Solidariteti dhe vetmia/Arbër Zaimi

in Kinema by

Arbër Zaimi

Xhafer Panahi është një regjisor shumë i dëgjuar iranian i përndjekur e i dënuar nga diktatura e atjeshme.

I vendosur përballë sfidave konkrete që janë mungesa e buxhetit dhe censura politike është dashur të gjejë zgjidhje konkrete. Kësisoj Panahi ka bërë filma në stilin “neorealist”, ku luajnë njerëz të zakonshëm e jo aktorë, ku skenat zhvillohen në lagjet e banesat e shtresave popullore, pa përmbajtje aksioni e konflikti, pra nuk lipsen shumë para për të ndërtuar shesh-xhirime, skenografi a efekte. Për t’i ikur censurës, filmat e tij shpesh fokusohen te fëmijët dhe bota e tyre, që nga regjimi shihet si më pak e politizuar. Me kësi filmash ai ia ka dalë të jetë ndër ata fare pak regjisorë që kanë fituar edhe palmën, edhe luanin, edhe ariun e artë, por njëkohësisht shpesh edhe ka rënë në birucë e është detyruar të dalë syrgjyn.

Për filmin e tij të parë “Tullumbacja e bardhë” skenarin ia pati shkruar mjeshtri i tij, Abaz Kiarostami. Filmi tregon historinë e një vajze të vogël, Razijes, nxënëse në klasën e parë, e cila duke ardhë në shtëpi me të ëmën sheh një peshk topolak në një akuarium dhe dëshiron ta blejë. Kanë boll peshq të kuq e të artë në shtëpi, madje dhe fqinjët vijnë e huazojnë prej tyre, po Razija do peshkun e vogël të bardhë e me luspa të kuqe. Lutet e lutet, madje dhe qan, deri sa e ëma bindet dhe ia jep paratë kur lutjes i bashkohet edhe vëllai i madh, Aliu, të cilin Razija e bind kur i premton se do t’ia falë tullumbacen e bardhë që ia kish dhuruar një dajë. Peshku kushton 100 pare, nëna u jep bankënotën pesëqindëshe që kishte kursyer për të blerë dhurata për fëmijët e familjeve që do vinin për vizitë, sepse po afron Novruzi, Viti i Ri iranian (që sivjet do të jetë më 20 mars).

Razija niset me vrap drejt pazarit, por rrugës hutohet nga një grup burrash mbledhur rreth dy endacakësh lypsarë pleq që luajnë e vallëzojnë me gjarpërinj për të fituar bukën e gojës. Burrat ia marrin paratë Razijes, por kur i shohin lotët e saj vendosin t’ia kthejnë. Ama jo pa ia treguar gjarpërinjtë që e trembin shumë. Sidoqoftë ia tregojnë dhe sekretin e tyre profesional, gjarpërinjtë janë pa dhëmbë…

Razija vazhdon vrapin drejt shitësit të peshqve, por rrugës ka dhe vitrina të tjera që e hutojnë. Kur arrin te peshqit, shitësi i thotë se ai peshku kushton 200 e jo 100 pare. Pak me lot e pak me lutje Razija arrin t’ia zbresë çmimin, por kur sheh, paratë s’janë aty…

Shumë njerëz, të njohur e të panjohur, pleq e të rinj, u ndihmojnë Razijes e Aliut deri sa ata i gjejnë paratë që kanë rënë në një podrum të kyçur të një dyqani e gjatë filmit mësojmë nga pak dhe historitë e tyre. Por i vetmi që i ndihmon t’i arrijnë e t’i shtien në dorë paratë ishte një djalë i vogël emigrant afgan, shitës i varfër tullumbacesh.

Razija e Aliu gëzohen shumë, shkojnë blejnë peshkun dhe kthehen të gëzuar për darkën e Novruzit, ndërsa filmi mbyllet me pamjen e vetmuar të djalit afgan.

Filmi mund të ketë shumë lexime, klasore, politike e humane. Por, mendoj unë, edhe gjeopolitike. Çka nëse fëmijët e filmit i shohim si popuj, si kombe të vegjël në një botë qeverisur nga të mëdhenjtë? Aty duket si ndërtohen solidaritetet, por edhe si ndodh që braktisen në vetmi ata që ndihmuan e u solidarizuan, kur mendohet se arrihet qëllimi e blihet peshku i bukur topolak. Shpesh krejt pa përgjegjësi, si fëmijët…

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top