Mos ndiq asnjë rregull… Krijoji vetë rregullat e tua… Dhe më pas thyeji edhe ato/Intervistë e autores Arlinda Guma me studentët e St. Scholastica’s Academy, në Filipine

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by

Arlinda Guma

Para disa ditësh më erdhi një mesazh, i cili midis të tjerash shkruante:

Unë jam një studente nga Filipinet dhe, së bashku me shokët e mi të grupit në St. Scholastica’s Academy, aktualisht po studiojmë poezinë tuaj COVID-19 për lëndën tonë: Letërsia e Shekullit të 21 në Filipine dhe Botë.
Si pjesë e detyrës sonë të performancës, ne po përgatisim një kritikë akademike dhe vërtet e admirojmë mënyrën sesi puna juaj kap fuqishëm vështirësitë dhe shpirtin njerëzor gjatë pandemisë.
Në lidhje me këtë, ne dëshirojmë që sinqerisht t’ju ftojmë në një seancë interviste për të na ndihmuar të fitojmë një kuptim më të thellë të poezisë suaj dhe të frymëzimit që qëndron pas saj. Ne besojmë se duke dëgjuar drejtpërdrejt nga ju, do ta pasurojmë shumë punën tonë dhe do të ofrojmë njohuri të vlefshme…

Pranova me kënaqësi.
U shkrova se intervista do të ishte më e dobishme për ta nëse do ta jepja me shkrim. Më duhej të kthehesha pesë vjet pas në kohë për të rikujtuar emocionet dhe përjetimet e çasteve kur e shkrova poezinë.
Dhe përgjigjia e studentëve ishte:

Duam të shprehim mirënjohjen tonë të sinqertë për këtë intervistë me shkrim. Puna juaj vazhdon të na mahnisë dhe të prekë ndjenjën tonë të humanizmit. Kjo nuk është vetëm një përgjegjësi dhe detyrim për ne studentët, por edhe një pasuri e çmuar për t’u përjetuar, ndërsa komunikojmë drejtpërdrejt me autoren e një poezie kaq të thellë.

Në të vërtetë jam unë ajo që duhet t’u jem mirënjohëse këtyre të rinjve; kaq seriozë dhe të përkushtuar në studimin që po i bëjnë poezisë sime COVID-19. Mbi të gjitha për pyetjet e menduara mirë, që do t’i kishte zili çdo gazetar shqiptar. Dëshmi e cilësisë së lartë të arsimit në atë vend.
Intervistën time me studentët e lexoni si vijon:

Çfarë ju frymëzoi për ta shkruar këtë poezi? Ndikoi eksperienca juaj personale, i përjetuat këto përvoja nga afër?

Arlinda Guma: U frymëzova nga një foto që po qarkullonte online, shkrepur në Athinë, Greqi. Në atë foto disa punëtorë bashkie po dezinfektonin statujën e Perikliut.
Siç mund ta dini, Perikliu ishte një shtetar dhe gjeneral i madh athinas. Ai promovoi artin, filozofinë dhe demokracinë athinase. Periudha gjatë udhëheqjes së tij u quajt Epoka e Artë…
Dhe ja ku u gjendëm sa hap e mbyll sytë; në Epokën e Influencerave; në Epokën e cektësisë dhe idiotësisë. Njerëzimi u kap si në çark nga pandemia. Ai numri i madh i influencerave, të cilët pretendojnë se dinë gjithçka, nuk mund të na mbronte prej kërcënimit të atij virusi. Madje as Kardashianët nuk mund të bënin gjë.
E ja kështu… ne po dezinfektonim Perikliun; dhe idetë e tij për liri e demokraci… Kjo është ironia! (Ironia është pjesa më thelbësore e letërsisë sime.) Dhe bëhet edhe më ironike po të kesh parasysh faktin që edhe Perikliu vdiq prej një pandemie – prej murtajës.
Të gjithë elementet që nevojiteshin për një vepër arti të fuqishme gjendeshin në atë foto. Ndonjëherë realiteti e tejkalon artin.

A mund të na thoni sesi iu qasët procesit të shkrimit të kësaj poezie? Duke patur parasysh stilin e vargut të lirë dhe variacionin ritmik, çfarë roli luajtën mjetet letrare në formësimin e temës së përgjithshme?

