Një dëshmitar okular kujton takimin e tensionuar mes një studenteje amerikane mendjehollë dhe një gjiganti të letërsisë gjermane.
Alex Ross
“Çdo gjë që rrethon takimin tim me të ka ngjyrën e turpit”: kështu nis rrëfimi i Susan Sontag-ut në librin Pilgrimage, i cili u botua në vitin 1987.
Një takim me romancierin gjerman në mërgim, Thomas Mann, në shtëpinë e tij në Pacific Palisades, Los Angeles. Është viti 1947 thotë Sontag-u; ajo është katërmbëdhjetë vjeç. Romani i saj i preferuar është “Mali Magjik”, panorama e Mann-it për Europën në muzg, e cila çuditërisht pasqyron jetën e saj, veçanërisht përvojën e saj të kurimit nga astma në një sanatorium në Arizona.
Së bashku me mikun e saj Merrill-in, një tjetër i apasionuar pas çdo gjëje moderne dhe të thellë, Sontag-ut i lind ideja për t’i bërë një telefonatë të papritur fituesit të çmimit Nobel dhe për t’i kërkuar një intervistë. Ata e gjejnë atë në numratorin telefonik: San Remo Drive 1550, SM5-4403. Për çudinë e tyre, ai pranon t’i takojë. Ajo që vijon është një bisedë e sikletshme dhe e shkëputur.
Mann-i ka “vetëm formula moralizuese për të thënë”. Sontag-u përgjigjet me “thjeshtësi që të lidh gjuhën”. Ndjenja e zhgënjimit pas pritshmërive të mëdha është dërrmuese. “Vite më vonë, atëherë kur isha bërë shkrimtare, kur njihja shumë shkrimtarë të tjerë, do të mësoja që të isha më tolerante ndaj hendekut midis njeriut dhe veprës. Megjithatë, edhe tani, takimi ende duket si i ndaluar, i papërshtatshëm… Përgjatë viteve e kam mbajtur sekret, sikur të ishte diçka e turpshme.”
“Turp? “Nuk mbaj mend asgjë të tillë”, më tha Merrill Rodin-i para disa ditësh. “Ndihesha më shumë i mrekulluar, pothuajse i frikësuar.” Miku i fëmijërisë i Sontag-ut është nëntëdhjetë e pesë vjeç dhe gëzon shëndet të plotë, sytë i shkëlqejnë dhe mustaqet e tij janë mbresëlënëse.
Ne po rrinim në studion e Shtëpisë së Thomas Mann-it, e cila tani është pronë e qeverisë gjermane dhe shërben si qendër rezidenciale. Rodin-i kishte qenë aty për herë të fundit më 28 dhjetor 1949 – data e vërtetë e vizitës. (Departamenti ynë i lëvduar i verifikimit të fakteve nuk ka faj; tregimi u botua si fiction, jo si kujtim.
Kur u botua (Pilgrimage), Rodin-i mbeti i habitur nga liritë e ndryshme që i kishte dhënë vetes Sontag-u, veçanërisht nga lënia jashtë e një miku tjetër, Gene Marum-it, i cili kishte shkuar me ta. Megjithatë, Rodin-it i bëri përshtypje të mirë shkrimi. Fundja, ai përshkruhet “i qetë, simpatik, aspak budalla” – një lëvdatë e lartë në leksikun e Sontag-ut.
Vajza e Rodin-it, Jenny, e cila e kishte shoqëruar atë në rikthimin e tij në San Remo Drive, kujtoi krenarinë që kishte ndier: “E lexova dhe thashë: ‘Ky është im atë’”. Ajo e pyeti të atin: “A nuk të quajti ajo ‘Adonis’, diçka e tillë?” Rodin-i u përgjigj me drojë: “’Djalë ëndrrash’ (dreamboat)”.
Sontag-u bëri një përpjekje befasuese për të rënë në paqe me takimin e saj, në dukje banal, me Mann-in. Së pari, ajo e rrëfeu atë në ditarin e saj, në një shënim që fillon kështu: “Merrill-i, Gene-i dhe unë morëm në pyetje Zotin këtë mbrëmje në orën gjashtë”.
Më pas, diku nga fillimi i viteve pesëdhjetë, ajo shkroi një tregim me titull “Te Thomas Mann-i” (At Thomas Mann’s). Si ditari, ashtu edhe tregimi mund të gjenden në arkivin e Sontag-ut në UCLA. Unë mora me vete kopje dhe u përpoqa të zgjidhja disa mospërputhje me Rodin-in.
Për shembull, të tre versionet pohojnë se vizitorët mbërritën herët dhe pritën jashtë në makinë, duke bërë prova. A zgjati kjo katërmbëdhjetë minuta (“Te Thomas Mann-i”); njëzet e pesë minuta (ditari); apo dy orë (“Pelegrinazhi”)? Rodin-i mendonte se rreth gjysmë ore ishte më e saktë. Me një buzëqeshje paralajmëruese, ai shtoi: “Sinqerisht nuk jam i sigurt nëse i mbaj mend disa gjëra vetëm sepse i ka shkruar Susan-a”.
