Gjinkallat e shirave japin meshë për një puthjen time-Arben Velo
Mbaj mend…
Mesditë!…
Vapa shponte si gjemb.
Ti nuk ishe.
Gjinkallat e shirave,
si besimtare vere,
digjnin temjan këngësh
për të ofruar te Zoti
lutjet e njerëzve.
Gjelave të hijeve,
nën një pemë si kishë,
u dukej vetja kongregacion priftërinjsh.
Befas u tretën.
Sapo teshtiu veriu,
gjetën një shteg
dhe puplat i lanë
si veladonë nëpër degë.
Në mungesën tënde,
retë përgjëroheshin në tokë
si harta memece.
Lutja ime për ty,
bëhej temjan para teje.
Dhe vera iku…
U kthye shtëpi e djegur.
Një temjanicë akujsh
ndezi dimri i verbër.
Ku ke shkuar tani?
Fshehur në heshtje?
Mesditat e vetmisë sime,
si luleshtrydhe trishtimi
më kundërmojnë jetime.
Gjinkallat e shirave
në flokët e tu
japin meshë
për një puthjen time.
Histori me rrugicë, shtëpi e mjaullima macesh si stalagtite dimrash-Arben Velo
Histori me rrugicë, shtëpi e mjaullima macesh si stalagtite dimrash-Arben Velo Në lagjen time.është një rrugicë e