Për të shmangur persekutimin nga Stalini, poetja Anna Akhmatova i dogji shkrimet dhe ia mësoi përmendësh një rrethi miqsh fjalët e poemës së saj Requiem. Duke u bërë “para-Gutenberg”, ajo siguroi mbijetesën e saj.
Martin Puchner
Kur Anna Akhmatova filloi të punonte për poemën e saj të gjatë Requiem diku në vitet 1930, ajo e dinte se nuk do lejohej ta botonte. Stalini po i mbante nën kontroll të fortë makineritë e shtypit dhe nuk do ta miratonte një poemë që kishte të bënte me gulagun, sistemin e gjerë të burgjeve që regjimi i tij kishte ngritur në të gjithë Bashkimin Sovjetik.
E palëkundur, Akhmatova megjithatë e shkroi poezinë, duke ndërthurur përvojën e saj të qëndrimit jashtë burgut me një grua tjetër të dëshpëruar, me shpresën për të parë një të dashur apo për të marrë një lajm zemërdhënës, me përshtypje të tjera të jetës nën regjimin e Stalinit.
Kontrolli i tij shtrihej përtej makinerive të shtypit në shumicën e fushave të jetës. Akhmatova e dinte se policia sekrete mund ta kontrollonte apartamentin e saj dhe t’i gjente shkrimet, kështu që ajo e dogji letrën mbi të cilën ishin shkruar vargjet e poemës, pasi e kishte mësuar përmendësh. Po sikur të arrestohej dhe të ekzekutohej?
Akhmatova lindi në qershor të vitit 1889, në Bolshoi Fontan, pranë Detit të Zi, në një familje të klasës së lartë dhe u quajt Anna Andreevna Gorenko.
Për të siguruar mbijetesën e poemës, ajo ua mësoi atë shoqeve më të ngushta, të cilat do ta kujtonin poemën pas vdekjes së saj. Ajo e quajti këtë situatë “para-Gutenberg” sepse terrori shtetëror e kishte detyruar atë dhe shkrimtarë të tjerë të fshehtë që të jetonin sikur makina e shtypit të mos ishte shpikur kurrë.
Mendja e tyre u bë letra mbi të cilën Akhmatova e ruajti dhe e rishikoi poezinë e saj fjalë për fjalë, presje për presje, me saktësinë tipike të letërsisë së krijuar me synimin drejt përhershmërisë së shkrimit. Edhe ky përshkrim ishte një nënvlerësim, meqenëse Stalini i detyroi Akhmatovën dhe shoqet e saj që të jetonin në diçka që pothuajse i ngjante një kulture gojore, të reduktuara në recitimin e fjalëve përmendësh. Pothuajse, por jo plotësisht: Akhmatova e kishte ndërtuar poemën e saj në letër, jo gojarisht, dhe Requiem-i nuk kishte asnjë nga strukturat e letërsisë gojore, siç janë blloqet e shkëmbyeshme, frazat e përsëritura dhe improvizimi.
Ajo mori pseudonimin Akhmatova me bindjen se një nga paraardhësit e saj ishte Khan Akhmat, kryetar tatar që i përkiste linjës mbretërore të Xhingis Khanit.
Improvizimi ishte veçanërisht i patolerueshëm për Akhmatovën. Kur ajo bënte ndryshime në poezinë e saj, ajo u kërkonte miqve që t’i mbanin mend, duke këmbëngulur që versioni përfundimtar i poezisë të ishte ai që ata do kujtonin nga andej e tutje.
Ishte një kujtesë se miqtë e Akhmatovës nuk ishin poetë gojorë apo bardë: mendjet e tyre u bënë letra mbi të cilën Akhmatova e ruajti dhe e rishikoi poezinë e saj fjalë për fjalë, presje për presje, me saktësinë tipike të letërsisë së krijuar me syrin drejt përhershmërisë së shkrimit.
Kalimi në underground
Akhmatova kishte arsye të mira për t’u shqetësuar për Stalinin, i cili ishte veçanërisht i fiksuar pas letërsisë. Akhmatova kishte bërë emër në epokën pararevolucionare, duke u njohur si Safoja ruse dhe kjo e bënte automatikisht të dyshonte në botën e re që erdhi nga Revolucioni Rus.
Një portret i Akhmatovës i vitit 1911 nga Amedeo Modigliani: ajo iu drejtua atij në një poezi me vargjet “Kur je i dehur është shumë argëtuese/Historitë e tua nuk kanë kuptim”
Ajo u përpoq të përshtatej me sistemin e ri, por Stalini mbeti dyshues dhe e mbajti nën vëzhgim. Akhmatova mësoi se më keq se një regjim indiferent ndaj poezisë, ishte dikush që ishte i fiksuar pas saj.
Një poezi për terrorin, për përvojën e të jetuarit nën totalitarizëm, një poezi që përmendte shefin e policisë sekrete dhe kapte efektet çnjerëzore të të gjithë sistemit, nuk do të tolerohej kurrë.
