Në këtë dokumentar, burime ushtarake dhe ato të inteligjencës izraelite zbulojnë sisteme, politika dhe praktika që kanë sjellë një numër të lartë viktimash civile dhe shkatërrim të gjerë.
Richard Brody
Në nëntor të vitit 2023 dhe në prill të vitit 2024, gazetari izraelit Yuval Abraham shkroi një sërë artikujsh rreth numrit të lartë të viktimave civile në sulmet që Izraeli ndërmori në Gaza si përgjigje ndaj masakrës së Hamasit kundër izraelitëve më 7 tetor, 2023. Në këto shkrime, të cilat u publikuan në anglisht në +972 dhe në hebraisht në Local Call, Abraham (i cili e diskutoi punën e tij me kolegun tim Isaac Chotiner pasi u publikua shkrimi i dytë) raportoi se këto vdekje civilësh ishin rezultat i politikave të caktuara të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit (IDF). IDF-ja kishte miratuar një përkufizim të gjerë të objektivave njerëzore të ligjshme dhe po përdorte inteligjencën artificiale për t’i përzgjedhur ato; ajo shkatërronte qëllimisht ndërtesa joushtarake dhe kishte zgjedhur të pranonte një nivel të lartë dëmesh kolaterale. Këto shkrime morën vëmendje, përfshirë kritika nga qeveria izraelite dhe nga gazetarë të tjerë, por reagimi mbeti larg një revolte publike.
Tani Abraham-i e ka kthyer hulumtimin e tij në një film, “NAZA”, bashkë-regjisuar me Rachel Szor-i, i cili ka marrë një lloj reagimi plotësisht ndryshe. (Titulli është një shkurtim për hebraishten nezek agavi, që do të thotë “dëm kolateral”, e përdorur rëndom në rrethet ushtarake izraelite.) Ai u shfaq premierë më 10 shtator në Festivalin e Filmit në Venecie, ku fitoi Çmimin Special të Jurisë; javën e shkuar, u shfaq në një projeksion për shtypin në Festivalin e Filmit në New York, përpara shfaqjeve publike atje më 26 dhe 27 shtator. (Do të hapet në IFC Center më 30 shtator dhe do të dalë në shfaqje më të gjerë më 9 tetor.) Këtë herë, reagimi kundërshtues – shumica nga zyrtarë dhe gazetarë që nuk e kanë parë ende- ka qenë i ashpër dhe i tërbuar. Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, po propozon legjislacion për “t’i hequr shtetësinë cilitdo që shpif ndaj ushtarëve të IDF-së”; ministri i tij i kulturës dhe sportit, Miki Zohar-i, ka kërkuar një hetim nëse Abraham-i dhe Szor-i kanë marrë informacione nga Hamasi dhe kështu kanë kryer tradhti të lartë. Shefi i shtabit të IDF-së, Gjeneral Lejtenant Eyal Zamir, urdhëroi Prokurorin e Përgjithshëm Ushtarak të konsiderojë ndjekjen penale të regjisorëve dhe të pjesëmarrësve në film. Protestuesit jashtë shtëpisë së prindërve të Szor-it kanë thirrur me ngulm që regjisorët të ekzekutohen.
Në media, filmi është kritikuar se dyshohet për anshmëri kundër Izraelit në raportimin e tij, se nuk e ka vënë në qendër sulmin e 7 tetorit dhe se i ka minimizuar vështirësitë që lidhen me luftimin e përdorimit të mburojave njerëzore dhe tuneleve nga ana e Hamasit. Edhe disa kritikë të Netanyahu-t kanë shprehur shqetësime: ndërsa pranojnë egërsinë izraelite ndaj civilëve në Gazë, ata argumentojnë se filmi është një dështim gazetarsk për shkak të mbështetjes te burimet anonime dhe të mungesës së provave shtesë. Si përgjigje, Abraham-i ka pohuar rreptësinë e procesit redaktues nëpër të cilin kaloi filmi (i cili është prodhuar nga The Guardian) dhe ka detajuar sesi u verifikuan identitetet e burimeve. Ai ia atribuon tronditjen e publikut izraelit ndaj “NAZA”-s mënyrës sesi, që nga fillimi i luftës, mediat e vendit kanë vazhduar të theksojnë traumën e 7 tetorit duke i kushtuar pak vëmendje vuajtjeve të civilëve në Gaza.
