Franz Liszt, një nga figurat më komplekse e ‘joshëse’ të historisë së muzikës së shek XIX/Metila Dervishi

in Muzikë by

Metila Dervishi

Pianisti më i madh e virtuoz i kohës
Franz Liszt (22 tetor, 1811(Doborján) – 31 July 1886 Bayreuth) .
Personaliteti, poemi simfonik dhe sonata për Piano në Si -.

Kompozitor hungarez, pianisti e mësuesi Franz Liszt, ka qenë një nga udhëheqësit e periudhës romantike në muzikë. Në kompozimet e tij ai zhvilloi metoda të reja si teknike, si imagjinare, të cilat lanë vulën e tyre në këndvështrimin e tij progresiv kontemporan dhe paraprijnë disa nga idetë e procedurat e shek. XX. Njëkohësisht ai evoloi edhe metodën e ‘transformimit të temave’ si pjesë e revolucionit që bëri në formë, kreu eksperimente radikale në gjuhën harmonike dhe shpiku poemin simfonik për orkestër. Si pianisti më i madh e virtuoz i kohës së tij, ai përdori teknikat e tij sensacionale dhe personalitetin koncertor ‘joshës’, jo vetëm për efekte personale, por për të përhapur, me anë të transkiptimeve të tij, dituri nga muzika e kompozitorëve të tjerë.
Si dirigjent dhe mësues, veçanërisht në Weimar, ai u bë një nga figurat më ndikuese në Shkollën e Re Gjermane, kushtuar progresit në muzikë.
Përkrahja e tij e pandërprerë për Wagner-in dhe Berlioz-in, bëri që këta kompozitorë të merrnin një famë më të gjerë europiane. I një rëndësie të njëjtë qe angazhimi i tij i pakrahasueshëm për të ruajtur dhe promovuar më të mirën e së shkuarës, duke përfshirë Bach-un, Handel-in, Schubert-in, Weber-in dhe mbi të gjithë Beethoven-in; performancat e tij mbi punime të tilla si Simfonia e Nëntë e Beethoven-it dhe Sonata Hammerklavier, krijuan një audiencë të re për muzikën, deri më atëherë të quajtur si jo-të kuptueshme.
Kontradiktat e dukshme të jetës së tij personale – një besimtar me një impuls të fortë, i përzier me një dashuri për emocionet e kësaj bote – u zgjidhën nga ai me vështirësi. Akoma, shumica e informacionit të ri biografik mbi të e japin pamjen e tij si ‘gjysmë- cigan, gjysmë prift. Ai përmban në karakterin e tij idealet dhe aspiratat e shek XIX. më shumë se çdo muzikant tjetër i madh. Atij i takon merita historike për krijimin dhe përcaktimin e një forme dhe gjinie të re muzikore të quajtur Poemi simfonik. Bashkimi i termave poem – simfonik, si dhe forma e tij, u krijuan nga Franc Liszt-i për të përcaktuar serinë e punëve orkestrale të tij, të shkruara rreth viteve 1850-1860. Ai përdori transformimin poetik paralel me emocionet e poezisë. Forma muzikore e poemit simfonik është e lirë, megjithatë ajo afron me formën e sonatës, që përdoret në kohën e parë te simfonitë. Poemi simfonik, i quajtur gjithashtu edhe ton poem (poemi i tingujve), është një kompozim muzikor për orkestër, i frymëzuar nga ide jashtëmuzikore, histori ose “program”, ku titulli ose referon diçka, ose e aludon atë. Karakteristikat e poemit simfonik kanë evoluar nga koncert uvertura, një uverturë jo e lidhur me operan, por e sugjeruar nga letërsia ose nga episodet historike të ngjarjeve. Midis miteve të periudhës romantike, kultura evropiane rrënjosi më së shumti mitin e trajtimit të artit si transfigurim poetik të ekzistencës. Ky mit i kaloi kufijtë e sferës estetike, duke i kombinuar me mendimin utopik të rigjenerimit të njeriut dhe të shoqërisë. Në mjediset muzikore Liszt-i qe dëshmia e gjallë lidhur me