Në shumë mënyra, ajo jeton më plotësisht në faqet e librit sesa shumë prej nesh në jetë.
Scott Bradfield
Herën e fundit që u përpoqa ta “përfshija në leksione” Madame Bovary-në ndodhi në një kurs të avancuar universitar në një universitet të Londrës, dhe prisja rezultatet më të mira. Studentët ose e urrenin ose u dukej “i mërzitshëm”, dhe edhe kur “pak a shumë u pëlqente”, ata e urrenin personazhin kryesor dhe thoshin gjëra të tilla si: “Si mund të më pëlqejë dikush që tradhton burrin e vet?” Ose “Ajo grua kishte gjithçka dhe nuk ishte kurrë e lumtur”. Atyre Emma u dukej krejtësisht e pandjeshme – një problem që nuk e kam patur kurrë gjatë kohës kur jepja mësim romanet e tjerë për gratë kurorëshkelëse, siç është “Zgjimi” i Kate Chopin-it ose “Anna Karenina” e Tolstoy-t (e cila, sigurisht, ishte frymëzuar nga romani i mëparshëm dhe shumë më i mirë i Flaubert-it).
Ndërsa Bovary-ja është një nga romanet klasikë më të padiskutueshëm të letërsisë perëndimore, është e vështirë të mendosh për një roman të famshëm që nuk pëlqehet me kaq shumë intensitet nga lexuesi i zakonshëm. Në një masë të madhe, kjo mund të jetë për shkak se Emma pothuajse nuk ndjen aspak keqardhje për tradhtitë e saj; e vetmja gjë për të cilën ajo interesohet vërtet është vetvetja dhe kënaqësia në ëndrrat e saj të pafundme për të jetuar jetën e bukur në Paris, për të cilën lexonte në romanet mediokre. Por sigurisht, është egoizmi i Emma-s dhe dëshira e saj e pamundur për një botë më të mirë se Rouen-i i tmerrshëm i klasës së mesme, që e bën atë kaq të gjallë dhe pothuajse heroike. Në shumë mënyra, ajo jeton më plotësisht në faqet e librit sesa shumë prej nesh në jetë.
Flaubert-i e përçmonte dëshirën e klasës së mesme për të konfirmuar mësimet morale dhe të vërtetat e rehatshme në argëtimet e saj; ai është gjithashtu shumë i papëlqyer nga llojet e lexuesve që kërkojnë gjëra të tilla. Për të, si leximi ashtu edhe shkrimi i letërsisë së shkëlqyer nënkuptonte një tërheqje nga kërkesat e shoqërisë dhe madje edhe nga vetë jeta shoqërore. Ajo që tregon kjo përzgjedhje e madhe, e rregulluar kronologjikisht, e letrave të tij drejtuar miqve dhe familjes, është se sa hapur dhe me sa vetëdije e kaloi ai karrierën e tij duke u bërë sa më “i shkëputur” që të ishte e mundur.
(Sartre-i, më i prirur politikisht, biografia e pavlerësuar e Flaubert-it e shkruar prej tij titullohej “Idioti i Familjes“, dikur e quajti atë një “prerës kuponash të talentuar”.) Mund të thuhet me siguri se Flaubert-it nuk i pëlqente aq shumë bota për të cilën shkruante, sesa i pëlqente krijimi i alternativave të trilluara ndaj saj. Dhe ai nuk luftonte thjesht për të gjetur fjalën e duhur për secilën nga fjalitë e tij të bukura dhe të hijshme; ai vazhdimisht kërkonte të shpikte një botë estetikisht të këndshme që përbëhej pothuajse tërësisht nga fjalë, fjali dhe paragrafë të tillë të përsosur. Largimi nga bota ishte një pjesë e madhe e metodës letrare të Flaubert-it.
Secili prej librave të tij – dhe në njëfarë mase, secila prej letrave të tij të shumta dhe emocionalisht intensive drejtuar miqve dhe të dashurve – është një mundësi për të mbyllur të gjitha dyert dhe dritaret shpërqendruese dhe për t’u zhytur në shkëlqimin e prozës së madhe letrare.