“NAZA” e ka shndërruar raportimin e mëparshëm të Abraham-it në lajm të faqes së parë, një qendër konflikti më vete. Ky është vetë përkufizimi i artit – nëse vlen diçka, ai ngjall një reagim të ndjeshëm emocional – dhe dallimi midis artit dhe gazetarisë është i një rëndësie të jashtëzakonshme në diskutimet mbi “NAZA”-n, duke patur parasysh peshën politike dhe morale të zbulimeve të tij. Revolta që ka provokuar është një pasqyrim i arritjeve dhe i rreziqeve të regjisorëve gjatë realizimit të filmit.
Të dy artikujt e Abraham-it u mbështetën në një masë të madhe në burime të paemërtuara, veçanërisht ushtarë dhe oficere inteligjence. “NAZA” (i cili është në hebraisht, me titra në anglisht) përfshin vetëm burime anonime, ose më saktë, burime të bëra anonime nga regjisorët. Filmi përbëhet kryesisht nga intervistat e Abraham-it para kamerës me njëzet e katër burime që shërbenin ose që kishin shërbyer në kapacitete ushtarake ose në inteligjence në luftën e Gaza-s. Abraham-i i interviston ata natën, të mbështjellë në errësirë, në tarracat e ndërtesave në Tel Aviv; ai nuk ua përmend kurrë emrat, ndërsa fytyrat dhe zërat e tyre janë modifikuar me mënyrë digjitale për t’ua mbajtur identitetin të fshehur.
Burimet përshkruajnë sesi përdoret termi “NAZA” dhe si funksionon sistemi. Operativëve të dyshuar të Hamasit u caktohet një numër NAZA, i cili përfaqëson se sa vdekje civilësh janë të pranueshme si dëm kolateral. Në shumë raste, një sistem i bazuar në inteligjencën artificiale i quajtur Lavender ndihmon në zgjedhjen e objektivave, duke analizuar sasi të mëdha të dhënash. Izraeli ka kontroll absolut mbi sistemet e komunikimit në Gaza, e rrjedhimisht pushtet absolut përgjimi. Sipas një prej të intervistuarve, Izraeli mund të përgjojë mikrofonat dhe kamerat e çdo telefoni celular në territor, dhe një tjetër thotë: “Ndihesh pak si Perëndi sepse dëgjon gjithçka që thonë.” Në bazë të të dhënave të tilla, sistemi Lavender mund të nxjerrë një profil se “si sillet një operativ i Hamasit”, duke përfshirë modelet e telefonatave. Çdo ndërtesë në Gazë, thotë një burim, është e numëruar, dhe katet në çdo ndërtesë janë të numëruara. Pasi operativët e Hamasit janë identifikuar dhe shtëpitë e tyre janë përcaktuar me saktësi, oficerët nganjëherë përgjojnë telefonat e anëtarëve të familjes për të kuptuar se kur do të jetë objektivi në shtëpi. (Zakonisht është natën.) Meqenëse monitorimi i telefonatave të fëmijëve për fjalë të tilla si “Babi” dhe “u kthye” ka dalë veçanërisht efektiv, protokolli i gjurmimit ka marrë makabritetin e pseudonimit “Kudo është Babi?” (IDF-ja ka deklaruar se i “hedh poshtë kategorikisht” pretendimet në film dhe se vendimet e saj për goditjet merren “vetëm nga personeli njerëzor”.)
Në artikujt e Abraham-it, informacioni i siguruar nga burimet ishte vetë subjekti. Në “NAZA”, rëndësia zhvendoset: burimet, duke folur, bëhen vetë subjekte. Abraham-i dhe Szor-i janë gjithashtu bashkë-regjisorë, me regjisorët palestinezë Basel Adra dhe Hamdan Ballal, të dokumentarit të vitit 2024 “No Other Land”, i përqendruar në fshatin e Bregut Perëndimor Masafer Yatta ndërsa sulmohej nga banorët izraelitë, me mbështetjen e IDF-së. Ai film, i cili fitoi çmimin Oscar vitin e shkuar për Dokumentarin më të Mirë, është thelbësisht një pasqyrim i drejtpërdrejtë i ngjarjeve live, një lloj raportimi vëzhgues. “NAZA” është, në një mënyrë tjetër, një film i veprimit të menjëhershëm: shprehja e asaj që ata në pushtet duan ta mbajnë në heshtje. Edhe pse filmi është mjaft informativ, fokusi i tij është më pak te informacioni i zbuluar sesa te njerëzit që i përdorin këto sisteme – që po ndjekin këto protokolle, që po ndërmarrin veprime që e dinë se do të çojnë në vdekjen dhe plagosjen e jobashkëluftëtarëve, përfshirë fëmijët – dhe që duan t’i bëjnë këto sisteme të njohura dhe përvojën e punës brenda tyre të njohur. Në vend që të përcjellë veprimin ushtarak vetëm me gjuhën – dhe eufemizmat – e detajeve teknike dhe ligjore, “NAZA” e paraqet atë veprim në terma emocionalë dhe moralë. Ndërsa burimet shpalosin synimet, metodat dhe pasojat e luftës së Izraelit në Gaza, ata përcjellin makabrutetin e tmerrshme të luftës racionale dhe burokratike. Ata shfaqen si njerëz të zakonshëm që ndërmarrin veprime që në asnjë mënyrë nuk duhet të jenë të zakonshme, por që janë bërë të zakonshme nga sistemi brenda të cilit punojnë.
