk mund të ishte fizike, apo jo? Nëmos po, të vija vërdallë duke goditur njerëzit me çekiç.

INTERVISTUESI

Ka edhe nga ato ditë.

CARSON

Me objekte të mprehta. Është e vërtetë, prandaj shkoj në kurs boksi, për t’i mësuar ato aftësi. Por ai është thjesht, kuptohet, boks me hijet, siç thonë.

INTERVISTUESI

Aty nuk arrini të goditni askënd në të vërtetë?

CARSON

Nuk godet askënd, jo.

INTERVISTUESI

Por shpesh mendoni të goditni ndonjërin?

CARSON

Në kursin e boksit, po. Prandaj shkoj. Është gjithmonë një surprizë se kush shfaqet në mendje për t’u goditur. Zakonisht nuk janë njerëzit që pret.

INTERVISTUESI

A ju nxit mësuesi juaj të thërrisni me zë të lartë emrat e njerëzve që janë objektiv?

CARSON

Jo, por kjo do të ishte një ide e mirë.

INTERVISTUESI

Mësuesi im e bënte këtë. Veçse unë isha në një klasë kryesisht me gra, dhe ato po thërrisnin “George”, “Fred” dhe “Tom”, kështu që hyra edhe unë në atë frymë dhe bërtita “Pierre!”. Pllakosi një heshtje, e më pas të gjitha të tjerat në klasë bërtitën “Pierre!” dhe për pak kohë që të gjitha gjuajtën me grusht Pierre-in.

CARSON

Kjo është e bukur. Të qenit e papërballueshme pothuajse kurrë nuk çon në një lloj të tillë gëzimi kolektiv. Është një aktivitet më vetmitar. Në të vërtetë nuk e di se çfarë do të thotë të jesh e papërballueshme, por mendoj se një pjesë e efektit që kam te njerëzit është vendosja e gjithçkaje në fije të perit, ku ata janë njëkohësisht të joshur nga personi apo shkrimi, por edhe krejtësisht të tmerruar nga një zbulim – ose nga pranimi i zbulimit – që thuajse po ndodh, por që kurrë nuk ndodh plotësisht.

INTERVISTUESI

Një lloj drite verbuese.

CARSON

Po, një dritë verbuese që vjen nga prapaskena ku qëndroj unë. Kështu që, nëse unë jam një aktore e vogël në skenë, pas meje vjen kjo dritë tmerrësisht e fortë. Dhe njerëzit e ndiejnë atë. Unë nuk e ndiej, por jam e vetëdijshme që ajo kalon përmes meje dhe shoh zymtësinë në fytyrat e tyre, të përzier me këtë gjënë tjetër. Mendoj se prandaj ndonjëherë u dukem frikësuese njerëzve. Sepse kjo dritë e fortë është e përzier me një magjepsje fëminore që të çarmatos. Dhe atyre u duhet të përballen me të dyja.

INTERVISTUESI

E ajo dritë verbuese, çfarë është?

CARSON

Nuk e di. Është thjesht tmerr absolut. Është përplasja me faktin se ti vdes vetëm. Mendon për këtë herë pas here gjatë gjithë jetës, dhe vazhdon të mos ketë asnjë kuptim përballë të gjitha përpjekjeve të vogla që bën për të qenë i lumtur, për të patur miq e për të kaluar kohën.

INTERVISTUESI

A e bart secili atë dritë verbuese me vete? Apo thjesht është më e dukshme pas teje?

CARSON

Mendoj se çdokush mund të ketë qasje tek ajo, vetëm se njerëzit e maskojnë në mënyra të ndryshme. Unë, për disa arsye, kam më pak mënyra për ta maskuar.

INTERVISTUESI

A mendoni se e keni patur këtë gjithmonë? Si ka qenë fëmijëria juaj? E di që keni lëvizur shumë nga njëri vend në tjetrin.

CARSON

Babai im ishte bankier, dhe të gjithë bankierët janë shëtitës në sistemin kanadez, sepse është politika e tyre t’i zhvendosin drejtuesit çdo tre vjet. Për t’u dhënë përvojë me komunitete dhe me lloje të ndryshme bankare. Është e vështirë për familjen, por e mirë për bankën.

INTERVISTUESI

Kështu që ishit në një shkollë të re çdo tre vjet?

CARSON

Më se e vërtetë, po. Dhe besoj se kjo i shtoi aftësitë e mia për të mbijetuar. Më kujtohet se si po mendoja një ditë, ndërsa po dilnim nga rruga e shtëpisë me makinë dhe unë po ua bëja me dorë në shenjë lamtume mikeshave të mia më të mira – të cilat nuk do t’i shihja më kurrë – më kujtohet se po mendoja: “E mirë, herën tjetër që do të shkoj diku, thjesht nuk do të zë më miq; nuk ka asnjë të ardhme në këtë punë.” Kështu që pata një ndjesi mbylljeje më vete, një mbyllje portash.

INTERVISTUESI

Nuk zutë më miq të rinj në qytetin tjetër?

CARSON

Zura, por me më shumë kujdes ndërsa koha kalonte. Të paktën gjysma e mendjes mendon gjithmonë: “Do largohem; kjo nuk do zgjasë.” Është një qëndrim i mirë budist. Po të isha budiste, kjo do të ishte një ndihmë e madhe. Kështu siç jam, thjesht ndihem e trishtuar.

INTERVISTUESI

Do të ishit shumë pranë rrugës së ndriçimit po të ishit budiste.

CARSON

Në vend të kësaj, i jam shmangur ndriçimit me vendosmëri.

INTERVISTUESI

Dua të flasim pak për Greqinë e lashtë. Ju filluat ta studionit greqishten që në shkollë të mesme?

CARSON

Po. Në klasën e trembëdhjetë.

INTERVISTUESI

A ishte e qartë menjëherë se kjo do t’ju ndryshonte jetën?

CARSON

Po, menjëherë. Zonja Kauen filloi të më mësonte greqisht – ajo ishte mësuesja jonë e latinishtes në shkollë të mesme, në Port Houp – por dinte edhe greqisht, kështu që u ofrua të ma mësonte sepse mori vesh që unë kisha interes. Mësonim gjatë orës së drekës.

INTERVISTUESI

Nuk kishte një klasë greqishteje?

CARSON

Jo. Askush nuk kishte interes përveç meje. Lexonim Safon së bashku dhe ishte diçka thjesht revolucionare. Unë nuk njoh çdo gjuhë të botës – ndoshta po të dija sanskritisht dhe kinezisht do të mendoja ndryshe – por diçka te greqishtja duket se hyn më thellë te fjalët se çdo gjuhë moderne. Kështu që kur e lexon, je poshtë te rrënjët ku fjalët marrin jetë, ndërsa në anglisht jemi në majë të pemës, te degët, duke kërcyer andej-këtej. Ishte mahnitëse për mua, një zbulim i vërtetë. Dhe vazhdon të jetë mahnitëse, vazhdon të jetë si një liman që të mirëpret gjithmonë. E çuditshme, por mikpritëse.

INTERVISTUESI

Shumë njerëz thonë se grekët e lashtë janë me të vërtetë bashkëkohësit tanë. A jeni dakord?

