SHBA-ja po transformohet nga një sistem politik me dy parti në një sistem që përfshin republikanët e përhershëm (establishment), demokratët e përhershëm, populistët alt-right dhe socialistët demokratë. Përballë të gjithë atyre që do të përpiqen ta pengojnë, kryetari i ardhshëm i New York-ut do të duhet ta ketë parasysh këtë panoramë të madhe.
Slavoj Žižek
LJUBLJANA – Lëvizjet emancipuese në të gjithë botën gëzuan me të drejtë për fitoren e Zohran Mamdan-it në garën për kryetar të qytetit të New York-ut. Qartazi, e djathta populiste e sotme nuk ka monopol mbi aftësinë për të mobilizuar turma dhe për të tërhequr zgjedhës të rinj apo të zhgënjyer. Socialistët demokratë mund ta bëjnë këtë gjithashtu.
Por, siç Mamdan-i e di mirë, fitorja e tij do të përballet me përpjekje për sabotim ekonomik dhe financiar.
Establishmenti politik i SHBA-së – si “deep i state-i” republikan ashtu edhe ai demokrat – ka një interes të madh që mandati i tij si kryetar të shndërrohet në një dështim. Vetë presidenti amerikan Donald Trump-i u bëri thirrje qytetarëve të New York-ut të votonin për sfiduesin kryesor të Mamdan-it, ish-guvernatorin demokrat të New York-ut, Andrew Cuomon. Me Mamdan-in në pushtet, populistët trumpianë dhe demokratët mainstream papritur do të flasin të njëjtën gjuhë. Ata do të bëjnë gjithçka që të mundin për ta bërë Mamdan-in të duket si një dështim. Në rastin e Trump-it, kjo mund të përfshijë madje edhe një shpallje tjetër “emergjence” për të justifikuar dërgimin e Gardës Kombëtare.
Për të majtën, pra, ky nuk është vetëm një çast për të vepruar, por edhe një kohë për të reflektuar mbi një panoramë më të madhe. SHBA-ja po transformohet nga një sistem politik me dy parti në një sistem që përfshin republikanët e përhershëm, demokratët e përhershëm, populistët alt-right dhe socialistët demokratë.
Tashmë mund të shihen shenjat e koalicioneve të reja që shtrihen përtej linjave të vjetra partiake. Në vitin 2020, Joe Biden-i la të kuptohej se mund të emëronte një republikan të moderuar si nënkryetar, ndërsa Steve Bannon-i, ish-strategu kryesor i Trump-it, u bëri thirrje mbështetësve të Bernie Sanders-it, senatorit demokrat socialist të pavarur nga Vermont-i, të votonin për Trump-in pasi Partia Demokrate emëroi Biden-in.
Dallimi i madh është se, ndërsa forma e populizmit të Trump-it arriti lehtësisht hegjemoninë mbi establishmentin republikan (dëshmi e qartë, nëse nevojitej, se shqetësimi i tij për punëtorët e zakonshëm ishte një mashtrim), ndarja brenda Partisë Demokrate po bëhet gjithnjë e më e fortë. Në të vërtetë, përplasja midis establishmentit demokrat dhe krahut të Sanders-it është beteja e vetme e vërtetë politike në SHBA sot. Siç e shprehu Emma Brockes e The Guardian: “Kërcënimi më i madh për Mamdan-in nuk është Donald Trump-i, por gardiani i vjetër demokrat.”
Po përballemi me dy antagonizma (“kontradikta”): njëra midis Trump-it dhe establishmentit liberal, dhe tjetra midis krahut të Sanders-it në Partinë Demokrate dhe të gjitha forcave të tjera politike. Proceset e shkarkimit kundër Trump-it gjatë mandatit të tij të parë ishin përpjekje të dëshpëruara nga establishmenti për të rikthyer udhëheqjen morale dhe besueshmërinë; por gjithçka u shndërrua në një ushtrim komik hipokrizie, pasi edhe mangësitë e vetë establishmentit dolën në pah. Përdhosja e hapur e Trump-it vetëm nxori në pah atë që ekzistonte tashmë.
Kampi i Sanders-it e sheh këtë qartë. Ai e di se nuk ka kthim pas, se jeta politike amerikane duhet të rindërtohet rrënjësisht. Mamdan-i fitoi sepse bëri për të majtën atë që Trump-i bëri për të djathtën. Ai artikuloi qartë qëndrimin e tij radikal pa u shqetësuar për humbjen e qendrës.