Jeta e shkrimtarëve disidentë u përmirësua kur Stalini u shpërqendrua nga Lufta e Dytë Botërore (Akhmatova doli në radio për t’u dhënë kurajë bashkëqytetarëve të saj të Shën Petersburgut, i cili së fundmi u riemërua Leningrad), por Akhmatova bëri gabimin, menjëherë pas luftës, që u takua me intelektualin e ri britanik Isaiah Berlin.
Kur Stalini dëgjoi për takimin nëpërmjet një informatori, thuhet se tha: “pra, murgesha është takuar me spiunë të huaj” (sulmet e mëparshme ndaj Akhmatovës e kishin etiketuar atë si murgeshë). Vetëm pas vdekjes së Stalinit në vitin 1953, Akhmatova mund të shpresonte të bëhej përsëri një poete publike.
Librat e Akhmatovës u ndaluan midis viteve 1925 dhe 1940: poema e saj Requiem ishte një dëshmi për viktimat e Terrorit të Stalinit, si këta të burgosur të gulagut.
Por edhe në këtë klimë të re, një poemë për terrorin, për përvojën e të jetuarit nën totalitarizëm, një poemë që përmendte shefin e policisë sekrete dhe që kapte efektet çnjerëzore të të gjithë sistemit, nuk do të tolerohej kurrë. Stalini kishte vdekur, por sistemi i censurës që ai kishte krijuar ishte ende në fuqi.
Akhmatova jetoi si në Rusinë pararevolucionare ashtu edhe në atë sovjetike: një poemë e vitit 1917 argumentonte se kujtesa historike duhet të zëvendësojë kujtesën personale.
Pa patur qasje në botimet e shtypura, shkrimtarët kryesorë disidentë krijuan një sistem të fshehtë botimi të bazuar në botime të shkruara me dorë ose kopje karboni të bëra me makina shkrimi (deri në 15 kopje karboni mund të bëheshin në një seancë të vetme).
Ky sistem botimi – ende para Gutenbergut – quhej samizdat, ose vetëbotim, në kontrast me alternativën tamizdat, ose botim jashtë vendit, që përfshinte kontrabandën e dorëshkrimeve të fotokopjuara në Perëndim dhe botimin e tyre atje dhe kthimin e tyre të fshehtë mbrapsht.
Poeti kundër shtetit
Samizdat-i filloi me poezi, të cilat ishin të shkurtra dhe për këtë arsye, të lehta për t’u shumëzuar me dorë ose me makinë shkrimi, por shpejt u shtri edhe në romane dhe ese politike. Materiali i Samizdat-it zakonisht lexohej vetëm ose në grupe në një seancë të vetme, shpesh natën dhe i kalohej lexuesit tjetër të besueshëm. Kjo ishte kundër ligjit dhe e rrezikshme, por rezultoi e pandalshme.
Vetëm një rikthim te terrori i Stalinit mund ta kishte ndaluar, dhe askush nuk kishte guximin për një valë të re shtypjeje në atë shkallë.
Censura dhe kontrolli shtetëror mbi shkrimtarët i kishte shndërruar këta të fundit në heronj të rezistencës, duke i bërë armiqtë më të rrezikshëm të regjimit.
Gradualisht, samizdat-i e rriti shtrirjen e tij, duke e shndërruar letërsinë disidente ruse në një armë të fuqishme. Pushteti i tyre nuk funksionoi menjëherë, por funksionoi me kalimin e kohës, duke i bërë këta shkrimtarë armiqtë më të rrezikshëm të regjimit.
Isaiah Berlin, i cili e vizitoi Akhmatovën në Leningrad në vitin 1945, ndërsa shërbente në Rusi si sekretar i parë i ambasadës britanike, e përshkroi atë si “një mbretëreshë tragjike”.
Requiem-i u botua jashtë vendit (tamizdat) sa qe gjallë Akhmatova, por jo në vendin e saj të lindjes, ku poema vazhdoi të qarkullonte në fshehtësi. Vetë fakti që u shtyp i dha asaj vlerë të shtuar, duke gërryer ngadalë legjitimitetin e regjimit.
Requiem-i u botua vetëm në vitet 1980, kur Akhmatova u rehabilitua zyrtarisht nga Mikhail Gorbachev-i, një vit para se Bashkimi Sovjetik të pushonte së ekzistuari.
Kur e lexoj Requiem-in tani, ndiej të më imponohen imazhet e tij të fuqishme, nga një zë që regjistron efektet e terrorit në jetën e përditshme dhe nga copëzat e bisedave të dëgjuara, të përshtatura në skica individuale që krijojnë një efekt të fuqishëm dëshpërimi dhe qëndrueshmërie. Më prek historia e poemës dhe përpjekjet, të cilat ishin të nevojshme që ajo të botohej dhe të arrinte në duart e mia. Mbi të gjitha, jam i mahnitur nga lufta e pabarabartë midis Akhmatovës dhe shtetit – dhe se ishte Akhmatova ajo që fitoi.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga BBC