Arlinda Guma: Unë as që mendoja të shkruaja gjatë asaj kohe. Gjithçka dukej e pasigurt, vetë jeta ishte e pasigurt.
Por ajo foto… Ehh… nga më doli!… Ajo foto nuk më shqitej nga mendja.
Mbaj mend hënën e plotë atë natë. Nuk flija dot. Drita e hënës binte në dritare dhe dhoma dukej si e ndriçuar nga drita e diellit.
Dhe kështu, përmes asaj nate të pagjumë dhe torturuese, shkrova atë poezi… në mendje… COVID-19… Nuk m’u desh të mendohesha shumë për titullin. (Kur shkruaj një poezi, e shkruaj, të gjithën, në mendje, dhe më vonë, kur e kam mbaruar, e ruaj në një dokument në laptop.)
Unë nuk mund ta përfytyroja kurrë, që ajo poezi do të udhëtonte aq larg, që do t’u fliste aq shumë njerëzve nëpër botë, që do të recitohej dhe botohej në shumë vende.
Ndërsa për sa i përket stilit… Çfarë ka rëndësi për mua është ajo që dua të shpreh – esenca e ideve të mia – jo forma në të cilën unë i shpreh. Forma nuk ka dhe aq rëndësi për mua dhe stili i vargjeve të lira është tërësisht spontan, natyral, është e gjitha instiktive. Nuk është diçka teknike. Me të vërtetë që nuk është e planifikuar – për shembull; jo se unë e mendoj më parë se do përdor mjetin letrar X.

Përse zgjodhët statujat si subjekt qendror të punës suaj? Shërbejnë si një metaforë për diçka më të thellë në lidhje me shoqërinë dhe si e vendosët se cilat figura historike apo kulturore do të nxirrnit në pah?

Arlinda Guma: Disa muaj para pandemisë unë po mendoja të shkruaja një roman, me gjithë këto figura historike të mëdha si personazhe. Çfarë mendojnë ata për mënyrën sesi veprojmë ne me pasurinë e çmuar të ideve që ata na lanë?
Dhe papritur u shfaq pandemia. Kështu, poezia COVID-19 doli si një ekstrakt i ideve për romanin e ri. (Përzgjedhja e nxjerrjes në pah të figurave historike e kulturore ishte e gjitha instiktive.)
E mbarova atë roman këtë vit. U botua një muaj më parë; ju do të gjeni në të disa nga personazhet që takuat në poezi: Marksin, Danten, Partizanin e Panjohur, Nënë Terezën, etj. Ai titullohet “Marksi ka humbur kujtesën”. Romani hapet me një strofë nga ajo poezi por subjekti nuk është pandemia.
Dhe po, i gjithë subjekti i poezisë COVID-19 është një metaforë e thellë se ku po shkojmë. Drejt dritës apo humnerës…

Çfarë mesazhi apo emocioni do të donit që lexuesit të merrnin nga kjo poezi?

Arlinda Guma: Nuk synoj asgjë. E gjithë poezia është një rezistencë e dëshpëruar ndaj cektësisë. Ajo mbart mesazhe të shumëfishta.
Lexuesi është i lirë të marrë çfarë të dëshirojë prej saj.
Unë zakonisht i jap lexuesit një mollë, por nuk ia qëroj. Lexuesi duhet ta qërojë vetë.
Sa për emocionet e tij, them se janë tërësisht personale, varen nga gjendja e tij e brendshme.

Me çfarë sfidash u përballët gjatë shkrimit rreth një krize të tillë globale, ndërkohë që e mbanit poezinë në terrenin e thellësive letrare dhe simbolike, në vend që të ishin vetëm detaje faktike apo gazetareske?

Arlinda Guma: Fotoja në vetvete ishte një vepër arti, gjithë çfarë duhej të bëja ishte t’i shtoja fjalët.
Kështu që nuk u përballa me ndonjë sfidë. Të shkruarit në këtë mënyrë vjen nga e pandërgjegjshmja ime. Procesi i shkrimit është kënaqësi për mua, jo thjesht një punë për të bërë. Kur nuk kam asgjë për të thënë unë nuk shkruaj.
Për sa i përket simbolizmit dhe gjithçkaje tjetër… Unë jam romanciere dhe simbolizmi është një nga përbërësit e mi më të rëndësishëm.
2020 ishte një vit i errët, nuk mund të parashikoja asgjë, as nuk dija nëse do të mbetesha gjallë. Kështu që, nuk u përpoqa të dokumentoja asgjë. Shkrova për shqetësimet e mia më të thella. Kjo është e gjitha.
Sidoqoftë, nuk jam e sigurt nëse mund ta quaj sfidë por; kur përmenda asimptomatizmin e Marksit në njē strofë, të gjithë menduan se i referohesha virusit, vetëm Inteligjenca Artificiale disa vite më vonë kur e analizoi, menjëherë e kuptoi se po i referohesha asimptomatizmit të ideve të tij.

