Slavoj Žižek
Në kondita si të sotmet, ku mund ta gjejmë një busull? Te artistët dhe mendimtarët? Apo te Realpolitika pragmatike?
Ja që edhe artistët e mendimtarët mund të shërbejnë si rrugëhapës të krimeve e të luftërave. Edhe kur janë krejt të pafajshëm mund të prodhojnë ambiguitete banale. Më 24 shkurt 2022 psh. aktorja AnnaLynne McCord nxori një video ku lexonte një poemë kushtuar Putinit, e cila fillonte kësisoj: “I dashuri president Vladimir Putin më vjen kaq keq që nuk jam jot ëmë” e mandej vazhdonte me shpjegime se si po té kishte qenë e ëma e Putinit do t’i kishte falur atij shumë dashuri qyshkur ai ishte fëmijë, në mënyrë që kur të rritej të mos e kishte më prirjen për të nisur luftëra. Poema është krejt e gabuar: problemi me të tillë kriminelë të mëdhenj është pikërisht se kanë qenë të mbuluar me shumë dashuri amësore, tepër, aq sa nuk kanë patur madje hapësirë të marrin frymë lirisht.
Por situata me artistët mund të shkojë dhe më keq. I mbani mend ato vargjet e famshme të William Butler Yeats-it:
“Ëndrrat e mia t’i shtrova poshtë nën këmbë
Shkel pak më butë, se po më shkel mbi ëndrra.”
Duhet që këto vargje të merren seriozisht edhe nga vetë poetët: kur na i shtrojnë ëndrrat e tyre poshtë këmbëve tona, duhet t’i shtrojnë me kujdes të madh, sepse ato do të lexohen nga njerëz të vërtetë që edhe do t’i marrin seriozisht e do të veprojnë sipas atyre poezive – le të kujtojmë këtu se psh. vetë Yeats-i vazhdimisht flirtonte me Fashizmin, e në gusht të vitit 1938 publikisht mbështeti ligjet antisemite të Nyrembergut.
Nuk ka spastrim etnik pa poezi. Pse? Sepse jetojmë në një epokë që veten e përjeton si post-ideologjike. Meqenëse kauzat e mëdha ideologjike (liria, drejtësia shoqërore, arsimi falas) më nuk e kanë fuqinë për të mobilizuar popujt për dhunë masive, atëherë nevojitet një kauzë edhe më e madhe, e tillë që t’i bëjë të duken vogëlsira të parëndësishme ato hezitimet individuale që mund të frenojnë vrasjen. Frymëzimi i politikës nga feja apo etnia e përmbush plotësisht këtë rol. Me siguri ka edhe raste ateistësh patologjikë që janë në gjendje të kryejnë vrasje masive thjesht për qejf, por këta janë përjashtime të rralla: shumica ka nevojë të anestetizohet që të mos e ketë as atë ndjeshmërinë elementare për vuajtjen e tjetrit, e për këtë anestezi duhet një Kauzë e shenjtë. Ideologët fetarë zakonisht këmbëngulin se feja, e vërtetë apo jo, megjithatë i shtyn njerëzit e këqij të bëjnë punë të mira; por po të gjykojmë nga përvojat e sotme na duhet të pajtohemi me Steve Weinberg-un kur thotë se po të mos ketë fe njerëzit e mirë do bëjnë punë të mira e njerëzit e këqij punë të këqija, e vetëm feja po arrin t’i bëjë edhe njerëzit e mirë të bëjnë punë të këqija.
