Një poeti të ri-Mahmud Darwish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Një poeti të ri-Mahmud Darwish

Mos u beso parimeve tona, harroji
dhe fillo nga fjalët e tua.
Sikur të jesh i pari mbi tokë që shkruan poezi
apo poeti i fundit.

Nëse e lexon veprën tonë, mos lejo të jetë vazhdim i mendjemadhësisë sonë
por korrigjimi i gabimeve tona
në librin e agonisë.

Mos pyet askënd: Cili jam?
Ti e di cila është nëna jote.
Sa për atin, bëhu ati i vetes.

Nëse e vërteta është e bardhë, shkruaj mbi të
me bojë të zezë sterrë si pendët e sorrës.
Nëse e vërteta është e zezë, shkruaj mbi të
me një dritë mirazhi.

Nëse do të bësh duel me një skifter
fluturo lart në qiell bashkë me të.

Nëse dashurohesh pas një gruaje,
bëhu ai i duhuri, mos u bë ajo,
bëhu ai që dëshiron fundin e tij.

Jeta është më pak e gjallë nga sa mendojmë, por ne nuk mendojmë
dhe aq për këtë
që të mos lëndojmë ndjenjat.

Nëse mediton gjatë për një trëndafil
ti nuk do luash nga vendi në mes të një stuhie.

Ti je si unë, por humnera ime është e qartë. Dhe ke rrugë, sekretet e të cilave nuk mbarojnë kurrë.
Ato zbresin dhe ngjiten, zbresin dhe ngjiten.

Ti mund ta quash fundin e rinisë
pjekurinë e talentit
apo urtësinë. Pa dyshim, është urtësi, urtësia e një jolirike të qetë.

Një mijë zogj në dorë
nuk janë sa një zog që mban një pemë.

Një poemë në kohë të vështirë
është një lule e bukur që ka çelur në varrezë.

Shembulli nuk është i lehtë të arrihet
ndaj ji vetja dhe gjithçka përtej vetes, përtej kufijve të imitimit.

Pasioni ka afat skadence me rreze të gjatë.
Ndaj mbushu me zjarr për hir të zemrës tënde,
ndiqe atë përpara se të arrish shtegun tënd.

Mos i thuaj të adhuruarës tënde, ti je unë
dhe unë jam ti, thuaji
të kundërtën e kësaj: ne jemi dy mysafirët e një reje tepërane arrakate

Shpërfille me gjithë forcën tënde, shpërfille rregullin.

Mos vër dy yje në të njëjtën shprehje,
dhe vër të parëndësishmen pranë thelbit
për të përmbushur ngazëllimin në rritje.

Mos i beso saktësisë së udhëzimeve tona.
Besoji vetëm gjurmës së karvanit.

Morali është si plumbi në zemrën e poetit,
një urtësi vdekjeprurëse.
Ji i fortë si dem kur zemërohesh,
i butë si lulja e bajames kur dashuron,
dhe asgjë, asgjë fare,
kur i këndon vetes serenatë në një dhomë të mbyllur.

Rruga është e gjatë si nata e një poeti të lashtë:
fushat dhe kodrat, lumenjtë dhe luginat.
Ec sipas masës së ëndrrës tënde: ose si një zambak
që të ndjek, apo trekëmbësh.

Detyrat e tua nuk janë ato që më brengosin për fatin tënd.
Unë brengosem për ty prej atyre që kërcejnë
mbi varret e fëmijëve të tyre,
dhe nga kamerat e fshehta
në kërthizën e këngëtarëve.

Ti nuk do më zhgënjesh,
nëse distancohesh nga të tjerët dhe nga unë.
Ajo që nuk më ngjan mua është më e bukur.

Që tani e tutje, kujdestari yt i vetëm është një e ardhme e lënë pas dore.

Mos mendo, kur shkrihesh në pikëllim
si lot qiriri, kush do të të shohë
ose kush do të ndjekë dritën e intuitës tënde.
Mendo për veten: a është kjo gjithçka që jam?

Poema mbetet gjithmonë e paplotë.
E plotësojnë fluturat.

Nuk ka këshilla në dashuri. Është eksperiencë.
Nuk ka këshilla në poezi. Është talent.

Dhe e fundi, por jo më pak e rëndësishme, Selam.

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Shiu-Don Paterson

Shiu-Don Paterson Unë i dua të gjithë filmat që fillojnë me shi:
Go to Top