CARSON

Nuk ndiej ndonjë lidhje shumë direkte të gjërave të lashta me ato moderne. Ishte fryma e kohës, në vitet shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë kur po marrja diplomën dhe po jepja mësim, të pretendohej se synimi i të qenët klasicist ishte të gjeje lidhje me antikitetin dhe të shpikje lëndë që t’i bindnin studentët se mund të mësoje gjithçka që të duhej për jetën moderne duke studiuar grekët e lashtë. Hëm, kjo është e çuditshme, për të mos thënë më shumë. Ajo që të magjeps te grekët është se kap disa shkëndija të vogla ngjashmërie, të mbështjella në një tjetërsi të pabesueshme, brenda këtij peizazhi të pafund bindjesh të çuditshme për botën dhe reagimesh ndaj jetës që nuk kanë asnjë lloj kuptimi.

INTERVISTUESI

Kështu që ekziston kjo tjetërsi e ngjeshur, për të cilën thjesht do të dish më shumë. Se sa lidhje ka me të sotmen, kjo nuk ka fare rëndësi.

CARSON

Një gjë që e kuptoj te grekët është se edhe ata vetë e kuptonin tjetërsinë dhe e çmonin atë. Ky është zoti Dionis si parim – parimi i të përplasurit me diçka kaq të huaj, saqë të nxjerr nga vetja në një vend ku, megjithatë, ti je sërish brenda vetes; ekziston një lidhje me veten si me një tjetër. Është ajo që ata e quajnë ekstazë. Grekët e shpikën këtë koncept, por ata gjithashtu e trupëzojnë atë për ne, gjë që ndoshta është thjesht qasja jonë utilitare ndaj tyre. Por kush mund ta thotë me siguri. Ne gjithmonë do t’i shohim grekët dhe do të përpiqemi të kuptojmë se cilët janë ata në lidhje me atë që jemi ne. Nuk mund të dalim jashtë, të qëndrojmë në një vend të tretë e t’i gjykojmë të dyja.

INTERVISTUESI

Nga një vend i mirë, objektiv?

CARSON

Nuk ka ndonjë vend objektiv.

INTERVISTUESI

Shumica e njerëzve nuk e dinë se ju jeni artizane e arteve pamore, po aq sa edhe e fjalës. Ju bëni libra – një libër të vetëm për çdo person. Më kujtohet sesi një herë po kalonim përmes zonës rurale të Ontario-s, dhe gjithçka ishte e bardhë, e në një çast ju treguat me gisht larg në horizont e thatë: “Unë kam jetuar atje.” Besoj se ishte Port Houp-i? Hodha sytë jashtë dhe mendova: Askush nuk ka jetuar kurrë atje. Nuk kishte asgjë aty. Më pas ju më dorëzuat atë librin e bardhë që kishit bërë për vëllain tuaj Michael, pasi ai kishte ndërruar jetë.

CARSON

Kur udhëtoj me tren nga këtu për në Toronto, gjithmonë e kam me frikë kalimin pranë Port Houp-it, sepse ishte një vend ku familja ime jetoi për gjashtë apo shtatë vjet, prindërit e mi për rreth pesëmbëdhjetë vjet, dhe vëllai im me ndërprerje, kështu që libri – për shkak se flet për të – është i lidhur me atë vend. Por është një vend ku jeta e të gjithëve u bë copë-copë. Kjo është pak si tepër e fortë. Ishte një vend ku të gjithë ne, im vëlla dhe unë, prekëm fundin e adoleshencës tonë. Kështu që është diçka mjaft me peshë.

INTERVISTUESI

Kështu që ju e shkruat librin si një mënyrë për të vajtuar vëllain tuaj?

CARSON

Po, e shkrova librin sepse kur vëllai im ndërroi jetë, unë nuk e kisha takuar prej njëzet e dy vitesh. Ai ishte një mister për mua. Vdiq papritur në një vend tjetër, dhe unë kisha nevojë të mblidhja copëzat e historisë së tij e ta ktheja atë në diçka të kapshme. Kështu që është një elegji në kuptimin e një përpjekjeje për të përmbledhur një njeri pasi ai nuk është më i kapshëm.

INTERVISTUESI

Dhe ai bazohej në një vajtim klasik, apo jo?

CARSON

Bazohet në një poezi të Katulit, poetit romak të shekullit të parë para Krishtit, vëllai i të cilit vdiq në Trojë kur Katuli jetonte në Itali. Katuli udhëtoi për në Trojë, në Azinë e Vogël, e varrosi dhe shkroi një poezi për të, e cila ka në brendësi refrenin ave atque vale (përshëndetje dhe lamtumirë). Në librin tim, unë e shtypa tekstin e poezisë dhe më pas e shpërbëva. Sapo lexova një artikull ku citohej T. S. Eliot-i të kishte thënë: “Poezia është shenjë pikësimi.” Kjo ndiqej nga një citim i Jacques Lacan-it: “Arsyeja pse i drejtohemi poezisë nuk është për dituri, por për çmontimin e diturisë,” gjë që m’u duk jashtëzakonisht e gjetur. Kështu që në këtë libër, unë e çmontova poezinë e Katulit, një fjalë për faqe dhe vendosa fjalën latine bashkë me përkufizimin e saj leksikor në anën e majtë, e më pas në anën e djathtë një fragment nga kujtimet e jetës së tim vëllai që lidhej me anën e majtë të faqes. Aty ku hyrja leksikore nuk kishte lidhje, unë e ndryshova. Kështu që futa fshehurazi gjëra që janë disi joautentike. Por kjo i bën anën e majtë dhe të djathtë të lidhen me njëra-tjetrën, në mënyrë të tillë që e gjitha tregon historinë e përkthimit të poezisë, si dhe çmontohet kujtimi im për jetën e tim vëllai.

INTERVISTUESI

Ju gjithashtu përdorët fotografi familjare – por kryesisht vetëm sfondin e tyre. Pse?

CARSON

Zbulova se pjesa e përparme e shumicës së fotografive tona familjare dukej krejtësisht banale, kurse sfondet ishin të tmerrshme, të frikshme dhe plot me përmbajtje. Kështu që i preva sfondet, veçanërisht ato pjesë ku hijet e njerëzve në plan të parë binin mbi pjesën e prapme në mënyra misterioze. Sfondet janë plot me të vërteta.
Përdora gjithashtu pjesë tekstesh nga letrat e Michael-it, copa të vërteta letrash, disa nga përgjigjet e nënës sime ndaj letrave të tij, bojë, plastikë, kapëse rrobash e sende të tjera dekorative në anën e djathtë. Po ashtu u përpoqa t’i jepja librit, në anën e majtë, një ngjyrim të lashtësisë – sepse mendohet të jetë një poezi e vjetër romake – duke i zhytur faqet në çaj, gjë që i dha një nuancë të mistershme sepia.

INTERVIStUESI

Po pyesja veten për preferencën tuaj ndaj gjërave të vjetra dhe të rrënuara.