Flaubert-i lindi në vitin 1821 në Rouen, një qytet provincial që ai e përçmonte, por megjithatë rrallë largohej prej tij. Babai i tij ishte mjek i njohur vendas dhe, si pasojë, Flaubert-i u rrit duke qenë dëshmitar i ekstremeve më tragjike të ekzistencës njerëzore. Siç e përshkroi Francis Steegmuller-i në veprën “Flaubert-i dhe Madame Bovary-ja: Një Portret i Dyfishtë” (1939), Flaubert-i dhe motra e tij ngjiteshin në rrjetat jashtë shtëpisë së tyre dhe shikonin “babanë e tyre, asistentët dhe studentët e tij, duke qëruar dhe duke u bërë autopsinë kufomave”. Trupat e tyre, të mbuluar me miza, shtriheshin mbi pllakat e mermerit; studentët i linin pa kujdes purot e tyre.” Në raste të tjera, ndërsa luanin në kopsht, ata shihnin qen të egër që vraponin duke mbajtur “copa mbeturinash njerëzore” në dhëmbë. Gjatë epidemisë së kolerës në vitin 1832, të sëmurët dhe ata që ishin duke vdekur shpesh mblidheshin në rrugë.
Që në moshë të vogël, Flaubert-i preferonte pamjet e bukura që zbulonte në libra, megjithatë ai kurrë nuk mundi t’i shmangte të vërtetat më të tmerrshme të ekzistencës njerëzore: sëmundjen, shpërbërjen dhe vdekjen. Ai ndiente si një mosbesim cinik ndaj fantazive borgjeze – se individët mund të ngriheshin mbi kufizimet shtazore të trupave të tyre nëpërmjet edukimit dhe punës së palodhur – po aq edhe një simpati të thellë e të qëndrueshme për ato qenie njerëzore aq budallaqe sa t’i besonin ato.
Prindërit e tij donin që Flaubert-i të ndiqte gjithçka që kishte të bënte me jetën profesionale borgjeze që ai përçmonte; dhe ndoshta vetëm për shkak të disa sëmundjeve dhe tragjedive, Flaubert-i i shpëtoi fatit që ata i kishin hartuar. Në mes të aventurave të tij të mjerueshme si student i drejtësisë në Paris (“Çfarë ideje e mrekullueshme ishte që dikush të shpikte Shkollën e Drejtësisë me qëllimin e qartë për të na mërzitur!”), ai filloi të vuante nga një seri krizash epileptike që e çuan në shtëpi për javë të tëra; ai u prek nga çibanë të mëdhenj në qafë dhe në trup, iu prishën dhëmbët, e kapi përdhesi dhe me shumë mundësi sifilizi; pastaj, gjatë disa viteve të mjerueshme, ata që ishin më të afërt me të filluan të vdisnin – së pari babai i tij, pastaj motra e dashur dhe së fundmi miku më i dashur i rinisë së tij, Alfred Le Poittevin-i.
Pa këto fatkeqësi dhe sëmundje, ai mund të mos e kishte kultivuar kurrë natyrën e tij të vetmuar. Siç shkroi në Le Poittevin në maj të vjtit 1845, “E vetmja mënyrë për të mos qenë i palumtur është të mbyllesh në Art dhe ta konsiderosh gjithçka tjetër si të pavlefshme. I kam thënë një lamtumirë të pakthyeshme jetës praktike. Sëmundja ime nervore ishte kalimi midis dy gjendjeve. Nga tani e deri në një ditë që është shumë larg, nuk kërkoj më shumë se pesë ose gjashtë orë qetësi në dhomën time, një zjarr të mirë në dimër dhe një palë qirinj për të më ndriçuar natën.”
Duke u mbyllur në vetvete me fjalën “Art” (një fjalë që e shkruante gjithmonë me shkronjë të madhe), ai mund ta mbyllte derën ndaj botës po aq fort. “E urrej jetën”, i shkruante ai një miku tjetër të ri, Maxime Du Camp-it. “Ja ku e kam thënë; nuk do ta tërheq mbrapsht. Po, jetën; dhe gjithçka që më kujton se atë duhet ta durosh. Mërzitem të ha, të vishem, të qëndroj në këmbë, etj. E kam zvarritur këtë urrejtje kudo, kudo që kam qenë: në shkollë, në Rouen, në Paris, në Nil.” Tundimet e botës pushuan së qeni kaq joshëse ndërsa Flaubert-i u plak. Ishte trupi i tij i dëmtuar që pjesërisht po shpërbëhej. Por duke lexuar letrat, është e qartë se një pjesë e madhe e pasionit thjesht u zhduk plotësisht prej tij.
