Kurrë më? Mbi vdekjen e universalizmit pas Gazës

in Esé by

Franco “Bifo” Berardi shqyrton pasojat politike dhe filozofike të gjenocidit të Izraelit

Franco “Bifo” Berardi

Nëse njerëzimi mund t’i mbijetojë sulmit të kombinuar të ndryshimeve klimatike, demencës agresive galopante dhe teknologjive shkatërruese të inteligjencës artificiale, kjo është aktualisht e pasigurt.
Sidoqoftë, e sigurt është se qytetërimi – “humanizimi” progresiv i njeriut, mbizotërimi i gjuhës ndaj egërsisë natyrore të instinktit – po shpërbëhet.
Shenjat e kësaj shpërbërjeje i kemi pikasur prej kohësh; e kemi parë prej kohësh që liberalizimi i pakontrolluar ka shtruar rrugën për mbizotërimin e forcës në marrëdhëniet midis kafshëve njerëzore.
Tani kolapsi është në vijim e sipër, pas agresionit mizor të shpërthyer nga Hamasi më 7 tetor 2023 – një agresion që duhet përkufizuar si masakër, e ngjashme me ato që populli hebre ka vuajtur gjatë shekujve në shumë vende evropiane dhe e ngjashme me ato që palestinezët e Bregut Perëndimor kanë vuajtur prej vitesh në duart e bandave të armatosura të kolonëve izraelitë.
Pas Gazës, është koha të pranojmë se kjo përpjekje për ta humanizuar historinë ka dështuar dhe se nuk do të ketë një provë të dytë. Në vitin e mizorisë së pandërprerë që pasoi, dështimi i projektit të quajtur “qytetërim” u bë i dukshëm dhe egërsia rifitoi epërsinë: rikthimi i bishës në historinë njerëzore, rikthimi i dhunës vrasëse si një refleks primordial i vetëmbrojtjes dhe i mbijetesës.
Emri Gazë shfaqet për herë të parë në dokumentet ushtarake të Faraonit Thutmose III në shekullin e pesëmbëdhjetë para erës sonë. Në gjuhët semite, emri i qytetit do të thotë “i egër”. Gjatë gjithë historisë, burrat shpesh i kanë dhënë vetes tituj pompozë, kanë shfaqur qëndrime agresive dhe kanë kërcënuar me katastrofa; në mënyrë të ngjashme, banorët e Gazês e quajtën veten “të egër”.
Palumturia e botës varet deri në njëfarë mase nga ky vetidentifikim me madhështinë dhe egërsinë, me një fuqi që nuk e kemi, por që na pëlqen ta shfaqim me mburrje dhe që herë pas here jemi të detyruar ta shfaqim me shpresën për të trembur të tjerët, të cilët, në realitet, janë më të egër se ne.
Ai rrip toke, rëre, me pamje nga Mesdheu lindor, përmendet shumë herë në Bibël, si dhe në dokumentet e lashta egjiptiane dhe në mbishkrimet e Ramsesit II, Thutmose III dhe Setit I.
Kur izraelitët mbërritën në Tokën e Premtuar, Gaza ishte një qytet filistin dhe ndër banorët e saj ishin Anakimët, një popullsi që banonte në rajonet malore të Kanaanit dhe në disa zona bregdetare. Pikërisht në Gazë, Samsoni, i verbuar dhe në zinxhirë, bëri që të shembej tempulli kushtuar adhurimit të Dagonit, ku mund të mblidheshin mbi tre mijë njerëz. Ai vdiq edhe vetë, duke marrë me vete në ferr mijëra filistinë.
Pas 7 tetorit 2023, izraelitët reaguan me mizori dhe egërsi. Nëse mizoria është një dëshirë perverse e njerëzve, egërsia është një refleks shtazor i gdhendur në instinktin e vetëmbrojtjes. Fillimi i zhdukjes së të ashtuquajturit qytetërim shënohet nga ky rikthim i egërsisë si rregullatori i vetëm i shkëmbimeve midis njerëzve.