CARSON

Për sa u përket sipërfaqeve, përsosmëria është me më pak interes. Për shembull, një faqe me një poezi mbi të është më pak tërheqëse se një faqe me poezi që ka edhe disa njolla çaji. Sepse njollat e çajit i shtoojnë pak histori. Është një qëndrim historik. Tekefundit, tekstet e grekëve të lashtë mbërrijnë te ne si gërmadha, dhe unë e admiroj këtë – shtresat e kohës që sheh kur vështron fletë papirusi të prodhuara në shekullin e tretë p.e.s., e më pas të kopjuara, të mbështjella rreth një mumieje për disa qindra vjet, të zbuluara e të vendosura në një muze, të bashkuara si copëza nga nëntë zotërinj të ndryshëm, të kthyera sërish në muze, të nxjerra përsëri, të fotografuara dhe të botuara në një libër. Të gjitha këto shtresa mblidhen e bëhen gjithmonë e më shumë jetë. Këtë mund ta përafroni edhe në jetën tuaj. Njollat mbi rroba.

INTERVISTUESI

A ju ndihmoi bërja e librit për ta kuptuar më mirë vëllain tuaj?

CARSON

Jo. Nuk mendoj se pati ndonjë efekt në kuptimin tim. Një tjetër dështim i aspektit personal, mendoj. Në fund arrita në përfundimin se kuptimi nuk është ai ku qëndron pikëllimi. Apo elegjitë. Ato kanë të bëjnë thjesht me të bërit e diçkaje të bukur nga ai kaos i shëmtuar ku mbetesh kur ndokush ndërron jetë. Do që ta bësh atë diçka të mirë. Dhe për mua, ta bësh të mirë do të thotë ta shndërrosh në një objekt që është ngacmues dhe i bukur për t’u parë.

INTERViSTUESI

Është interesante që përdorët fjalën “objekt”. Sepse poezitë tuaja duken më shumë si objekte se sa si poezi. Duken të ndërtuara, si një pikturë.

CARSON

Po, brenda së cilës udhëton. Mendoj se kjo është ajo që mendohet të bëjnë poezitë, dhe them se kjo është ajo që antikët e quajnë imitim. Kur ata flasin për poezinë, flasin për mimesis-in si veprimin që poezia ka, në realitet, mbi lexuesin. Disa njerëz mendojnë se kjo do të thotë që poeti bën një fotografi të një ngjarjeje dhe në faqe ke një regjistrim të përsosur. Por nuk mendoj se është kështu; unë mendoj se një poezi, kur funksionon, është një lëvizje e mendjes e kapur në faqe, dhe lexuesi, kur hyn në kontakt me të, duhet të hyjë në atë lëvizje. Mendja e tij e përsërit atë veprim dhe udhëton sërish përmes tij, por kjo është një lëvizje e vetvetes përmes një mendimi, përmes një procesi të menduari, kështu që në kohën kur arrin në fund je ndryshe nga sa ishe në fillim dhe e ndjen këtë ndryshim.

INTERVISTUESI

Kështu që është një veprim si për shkrimtarin, ashtu edhe për lexuesin.

CARSON

Po, saktësisht, dhe ata e ndajnë atë në mënyrë artificiale. Shkrimtari e ka bërë shumë kohë më parë, por ti gjithsesi ndjen, kur je brenda saj, se po lëviz bashkë me mendjen e dikujt tjetër përmes një veprimi.

INTERVISTUESI

A e mbani mend se kur e ndjetë për herë të parë nxitjen për ta kryer atë veprim – kur filluat të shkruanit për herë të parë?

CARSON

Më kujtohet një ditë në klasën e dytë kur na u desh të vizitonim pamje nga oborri i një ferme dhe mësuesja na tha se mund t’i bashkonim edhe një histori po të donim, për ta shpjeguar oborrin tonë. Ajo ishte me të vërtetë një ditë kthese. Të vendosje historinë së bashku me figurën. Libri im i parë me poezi, Short Talks, fillimisht ishte një grup vizatimesh thjesht me tituj. Më pas i zgjerova pak titujt dhe me kalimin e kohës e kuptova se askush nuk kishte interes për vizatimet, kështu që thjesht hoqa vizatimet dhe ato mbetën si pilula ligjërate.

INTERVISTUESI

Pra, poema për troftën fillimisht kishte vizatime troftash në të?

CARSON

Poema për troftën ka një fotografi të një peshkatari. E kam dorëshkrimin në shtëpi, me të gjitha vizatimet. Askujt nuk i kanë pëlqyer vizatimet e mia. Nuk mendoj se isha edhe aq e mirë. Ndoshta do të mund të bëhesha e mirë po të vizatoja aq sa shkruaja, por të vizatosh është më frikshme. Është më zbuluese. Nuk mund ta maskosh veten në vizatim.

INTERVIISTUESI

Gjithmonë kam hamendësuar se, për shkak se shkrimi ishte gjëja juaj kryesore, vizatimin e bënit si një lloj çlodhjeje.

CARSON

Jo, nuk është kështu.

INTERVIStUESI

Shkrimi është çlodhje?

CARSON

Po. Në krahasim me të, është lojë. Vizatimi është krejtësisht, krejtësisht i zhveshur. Tmerrësisht i zhveshur. Por gjithmonë kam ndier se, po ta kisha detyruar veten të vizatoja çdo ditë, do të isha një njeri më i mirë. Se kjo do të më shtynte drejt një sinqeriteti dhe një përkushtimi ndaj sinqeritetit, nga i cili veç zmbrapsem. Gjithashtu ndihem shumë e lumtur kur vizatoj – edhe kur po punoja me librin e Michael-it, që ishte një temë tërësisht melankolike. Ndihesha kaq e lumtur, thjesht e përmbushur.

INTERVISTUESI

Dhe nuk e ndieni kurrë këtë kur shkruani?

CARSON

Jo, rrallë. Ndoshta për një sekondë, apo për një çast këtu e atje, por jo në mënyrë të qëndrueshme. Nuk ma mbledh dot qenien në atë mënyrë që e bën krijimi i një objekti.

INTERVISTUESI

Atëherë pse të shkruani?

CARSON

Shkruaj për të zbuluar se çfarë mendoj për diçka.

INTERVISTUESI

A mund të flisni si e bëni këtë?

CARSON

Punoj në tri tryeza të ndryshme, le të thoshim me nga një projekt të hapur në secilën: njëra është akademike, njëra shkrimore dhe tjetra artistike. U qasem këtyre pa ndonjë rregull, ndonjëherë në të tria tryezat brenda një ore. Ato ndërkëmbehen ne njëra-tjetrën.

INTERVISTUESI

Kështu që nuk është aq një rutinë, sesa një sistem.

CARSON

Ky është një dallim i rëndësishëm. Do të thosha se ka një rutinë, meqë çdo mëngjes ngrihem dhe dal për një shëtitje, kthehem, përgatis çajin dhe mëngjesin. Pastaj lexoj për një orë – tani po lexoj Proust-in, Un Amour de Swann, bashkë me fjalorin tim. Më pas kaloj te tryezat. Prandaj është një rutinë në fillim, por pas kësaj, është thjesht një sistem fluid.

INTERVISTUESI

Po për procesin e frymëzimit- çfarë gjërash ju shtyjnë drejt shkrimit?

CARSON

Imazhe të caktuara nisin mendimin ose punën. Për shembull, “Eseja e qelqtë” nisi duke vështruar një hendek të ngrirë pranë shtëpisë së sime mëje, gjë që mendoj se faktikisht shfaqet diku në poemë. Kështu që diçka fenomenologjike i jep jetë idesë.