Kjo ishte veçanërisht e dukshme në korrespondencën e tij me Louise Colet-ën. Njëmbëdhjetë vjet më e madhe se Flaubert-i, ajo ishte tashmë objekt thashethemesh në Paris përpara se të takoheshin në studion e një miku të përbashkët në Paris. (Njëherë ajo iu përgjigj një kritikuesi duke u përpjekur ta therte me një thikë kuzhine.) Megjithatë, për Flaubert-in, ajo ishte e vetmja rënie e shkurtër në kënaqësinë romantike që ai ia lejoi vetes, dhe letrat e tij të para janë të mbushura me entuziazmin e një të riu. Pas natës së tyre të parë së bashku, në verën e vitit 1846, ai i shkruante asaj në mesnatë:
Dymbëdhjetë orë më parë ishim ende bashkë dhe pikërisht në këtë çast dje të mbaja në krahët e mi! A të kujtohet? Duket sikur ka kaluar kaq shumë! Tani nata është e butë dhe e ngrohtë; arrij ta dëgjoj tulipanin nën dritaren time duke fëshfërirë në erë, dhe kur ngre kokën shoh hënën tek reflektohet në lumë… Çfarë kujtimesh! Dhe çfarë dëshire! Ah! Dy udhëtimet tona të mrekullueshme me karrocë; sa të bukura ishin, veçanërisht i dyti, me shkreptimat e rrufeve mbi kokat tona. Vazhdoj të kujtoj ngjyrën e pemëve të ndriçuara nga dritat e rrugës dhe vërshimën e burimeve. Ishim thjesht, të lumtur: vazhdoja të të shikoja, dhe madje edhe në errësirë e gjithë fytyra jote dukej e ndriçuar nga sytë e tu. Ndiej se po shkruaj keq – do ta lexosh këtë pa emocion – nuk po them asgjë nga ajo që dua të them. Fjalitë e mia rrjedhin së bashku si psherëtima, për t’i kuptuar ato do të duhet të japësh atë që duhet të kalojë midis tyre. Ti do ta bësh këtë, apo jo?
Në këto letra të hershme, Flaubert -i i përmbahet gjithë asaj hiperbole romantike që do ta preokupojë (dhe përfundimisht do ta dënojë) krijimin e tij më të madh, Emma Bovary-nê; dhe ndërsa Flaubert-i shpesh mbahet mend si cinik në lidhje me dashurinë romantike, është e qartë nga korrespondenca e tij se ai nuk ka qenë gjithmonë i tillë. Ai mundi ta krijonte Emma Bovary-në sepse e njihte atë nga brenda dhe, siç thuhet (dhe në mënyrë aq të famshme) ai vuri në dukje: “Zonja Bovary, c’est moi, d’aprés moi!” (“Zonja Bovary jam unë vetë – sipas mendimit tim.”)