Platonit i ka mbetur një nam i keq ngaqë ka thënë se poetët duhen përjashtuar prej polisit – mirëpo kjo mund të jetë edhe këshillë kuptimplotë, po të kesh parasysh se në dekadat e fundit spastrimi etnik kaq shpesh është paraprirë prej ëndrrave të rrezikshme të poetëve dhe “mendimtarëve” (në Rusi psh. prej librave të Aleksandr Dugin-it dhe filmave të Nikita Mikhalkov-it). Një hap i vockël e ndan Dichter und Denker (poetin e mendimtarin) nga Richter und Henker (gjyqtari e xhelati) – kështu që mbase duhet ta plotësojmë vargun e mirënjohur të Anna Kamienska-s që “poezia parandjen të vërtetën” duke shtuar “po, por kjo e vërtetë mund të jetë vërtetësi e impulseve më të errëta që fshihen né mendjen tonë”. Duke parafrazuar Thackeray-n, poezia mund t’i bëjë të dashura edhe mendimet tona më të shëmtuara.
E sa për Realpolitikën, ajo është thuajse edhe më keq. Pragmatizmi politik apo “realizmi” s’ka fuqi t’i përgjigjet mistifikimeve ideologjike: e pikërisht atëherë kur denoncon mbithjeshtëzimet e naivitetin e një ideologjie, harron mistifikimet që përfshin vetë pozicioni i tij “realist”. Si kështu? Ideologjia shpesh evokon ndonjë dimension të fshehur tej vellos së dukshme, që shërben si mbulesë për krimet që vetë ajo i bën haptazi (dhe i legjitimon). Shprehja tipike që kumton këtë lloj mistifikimi të dyfishtë është “situata është më e ndërlikuar se kaq”. Kështu pra edhe faktet që duken haptazi – psh. një sulm dhe pushtim ushtarak – relativizohen duke evokuar “njé situaté shumë më të ndërlikuar në prapaskenë”. A s’po ndodh pikërisht kjo në Ukrainë? Rusia sulmoi brutalisht, ndërsa shumë analistë e komentatorë kërkojnë të gjejnë “situatën më të ndërlikuar se kaq” qé fshihet pas sulmit. Po me siguri që ka ndërlikime, ama fakti elementar mbetet: Rusia sulmoi. Gabimi ynë ishte që nuk e morëm mjaft seriozisht Putinin – menduam se ai nuk donte të thoshte atë që thoshte, por thjesht luante ndonjë lojë manipulimi strategjij. Ironia e madhe është se na bie të citojmë këtu atë barcoletën e famshme jahude që e citon edhe Freud-i, ku një rrenë merr formën e së vërtetës faktike. “Pse po më thua se do shkosh në Lviv nëse vërtet po shkon në Lviv?” – e pyet njëri shokun. Ata qenkëshin marrë vesh për një kod të nënkuptuar sipas të cilit kur thua se do shkosh në Krakov shkon në Lviv, e anasjelltas; pra brenda kësaj kornize të thuash të vërtetën do të thotë të gënjesh. E kur Putini shpalli ndërhyrjen ushtarake, ne nuk e morëm aq seriozisht sa duhej deklaratën e tij se donte “pacifikim” dhe “denazifikim” të Ukrainës. Strategjistët tanë të zhgënjyer për momentin po ankohen “pse o Putin na the që do pushtosh Lvivin kur në fakt vërtet deshe të pushtosh Lvivin?”.
Me fjalë të tjera ky mistifikim i dyfishtë do të thotë fund i Realpolitikës ashtu siç e kemi njohur: “si një aktivizim apo angazhim ne raport me strategji politike e diplomatike që bazohen kryesisht në konsiderimin e rrethanave e faktorëve të dhënë e që nuk ia lidh këmbët vetes me nocione ideologjike apo me premisa morale e etike”. Ky tip i Realpolitikës si rregull i kundërvihet naivitetit, apo lidhjes naive me versionin tonë të parimeve morale a politike. Problemi është se në një situatë si e sotmja naivitet është pikërisht të luash këtë lojë Realpolitike: premisa e saj fillestare (që edhe pala tjetër, armiku, synon të arrijë një marrëveshje përfundimtare pragmatike) tashmë nuk është më e qëndrueshme.
Përktheu: Arbër Zaimi

Mos qaj për dashurinë – Hafëz
Mos qaj për dashurinë-Hafëz Një lajm i mirë: as dhimbja as vajiNuk do të zgjasë –Si