INTERVISTUESI

A hyjnë në lojë gjithashtu tingujt, aromat, apo diçka që e keni kapur pa dashur në autobus?

CARSON

Po, fraza në autobus, apo fraza në ëndrra. Ndonjëherë shoh në ëndërr një fjali dhe e shkruaj. Zakonisht është pa kuptim, por ndonjëherë duket si një çelës për një botë tjetër.

INTERVISTUESI

Duket se punoni duke lidhur gjëra që askush tjetër në botë nuk do t’i lidhte me të vërtetë apo as do t’i shkonte mendja t’i lidhte.

CARSON

Gjërat që të shkojnë në mendje për t’i lidhur nuk janë nën kontrollin tënd. Është thjesht ajo që je ti, duke u përplasur me botën. Por mënyra sesi i lidh ato është ajo që shpërfaq natyrën e mendjes tënde. Individualiteti qëndron te mënyra sesi bëhen lidhjet.

INTERVISTUESI

Për Economy of the Unlost, çfarë ju shtyu fillimisht të lidhnit Simonidin – një shkrimtar epitafesh që ishte gjithashtu poeti i parë i paguar – me Paul Celan-in, i cili vjen disa shekuj më vonë?

CARSON

E dini, mund të rendis gjëra që kam parë, por nuk është kjo arsyeja pse i bëra bashkë; ajo do të ishte thjesht një mendim i mëvonshëm. I bëra bashkë rastësisht. Dhe kjo është OK, jam e lumtur t’i bëj gjërat rastësisht. Por ajo që më duket me interes është se, pasi ka ndodhur rastësia, pasi qëllon t’i kem Simonidin dhe Paul Celan-in bashkë mbi tryezën time, çfarë bëj me këtë lidhje? Ajo që bëj me të varet nga të gjitha mendimet që kam patur në jetë deri në atë çast dhe nga ajo që jam në atë çast. Mund të ishin Simonidi dhe selinoja, nuk ka rëndësi; ka rëndësi vetëm aq sa unë do të realizoj një vepër arti prej saj. Nga njëra anë duket tërësisht arbitrare, e nga ana tjetër, tërësisht e veçantë për atë që jam unë si mendimtare.

INTERVISTUESI

Kështu që ju njiheni mirë me njërën vepër e më pas me tjetrën, derisa këto lidhje fillimisht të paplotësuara nisim të shfaqen?

CARSON

Po, pikërisht. Kam ndjesinë e dikujt që ndjek diçka pas, si një qen gjuetie me hundën përdhe, por që kërkon jo thjesht një gjurmë nuhatjeje, por një gjurmë formash. Mendimet i shoh si diçka që ka forma dhe kur ndiej se dy tekste apo shkrimtarë të ndryshëm kanë të njëjtat forma brenda tyre, e di se mund t’i bëj bashkë.

INTERVISTUESI

Pasi i keni bërë ato lidhje, si e vendosni nëse diçka do të jetë poezi apo prozë?

CARSON

Këtë është e pamundur ta thuash. Nuk do ta quaja vendim – është më shumë si ta gjej rrugën duke nuhatur.

INTERVISTUESI

Autobiografia e së kuqes fillimisht binte aromë proze?

CARSON

Shtypa në makinë një pjesë të hershme të saj si prozë, por thjesht nuk tingëllonte mirë – e gjitha e ngatërruar brenda vetvetes. Mendoj se ia dërgova Ben Sonnenberg-ut- ai drejtonte Grand Street-in atë kohë – dhe më tha se duhet ta hidhja në plehra.

INTERVISTUESI

Në librat tuaj, personazhi ndonjëherë është një burrë gay ose një djalë gay. Si te Autobiografia e së kuqes, ku Gerioni dashurohet me Herakliun. Pyes veten nëse mund të flisnit pak për jetën tuaj si burrë gay.

CARSON

Ka qenë një karrierë paksa me ulje-ngritje. Nuk qeshë kurrë plotësisht e suksesshme. Mendoj se nisi në shkollë të mesme, kur krijova njëfarë magjepsjeje pas Oscar Wilde-it. Disa nga miqtë e mi e ndanin këtë magjepsje, kështu që visheshim si Oscar Wilde, mësonim përmendësh aforizmat e tij dhe ndërtonim biseda në mensë, sikur të ishim Oscar Wilde dhe miqtë e tij.
Nuk e mbaj mend plotësisht pse u fiksova pas Oscar Wilde-it, por ndieja se kjo më dha një edukim në ndjeshmërinë estetike, si dhe një lloj ironie ndaj vetes që më shërbeu më vonë në jetë – një zhguall të vazhdueshëm ironie që mendoj se shumë burra gay e zhvillojnë për t’ia dalë mbanë në jetën e tyre shoqërore dhe personale, e që më hyri në punë edhe mua.

INTERVISTUESI

Është gjithashtu edhe personazh te “Antropologjia e ujit” te Ujë i kulluar.

CARSON

Oh, mendoni se ai është burrë?

INTERVISTUESI

Ju e identifikoni veten si burrë në një çast.

CARSON

Ajo është gjëja tjetër për sa i përket të qenit burrë gay. Merre Oscar Wilde-in si model dhe thjesht gënjen gjatë gjithë kohës.

INTERVIIStUESI

“Antropologjia e ujit” paraqet një pelegrinazh në Santiago de Compostela. Ju faktikisht e bëtë atë pelegrinazh, apo jo?

CARSON

Në fakt përshkova Spanjën në këmbë. Janë 380 milje dhe duhen gjashtë javë. Mbaja mbathur atlete vrapimi Saucony që ishin dhjetë vjeçare – atletet më të mira të vrapimit në botë. Shkova me mikun tim, të cilin në libër e quajta El Cid.

INTERVISTUESI

A e dinit se donit ta shndërronit këtë përvojë në një libër?

CARSON

Gjatë gjithë rrugës, mbrëmjeve, shkruaja në fletore të vogla. Që nga fillimi rreth të njëjtave tema – vetë ecja, koncepti i pendesës dhe marrëdhënia ime me burrin që shoqërohesha. Ai është emblematik për llojin e burrave që shfaqen në jetën time.

INTERVISTUESI

Si burrat e vetëpërmbajtur e me mendime të prera që shfaqen në shumë nga veprat tuaja?

CARSON

Po, burri me atë unin e tij të fshehtë. Unin e paarritshëm.

INTERVISTUESI

Kur po lexoja “Antropologjia e ujit”, mendova se bëhej fjalë për ju – udhëtimi juaj me El Cid-in drejt Compostela-s – të paktën derisa papritmas thoni diçka që tregon se jeni një djalë i ri.

