Dizajneri ka përjetuar mjaft turbullira në jetë. Por “Marc by Sofia” nuk trajton asnjë prej tyre, duke u mjaftuar me rreshtimin e një sërë imazhesh të veshura me mjegull.
Naomi Fry
Në shënimet e shpërndara për publikun gjatë prezantimit të koleksionit Vjeshtë/Dimër 2026 të Marc Jacobs-it, mbajtur në Park Avenue Armory të New York-ut në fillim të shkurtit, dizajneri kishte përfshirë një seksion të titulluar ‘Kreditet dhe Faturat’. Lista përmbante referenca si “Yves Saint Laurent Couture 196″‘, “Prada Pranverë/Verë 1996” dhe “Stüssy”. Aty përmendeshin gjithashtu një sërë koleksionesh të shkuara të vetë Jacobs-it, si ai i vitit 2003 nga linja e tij “Marc by Marc Jacobs”, si dhe “Perry Ellis Pranverë/Verë 1993″‘ – koleksioni i fundit që Jacobs-i projektoi për atë shtëpi mode përpara se të largohej për të krijuar markën e tij.
Ashtu siç pat shkruar dikur Mark Twain-i (në një letër drejtuar Helen Keller-it), “në thelb, të gjitha idetë janë të dorës së dytë; ato u volën, me apo pa vetëdije, nga një milion burime të jashtm”‘. Kjo pa dyshim vlen edhe për botën e modës: do të guxoja të thosha unë, sepse janë të rrallë dizajnerët që i shmangen përdorimit të një “mood board-i” (tabelë frymëzimi) gjatë krijimit të një koleksioni. Është edhe më e pazakontë që t’i vërë në dukje publikut të tij saktësisht atë grumbull burimesh që e kanë ushqyer punën e tij; e megjithatë, ka shumë kuptim që Jacobs-i të jetë pikërisht i tillë. Që nga fillimi i karrierës në mesin e viteve tetëdhjetë — fillimisht te Perry Ellis-i e më pas nën markën që mban emrin e tij (të cilën, mes viteve 1997 dhe 2013, e mbajti paralelisht me rolin e drejtorit krijues të Louis Vuitton-it në Paris) — Jacobs-i ka qenë gjeniu i kolazhit kulturor, duke përzgjedhur referenca nga bota e artit elitar dhe ajo e rrugës, për të krijuar objekte të reja dëshire për konsum masiv.
Pikërisht kjo devotshmëri për të vjelë e për të rimiksuar elemente sipas frymës së kohës, është tema e nënkuptuar e dokumentarit të ri “Marc by Sofia”. Sofia është regjisorja Sofia Coppola, një nga mikeshat më të ngushta të Jacobs-it që kur u njohën në fillim të viteve nëntëdhjetë, atëherë kur ai po mbyllte kapitullin e tij te Perry Ellis-it. Në vitet që pasuan, që të dy u bënë emra protagonistë në fushat e tyre përkatëse: Jacobs-i si një nga dizajnerët amerikanë më të rëndësishëm të fundit të shekullit të njëzetë dhe fillimit të shekullit të njëzet e një, ndërsa Coppola si regjisore e disa filmave me ndikim, mes të cilëve “Lost in Translation” (2003), “Marie Antoinette” (2006) dhe “The Bling Ring’ (2013).”
Ashtu si Jacobs-i, edhe Coppola është mjaft e dhënë pas modës, një interes ky që shpërfaqet qartë në veprën e saj. Qoftë te montazhi i këpucëve me taka “Manolo Blahnik” në ngjyrat e ëmbëlsirave te “Marie Antoinette”, apo te tutat “Juicy Couture” me ngjyra pastel, të veshura nga kriminelët e rinj e sipërfaqësorë të Los Angeles-it te “The Bling Ring”, fokusimi i Coppola-s te sipërfaqet e bukura është sa i mprehtë, aq edhe i kudogjendur.
E megjithatë, ndonëse këto sipërfaqe synojnë qartazi të pasqyrojnë të vërteta më të thella emocionale e kulturore, gërmimi i Coppola-s në to bëhet kalimthi, si fluturimthi. E hulumtuar por asnjëherë e zbërthyer, për të, sipërfaqja mbetet po aq e rëndësishme sa ajo që fshihet poshtë saj, në mos më shumë. Në këtë kuptim, ajo duket njeriu i duhur për të na prirë drejt botës së Jacobs-it.
Në ngjashmëri të madhe me dokumentarin e shquar të modës “Unzipped” (1995) — i cili ndjek dizajnerin Isaac Mizrahi gjatë përgatitjeve dhe realizimit të sfilatës së tij Vjeshtë/Dimër 1994 — “Marc by Sofia” nis dymbëdhjetë javë përpara shfaqjes Vjeshtë/Dimër 2024 të Marc Jacobs-it në Armory, dhe përfundon mëngjesin pas atij prezantimi.
Por, ndërsa “Unzippe”‘ është një film i ngjeshur e plot sportivitet, që i qëndron besnik kronologjisë së përgatitjeve dhe shfaqjes, “Marc by Sofia” e përdor këtë linjë kohore si një pretekst për të ofruar një portret retrospektiv të vetë Jacobs-it. Megjithatë, fjala “portret” mund të jetë çorientuese për ata shikues që presin një film i cili depërton në personazhin dhe historinë e Jacobs-it.