Të paktën në shekujt e fundit, qytetërimi ka qenë në thelb përpjekja për t’i nënshtruar egërsinë politikës dhe instinktin vullnetit, të cilët së bashku mund të përmblidhen si nënshtrim i kaosit ndaj gjuhës. Pas Gazës, është koha të pranojmë se kjo përpjekje për të humanizuar historinë ka dështuar dhe se nuk do të ketë një provë të dytë.
Është koha të pranojmë se eksperimenti i quajtur “qytetërim” ka dështuar. Ajo që ka mbetur nga qytetërimi është fuqia shkatërruese e teknologjisë – veçanërisht, teknologjisë ushtarake. Kur egërsia triumfon, teknologjia shndërrohet në një funksion të luftës.
Kemi mbetur tashmë vetëm me aftësinë tonë për të vrarë në një mënyrë shumë më të sofistikuar dhe sistematike se çdo kafshë tjetër e egër. “Të mendosh Gazën” do të thotë para së gjithash të njohësh dështimin e pariparueshëm të universalizmit të arsyes dhe demokracisë – domethënë, shpërbërjen e vetë bërthamës së qytetërimit. Por kjo do të thotë gjithashtu të kërkosh rrugëdalje nga e ardhmja që na pret, dhe që i pret ata që kanë lindur në këtë shekull që premton të jetë i fundit. Atyre që u ngjizën në dritën e errët të këtij shekulli final, ne u kemi borxh këtë akt të fundit të mendimit, në mënyrë që ata të mund ta braktisin historinë, përmes shtigjeve që ne ende nuk mund t’i imagjinojmë.
“Të mendosh Gazën” nënkupton pranimin e faktit se fjalët kanë kuptimin e kundërt të asaj që supozohet të nënkuptojnë sipas historisë, psikologjisë dhe semiotikës. Në epokën e egërsisë, gjuha shërben vetëm për të gënjyer, për të mashtruar, për të nënshtruar dhe për të shfrytëzuar.
Në ligjërimin aktual, në mediat e tejshpejtuara, nuk ka kohë për analizë kritike, nuk ka kohë për dallim etik. Nuk ka kohë për të dëgjuar dhe për të kuptuar.
Kohëshmëria tekno-mediatike është tkurrur në një ekstrem të tillë, saqë kuptimi dhe shtjellimi kritik janë të pamundur. Kjo nënkupton se historia njerëzore ka mbaruar, sepse njerëzorja (përtej çdo privilegji) është sfera ku fjalët kanë kuptim dhe mund të interpretohen, në mënyrë që gjuha të mund të ndërmjetësojë marrëdhëniet midis trupave. Që kur gjuha u bë një tjetër fushëbetejë ku më i fuqishmi imponon interpretimin e tij, që kur shtigjet e kritikës dhe të mendimit të pavarur u prenë në emër të shpejtësisë, ne kemi hyrë në mbretërinë e egërsisë. Në mbretërinë e egërsisë, çdo formë e gjuhës shndërrohet në një mjet për asgjësim.
Ligji ishte synuar si një kornizë universale për rregullimin e marrëdhënieve midis aktorëve të lojës shoqërore, të cilët konsideroheshin si subjekte të gjuhës. Në shekujt e fundit, ligji është vetëvendosur si një diskurs universal, si një alternativë ndaj egërsisë së përkatësisë tribale (fisinore).
Poizicioni modern i universalitetit të arsyes u bë i mundur nga tradita intelektuale hebreje: nga kontributet e atyre që u lejuan të mendonin në një hapësirë nomade, në një vend që nuk ishte një vend i përkatësisë.
Edhe ideja internacionaliste, e mbështetur nga punëtorët komunistë, u bë e mendueshme falë kontributit të kulturës hebreje, e cila ishte e lirë nga përkatësia etnike apo territoriale.