CARSON

E kuptoj. Po, kjo mund të jetë e vërtetë. Kam kohë pa e lexuar atë pjesë. Jam e sigurt që është e vërtetë. Them se se kurrë nuk jam ndier tërësisht femër, por ndoshta shumë njerëz nuk ndihen ashtu. Sidoqoftë, mendoj se në periudha të ndryshme të jetës sime e kam pozicionuar veten në vende të ndryshme të spektrit gjinor, dhe për shumë vite, në të tridhjetat, pikërisht kur bëra atë pelegrinazh, nuk kisha asnjë lidhje me gjininë femërore. Nuk do të thosha se ndihesha plotësisht si burrë, por kur flet për veten ke vetëm këto dy opsione. Nuk ka një fjalë për gjininë “pezull” te e cila të gjithë do të donim të gjenim paqe. Gjinia asnjanëse shfaqet te poema e padurueshme, por ajo nuk e kap me të vërtetë atë ndjesi, sepse nuk ndihesh asnjanës, thjesht ndihesh gabim. Gabim kundrejt gjinisë që supozohet të jesh, gabim kundrejt asaj tjetrës, dhe atëherë çfarë je?
Historikisht e kemi përdorur fjalën burrë për njerëzit e çdo gjinie, sepse burrat fitojnë. Kështu që është e dobishme ta përdorësh këtë kur je e zënë ngushtë.

INTERVISTUESI

Nuk kishit ndonjë interes të madh për feminizmin kur erdhët për herë të parë në Monreal. Por më pas iu bashkuat një grupi me gra që mblidheshin e lexonin. Çfarë ndryshoi?

CARSON

E kam bërë këtë? Qenkam treguar e guximshme.

INTERVISTUESI

Në fillim ishit skeptike, madje armiqësore, sepse gratë e tjera ishin mjaft feministe. Por më pas diçka ndodhi dhe gjeja tjetër që mësova, ishte se po shkruanit për gratë dhe papastërtinë.

CARSON

Oh po. Po, e vërtetë, pati një lloj rrjedhe aty. E le të shohim, si më duket kjo tani? Mendoj se për një kohë të gjatë isha thjesht një solipsiste. Jo se nuk isha feministe, apo se nuk e kuptoja feminizmin – nuk kuptoja as maskilizmin – por thjesht nuk kuptoja sesi të isha qenie njerëzore. Është një problem i adoleshencës së zgjatur: nuk di si të jesh vetja si pjesë e një kategorie, kështu që thjesht të duhet të jesh vetja si një individ tërësisht i çuditshëm dhe të zmbrapsësh çdo përpjekje të të tjerëve për të të përcaktuar. Mendoj se shumica e njerëzve e kalojnë këtë rreth moshës shtatëmbëdhjetëvjeçare, por te mua u shty deri rreth të dyzetave. Deri vonë, nuk kisha miq pranë të cilëve të mund të lirohesha e të isha po aq e çuditshme sa doja. Tani kam – njerëz që nuk largohen nga marrëdhënia për shkak se unë jam e çuditshme. Dhe përvoja ime me burrat është se, po qe se nuk u pëlqen, ata ikin.

INTERVIISTUESI

A është kjo ajo që kishit parasysh kur më patët thënë se e mendoni veten si të ligë?

CARSON

Kjo mund të jetë një mënyrë tjetër, më melodramatike, për ta përshkruar këtë. E ligë dhe e mirë janë terma që i përdor herë pas here, kur përpiqem ta trondis veten për të menduar më mirë.

INTERVIEWUESI

Te Autobiografia e së kuqes, ekziston ndjesia se Gerioni është i lig, një përbindësh. Kjo është ndjesia e tij për veten, nuk vjen nga kjo apo ajo a nga ndonjë tjetër. E njëjta gjë duket se vlen edhe për konceptimin tuaj për veten. Pyes veten nga vjen kjo. Një pjesë e përgjigjes padyshim hulumtohet te “Papastërtia dhe dëshira”. Atty ekziston kjo ide për gratë si qenie –

CARSO

Të ndotura.

INTERVIStUESI

Të ndotura, të papërmbajtshme, derdhen kudo mbi gjithçka, kanë vrima, duhet t’i mbash gjithmonë të mbyllura përndryshe do të përmbytin gjithçka.

CARSON

Do të rrjedhin kudo.

INTERVISTUESI

Kjo është përgjigjia historike, por a ka gjithashtu edhe një përgjigje personale?

CARSON

Nuk e di. Më tërhoqi historia e Gerionit për shkak të përbindshmërisë së tij, ndonëse është një lloj klisheje të thuash se të gjithë mendojmë se jemi përbindësha. Por kjo ka të bëjë me gjininë, megjithëse nuk e di se çfarë ka te të rriturit si femër që të të bëjë të mendosh: përbindësh.

INTERVISTUESI

Në poemë, a buron ekstaza nga vetëshkatërrimi?

CARSON

Po. Në poemë Safoja nuk e përdor fjalën ekstazë, por ajo flet për veten duke qëndruar jashtë vetvetes dhe duke vëzhguar gjendjen e saj – gjë që përbën ekstazë, por gjithashtu përbën atë që shumë mistikë përpiqen të arrijnë duke anuluar vetësinë e tyre, në mënyrë që të jenë enë të zbrazëta për Zotin. Nuk mendoj se Safoja e ka atë ide si të tillë- është anakronizëm t’ia veshësh këtë asaj- por mendoj se ka një substancë të thellë shpirtërore (jo thjesht zbukuruese) në përshkrimet e Safos për zotat dhe për marrëdhënien tonë me to, që duhet marrë parasysh kur lexohet poezia e saj. Është një aspekt i asaj tjetërsie të grekëve për të cilën folëm më herët. Ata ishin njerëz thellësisht fetarë, kishin qindra zota, dhe idetë fetare ua mbushnin jetën.

INTERVISTUESI

Te Shkrijimi, ekziston gjithashtu edhe ideja e të belbëzuarit në zbrazëti, sepse kjo është e vetmja mënyrë sesi mund t’i flasësh Zotit, apo të shpresosh ta arrish atë. Të qëndrosh aty e thjesht ta nxjerrësh me vrull atë që ke brenda.

CARSON

Jo, nuk do të thosha ta nxjerrësh me vrull apo të belbëzosh. Në poemën e Safos, drejtimi i saj ndaj zotave përbën produkte poetike të rregullta, të përsosura, por mënyra – dhe kjo është magjia e fragmenteve – mënyra sesi ajo poemë ndërpritet të çon te një mendim që nuk mund të rroket kurrë. Aty është hapësira ku do të rrinte një mendim, por të cilin nuk mund ta kapësh dot. Unë e dua atë hapësirë. Është arsyeja pse më pëlqen të merrem me fragmente. Sepse, pavaresisht se cili do të ishte mendimi po të ishte shtjelluar plotësisht, nuk do të ishte kurrë aq i mirë sa ngacmimi i një mendimi që të jep ajo hapësirë. Asgjë e shtjelluar plotësisht nuk mund të ishte kaq mbërthyese, kaq e rrënqethëse.

INTERVISUESI

Te Shkrijimi, ju i përhkruani personazhet: Safon, Marguerite Porete-n dhe Simone Weil-n si shkrimtare, vepra e të cilave është një akt shprehjeje i vetes, vetë-reklamim, por gjithashtu vëreni se të gjitha ato përpiqen t’i ikin vetes. Ky është një mister që shfaqet edhe te Ekonomia e të pahumburve. Në një çast ju thoni: “Ka tepër vete në shkrimin tim.” A është diapazoni i punës që bëni – poezi, ese, operë, punë akademike, mësimdhënie – një mënyrë për t’i hapur dritare mureve të vetes?