Dizajneri, i cili tani është gjashtëdhjetë e dy vjeç, ka kaluar një sërë trazish gjatë jetës dhe karrierës së tij. (Sipas dëshmive, ai u tjetërsua nga pjesa dërrmuese e familjes së tij të ngushtë që në moshë të re, si dhe ka luftuar në të shkuarën me varësinë ndaj substancave dhe me sfidat tregtare që bënë bujë të madhe publike.) Filmi nuk rreh askund te këto. Përkundrazi, dhe mbase me vend, Coppola ndjek shembullin e vetë Jacobs-it: ajo thur bashkë një varg imazhesh të mjegullta referencash e ndikimesh — të paraqitura përmes sekuencave filmike, fotografive dhe intervistave — të cilat kanë ndërtuar projektin artistik të Jacobs-it përgjatë viteve. Aty gjejmë, sigurisht, stilin grunge, frymën kryengritëse të të cilit dizajneri e përdori dukshëm si frymëzim për koleksionin e tij të fundit te Perry Ellis-it, duke nxjerrë në pasarelë modele me versione luksoze të fustaneve këmishë, kapuçëve të thurur dhe këmishave me kuadrate; aty është Bob Fosse, vizioni madhështor i të cilit për magjepsjen femërore në prag të greminës — në filma si “Cabaret” dhe “Sweet Charity” — ka shërbyer si një model i kahershëm për veshjet e grave të Jacobs-it; më pas vjen Liz Taylor me diamantet e saj të bardhë, dhe Cindy Sherman me serinë e saj fotografike “Untitled Film Stills”; vjen Rainer Werner Fassbinder-i me paletën histerike e plot përplasje të “Llotët e hidhur të Petra von Kant-it” (1972); vijnë The Supremes me fustanet e tyre të ngushtë e plot xixa; fryma hipi e adoleshentëve të babysitter-es së re të Jacobs-it dhe miqve të saj në New York-un e fillim-viteve shtatëdhjetë; gjyshja e tij me veshjet e një zonje të hijshme që mbante kur bënte pazar në Bendel, Bergdorf dhe Bonwit Teller; fryma pank e Vivienne Westwood-it, si dhe koleksioni “Scandal” i Yves Saint Laurent-it, me atë qasjen dekadente ndaj veshjeve të prera e të rregullta të viteve dyzet, tridhjetë vjet më pas.
E gjitha kjo është disi e rastësishme dhe asgjë prej saj nuk është fort e thellë apo zbuluese. Megjithatë, për një pjesëtare të “Gjeneratës X” si puna ime — që u rrit duke pritur nga Jacobs-i dhe krijimet e tij që “t’i binte gjithmonë në kokë’ (siç i thotë Grace Coddington-i e Vogue-it) — dokumentari mbetet sërish mjaft domethënës. (Më kujtohet qartë se si i shfletoja faqet e Vogue-it kur isha adoleshente dhe sesi mrekullohesha tek shihja stilin e shkalafitur — uau, kultura ime! — duke mbërritur deri në Javën e Modës), dokumentari, megjithatë, të jep një ndjesi mjaft domethënëse.
Ka edhe diçka paksa elegjiake në të. Jacobs-i është një titan i kulturës që e gjeti zërin e vet në fund të shekullit të njëzetë, dhe ndikimet e tij janë gjithashtu kryesisht të vjela nga ajo epokë. Duke e nisur karrierën si i ri në muzgun e “shekullit amerikan”, ai ishte një mjeshtër i citatit kulturor që godiste fill në pulsin e kohës.
Por tani ai, si shumë prej nesh, është më i moshuar, dhe ne jemi thellësisht brenda shekullit të ri, i cili, për mirë a për keq, nuk është më i Amerikës. Në pamjet e Coppola-s nga shfaqja e Jacobs-it në vitin 2024, modelet e veshura me rroba të ngrira dhe përmasa të ekzagjeruara, me stilime flokësh “bouffant” të fryra dhe grim të tepruar të stilit “mod” — si silueta të prera apo karikatura zonjash që hanë dreka luksoze — lëvizin me pasiguri nëpër hapësirën e stërmadhe të Armory-t, nën tingujt melankolikë të një pjese për piano nga Philip Glass-i. E gjitha është shumë e bukur, por gjithashtu duket paksa si një funeral.
Megjithatë, ka ende diçka pasionante, ende shumë të gjallë te Jacobs-i. Është emocionuese të vëzhgosh saktësinë e tij intensive estetike si personi përgjegjës për kontrollin e çdo aspekti të produktit dhe prezantimit të markës së tij, deri në detajet më të imta. (“Duhet të jetë si ‘Barbie e vdekur'”, udhëzon ai artisten e thonjve Jin Soon Choi për llakun rozë “shumë të ndritshëm” që ajo ka krijuar për shfaqjen, përpara se t’i thotë grimieres Diane Kendal se qerpikët e poshtëm të modeleve “ende nuk janë aq të ngjitur, janë shumë, si të thuash, vijë-drejtë.”)
Në një sekuencë të dokumentarit, Jacobs-i flet për numrin “Big Spender” në filmin “Sweet Charity” të Fosse-s, ku një rresht me hostes të mbuluara me xixa dhe të grimuara rëndë — “kukulla të prishura”, sipas fjalëve të stilistit — joshin një klient të mundshëm bari përmes një kërcimi joshës, këndor dhe mjaft të stilizuar. “E kam parë këtë kaq shumë herë”, i thotë ai Coppola-s. “Por nuk e kisha kuptuar, kur e zbërtheje, sa inteligjent ishte çdo gjest i vogël. Saktësia e çdo lëvizjeje të vogël krijonte një ndjesi shqetësimi ose ngacmimi… Ai ishte një burrë vërtet i jashtëzakonshëm. Vërtet gjenial”.
Në të vërtetë duhet një si ai për të njohur një tjetër.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga The New Yorker