Kjo është arsyeja pse tragjedia e Gazës duket e përhershme dhe e pariparueshme: sepse një shtet dhe një ushtri që pretendojnë se janë shprehja e asaj kulture, si trashëgimtarë të asaj historie, kanë tradhtuar kontributin intelektual hebre në qytetërimin modern.
“Të mendosh Gazën” do të thotë të njohësh tradhtinë ndaj kulturës hebreje nga udhëheqja sioniste dhe nga shumica dërrmuese e popullit izraelit.
Dështimi i arsyes universale dhe tradhtia ndaj kulturës moderne hebreje janë dy anë të së njëjtës monedhe. Që nga fillimi i tij, shteti i Izraelit ka tradhtuar dhe mohuar traditën intelektuale hebreje; por sot, pas Gazës, ky mohim përbuzës i vetë iluzionit të universalitetit të arsyes njerëzore është bërë programi politik dhe logjika e përbashkët e Izraelit.
Veprimi ushtarak i Forcave Mbrojtëse të Izraelit dhe bashkëpunimi i popullit izraelit me gjenocidin e shpërthyer nga qeveria e Netanyahut, shënojnë në mënyrë të pariparueshme një regres drejt partikularizmit dhe fshirjen e çdo shprese për një të ardhme “njerëzore”. Shprehja “Kurrë më” ishte e përkohshme, sepse nuk ishin hedhur themelet e një shoqërie të aftë për ta dëbuar egërsinë nga sfera e qytetërimit njerëzor.
Ky është mësimi që na dha Izraeli: në sferën e historisë, viktimat nuk dinë dhe nuk mund të kërkojnë paqe apo dëmshpërblim, por mund të kërkojnë vetëm hakmarrje. Kjo do të thotë se viktimat e sotme nuk do të jenë kurrë asgjë tjetër veçse viktima, përveçse nëse arrijnë të shndërrohen vetë në shfarosëse.
Pas gjenocidit izraelit, ligji, universalizmi dhe demokracia shfaqen si iluzione që grabitqarët i kanë përdorur për të ruajtur pushtetin e tyre mbi prenë. Por tani këto iluzione janë tretur, dhe ajo që zbulohet është fytyra e egër e kolonializmit, pjesë e të cilit Izraeli është shfaqja më e fundit.
Lufta kundër nazizmit dhe fitorja kundër Gjermanisë së Hitlerit u dukën si një rishpallje e parimeve të universalizmit modern. Egërsia e nazistëve u mposht nga egërsia simetrike e fuqive antifashiste, por përtej egërsisë së Luftës së Dytë Botërore, një kohë paqeje, ligji dhe demokracie dukej gati të lindte dhe të zgjaste përgjithmonë. Ky ishte kuptimi i Nie wieder: “Kurrë ”. Ato fjalë ishin në themel të edukimit kulturor dhe politik të brezit që u rrit pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore – të brezit tim.
Sot duke parë pas, ndiej se ky besim ishte një iluzion. Shprehja “Kurrë më” ishte e përkohshme, sepse nuk ishin hedhur themelet e një shoqërie të aftë për ta dëbuar egërsinë nga sfera e qytetërimit njerëzor.
Ato themele janë vëllazëria dhe barazia shoqërore. Ishte vetëm fuqia e organizuar e klasës punëtore që e bëri të mundur një gjendje të tillë, por burimi i egërsisë (shfrytëzimi, shndërrimi i kohës së jetës në vlerë shkëmbimi) nuk u eliminua kurrë. Gjenocidi që Izraeli ka kryer si hakmarrje ndaj Hamasit e bën të qartë se Nie wieder ishte një gënjeshtër. Trashëgimtarët e viktimave të gjenocidit nazist po përgatiteshin të bëheshin mjaftueshëm të fortë për të kryer gjenocidin e tyre.

Përktheu: Arlinda Guma

Marrë nga Literary Hub

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Esé

Go to Top