këtë, ai, i ndezur nga revolucioni i Parisit, në korrik të vitit 1830, filloi të tregonte një interes të madh për çështjet sociale e politike, duke u afruar me doktrinat e Lamane-së dhe të Sant Simon-it. Në moshë më të pjekur këto ideale sociale u shuan krejtësisht dhe mbeti vetëm një sens fetar dhe mistik i krijimit artistik. Por, poetika listiane vazhdoi të karakterizohej nga prirja drejt dimensionit të së ardhmes së artit muzikor, i cili, nga fusha e tij specifike, duhej të hapej për të përqafuar artet e tjera. Ideja e shkrirjes së të gjitha arteve, sipas Listit, dukej se i përgjigjej kërkesës së rëndësishme të kohës për arritjen e një shprehshmërie më të gjerë e më të thellë. Nga ky këndvështrim, frymëzimi poetik dhe ai piktural, përfaqësojnë për muzikantin atë element të përshtatshëm për të rinovuar format e trashëguara. Vetëm muzikanti poet, mund të zgjerojë kufijtë e artit të tij, duke thyer zinxhirët, që pengojnë lirshmërinë e fluturimit të fantazisë së tyre ( Liszt). E njëjta gjë mund të thuhet dhe për futjen e një programi në muzikë, i cili u bë një element i rëndësishëm, që mund të sugjeronte rrugë të reja për muzikantin dhe, njëkohësisht, t’i hapë rrugë muzikës së së ardhmes. Kështu, në veprat e Liszt-it, arti muzikor nuk i drejtohej publikut të veçantë dhe aktual të asaj kohe, por publikut të së ardhmes, pra, një publiku ideal. Nomadizmi, internacionalizmi i tij, e shtynë Listin të ikte nga atdheu i vet Hungaria nëpër udhëtime të vazhdueshme, nëpër qendrat kulturore të Parisit, Vajmarit, Romës. Por periudha më e fuqishme krijuese e tij qe pikërisht ajo e Vajmarit (1848), ku qëndroi për më tepër se një dhjetëvjeçar. Pikërisht gjatë kësaj kohe ai krijoi 13 poema simfonike, më e njohura ndër të cilat është ajo me titull Preludet, si dhe dy simfoni të programuara, të dedikuara njëra Faustit të Gëtes, (Simfonia e Faustit, me tri kohë, 1854-57) dhe tjetra Komedisë Hyjnore të Dantes (Simfonia e Dantes, 1856). Nga njëra anë, këto projekte zbulojnë pjekurinë e plotë të atij konceptimi, tashmë të shprehur qartë në poemat simfonike të krijuara më parë, sipas të cilit krijimi muzikor ka përmbajtje poetike jashtëmuzikore dhe, nga ana tjetër, ato tregojnë nevojën për të zgjeruar përmasat e kompozimeve nëpërmjet kritereve, të ndryshme nga ato të mëparshmet. Këto janë kritere të bazuara në metamorfoza të vazhdueshme tematike, të cilat mund të rikuperojnë disa parime ose skema tradicionale të trashëguara, si forma e sonatës, në një këndvështrim të çfunksionalizuar, ku skema poetike kryen funksionin e udhëheqësisë narrative, duke e orientuar shtjellimin ekspresiv gjatë trajektoreve të paparishikuara dhe të papritura. Liszt-i në idenë qendrore përdori një formë krejt të veçantë, monotematizmin, sipas të cilit një temë a një motiv bëhet ‘strumbullar’ intonativ i gjithë veprës dhe përmes shndërrimit, kryesisht variacional, fiton aftësi karakterizuese të aspekteve të ndryshme, ndonjëherë edhe të kundërta. Aplikimi i kësaj forme karakterizuese, jo vetëm nuk e varfëroi larminë e figurave muzikore, por, përkundrazi, ndikoi në unitetin tematiko-emocional dhe stilistik të veprës. Në kërkimet e tij të vazhdueshme, të frymëzuara nga pasione të ndryshme dhe shpesh kundërthënëse, siç ishin dhe motivet e tij krijuese, arti muzikor i Liszt-it në tërësinë e vet nuk është i përkryer, aq sa