Katy Waldman
Leximet verore – kaq shumë pritje, ankth dhe gjykim është ngjeshur brenda këtyre dy fjalëve! Qershori mezi ta jep mundësinë të veshësh bikini dhe të dalësh në tarracë përpara se emisionet e mëngjesit, revistat dhe faqet e internetit të mësyjnë me “Leximet në Plazh”, “Listat e Leximeve të Verës” dhe “Dhjetë Llojet më të Mira të Fiction-it të Verës”.
Libraritë ngrenë vitrina me librat më të fundit me kapakë të zjarrtë, ngjyrat e të cilëve janë aq të ngopura saqë pulsojnë nën qepallat e tua si njolla dielli. Kur hap email-in, ka një atmosferë thuajse maniake me ëndjen letrare të pritshme – rreshtat e subjekteve bërtasin me zë të lartë “leximi i përsosur i verës”, “TRILLERI VEROR” dhe “librat më të mirë për në plazh!”
E megjithatë, nuk ka konsensus kulturor nëse leximi i verës është “një gjë e zakonshme”. “Termi është aq i kudogjendur sa përkufizimet e tij janë një pikë mosmarrëveshjeje”, shkroi Michelle Dean në the Guardian, në vitin 2016. Autorët jo domosdoshmërisht e duan këtë kategori.
Për çdo shkrimtare që i përmbahet këtij termi, shkroi Allison Duncan në Vulture, “ka një tjetër që është e kujdesshme ndaj një zhanri që konsiderohet sipërfaqësor, shpesh në terma shumë gjinorë”. Taffy Brodesser-Akner, autorja e romanit “Fleishman Is in Trouble”, shprehu së fundmi në Twitter habinë që libri i saj po përshkruhej si një “lexim në plazh”. “Jam konfuze pse shija jonë për atë që na pëlqen do të ndryshonte në varësi të vendit ku e lexojmë, apo të stinës”, shkruante ajo.
“Libra për Orë Boshe”, një libër i ri historik nga akademikja Donna Harrington-Lueker, zbulon si konceptin e “leximit veror” ashtu edhe tërheqjen e tij gravitacionale. Rreth fillimit të shekullit të nëntëmbëdhjetë, urbanizimi dhe industrializimi i dhanë verës një shkëlqim të ri – ajo ofroi një shans për t’i shpëtuar qytetit të djersitur dhe të mbipopulluar e për t’u rilidhur me natyrën.
Avullorja dhe hekurudha i bënë pushimet më të arritshme. Periodikët dhe gazetat filluan të botonin artikuj mbi qytetet turistike dhe të reklamonin aktivitete dhe mallra verore: udhëtime me anije, pajisje kampingu, burime minerale. Në faqet e Harper’s, artisti Winslow Homer botonte ilustrime elegante të grave në modë, të mahnitura nga dielli, që shikonin gara me kuaj apo që shëtisnin përgjatë oqeanit. E thënë shkurt, mbështetur nga kultura e shtypit të asaj epoke, u shfaq një treg i ri amerikanësh që kërkonin kënaqësi.
Për t’i akomoduar ata, industria botuese filloi punën për të ndërtuar një diskurs përkatësisht joshës rreth leximit veror. Disa viktorianë ishin të shqetësuar për joshjet vulgare të letërsisë, veçanërisht për historitë sensacionale që shumëfishoheshin ndërsa kostot e prodhimit binin.
Por industria e librit shfrytëzoi rastin për t’i riemërtuar romanet e verës si “një kënaqësi e pranueshme për klasën e mesme”, shkruan Harrington-Lueker. Një mjeshtëri e tillë e marrëdhënieve me publikun dështoi t’i bindte të gjithë. (“Unë vërtet besoj”, shkroi Reverendi T. De Witt Talmage në vitin 1876, “se ka më shumë plehra të dëmshme që lexohen midis klasave inteligjente në korrik dhe gusht sesa në gjithë dhjetë muajt e tjerë të vitit.”)
Por ishte mjaft bindëse. Botimet tregtare hartuan lista të librave më të mirë për verën; shtëpitë botuese zhvilluan seri leximi për pushime dhe shitën botime “verore” të titujve të njohur të listës së librave të vjetër. Vetë letërsia filloi të reflektonte, me një vetëdije tërheqëse, imazhin e lexueses fisnike që fshihej pas kapakut të librit.
(Personazhet në romanet e verës shfletojnë pafundësisht romanet e verës. Në “Surf: A Summer Pilgrimage” nga Saul Wright dhe F. T. Wilson, e dashura humbet disa orë përballë “Mirage”-it të Julia Constance Fletcher, një tjetër rrëfim i famshëm për udhëtimet dhe romancën.) Leximi, i cili kishte qenë prej kohësh aspiratë, si një mjet për përmirësimin intelektual; tashmë tregonte edhe ritualet e një elite të pasur
Autori Henry James e përshkroi leximin e verës si një performancë femërore sensuale. “Zor se ka pamje më të bukura se një grua e veshur me hijeshi, e vendosur me hir në një vend me hije, me një qëndismë apo me një libër”, shkroi ai.
Kini parasysh një kopertinë të revistës Life të 26 korrikut 1883: pjesa qendrore, me mbishkrimin “gjëja më e bukur në hamakë”, tregon “një vajzë të re të zhytur në një roman të titulluar ‘Dashuria e një hajduti’, e vetme, e magjepsur dhe me një qese me karamele përbri – një konsumatore e pafajshme; si e fjalëve ashtu edhe e ëmbëlsirave”, shkruan Harrington-Lueker.
