Sonte dua jetën time të humbur-Alkyoni Papadaki
Ajo që do të doja sonte, është jeta ime e humbur.
Por nuk e di kujt t’ia kërkoj.
Kaq shumë e hapërdava, kaq shumë e shkapërderdha, kaq shumë e dhashë hua,
kaq shumë e rrënova. Kujt t’ia kërkoj tani…
Dhe ç’më duhet…
Ajo që do të doja sonte, fundja, është një sup,
të epem mbi të dhe të derdh lot.
Të derdh lot shumë. Të dënes. Të klith. Lot të derdh për gjithçka.
Për ato që desha. Për ato që ëndrra thura. Për ato që ndieva.
Për ato që prita dhe nuk erdhën. Për ato që erdhën. Për ato që më tradhëtuan.
Për ato që më vijëzuan. Për ato që më vranë në të gjallë. Për ato që më dhanë sërish jetë.
Të derdh lot shumë. Të dënes. Të klith.
Për gjithçka…
Të epem mbi supin e dikujt dhe zërin e tij të dëgjoj
të më thotë në pëshpëritje:
“Mos qaj”. Vetëm kaq. Asgjë tjetër.
Mos qaj. Vetëm kaq…
… Kjo nevojë e papërballueshme, mbështetje të gjesh te dikush.
Dhe ky dikush nuk mund të ketë një trajtë, në mendjen tënde.
Të duash të shpuplosh ekzistencën tënde. Ta hapërdash.
T’i vësh zjarrin, vetëm për hir të tij.
Të duash t’i kushtosh një këngë, t’i dërgosh një puthje.
Dhe gjëkundi të mos gjesh gjurmët e tij ta ndjekësh.
Mall ndiej për dashurinë time, e vërtetë. Shumë mall ndiej.
Por, natyrisht, nuk kërkoj fytyrën e saj në këtë peizazh.
Edhe ky dielli i paanë që kular është mbledhur në shpirtin tim.
Një vështrim të ngrohtë do që të lindë. Një prekje të butë, qoftë edhe në majat e flokëve…
Kaq shumë dashka i panderi të jetë në zenit?
Kaq shumë?
Përktheu: Maklena Nika
Nga libri: “Në anëdetin e utopisë”
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu
PËRBALLË DËBORËS-Du Fu 712-770) Për luftën kanë zënë të qahen Të