Por brenda disa javësh, Flaubert-i tashmë i tregon Louise-s se sa të papajtueshme janë ndjenjat e tij për të me dëshirën për t’u mbyllur në vetvete. Në një letër të datës 9 gusht, 1846, ai e udhëzon atë “ji më e kursyer me britmat e tua; ato po më torturojnë”. Ai shkruan se dëshiron “të jetojë në një vend ku askush nuk më do ose nuk më njeh, ku tingulli i emrit tim shkakton vetëm indiferencë, ku vdekja ose mungesa ime nuk i kushton askujt asnjë lot” dhe ankohet, “Më kanë dashur shumë, e shihni; ju më doni shumë”. Derisa më në fund pasioni i tyre mbaron, në një seri letrash që janë të ftohta, të zemëruara, akuzuese dhe kërcënuese; dhe sa më emocionale bëhet Louise, aq më shumë Flaubert-i tërhiqet në një indiferencë ndaj grave dhe, pothuajse po aq e rëndësishme, ndaj Parisit. Para përfundimit të muajit të tyre të parë së bashku, ai shkruan:
Zemërim! Zot i madh! Sharje, fyerje! Gjuhë e ndyrë! Çfarë do të thotë kjo? Që të pëlqejnë mosmarrëveshjet, kundërakuzat, të gjitha grindjet e hidhura të përditshme që përfundojnë duke e kthyer jetën në një ferr të vërtetë? Nuk e kuptoj. Ankohesh për fjalët e mia të ashpra, por më duket se nuk të kam dërguar kurrë ndonjë që të barazohet me këto. Ndoshta do të thuash se të kam shkruar edhe më ashpër: secili ka iluzionet e veta. Por në letrën tënde të këtij mëngjesi shoh diçka më shumë, një synim të qëllimshëm për të qenë e ligë, ose për t’u dukur e tillë. Kush e di?
Flaubert-i jetoi një jetë të tërë me pasion, tërbim dhe ndjenja të lënduara në marrëdhënien e tij intensive me një grua po aq intensive. Por, ndërsa marrëdhënia zgjati për disa vite, gjatë kësaj kohe Flaubert-i shpesh i raportonte asaj për progresin e tij të përditshëm me Bovary-në, ai përfundimisht ia mbylli derën Louise-s po aq fort sa ia mbylli edhe pjesës tjetër të botës. Në një letër të datës 6 mars,1855, ai shkruan:
Zonjë: Më thanë se morët mundimin të vinit këtu për të më takuar tri herë mbrëmë. Unë nuk isha brenda. Dhe, duke patur frikë se mos këmbëngulja ju ekspozon ndaj poshtërimit, jam i detyruar nga rregullat e mirësjelljes t’ju paralajmëroj se nuk do të hyj kurrë brenda.
I juaji, G.F.
Ndërkohë që është e vështirë të mos e njohësh Emma Bovary-në në rolin e romantikes adoleshente që dëshironte aventura më të mira se kjo botë, është po aq e lehtë të shohësh mashtruesin më metodik dhe femëror, Rodolphe-n, i cili mund të prodhonte lotët e nevojshëm për të vendosur njolla treguese në letrën e tij të fundit drejtuar Emma-s, dhe më pas pi duhan me llullë dhe shkon në shtrat.
«A duhet të kem vërtet një qëllim tjetër përveç vetë Artit?» e pyeti ai mikun e tij të ngushtë Maxime Du Camp në vitin 1851 — dhe në këtë pikë, kjo ishte një pyetje retorike. «Vetëm kjo ka qenë e mjaftueshme për mua deri më tani; dhe nëse kam nevojë për diçka më shumë, kjo është provë se po përkeqësohem. Dhe nëse më pëlqen diçka shtesë, kjo është provë se jam përkeqësuar tashmë.» «A duhet të kem vërtet një qëllim tjetër përveç vetë Artit?» e pyeti Flaubert-i mikun e tij të ngushtë në vitin 1851 — dhe në këtë pikë, kjo ishte një pyetje retorike.
Me vdekjen e pasionit të tij të fuqishëm fillestar për Louise-n, Flaubert-i u bë qëllimisht indiferent ndaj botës përtej Croisset-it provincial, ku u shërua nga sëmundje të ndryshme dhe, kur nuk shkruante “Zonja Bovary-në”, ua lexonte me zë të lartë vizitorëve veprën e tij në proces.
Ishte sikur Flaubert-i po ndërtonte realitetin e tij, fjalë për fjalë, ashtu siç personazhet e tij janë të shtyrë të sajojnë një ekzistencë më të bukur sesa rutinat e tyre të zakonshme të punës, emërimeve politike, lidhjeve të favorshme financiare dhe martesave zhgënjyese. Sigurisht, Flaubert-i bëri gjithçka që mundi për t’u shpëtuar vetë këtyre vështirësive. Ai nuk u martua kurrë.
