Filmi Nomadland-Ç’është liria?/Ballsor Hoxha

in Kinema by

Filmi “Nomadland”, ftues i Oscar, 2021, me regjisore Chloe Zhao dhe aktore kryesore Frances McDormand

   Ballsor Hoxha

Filmi “Nodmadland” është film i cili zbulon dhe vëzhgon një komunitet në lindje. Një mënyrë jete të të shkëputurve. Një jetesë e cila rikrijon ligjet dhe normat e saj në një univers të tyre personal dhe të pacenueshëm nga normat e shoqërisë sonë.
Në të vërtetë filmi bën fjalë për Nomadët e Rinj në botë, të cilët, të shkëputur nga jeta  fillojnë dhe jetojnë një jetë të tërë jashtë dhe të ikur nga zakonshmëria, atashimet e vazhdimësia e qeniesimit.
Filmi “Nomadland” është film mbi një pjesë të shoqërisë amerikane (por edhe ndërkombëtare). Shoqëri që shkëputen, braktisin dhe ikin nga jeta e zakonshme, për të jetuar në komunitete në natyrën e egër dhe në furgonat e tyre. Janë shoqëri që jetojnê diku mes jetës së të pastrehëve dhe të të arratisurve.
Personazhja kryesore e filmit, Fern-i, e quajtur shkurt dhe thjesht, ka humbur burrin e saj. Në vazhdim është zhdukur adimistrativisht qyteti ku ka jetuar, fjalë për fjalë, qyteza ku ka jetuar është fshirë nga ekzistenca administrative, duke qenë e braktisur në prag të ekzistencës dhe e pa banorë.
Por gjatë filmit mësojmë se është pikërisht kjo qytezë e cila e ka tërhequr atë, Fern-in dhe bashkëshortin e saj të ndjerë, që të jetojnë atje.
“Prapa shtëpisë sime është një hapësirë e pafund, që nuk çon askund!”, i tregon Fern-i një personazhi tjetër.
Fern-i nis jetën e saj si nomade dhe për më shumë, tërë filmi është rrugë, të braktisura, të largëta, të vetmuara, të papopulluara, pa trafik.
Ajo  u bashkëngjitet këtyre komuniteteve të nomadëve. Komunitete që jetojnë jashtë normave të mirëqenies amerikane. Komunitete që jetojnë në natyrën e egër dhe në lokacione të lëna pas dore. Punojnë në punët më painteres në tërë Amerikën gjigande.
I tërë ky rrëfim, kjo hapësirë brenda Amerikës, e huaj për njeriun bashkëkohor, e braktisur nga jeta dhe e lirë si në ujëvarat, pyjet, shkretëtirat dhe në natyrën e egër të saj, është rrëfim që e bart personazhi Fern. Një grua, e cila sapo ka humbur burrin, ka braktisur vendbanimin e saj për liri të pakufishme, të paatashuar, pa obligime dhe si nomade origjinare e shkretëtirave të Saharës e të Afrikës, është vazhdimisht në lëvizje, në dyndje dhe në lëvizje.
Por, pikërisht kjo jetë, kjo lëvizje nomade, krijon edhe magjepsjen dhe provokimin kinematografik. Si mund të merret një jetë e tillë:
– Mospërgjegjësi – ndaj të afërmve, duke qenë se Fern,-i i braktis të gjithë. Në të vërtetë, në një nga dialogjet e Fern-it me motrën e saj, ajo dëgjon motrën e saj më të vogël duke i treguar se Fern-i ka qenë për atë modeli i sjelljes dhe projektimi i arritjes së saj. Se me braktisjen e saj, Fern-i ka lënë te motra e saj një mungesë të thellë.
A mos kjo lëvizje, kjo lëvizje nomade, në magjepsjen dhe provokimin që na krijon, është në të vërtetë – ikje -. braktisje nga ankthi ekzistencial. Në të vërtetë të gjithë nomadët, në grupet dhe në socializimet e tyre, gjithnjë tregojnë për persona të dashur, të afërm të cilët u kanë vdekur.
A mos, po e njëjta magjepsje dhe provokim i krijuar në shprehjen kinematografike është në të vërtetë natyra primare, instinktive dhe primordiale për njeriun që të jetojë i lirë.
Në të vërtetë, duke u nisur nga e fundit, liria, si primodriale brenda njeriut, shtytja dhe fiksimi për të qenë i lirë, është edhe mallkim edhe përmbushje e këtij komuniteti. Liria si mallkim për të gjetur një hapësirë për veten, për të gjetur një shoqëri, për të gjetur një paqe me veten më shumë se me të tjerët.
Por kjo përmbushje është e ndërthurur me dhembjen ndaj të të afërmve. Është e dhembshme në braktisjen e pashpjegim, në pamundësinë e mishërimit të bashkëjetesës, në vetminë që i përcjell këta persona në gjithë jetët e tyre.
Por mbi të gjitha është kriza ekzistenciale e këtyre personave. Mospajtimi me jetën, pajtimi me ikjen. Pamundësia për të gjetur lidhjen dhe atashimin me të tjerët. Pamundësia për të krijuar një vazhdimësi dhe një konsistencë të jetës.
Në të vërtetë, prej personazhit që shërben si guru për komunitetin e tyre, i cili tregon për vdekjen e djalit të tij, e deri tek Fern-i e cila e humb personin e vetëm të afërm të saj – bashkëshortin e saj, të gjithë këta kanë humbur personin më të dashur në jetët e tyre.
Fenomeni që krijon humbja e personit më të dashur te disa persona, është një tronditje e pakalueshme në personat e mbetur dhe me këtë, në njërën anë i shkëput ata nga lidhja dhe atashimi dhe në anën tjetër u mbjell ankthin e ekzistencës dhe të të atashuarit. Frikën e vdekjes, e cila bëhet e pakalueshme dhe motiv nxitjeje për të braktisur çfarëdo lidhje me jetën shoqërore dhe me jetën sociale.
Ankthi ekzistencial në të vërtet është fenomen i cili përhapet edhe në kohëra të krizave shoqërore dhe, edhe të kalimeve epokale. Njeriu e gjen veten të pandihmë dhe të pashpjegim ndaj vogëlsisë së tij dhe ndaj pandihmshmërisë së tij. Aq më shumë vdekja bëhet e patejkalueshme dhe dhembje e frikshme, e cila shkëput tërë sistemin social dhe vullnetin e njeriut që ka qenë në afërsi të vdekjes.
Dhe të dyja së bashku, jeta e vëzhguar në filmin “Nomadland” të regjisores Chloe Zhao, e nomadëve të rinj, sidomos në vendet e zhvilluara dhe në anën tjetër, fenomeni i ndërrimti dhe i kalimit të epokave që ka krijuar dhe ka krisur ankthin ekzistencial, janë filmi i momentit, i cili përmes këtyre të dyjave krijon një udhë të përvijimit të këtij ankthi ekzistencial global dhe këtë e provokon në pyetjen: Ç’është liria?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top