Këto imazhe po mbushnin periodikët e intelektualëve të asaj kohe, pjesërisht sepse anëtarë të shquar të botës letrare dhe botues po e përqafonin vetë idenë e pushimeve, nga James T. Fields, redaktori i The Atlantic, te Horace Scudder-i, kryeredaktori i Houghton Mifflin, e deri te Louisa May Alcott. Koha e lirë ishte ana tjetër e etikës ndëshkuese të punës viktoriane, një shpërblim tokësor për sakrificën e mundimshme. (Siç i shkruante William Dean Howells, atëherë ndihmës redaktor në The Atlantic, një miku: “Do të shkojmë në Brattleboro javën tjetër… dhe sigurisht, më është dashur të luftoj për ta arritur këtë mundësi përmes një mori dorëshkrimesh të xhindosura.”)
Në vitin 1888, Arlo Bates, i cili në atë kohë ishte redaktor i Boston Sunday Courier, shkroi një traktat të shkurtër të quajtur “Romane Verore”. Bates-i, vetë romancier, vërejti se, ndërsa temperaturat rriteshin, zonjushat e reja fillonin të mendonin për “veshje të reja dhe fiction të këndshëm, të lehta si shkumë”. Ai shkroi se “një shkumë e përsosur romanesh të lehta ngrihet kur lulet fillojnë të çelin, dhe këto ruajnë një ndikim mjaft të përgjithshëm derisa ngricat i ndërpresin festat verore dhe i mbyllin hotelet buzë detit dhe malit”.
Por rrëfimi i çuditshëm i Bates-it më pas u bë kritik; librat janë prodhuar për t’u diskutuar, kundërshtoi ai, në vend që të lexohen, dhe ata nxisin “ndjenja konvencionale”. Eseja e Bates-it, e cila parapriu debatet bashkëkohore rreth leximit veror, është një mësim praktik se sa lehtë “shkuma” letrare – ndoshta aq e hollë dhe e parëndësishme sa gratë që e lexojnë atë – mund të shkaktojë jo vetëm argëtim, por edhe përbuzje.
“Libra për Orë Boshe” është veçanërisht interesant për shkak të shfaqjes së një lloji të ri të zbavitjes tekstuale: romanit amerikan të verës. Ai zhvillohet në një mjedis turistik. Struktura e tij episodike dhe e orientuar nga komploti e bën të lehtë ta heqësh nga dora dhe ta rifillosh përsëri mes ndërprerjeve festive – barbekyve, udhëtimeve në liqen.
Romani amerikan i verës vë në qendër të vëmendjes të rinjtë e pamartuar, veçanërisht gratë beqare; ai i këndon njohjes dhe dashurisë. Shembuj si “Udhëtimi i tyre i dasmës” dhe “Qiradhënësi te Koka e Luanit” nga William Dean Howells; “Flirtimet e një bukurie; ose Romanca e një vere në Newport” nga Laura Jean Libbey (heroina e të cilës rrëmbehet nga piratët); dhe “Një verë” nga poetja Blanche Willis Howard. Siç vëren Harrington-Lueker, shumë nga këto histori kanë një energji të çmendur, një aureolë mëkati të përmbajtur.
Deri në fundin e tij, i cili zakonisht i vendos mirë e bukur personazhet në shtator ose tetor, rregullat shoqërore janë rikthyer në fuqi, me rolin kryesor mashkullor të rikthyer shëndetplotë dhe produktiv, pas kohës së tij të lirë, dhe me heroinën e lidhur në një martesë të ndershme. Rrëfimet janë tinëzisht vetëreferuese, plot me tipa elegantë që kënaqen me leximin e lehtë të verës.
Ato i vënë në provë kufijtë e shoqërisë, madje kritikojnë me hollësi ceremonitë e kota të argëtimit të elitës. Por, si një komedi shekspiriane apo si një lojë e zhurmshme kroketi në lëndinën e resortit, librat e rrethojnë çmendurinë e tyre dhe në thelbin e tyre mbështesin konvencionet. “Duke i shkolluar lexuesit në performancën e kohës së lirë të re – çfarë të shohin, çfarë të veshin, çfarë të bëjnë”, thekson Harrington-Lueker, romanet e verës “luajtën një rol të rëndësishëm në formësimin e atij identiteti të klasës së mesme”.
“Libra për Orë Boshe” u kushton vëmendje rasteve të jashtëzakonshme dhe përjashtimeve. Ai shqyrton lëvizjen Chautauqua, një program edukativ që nuk shihte asnjë kontradiktë midis verës dhe zhytjes thellë në tekste të vështira. Ai vëren se familjet e pasura afrikano-amerikane gjithashtu përfituan nga koha e re e lirë verore – destinacionet popullore përfshinin Saratoga Springs dhe Harper’s Ferry – por që narrativa kryesore verore i linte shumicën e personazheve me ngjyrë në pozicione shërbimi apo të klasës punëtore.
Dhe i merr këta libra – dhe kulturën që i formësoi ata, dhe kulturën që ata formësuan – seriozisht, edhe pse pranon se sa kalimtarë ishin: pak nga tregimet turistike të shekullit të nëntëmbëdhjetë njihen sot. Mbiemrat që sillen rreth këtyre titujve shpesh janë thjesht përshkrues të verës: i lehtë, i gjallë, i kripur, me diell, me erë. Librat nuk ishin letërsi e madhe, në kuptimin tradicional. Ne e masim vlerën e një romani nga qëndrueshmëria e tij, nga vazhdimësia e tij. Por ka edhe një vlerë në gjuhë që tretet si një pasdite korriku, rrezet e fundit që kullojnë në degë ndërsa mbyll librin dhe hyn brenda.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The New Yorker