Nga Libri: “Poezitë më të Mëdha”- Lawrence Ferlinghetti
Mëshiroje kombin, populli i të cilit është dele,
dhe barinjtë e të cilit e mashtrojnë.
Mëshiroje kombin me udhëheqës gënjeshtarë, të urtë të mbytur në heshtje,
dhe me fanatikë që mbushin ajrin mediatik me zhurmë.
Mëshiroje kombin që nuk flet veçse për të bekuar pushtuesin
dhe për të kurorëzuar dhunuesin si hero,
që ëndërron të sundojë botën me grusht të hekurt e torturë.
Mëshiroje kombin që nuk njeh gjuhë dhe tjetër kulturë veç të vetës.
Mëshiroje kombin, fryma e të cilit është paraja
dhe fle i stërngopur në harresë.
Mëshiroje kombin —oh, mëshiroji njerëzit
që lejojnë t’u gërryhen të drejtat dhe vala t’u tretë liritë.
Vendi im, lotët e tu, tokë e ëmbël e lirisë.
Lawrence Ferlinghetti ishte poet amerikan, piktor, aktivist social dhe bashkëthemelues i njohur i City Lights Booksellers & Publishers.
Lindur më 24 mars, 1919, në Yonkers, New York, ai është më i njohur për përmbledhjen e tij të poezive “A Coney Island of the Mind”, e cila është përkthyer në nëntë gjuhë dhe është shitur në mbi një milion kopje. Poezia e tij shpesh ka eksploruar temat e drejtësisë sociale, politikës dhe gjendjes njerëzore.
Ferlinghetti ishte një figurë kyçe në lëvizjen e poezisë Beat, edhe pse nuk e identifikonte veten si një poet Beat.
Lëvizja e poezisë Beat ishte një lëvizje filozofike- letrare kundërkulturore amerikane e viteve 1950 që kundërshtonte konformizmin e rrymës kryesore, materializmin dhe shkrimin tradicional akademik.
Lëvizja ishte një pararendëse e kundërkulturës së viteve 1960, duke përfshirë lëvizjen hipi, dhe ndikoi në letërsi, muzikë dhe qëndrime shoqërore në lidhje me lirinë e fjalës dhe seksualitetin….
Përktheu: Meli Ajazi