CARSON

Jo. Do të thosha se është më shumë një mënyrë për të shmangur pasjen e një veteje, duke kaluar nga njëri përcaktim i saj te tjetri. Për të shmangur zënien në kurth brenda një personazhi, duke bërë shumë gjëra të ndryshme.

INTERVISTUESI

Ju shpesh bashkëpunoni me artistë të tjerë…

CARSON

Shkrijimi është realizuar në shumë versione të ndryshme – instalacion, performancë, dhe si mjet pedagogjik – në New York, Miçigan, San Francisko, Potsdam, Monreal, Angli, dhe përsëri në Miçigan.

INTERVISTUESI

Keni bërë gjithashtu libra me njerëz të tjerë.

CARSON

Një me artisten nga Kalifornia, Kim Anno, që është një libër me një pjesë të libretit për Shkrijimin. Si dhe, më vonë, artistja nga New York-u, Roni Horn, më kërkoi të bashkëpunoja në një libër me tre njerëz të tjerë- Louise Bourgeois, Hélène Cixous dhe John Waters.

INTERVISTUESI

Si funksionojnë këto bashkëpunime për ju?

CARSON

Funksionojnë për aq sa mund të qëndroj jashtë qendrës së çfarëdo vepre që po bëhet. Kështu që nuk jam unë ajo që organizoj, drejtoj apo që shërbej si bosht i saj.

INTERVISTUESI

A ju lejon kjo që ta shihni veprën në një mënyrë tjetër?

CARSON

Më lejon të mos jem në ankth, gjë që i hap rrugë shpikjes. Është një vend më i lirshëm se qendra.

INTERVISTUESI

Sikur t’ju duhet ta rraskapitni/gjeni punën tuaj në mënyrë të papritur?

CARSON

Pikërisht. Më duhet ta fus veten fshehtazi në të.

INTERVISTUESI

Disa vite më parë, ju vuat në skenë një shfaqje teatrale të Shkrijimit duke përdorur studentë universiteti. Pse zgjodhët të punonit me amatorë të tërësishëm?

CARSON

Është dehëse t’u prezantosh njerëzve gjëra tërësisht të huaja. Them se nuk do t’i vihesha mësimdhënies po të mos më pëlqente kjo në përgjithësi.

INTERVISTUESI

Çfarë efekti ka mësimdhënia në punën tuaj krijuese?

CARSON

Më jep një strukturë jete dhe njerëz me të cilët mund të flas, duke kontribuar kështu në ruajtjen e arsyes.

INTERVISTUESI

Te Ekonomia e të pahunburve, ju tregoni se puna akademike, në me të mirën e saj, është e zhveshur nga vetja. Por më pas tërhiqeni nga kjo pikëpamje dhe pranoni se puna juaj më e mirë akademike ka prirjen që të vijë nga dhoma e mbyllur estetike e vetes.

CARSON

Më kanë mësuar se raportimi objektiv i çështjeve akademike është forma ideale që duhet të marrë studimi, por duke u marrë vetë me studime, nuk e kam parë kurrë të mundur këtë. Nuk kam mundur kurrë të mendoj pa menduar për veten time duke menduar. Dhe nuk jam e sigurt nëse kjo është pasojë e të qenit unë apo e të qenit njeri, ndaj vendosa të hamendësoj këtë të fundit. Kështu që studimi im, i tillë si është, është thellësisht subjektiv. Por ngaqë jam e vetëdijshme për këtë si problem, bëj një përpjekje për të uruar vazhdimisht kapërcimin midis asaj veteje subjektive dhe lexuesit. Megjithëse është një vizion privat, ai gjithashtu e fut lexuesin brenda këtij vizioni herë pas here.

INTERVISTUESI

A është katolicizmi një rrugëdalje nga vetja për ju?

CARSON

Jo, përkundrazi. Nuk mendoj se jam ndonjëherë aq e dorëzuar ndaj vetes sime sa kur jam në kishë, duke u përpjekur të kuptoj pse jam në kishë. Duke ndenjur aty e duke menduar për time më dhe për të gjitha herët që kemi ndenjur bashkë në kishë. E vetmja kujtesë e mirë që kam nga kjo është mbështetja pas palltos së saj prej gëzofi sintetik gjatë meshës. Më kujtohet aroma e asaj palltoje, sa ngushëlluese ishte në një ditë të ftohtë dimri. Por, jo, nuk është aspak një rrugëdalje nga veta.

INTERVISTUESI

A e mendoni veten si veçanërisht besimtare?

CARSON

Jo. E mendoj veten si veçanërisht të hutuar – nga njëra anë, nga e gjithë pyetja mbi Zotin dhe marrëdhënien e njerëzve me Zotin, por nga ana tjetër, mundësisht për shkak të shumë hapësirave të zbrazëta në jetën time, jam e hapur për të hulumtuar se çfarë mund të thotë kjo. Nuk shkoj në kishë me ndonjë pritshmëri për përmbushje apo ndriçim. Shkoj thjesht sepse kam shkuar gjithmonë, dhe sepse ime më shkonte, e ëma e saj po ashtu. Një lloj mendimi zë vend aty që nuk zë vend tjetërkund.. Pavarësisht se sa jo tërheqëse është mesha – dhe në ditët e sotme mesha është mjaft jo tërheqëse në përkthimin e saj modern – pavarësisht se sa i paimagjinueshëm është predikimi, ekziston një hapësirë ku asgjë tjetër nuk po ndodh, kështu që mund të ndodhë mendimi për Zotin apo për pyetjen mbi Zotin. Por asgjë nuk ndryshon, unë nuk bëhem më e urtë nga kjo, nuk bëhem më e mirë etikisht apo më interesante. Jam thjesht i njëjti person.

INTERVISTUESI

Kështu që nuk ka me të vërtetë një anë doktrinore në këtë.

CARSON

Nuk do të thosha se ana doktrinore e katolicizmit, për shembull, ka ndonjë kuptim të madh për mua në detajet apo në historinë e tij. Kështu që, jo, nuk e shoh mendimin katolik si një udhërrëfyes sesi ta jetoj jetën time. Mendoj se të merresh me pyetjen e zotave është një aspekt i të qenit njeri. Por është një rastësi historike që u rrita si katolike nga ime më dhe ajo nga e ëma e saj. Kjo traditë që na mbart është thjesht një enë e rastësishme. Mund të kisha qenë myslimane dhe do të isha po aq konfuze jam e sigurt.

INTERVISTUESI

A mendoni se keni një marrëdhënie me Zotin?

CARSON

Jo. Por kjo nuk është diçka e keqe. Mendoj se në ditët e fundit, pasi kam punuar me Shkrijimin dhe kam lexuar shumë mistikë, veçanërisht Simone Weil-in, kam arritur të kuptoj se më e mira që mund të shpresojë një njeri është të ketë një marrëdhënie me atë zbrazëti ku do të ishte Zoti nëse Zoti do të ishte i kapshëm, por Zoti nuk është i kapshëm. Kështu që, fakt i trishtë, por mësohu me të, sepse asgjë tjetër nuk ka për të ndodhur.

INTERVISTUESI

Ai nuk është i kapshëm sepse zgjedh ta heqë veten apo sepse nuk ekziston?

