S’u vodh drita prej nesh-Desantila Qerimaj Rranxa

in Letërsi/Tharm by

Desantila Qerimaj Rranxa është një poete shqiptare që jeton në Londër. Në një vend plot me paragjykimet ndaj shqiptarëve, ajo ishte studentja me arritjet më maksimale në programin “Letërsi në Anglisht dhe Shkrim Krijues” – Bachelor of Arts – 1st Class DegreeUniversity of Greenwich. Ajo është botuar në tri antologji në gjuhën angleze (me tregime dhe poezi), të organizuara nga Universiteti i Greenwich-it dhe është gjithashtu autore e një libri me poezi në gjuhën shqipe, të titulluar “Arie t’krisuna”. Aktualisht punon në një nga bashkitë e Londrës (më e madhja dhe më e pasura e zonës ku ajo edhe jeton), si Business Officer në lidhje me një skemë të financuar nga shteti, ku përpilohen, vendosen dhe u akordohen fonde familjeve dhe individëve që kanë nevojë për ndihmë e mbështetje financiare si rrjedhoje e krizës ekonomike. Ajo luan në violinçel (ka mbaruar Konservatorin Cesare Pollini në Padova, Itali), ka qenë pjesë e orkestrave filarmonike në Shqipëri, Itali e Britani, dhe është një nga ata shqiptarët e heshtur që ia kanë dalë me dinjitet por që nuk reklamohen folklorikisht nëpër mediat shqiptare siç shohim rëndom.
Këtu mund të lexoni një prej poezive të saj:

S’u vodh drita prej nesh-Desantila Qerimaj Rranxa
 

S’u vodh drita prej nesh
ja morëm shpirtin
e me të ndërtuem shkallë hekuri.
U vumë koracë ndjenjave
e ftyra jonë
burg zbukurue lulesh.
 
Prej frikës
njomsinë e harruem n’nji grimcë univers,
s’ia gjetëm pulsin
ishte i padukshëm
n’përqafim të çdokuj.
 
S’u vodh drita prej nesh.
Prej mungesës
e shtrënguem fort ndër grushta
prej ikjeve të tepërta
e hodhëm n’ujna t’rrejshme.
 
Mandej kqyrim, si mundet njeriut
m’iu zbehë andrra deri n’asgjá.

 

   Një vlerësim prej botuesit Jozef Radi:

N’se kishte m’u kërkue nji përcaktim për Desantilën, përmes ndoj vargu të saj kisha me thanë se asht vajzukja “e netve të brishta/
ku flaka lanë mbasdore e librave/ e kërkon prej larg…”
Nji shpirt endacak ndër botë e ndër ndjenja; gjithnji n’kërkim
të palodhun të andrrave të veta po edhe përsosjes: “qyteteve
t’shumta kam lanë çadrat/ që më mbrojnë prej shiut,/ e diejt i mbaj ndër
xhepa/ si monedha me ble nadje t’zymta…” sepse ajo ndjehet “thjesht/
e çveshun dijes/ nji pirate pa plang/ rr’zue me guxim dallgëve.” ku me
siguri ktyne udhëve dhe eksperiencave të pafundme ndodh edhe
“nji shtrëngim duersh tejkalon hartat, e rruga e kthimit asht ma e gjatë se e
nisjes” tue na dhanë kështu ma s’kjarti dëshmi të vedit, po edhe
shumë simotrave të saj, derisa mbrrin te naltimi i vargjeve, dëshmi
e nji luftëtareje të vendosun: “me i jetue malet,/ e me i vdekë hijet…”
Rranxa ka nji dominim të paqëm të materies shpirtnore, ku
gjithçka ajo ndjen apo i ndodh në t’përditshmen e ngarkueme e
dinamike, e risjell me nji figuracion të pasun, me mjete poetike të
veshuna hijshëm dhe me nji muzikë të çveshun prej çdo retorike
të lodhshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Duhet-Shpëtim Selmani

Duhet-Shpëtim Selmani duhet të jemi të mirë me kryeministrin,të jemi të mirë
Go to Top