ç’është, p.sh arti vagnerian, një art ky harmonik, tematik dhe formal. Por, pikërisht çekuilibrimet e Liszt-it, ndonëse nga këndvështrimi estetik mund të duken si një dobësi, zbulojnë një ndërgjegje estetike torturuese, që pikërisht në këtë torturë dhe në kundërthëniet e saj, në konfliktin mes ideve, kategorive të ndryshme të së bukurës dhe karakteristikes, paraprijnë në qëndrime që do të jenë tipikë për artin muzikor të shek.’20. Në këtë këndvështrim dhe me këtë profil, Liszt-i, ndërmjet gjithë kompozitorëve romantikë ishte më parashikues, më i projektuar në të ardhmen, të paktën në të ardhmen e artit muzikor. Është e rëndësishme që Listi nuk këmbënguli të caktonte burime të lidhura ngushtësisht me letërsinë në veprat e tij, ndërsa, për sa i përket kompozitorëve që ndoqën dhe përshtatën modelin e tij të transformimit dhe zhvillimit tematik, ata mund të përfitonin ose të shfrytëzonin lirinë e madhe të kësaj forme, që mori dhe emërtime të tilla, si: Fantazi, Studim, Skicë, etj. Lidhur me këtë formë muzikore, Liszt-i ndikoi dhe te pasardhësit e tij. Po do ndalesha dhe te një arritje e madhe e Liszt-it në atë kohë, një nga veprat e tij që ka zgjuar jo pak debate: Sonata për piano në si minor. Mes arritijeve të mëdha të krijimeve të viteve të Weimar-it (1848-1861) ishte dhe kompozimi i Sonatës për Piano në Si minor. Gjatë kësaj kohe Liszt-i kompozoi disa nga punët e tij më të mëdha e më mbresëlënëse si: dy koncertet për piano, të dy simfonitë “Faust” dhe “Dante”; “Totentanz” për piano dhe orkestër dhe poemat e tij simfonike. Duke shtuar këtu edhe rolin e tij si drejtues në festivale muzikore, ku ai luante repertor nga Beethoven-i, Berlioz-i, Verdi dhe Wagner-i. E mbaruar në shkurt të vitit 1853, Sonata në Si minor përfaqëson një nga kontributet më origjinale të formës së sonatës që erdhi nga shekulli XIX. Jo vetëm që janë katër kohët e saj që janë futur në një, po ato vetë në vetvete janë kompozuar përballë një sfondi të një skeme të plotë sonatë-ekspozicion-përpunim, reprizë, që shtjellohet afërsisht në gjysmë ore muzikë. Pra, shkurtimisht Liszt-i ka kompozuar ‘një sonatë nëpër një sonatë’. Ndoshta hera e parë në historinë e muzikës që diçka e këtillë është tentuar. Nganjëherë, Beethoven-i i ka lidhur kohët e sonatave dhe simfonive të tij, sigurisht; dikush mendon për simfoninë e pestë dhe sonatën Appassionata, ku finalet respektive shfaqen nga kohët e mëparshme pa ndërprerje. Por, te Sonata në Si- është ndryshe. Materiali vazhdimisht kontribuon në dy forma sonatash njëkohësisht. Kjo strukturë me funksion të ‘dyfishtë’ ishte që mos të kishte më vazhdimësi, derisa Schoenberg-u bëri diçka të ngjashme në Simfoninë e tij të parë për harqe, më shumë se 50-vjet më vonë. Nuk ka punë të tjera të Liszt-it që kanë tërhequr të njëjtën shkallë të vëmendjes shkencore si kjo sonatë. Tërheqja karshi kësaj ka të bëjë gjithashtu me programin e fshehur, gjë që ka mbajtur tre breza ekspertësh të zënë. Githsesi, pavarësisht heshtjes totale të Liszt-it mbi këtë çështje: ai thjesht e quajti këtë punim një ‘sonatë’. Kjo sonatë është mjaft e qartë, e fuqishme dhe intriguese sa mund të mbajë shumë interpretime, duke përfshirë edhe atë të një kompozimi abstrakt instrumental, pra atë të një muzike absolute. Po a ish ajo një muzikë absolute apo vepër programatike?! Për dikë që ka bashkangjitur tituj dhe