Ai shmangu të bëhej një institucion letrar në pleqëri. Dhe në vend që të ishte baba i fëmijëve, ai frymëzoi të ardhmen e letrave franceze përmes admiruesve të tij më të mëdhenj: Maupassant, Zola dhe Proust.
Kjo është ndoshta arsyeja pse personazhet që e intriguan më shumë Flaubert-in ishin ata që e jetonin jetën e tyre kryesisht të shkëputur nga përgjegjësitë shoqërore, qoftë edhe vetëm brenda mendjeve të tyre: Emma Bovary-ja, me romancat e saj, lidhjet dhe pasionin e saj për rrobat dhe pëlhurat e bukura; St. Antoni me demonët e tij joshës dhe të shumëllojshëm; apo edhe shërbëtorja Félicité, në historinë e tij më prekëse dhe më të paharrueshme, “Një Zemër e Thjeshtë”, e cila gjen kënaqësitë e saj duke ndjekur shërbesat kishtare, duke mbledhur sende të vogla dhe duke biseduar me shoqëruesin e saj më të besueshëm, një papagall prej pelushi. (Në një çast, Flaubert-i e përshkruan dhomën e saj private në një shtëpi të vjetër të rrënuar si të mbushur me “një sasi të tillë sendesh të zakonshme fetare dhe gjërash të ndryshme, saqë dukej si një kryqëzim midis një faltoreje dhe një pazari.”)
Ka diçka qesharake, jashtëzakonisht aspiruese dhe patetike rreth personazheve për të cilët Flaubert-i ndjen lidhjen më të fortë emocionale; dhe në letra, ai e sheh veten në terma të ngjashëm.
Në fund të jetës, ai e këshilloi mikun e tij (dhe nipin e Le Poittevin-it të tij të adhuruar) Guy de Maupassant-in: “Shumë prostituta! Shumë vozitje! Shumë ushtrime! Po, zotëri: njeriu i civilizuar nuk ka nevojë për aq shumë lëvizje sa pretendojnë mjekët. Ju keni lindur për të shkruar poezi: shkruajini! Gjithçka tjetër është e kotë.”
Është e pamundur të mendosh për ndonjë shkrimtar tjetër që ka provuar një ndikim kaq të madh në dy shkolla të letërsisë artistike – si në “romanin realist” ashtu edhe në “romancën”. Në dy veprat e tij kryesore – Sentimental dhe Bovary – ai përqendrohet te individët e shtyrë nga financat, seksi dhe politika, edhe kur ata kërkojnë diçka më të përmbushur estetikisht. Nga ana tjetër, dy veprat më pak të njohura të Flaubert-it – Shën Antoni dhe Salambo – janë vizione ekstravagante, të çuditshme dhe fantazmagorike. Por në të dy llojet e romaneve, Flaubert-i i ndërton historitë e tij unike nga themelet dhe sipas teknikave letrare që ai; ose i përsosi ose i shpiku.
Personazhet e tij pothuajse në mënyrë uniforme dështojnë t’u shpëtojnë dëshirave të tyre apo përqafimit të ashpër të realiteteve ekonomike, dhe në fund zvarriten në tokë ose nga një vdekje e dhimbshme. (Emma e varfër e vetëhelmuar) ose nga ironitë e ashpra të jetës së rehatshme borgjeze (Frédéric-u te Edukimi Sentimental). Të vetmit personazhe që nuk çmontohen në këtë mënyrë janë protagonistët komikë, Bouvard dhe Pecuchet, të cilët nuk dështojnë kurrë, pasi nuk shohin kurrë përtej idiotësive të arsimimit të tyre të klasës së mesme ose “truizmave” (shembujt e të cilëve Flaubert-i i katalogoi në Fjalorin e tij të Ideve të Pranuara) ata vazhdimisht i bërtasin njëri-tjetrit si papagaj në një dhomë që jehon (si p.sh., që makthet “vijnë nga stomaku” ose se romanet “i korruptojnë masat”).