Por katër forcat që ekzistojnë tani brenda politikës amerikane nuk janë në të njëjtin nivel. Dy partitë që po shkojnë drejt shuarjes (republikanët kryesorë të vjetër dhe demokratët) janë të bllokuara nga inercia, u mungon çdo vizion serioz për vendin, ndërsa populistët trumpianë dhe socialistët demokratë përfaqësojnë lëvizje politike reale. Në këtë kontekst, zgjedhja e vetme me kuptim të vërtetë do të ishte një garë midis Trump-it dhe një socialisti demokrat.
Pra, a duhet që socialistët demokratë të shkëputen zyrtarisht nga Partia Demokrate? Unë do të sugjeroja një pragmatizëm të bazuar në parime: përqendrohuni te qëllimet kryesore që lidhen me mbijetesën tuaj dhe pastaj lejoni çdo gjë që tregon potencial për t’i avancuar ato qëllime. Kjo do të thotë të pranoni demokracinë zgjedhore kur ajo funksionon, por edhe mobilizimin popullor apo metoda edhe më radikale kur rrethanat e kërkojnë.
Për të kuptuar se çfarë dua të them, merrni parasysh një shembull të fundit. Në korrik, pas një përplasjeje dramatike me Trump-in, Elon Musk-u njoftoi se do të krijonte “Partinë Amerika”. Musk-u, i cili nuk ka lindur në SHBA dhe për këtë arsye nuk mund të kandidojë për president, përpiqej ta tejkalonte Trump-in, duke vënë përparësi tek teknofeudalizmi mbi populizmin. Në fund, projekti nuk u realizua.
Në kontrast, partia e re e majtë e Zarah Sultana-s dhe e Jeremy Corbyn-it në Mbretërinë e Bashkuar tregon potencial, me disa sondazhe që tregojnë se rreth një e treta e të rinjve dhe votuesve të laburistëve janë gati ta transferojnë besnikërinë e tyre tek ajo. Megjithatë, mbetet pasiguria dhe siç i shkon një partie të majtë, dy liderët menjëherë përfundojnë në një konflikt publik.
Pra, një zgjedhje me të vërtetë me kuptim në Mbretërinë e Bashkuar do të ishte ajo midis Reform UK të ekstremit të djathtë të Nigel Farage-t dhe së majtës së re, me Partinë Laburiste inerte duke u bashkuar me Konservatorët ekscentrikisht në gjendje të mjerueshme në periferinë e skenës. Në të vërtetë, mund të parashikohej me siguri se në një përballje të tillë të drejtpërdrejtë, Farage do të fitonte, ashtu si Boris Johnson-i mundi Corbyn-in në vitin 2019. Megjithatë, Corbyn-i arriti ta merrte kontrollin e laburistëve për një kohë dhe bëri të dridhej gjithë establishmentin.
Në fund të fundit, nuk ka një përgjigje të bazuar në parime kur vjen puna te vendimi për strategjinë më të mirë. Ndonjëherë duhet të përpiqesh të marrësh kontrollin e një partie të madhe udhëheqëse; ndonjëherë, është e nevojshme një ndarje. Mendoj se Mamdan-i kishte të drejtë të qëndronte brenda Partisë Demokrate për momentin, pasi kjo i mundësoi atij të mobilizonte bazën popullore kundër establishmentit. Sikur të kishte provuar të përballej vetëm me tri forcat e tjera politike, do të kishte humbur.
Tani që ka fituar, Mamdan-i duhet të veprojë me vendosmëri dhe qëllim për të marrë kontrollin e Partisë Demokrate të Shtetit të New York-ut, ndërsa njëkohësisht të krijojë një rrjet lidhjesh me socialistë demokratë në mbarë SHBA-në dhe – sipas këshillës së Sanders-it – të tërheqë me inteligjencë punëtorët dhe fermerët e varfër, të zhgënjyer që votuan për Trump-in. E ardhmja e projektit që përfaqëson Mamdan-i qëndron në tërheqjen e zgjedhësve të zhgënjyer të Trump-it, jo në fitimin e qendrës inerte. Vetëm një majtist radikal mund ta fitojë besimin e Trumpianëve të klasës punëtore – një konstituencë për të cilën mosbesimi ndaj establishmentit mbetet plotësisht i justifikuar.
_________
Slavoj Žižek, Profesor i Filozofisë në European Graduate School, është autor, së fundmi, i librit Christian Atheism: How to Be a Real Materialist (Bloomsbury Academic, 2024).
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga: Project Syndicate