Si ndërlidhet poezia juaj COVID-19 me punë të tjera tuajat apo si e pasqyron stilin tuaj të përgjithshëm? A pati ndikime historike, kulturore apo letrare, që e formësuan?

Arlinda Guma: Po, poezia COVID-19 e pasqyron shumë stilin tim të përgjithshëm. Më përfaqëson shumë.
Unë u kundërvihem të metave të shoqërisë përmes ironisë. Luftoj me ironinë time. Nuk kam armë. Ironia është arma ime më e fuqishme.
Sa për ndikimet lerare… Nuk mendoj se janë thelbësore në procesin tim krijues. Nëse i kam janë të gjitha të pavetëdijshme. Unë jam romanciere. Kam lexuar poezi. Kam shkruar poezi… Por sinqerisht, me të vërtetë nuk e di se në ç’mënyrë mund të jem ndikuar… 

Po të ktheni kokën pas, a do të ndryshonit ndonjë gjë në atë poezi, dhe çfarë kuptimi personal mbart sot ajo për ju?

Arlinda Guma: Jo, nuk dua të ndryshoj asgjë. Aspak.
Por do të ndaj me ju diçka; një kuriozitet të vogël në lidhje me fundin e poezisë. Në pjesën finale, në versionin tim origjinal, zogjtë bëjnë glasën në kokën e Perikliut. (Po buzëqesh tani.) Por mendova se një finale e tillë do të ishte e tepërt… kështu që e ndryshova. E zbuta pak…
Por tani që e mendoj, them se nuk duhej ta kisha ndryshuar…
Pesë vjet më vonë, tani që jemi të parrezikuar nga ai virus (apo që mendojmë se jemi) po, mund ta quaj dokumentim. Dokumentimin e emocioneve të mia, të kujtimeve… Më kujtohen tanket në rrugë… Këtu në Shqipëri ne kemi një kryeministër ekzibicionist. Atij i pëlqen të japë shfaqje në vend që të zgjidhë problemet. Dhe zhurma e tankeve më vjen në mendje sa herë që dëgjoj fjalën “pandemi”. Ishte aq groteske…
Nuk mund ta luftosh pandeminë me tanke!
Dhe po, kjo poezi më është shumë e dashur. Ishte puna ime e parë e botuar në gjuhën angleze, përkthyer nga Peter Constantine. Dhe impakti që pati në shumë pjesë të botës ishte i pabesueshëm.
Ndërsa në Shqipëri, impakti nuk ishte i tillë. Në këtë vend të vogël, xhelozitë ndërmjet artistëve janë të stërmëdha.

Së fundmi, çfarë këshille do t’iu jepnit shkrimtarëve të rinj apo studentëve, të cilët duan ta përdorin poezinë si një mënyrë për të dokumentuar apo për të reflektuar mbi ngjarjet bashkëkohore?

Arlinda Guma: Poezia nuk duhet të krijohet vetëm për dokumentim. Ajo mund të krijohet edhe për këtë, por ky nuk duhet të jetë qëllim në vetvete.
Kreativiteti vjen prej qiejve. Ti je thjesht deshifruesi.
Poezia nuk mund të përkufizohet, nëse e përkufizon, ajo nuk është poezi. Është e vështirë për të, të qëndrojë brenda kornizave të rregullave akademike.
Këshilla ime: Mos ndiq asnjë rregull në të shkruar. Krijoji vetë rregullat e tua… Dhe pastaj thyeji edhe ato…
Liria është shumë thelbësore në procesin e shkrimit. Liria e brendshme mbi të gjitha…
Një këshillë tjetër: Mos dëgjo këshillat e mia! (Buzëqesh…)

23 Shtator, 2025

Kjo është një kartolinë falënderimi prej tyre:

Tags:

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top