CARSON

Asnjëra. Ai nuk është i kapshëm sepse nuk është një qenie e atij lloji që do t’i përshtatej kapshmërisë sonë. “I panjohshëm”, siç do të thoshin mistikët. Dhe njohja është ajo që një besimtar kërkon të marrë nga Zoti – ndjesia se është në një shkëmbim njohjeje, të njohësh dhe të të njohin. Është ajo që kushdo kërkon nga çdo marrëdhënie dashurie, dhe marrëdhënia me Zotin mendohet të jetë një marrëdhënie dashurie. Por nuk mendoj se ndonjë lloj njohjeje do të materializohet ndonjëherë midis njerëzve dhe zotave.

INTERVISTUESI

A pengohet kjo për shkak të natyrës së vetë krijesës?

CARSON

Për shkak të ndryshimit midis dy renditjeve. Nëse Zoti do të ishte i njohshëm, pse do të besonim te ai?

INTERVIStUESI

Kështu që ai është si grekët e lashtë, “tjetri i panjohshëm”, prania e të cilit është magjepsëse dhe në njëfarë mënyre ndriçuese, por jo me të vërtetë e kuptueshme?

CARSON

Po. Jo një mjet i kapshëm për diçka që na nevojitet apo që bëjmë. Gjë që nuk është e njëjtë me të thënit “nuk ekziston”.

INTERVISTUESI

E di se keni punuar herë pas here mbi sublimen. Ajo ndërthur Antonionin dhe aktoren Monica Vitti?

CARSON

Disa pjesë të saj po. Por mendoj se kam hequr dorë nga sublimia. Disa kohë më parë vendosa të përpiqem ta kuptoj atë. Për ndonjë arsye, ndieja se Monica Vitti e trupëzonte sublimen, veçanërisht te Shkretëtira e kuqe. Kështu që e studiova Shkretëtirën e kuqe dhe shkrova diçka rreth saj, duke u thelluar në teorinë e sublimes. Versionet e njerëzve të ndryshëm për të – Edmund Burke, Kant, vetë Antonioni. Por është një temë tepër e madhe për mua, kështu që shkrova rreth e rrotull saj për njëfarë kohe dhe më pas dola jashtë për të parë nëse kishte ndonjë fill aty që mund ta zhvilloja e ta kapja, por ajo më mposhti.

INTERVISTUESI

Mendoj veçanërisht për atë poemë kur Antonioni shkon në spitalin e të çmendurve.

CARSON

Po, një histori e vërtetë. Ai shkoi për të xhiruar në një spital të çmendurish. Ishte përpjekja e tij e parë për të bërë një film. Ai vuri të sëmurët të luanin për të.

INTERVISTUESI

A u tha ai të sëmurëve se çfarë të bënin?

CARSON

Nuk arriti aq larg. Shkoi në dhomën ku kishin sjellë të sëmurët. I vendosi në njëfarë formacioni dhe ndezi dritat që ishin të nevojshme për xhirim, dhe të sëmurët u çmendën krejt. Për shkak të dritave, ose kështu supozuan mjekët në vendngjarje.

INTERVISTUESI

Hamendêsimi juaj është se të sëmurët fillojnë të rrotullohen në dysheme si një hile, sepse zbulojnë se mund të puthen me njëri-tjetrin nën petkun e të qenit të çmendur.

CARSON

Është një hile e ndërlikuar. Mendoj se ata kanë një hile të përgjithshme grupi në çdo situatë që tregon rrezik apo risi. Kështu që bien në dysheme dhe fillojnë të rrotullohen, dhe më pas disa prej tyre që qëllon të kenë afeksion për njëri-tjetrin, e përdorin gjithashtu si një rast për t’u puthur. Kjo është diçka dytësore. Jo motivi kryesor i rrotullimit. Në përshkrimet konvencionale të sublimes, si ato të Kantit, zakonisht ka një shkëndijë nga bota fenomenale, një stuhi, një shkëmb apo një natë e gjerë me yje – marramendje e pafundësisë – nga e cila vetja zmbrapset me tmerr apo me drithërimë. Drithërimë e ndjekur nga një rikthim i ndjesisë së zotërimit, një ndjesi e lartësimit se: Shiko çfarë tmerri i jashtëzakonshëm, dhe sesi ngrihem unë mbi të me mendjen time të mrekullueshme njerëzore!

INTERVISTUESI

Më kujtohet, dhe nuk ka kaluar aq shumë kohë, kur nuk mund t’i bënit njerëzit ta merrnin seriozisht shkrimin tuaj. Ju zakonish thoshit: “Do të bëhem e famshme pesëmbëdhjetë minuta pasi të kem vdekur.” E gjithë kjo ka ndryshuar në këto vitet e fundit dhe pyes veten se çfarë lloj ndryshimi ka sjellë kjo, si personalisht ashtu edhe profesionalisht.

CARSON

Nuk bën ndonjë ndryshim të madh. Është e këndshme të të presin në aeroporte, këtë nuk e mohoj. Nuk ka bërë ndonjë ndryshim të madh as brenda shkrimit, përveçse ndihem paksa më e lirë për të bërë çfarëdo gjëje që dua, gjë që është edhe e keqe, edhe e mirë. E mirë në kuptimin se është një hapësirë eksploruese, e keqe në kuptimin se nuk jam e sigurt nëse dikush mendon me të vërtetë të më gjykojë në të njëjtën mënyrë si më parë. Nuk ka një hapësirë të zbrazët në të cilën ndodh gjykimi, ka një hapësirë të bërë gati, një gjykim tashmë aty që ose e përmbush, ose jo. Ajo është e tjetërsuar që në çastin kur hyn.

INTERVISTUESI

Puna juaj dikur pritej me një hutim të plotë: “Por kjo nuk është poezi, kjo është qartazi prozë. Kjo është në paragrafe, unë mund ta dalloj ndryshimin mes prozës dhe poezisë.” Reagimet ishin tërësisht shpërfillëse.

CARSON

Po, dhe që nga ajo kohë ka ndodhur ajo që njerëzit e quajnë ndryshim paradigme, gjë që do të thotë se tani nuk bëj dot asgjë gabim, por që në të vërtetë do të thotë se njerëzit po ofrojnë gjykime po aq të verbra për veprën. Nuk e di pse ndodh kjo. Them se se njerëzit kanë frikë të mendojnë. U pëlqen të kenë një kategori të gatshme në mënyrë që të thonë: Mirë, tani e dimë se kjo është e mirë, mund ta shijojmë.

INTREVISTUESI

A pati fitimi i çmimit MacArthur një lloj efekti të ngjashëm? E di që nuk çoi në një stil më luksoz jetese.

CARSON

Çfarë flisni… Më duket se bleva disa çorape. Çorape dhe një këllëf të ri jastëku. Gjithashtu, tani më lënë të hyj në bankë në çdo orë. Edhe pasi dera është e kyçur, ata vrapojnë dhe më shoqërojnë për në dhomën e pasme. Përveç kësaj, jo ndonjë ndryshim i madh.

INTREVISTUESI

Keni një teori interesante për paranë.