përshkrime programatike përreth 90% të punimeve të tij, heshtja e tij, siç është, te ato me kuptimësi jashtëmuzikore, është shprehëse… Sipas Peter Raabe-s ‘Sonata është një portret muzikor i legjendës së Faust-it, e kompletuar me tema të Faust-it, Gretchen-in dhe Mephisto-s’. Disa të tjerë kanë parë në këtë punim një përshkrim të kopshtit të Edenit, me tema që simbolizojnë Zotin, Luçiferrin, Adamin dhe Evën. Disa të tjerë e kanë parë veprën si një portret autobiografik të vetë Liszt-it. Sonata në Si minor, padyshim paraqet punën më të realizuar të prodhimeve pianistike të Liszt-it. Ajo qëndron në linjën e poemave simfonikë. Me këtë punë, Liszt-i arriti majën dramatike të punës së tij për piano. Ajo u shfaq si një kohë e vetme dhe gjigante, afërsisht 30 minuta, në varësi të interpretit. Gjithsesi ajo nuk e thyen krejtësisht të shkuarën. Në të vërtetë Beethoven-i, ka përdorur parimin e mbivendosjes së temave në sonatën tradicionale në shpirtin e një dialogu apo lufte dramatike. Është i njëjti shpirt, e njëjta frymë që përdori Liszt-i, por duke i dhënë një liri totale. Përveç përpjekjeve të ndryshme për ta shpjeguar këtë sonatë, forma e saj ende shkakton probleme mes muzikologëve. Nuk ka një marrëveshje universale nëse kjo duhet të konsiderohet si një kohë e vetme e formës së sonatës, apo një punë shumëkohëshe me një kohë të ngadaltë dhe një scherzo, ndonëse numri i seksioneve është katër apo tre. Në të vërtetë e tërë premisa e një strukture me një funksion të dyfishtë në vetvete me një fuge të identifukuar si një scherzo, është dyshuese. Këto pozicionime kontradiktore, veçanërisht ato që rrethojnë fugën, padyshim që do të jenë për një kohë të gjatë qender debatesh. Sonata u publikua në vitin 1854, me një dedikim për Robert Schumann-in (një gjest reciprok për dedikimin që Schumann-i i kishte bërë Liszt-it tek Fantazia në Do maxhor, disa vite më parë). Performanca e parë u bë në publik nga Hans von Bülow në Berlin në 22 janar, 1857. Perceptimi që u bë për veprën nuk ishte premtues. Otto Gumprecht-i e përshkroi atë ‘si një ftesë për të fërshëllyer dhe stamposur’ (Nationalzeitung), ndërkohë që Gustav Engel mendonte që kjo hynte në konflikt si me natyrën si me logjikën. Nga këto kritika sonata u përmirësua pak dhe u luajt shumë pak, kështu që kjo vepër madhështore pianistike e Liszt-it pati fare pak performanca para se të hynte shekulli ‘XX. Një nga performancat më të famshme, ish ajo që dha në mënyrë private Karl Klindworth për Richard Wagner-in në Londër, në 5 prill, 1855. Gjithsesi, duke mënjanuar kritikat konservatore të kohës, kjo vepër ishte një sfidë për themelimin e formës së sonatës në shek. XIX. Për përdorimin e kësaj strukture Liszt-i qe influencuar nga Fantazia Wandere e Franz Schubert. Schubert-i përdori në të njëjtën mënyrë një numër të kufizuar elementesh muzikorë për të krijuar një punë të gjerë e të plotë me katër kohë, dhe përdori fugaton në kohën e katërt. Në fakt, që në vitin 1851, Liszt-i eksperimentoi me një pjesë për piano jo-programatike, të gjerë, të quajtur Grosses Concert-Solo, ku katër kohë ishin në një. Kjo pjesë që u publikua në vitin 1865 si version me dy-piano nën titullin Concerto pathétique, tregon një marrëdhënie tematike edhe me Sonatën edhe me Simfoninë e mëvonshme “Faust”.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Muzikë

Go to Top