Një burim, duke folur për numrat e lartë NAZA të caktuar për shumë objektivë të nivelit të ulët të Hamasit, thotë se “përfundon me të gjithë Gaza-n.” Edhe pa shtuar fjalën “gjenocid”, nënkuptimi i burimit është i qartë. Një burim tjetër, duke përshkruar një rast të synimit “Kudo është Babi?”, shpjegon se, kur një objektiv i caktuar qëlloi ta linte telefonin në shtëpi kur doli jashtë, raketa e lëshuar në apartamentin e tij vrau familjen e tij, por jo atë. Mekanizmat e vëzhgimit janë të tillë që vrasjet e synuara shpesh regjistrohen në audio dhe fotografohen. Një i intervistuar thotë: “Dëgjoja çastet e fundit të jetës së një njeriu,” dhe një tjetër kujton se ka dëgjuar anëtarët e familjes duke bërtitur dhe qarë pasi u vra një fëmijë. Këto akte, për burimet që i përshkruajnë ato, janë fyerje dhe skandale, dhe duke folur për to, burimet flasin gjithashtu, në mënyrë të nënkuptuar ose të drejtpërdrejtë, për veten e tyre: Çfarë lloj njerëzish mund ta bënin këtë, dhe çfarë lloj njerëzish janë ata që morën pjesë?
“NAZA” është xhiruar në Tel Aviv, por qyteti është më shumë se një skenë; është një nga subjektet kryesore të filmit. Filmi përfshin një montazh kornizash historike që tregojnë një histori të qytetit, duke filluar me një ceremoni hapjeje në vitet njëzet dhe duke vazhduar për të evokuar metropolin e viteve shtatëdhjetë. Gjatë gjithë kohës, Abraham-i dhe Szor-i tregojnë Tel Avivin bashkëkohor natën, nga lartësitë e tarracave, gjatë kohës së luftës – një qytet lulëzueshëm modern, i ndritur nga rrokaqiejt dhe dritat e rrugëve, si dhe nga ndërtimet e reja guximtare, rrugët e tij të ndriçuara nga dritat e makinave dhe logot e korporatave. Në ato që përbëjnë pamje të afërta të fytyrës natën të qytetit, kamera vështron dritaret e apartamenteve, përmes të cilave banorët shihen duke ngrënë, duke u çlodhur, duke ecur, duke parë televizor – dhe disa nga ato që shohin në televizor janë lajme, përfshirë Netanyahu-n dhe zyrtarë të tjerë që mbajnë fjalime dhe intervista në mbrojtje të furishme të luftës. Në një program televiziv, Presidenti i Izraelit thotë se pas sulmeve të 7 tetorit, “është një komb i tërë atje jashtë që është përgjegjës.”
Pak pasi dëgjohet kjo, burimet e filmit karakterizojnë mendësinë që ka prodhuar kjo pamje: “Duhet ta fshijmë Gaza-n”; “Çfarëdo që të bëjmë, e meritojnë.” Përdorimi ushtarak i AI-së ka ndjekur këtë synim, thonë burimet, duke krijuar një “fabrikë objektivash” në një “shkallë masive.” Disa nga ata objektivë janë individë; të tjerët janë arkitektonikë. Një burim përshkruan urdhrat për të shkatërruar një lagje të tërë dhe, me laps e letër, skicon për regjisorët përzgjedhjen dhe shkatërrimin e objektivave. Disa burime prodhojnë skica të këtij lloji, dhe këto objekte në ekran, që shoqërojne përshkrimet e të intervistuarve, ngjallin vizione të fuqishme, megjithëse të imagjinuara, të luftës. Qëllimi, siç thotë një person për planin për të zbrazur veriun e Gaza-s dhe për të detyruar të gjithë banorët të shkojnë në jug, është të “sigurohemi që ata nuk do të kthehen.” Një tjetër, duke përshkruar shkatërrimin e shtëpive, rrugëve dhe lagjeve, dhe pothuajse të gjitha pasurive të banorëve, përfundon: “Ne e fshimë historinë.” Dikush tjetër e quan Gaza-n “një varr masiv.”