CARSON

Nuk është edhe aq interesante. Është thjesht e kundërta me teorinë e zakonshme, e cila thotë se të gjitha paratë, madje të gjithë numrat në jetë, duhet të rriten. Por nuk ka kuptim që të rriten – pse më të mëdhenj? Nëse thjesht e përmbysni dhe mendoni se të gjithë numrat duhet të zvogëlohen, kjo e bën jetën më të mirë.

INTREVISTUESI

Çfarë mendonte babai juaj për këtë qëndrim?

CARSON

Babai nuk e kishte këtë këndvështrim, duhet ta pranoj.

INTREVISTUESI

Cili ishte qëndrimi i tij ndaj parasë?

CARSON

I ndërlikuar. Nuk mendoj se e kam kuptuar ndonjëherë plotësisht. Di vetëm se sa herë që bënim biseda për çështje ekonomike, përfundonim të ulur në tryezë, të rrethuar nga peceta të mbuluara me kalkulime. Ishte një situatë trishtimi e plotë për të dy ne.

INTREVISTUESI

A ju ka formësuar në ndonjë mënyrë si shkrimtare ardhja nga Kanadaja?

CARSON

Jo, nuk mendoj ashtu. Nuk e di nëse do të isha ndryshe po të kisha lindur diku tjetër. Kur shkoj në Amerikë ndihem ndryshe, por jo në një mënyrë që mund të thuhet me fjalë të tjera, dhe kur kthehem këtu ndiej një lehtësim, ndoshta vetëm sepse është mirë të mos biesh në sy. Dhe këtu sigurisht që mund të kalosh pa u vënë re. Ndiej se më mungojnë shkëmbinjtë dhe ajri, dhe era që ka bota në Canada. Por nuk ndihem e formësuar prej saj.

INTREVISTUESI

A ka shkrimtarë bashkëkohorë që ju ushqejnë në një mënyrë të caktuar? A ju shqetëson “ankthi i ndikimit”?

CARSON

Më bën me ankth deri në atë masë saqë nëse lexoj dikë dhe mendoj, Uau, do të doja vërtet ta bëja këtë, ndaloj së lexuari sepse nuk dua të bëhem imituese. Kam një anë imituese si majmun; mund të imitoja lehtësisht, gjë që kthehet në parodi. Parodi sepse nuk dua vërtet të bëhem ai person, dhe marrëdhënia e vetme që mund të kesh me dikë që dëshiron ta imitosh por jo të bëhesh si ai, është parodia. Por më pëlqen, për shembull, Mavis Gallant-i, dhe përpiqem të mos lexoj Mavis Gallant-in kur jam duke shkruar edhe vetë, sepse thjesht do të zhytesha tek ajo. Kështu që, ndonëse nuk kam ndjesinë e përpjekjes për të ndërtuar një zë, kam ndjesinë e përpjekjes për të shmangur shkrirjen me zërin e dikujt tjetër.

INTREVISTUESI

Përfundoj duke ju vënë juve dhe Alice Munro-n bashkë. Te secila prej jush ka një lidhje me botën fizike dhe detajet e jetës – pothuajse sikur po kënaqeni me to – qofshin ato të këqija, të mira, të dhimbshme apo çfarëdo tjetër. A ju duket e saktë kjo?

CARSON

E njoh këtë ndjesi. Kënaqësi (përthithje/përjetim me ëndje) është një fjalë e mirë për këtë. Por ajo dhe unë jemi shumë të ndryshme. Ajo që kemi të përbashkët është ndoshta një qëndrim se, sado e keqe të jetë jeta, e rëndësishme është të bësh diçka interesante prej saj. Dhe kjo ka shumë të bëjë me botën fizike, me vështrimin e gjërave, borën, dritën dhe erën e rrjetës së derës suaj dhe çfarëdo që përbën ekzistencën tuaj të dukshne nga çasti në çast. Sa ngushëlluese – që kjo lëndë vazhdon dhe se mund të vazhdosh të mendosh për të e ta kthesh në diçka mbi faqe.

INTREVISTUESI

Dhe kjo vazhdon për të gjithë.

CARSON

Vazhdon për të gjithë, mund ta komunikosh gjithmonë këtë. Dhe për mua, edhe kur lexoj George Eliot-in, e lexoj për përshkrimet e motit. Ndoshta kjo është mënyra e gabuar për të lexuar George Eliot-in, por sa ngushëlluese, mënyra sesi ajo përshkruan dritën që lëviz mbi pemë dhe që shtrihet mbi një stol e këmba e dikujt aty.

INTREVISTUESI

Por ju citoni Eliot-in që thotë se përpjekjet për përshkrim janë budallallëqe. A e ka thënë vërtet këtë?

CARSON

E ka thënë. Por ajo vazhdon të përpiqet ta bëjë. Megjithatë, ajo e kufizon. Mendoj se ajo ka një kapacitet shumë më të madh për përshkrim sesa ia lejon vetes. Moti zakonisht është thjesht një pikëzim në fillim të çdo kapitulli. Pastaj ajo kalon në dialogë metafizikë ku njerëzit diskutojnë kuptimin e jetës. Por moti është gjithmonë aty në fillim, dhe është i pamohueshëm. Ajo thjedht e pikas. Ajo përshkruan retë që lëvizin mbi diell në orën njëmbëdhjetë të mëngjesit në një shteg në një pyll lisash dhe është pikërisht ashtu siç do të ishte. Unë e admiroj këtë më shumë se çdo aspekt tjetër të shkrimit.

INTREVISTUESI

Ajo është e mirë edhe me mbrëmjen. Është sikur përshkruan motin në mëngjes kur fillon kapitulli dhe muzgun kur ai përfundon.

CARSON

Po, dhe kjo është arsyeja pse poezia kineze dhe ajo japoneze më duket e kënaqshme. Sepse duket se kanë të njëjtin synim. Në fakt, është i gjithë mekanizmi i tyre i depërtimit në realitet, për të kapur diçka nga çasti i dukshëm e më pas për ta lënë atë të rrezatojë një kuptim më të madh se vetë çasti. Mendoj se kjo është një lloj arritjeje përfundimtare në shkrim. Çka në praktikën time ngatërrohet e gjitha duke u përpjekur gjithashtu të përshkruaj mendjen timen apo çorapet e mia apo jetën time dashurore, por mendoj se po të isha një person më i mirë, do të mund t’i hiqja të gjitha ato që aty dhe thjesht të përshkruaja motin, borën apo çastin e dritës dhe do të ishte një vepër arti më e mirë.

INTREVISTUESI

Mendoj se e bëtë këtë në një e-mail që më dërguat në përvjetorin e vdekjes së nënës suaj. Ju thatë: “Më mungon si një çorape e vjetër.”

CARSON

Një çorape, ty të nevojitet gjithmonë çorapja tjetër. Të dish se kur duhet të ndalosh, ky është leksioni i atij e-maili. Të dish se kur të ndalosh është ajo që bën një shkrim të mirë.

INTREVISTUESI

Ky duket si një vend i mirë për ta mbyllur. Veç nëse ka diçka tjetër që do të dëshironit të shtonit?

CARSON

Do të doja të shtoja një copë urtësie nga Gertrude Stein-i: “Vepro në mënyrë të tillë që të mos ketë nevojë për një qendër.” Këtë përpiqem t’u mësoj studentëve të mi.

Përktheu: Arlinda Guma

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.