Kjo mund të jetë arsyeja pse Flaubert-i shpreh një admirim kaq të përzier për ceremonitë fetare – sepse, ndërsa historitë e tyre për perënditë dhe shpëtimin mund të jenë të pakuptimta, ato ishin më të afërtat me “Artin” që shumica e njerëzve kanë patur në këtë botë. Ai e përshkruan tërheqjen e tij nga jeta shoqërore si një lloj dëshire mistike, dhe pas humbjes së motrës dhe babait të tij, i tha Louise-s se po “kthehej drejt një lloj misticizmi estetik”.
Kur të tjerët nuk të inkurajojnë, kur bota e jashtme të neverit, të dobëson, të korrupton dhe të trullos, të ashtuquajturit njerëz “të mirë” dhe “të ndjeshëm” detyrohen të kërkojnë diku brenda vetes një vend më të përshtatshëm për të jetuar. Nëse shoqëria vazhdon në rrugën e saj të tanishme, mendoj se do ta shohim përsëri mistikën, siç ka ekzistuar në të gjitha epokat e errëta. I paaftë për t’u zgjeruar, shpirti do të përqendrohet te vetja. Nuk është larg koha kur do të ketë një ringjallje të fantazive melankolike, pritjes së një Mesia, besimeve për fundin e afërt të botës. Por, pa asnjë bazë teologjike, cila do të jetë baza e këtij zelli? (Sigurisht që njeriu do të jetë injorant në lidhje me veten.) Disa do ta kërkojnë atë në mish, të tjerë në fetë e lashta, të tjerë akoma në Art. Ishte fjala më e afërt me atë profetike që Flaubert-i kishte thënë në jetën e tij – duke përfytyruar një të ardhme në të cilën borgjezia, ose klasa punëtore, do të ndihej aq e tradhtuar nga budallallëqet që ëndërronte të arrinte, saqë vetëm mund të zhgënjehej; pikë në të cilën ato mund të ktheheshin në ëndrrat më të errëta, de sadeane, për pushtet dhe mizori. Por në fund të fundit, Flaubert-i shprehu pak interes se ku do ta çonte njerëzimin bota politike dhe socioekonomike; ai ishte më i shqetësuar ose për krijimin e romaneve të tij të patëmetë ose për t’u arratisur në dhomën e ndenjes me rrethin e tij të vogël të miqve.
Menjëherë pas vdekjes së nënës së tij, Flaubert-i i shkroi një shpirti të ngjashëm, Ivan Turgenev-it:
Por mjerisht! Sëmundja ime është e pashërueshme, kam frikë. Përveç arsyeve të mia personale pikëlluese (vdekja gjatë tre viteve të fundit e pothuajse të gjithë atyre që i doja), jam i tmerruar nga gjendja e shoqërisë. Po, kështu është. Budallallëk, ndoshta, por ja ku është. Budallallëku i publikut më mposht…
Borgjezia është aq e hutuar saqë ka humbur çdo instinkt për t’u mbrojtur; dhe ajo që do ta pasojë do të jetë më e keqe. Jam i mbushur me trishtimin që i mundoi patricët romakë të shekullit të katërt: Ndiej barbarizmin e pandreqshëm që ngrihet nga zorrët e tokës. Shpresoj të iki përpara se ai të marrë gjithçka me vete. Por ndërkohë kjo nuk është dhe aq ndritshme. Asnjëherë si tani gjërat e shpirtit nuk janë vlerësuar kaq pak. Asnjëherë si tani urrejtja për çdo gjë të madhe nuk ka qenë kaq e dukshme – përbuzja për Bukurinë, mallkimi i letërsisë.
Gjithmonë jam përpjekur të jetoj në një kullë fildishi, por një valë balte po i godet muret, duke kërcënuar ta shkatërrojë.
Ishte kjo një ankesë që Flaubert-i do të vazhdonte ta përsëriste gjatë ditëve të fundit të jetës së tij – se një botë tepër e shqetësuar se kush i drejtonte gjërat dhe se kush përfitonte prej tyre, nuk do të kishte kohë për bukuritë që ai i kishte kaluar në jetën krijimit. Dhe mund të jetë ironia e fundit e ekzistencës së tij, që lexuesit që rriten sot, duke e ditur emrin e tij, rrallë kanë durimin dhe vëmendjen për ta shijuar veprën e tij aq saç ajo e meriton.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The New Republic