Në një çast në “NAZA”, Abraham-i dhe Szor-i përfshijnë një referencë treguese për një paraardhës kyç artistik: një pamje nga Cinematheque e Tel Avivit, me një banderolë që njofton një nderim për Claude Lanzmann-i, filmii vitit 1985 i të cilit, “Shoah”, detajon Holokaustin përmes intervistave – me të mbijetuar, historianë, madje edhe kryerës të krimeve. “NAZA” bën diçka të ngjashme dhe është e habitshme që titulli i tij është një term hebraik po aq i panjohur ndërkombëtarisht saç ishte “Shoah” në kohën e daljes së atij filmi. Në mënyrë vendimtare, të dy filmat ndajnë ndjenjën e regjisorëve të tyre për një estetikë dokumentari si një imperativ etik. Në të dyja, dhënia e dëshmisë nuk është thjesht një çështje e dërgimit të informacionit; është një veprim dramatik me peshë të madhe morale, dhe kërkon nga regjisorët një angazhim artistik dhe konceptual që shkon përtej incizimit të thjeshtë. Si Lanzmann-i, Abraham-i është shpesh para kamerës me pjesëmarrësit e filmit; si Lanzmann-i, Abraham-i dhe Szor-i mbështeten te montazhi, duke lidhur intervistat me imazhet e vendeve, për të përcjellë një ndjenjë të hapësirës. Ndryshe nga “Shoah”, “NAZA” është për ngjarje që vazhdojnë, dhe ato ngjarje po ndodhin, në një kuptim, pikërisht aty ku po bëhen xhirimet; filmi përfshin me qëllim një imazh të selisë së IDF-së, në qendër të Tel Avivit, ndërsa Gaza është vetëm rreth dyzet milje larg. Tel Avivi i evokuar në “NAZA” është një qytet i përndjekur nga heshtjet – nga ajo që nuk po thuhet në jetën e përditshme dhe në mediat masive dhe nga ajo që burimet në film po sjellin në dritë.
“NAZA” dhe “Shoah” ndajnë gjithashtu një ndjenjë të formës kinematografike: mënyra sesi paraqitet pjesëmarrja e burimeve është po aq thelbësore sa ajo që thonë ata. Në “NAZA”, ajo formë është një uniformitet i rreptë dhe i përmbajtur – prania e burimeve, shpesh pranë Abraham-it, e shfaqur në kuadro të fiksuara, të gjitha pak a shumë nga të njëjtat kënde. Këto kompozime të strukturuara ashpër (nga Szor-i, e cila është gjithashtu një nga kinematografet e filmit) shkrijnë perspektivat e ndryshme të pjesëmarrësve në një vizion të vetëm, duke pasqyruar sistemin jashtëzakonisht të integruar në të cilin secili ka luajtur një pjesë të vogël. “NAZA” e portretizon veprimin izraelit në Gazë si një makinë vrasëse tmerrësisht gjithëpërfshirëse; megjithëse mund të mos vrasë gjithkënd, oficerët dhe ushtarët e përfshirë kanë ndjenjën se potencialisht po vrasin cilindo. Pamjet e shkurtra përfundimtare të dokumentarit nga Gaza tregojnë një baba që thërret në rrënojat e një ndërtese të shkatërruar në kërkim të fëmijëve të tij, me trupa që dalin nën një pllakë betoni. Pas zinxhirit të ndërlikuar të shkaqeve që pjesa tjetër e filmit ka detajuar, ky imazh përfundimtar qëndron si një efekt i vetëm i patregueshëm.
Duke u mbështetur në të njëjtën lëndë informacioni si artikujt fillestarë të Abraham-it, “NAZA” shton një element shprehës, subjektiv: përgjigjet personale të burimeve. Shprehjet e krenarisë, të detyrës, madje edhe të hakmarrjes që në fillim i motivonin ata, gradualisht shkrihen në një kor tmerri, pendese dhe faji. Sistemet ushtarake, tregojnë burimet, marrin një rol të dyfishtë: një strategjik, në ndjekjen e objektivave të caktuara ushtarake, dhe një forensik që ofron mbulim të besueshëm mohimi, duke maskuar një luftë me egërsi biblike si një racionalitet të ftohtë e të paanshëm. Errësira e mirëfilltë në të cilën flasin burimet në “NAZA” e kthen ekranin në një pasqyrë subjektiviteti, duke i vënë shikuesit përballë motiveve, përgjegjësive dhe identitetit të tyre.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The New Yorker