Ditari tregon se Niko-ja, pudëlli i madh dhe i pabindur i Mann-it, lehu ndërsa adoleshentët guximtarë po i afroheshin derës kryesore. Katia Mann-i, bashkëshortja e autorit, i përshëndeti dhe i shoqëroi për në studio. Zyra e Mann-it nuk është më si atëherë – shumica e librave dhe e mobiljeve të saj ndodhen në Arkivin e Thomas Mann-it, në Zyrih – por ajo mban një botim prej njëqind e dyzet e gjashtë vëllimesh të Goethe-s që kishte qenë i ekspozuar në vitin 1949. “Kam ndjesinë se ishim ulur atje,” tha Rodin-i, duke treguar me gisht vendin ku dikur ndodhej një divan me motive lulesh. “Ai ishte te tavolina e punës, me të gjithë librat pas tij. Ne u përpoqëm të lexonim titujt në kurrizet e librave, por ata ishin shumë larg.”
Nga të tre ata, Rodin-i ishte më i ushtruari në përballjen me personalitetet e frikshme. Fëmijë ish-aktor, ai ishte shfaqur në një sërë filmash të Hollywood-it. Ai mori nismën për të nxjerrë në pah mendimet e Mann-it.
Ditari i Sontag-ut transkripton vërejtjet që autorja bëri rreth “Malit Magjik” (“A nuk ju duket se është shkruar me humanizëm – që ka optimizëm në të?”), “Doktor Fausti-t” (“Ai e ka njërën këmbë në shekullin e gjashtëmbëdhjetë”) dhe Helen Lowe-Porter-it, përkthyeses së tij guximtare (“Botuesi im, Alfred Knopf, ka një besim të devotshëm te aftësia e zonjës Lowe për të më përkthyer mua”). Rodin-i guxoi të përmendte James Joyce-in, një nga autorët e tij të preferuar. Mann-i pranoi se anglishtja e tij nuk ishte aq e mirë sa për ta vlerësuar Joyce-in. Megjithatë, ai “besonte se ekzistonte një ngjashmëri mes Joyce-it dhe atij vetë – për vendin që zinte miti në veprat e tyre”.
Dialogu që Sontag-u jep në libër ka pak pika takimi me atë që raportohet në ditar. Rodin-i është i pasigurt sesi ajo mund t’i kishte mbajtur mend të gjitha. Ai, gjithsesi, konfirmon se u fol për Hemingway-n. Sontag-u citon Mann-in të ketë thënë: “Besoj se ju pëlqen Hemingway. Ai është, sipas përshtypjes sime, autori më përfaqësues amerikan.” Të rinjtë, të zënë në befasi, mërmëritën se nuk e kishin lexuar Hemingway-n. “Epo, tha Thomas Mann-i, cilët autorë ju pëlqejnë?” Ata përmendin Joyce-n, Kafka-n, Tolstoy-n, Romain Rolland-in dhe Jack London-in. Më pas vjen fjalia më qesharake e shkrimit: “Ai tha se ne duhet të ishim të rinj shumë seriozë.”
Benjamin Moser-i e intervistoi Rodin-in për librin “Sontag: Jeta dhe vepra e saj” (Sontag: Her Life and Work), biografia e tij e vitit 2019 për shkrimtaren, dhe skicoi shkurtimisht sfondin e Rodin-it në libër. Por ky njeri i ëmbël dhe i thellë meriton një rrëfim më të plotë. Ai lindi në Kansas City në vitin 1930. Nëna dhe babai i tij ishin emigrantë hebrenj nga Europa Lindore, përkatësisht nga Hungaria dhe Bjellorusia. Për një kohë, babai i Rodin-it i binte violinës dhe këndonte në qarkun e vaudevillev-e në Chicago, ndërsa xhaxhai i Merrill-it, Gil Rodin-i, u bë saksofonist në bandat e drejtuara nga Ben Pollack-u dhe Bob Crosby, vëllai i Bing-ut. Kur Rodin-i i ri shfaqi talent muzikor dhe teatror, familja vendosi të shpërngulej në Los Angeles për ta çuar përpara karrierën e tij. Gil Rodin-i e dërgoi nipin e tij në “Reinhardt Workshop“, shkollë e arteve skenike e drejtuar nga regjisori i shquar emigrant austriak Max Reinhardt-i, i cili ishte vendosur në Los Angeles. Reinhardt-i kishte bërë një përshtatje magjepsëse të veprës “Ëndrra e një nate vere”, e cila shënoi debutimin filmik të Olivia de Havilland-it dhe rolin shpërthyes të Mickey Rooney-t si Puck-u, por projektet e tij të mëtejshme kishin ngecur dhe klasa punëtore po luftonte për të mos u fundosur. Megjithatë, Rodin-i korri sukses nën tutelën shpirtmirë të Reinhardt-it dhe të bashkëshortes së tij, Helene Thimig-ut. Kur, në vitin 1941, Rodin-i interpretoi në një mbrëmje me skena nga Shekspiri, gazeta e emigrantëve Aufbau shkroi me entuziazëm se Puck-u i tij e tejkaloi atë të Rooney-t. Pas vdekjes së Reinhardt-it në New York, në vitin 1943, në Los Angeles u mbajt një ceremoni përkujtimore për të. Ndër folësit ishin Mann-i, de Havilland-i, Edward G. Robinson-i, Marlene Dietrich-u dhe trembëdhjetëvjeçari Rodin, i cili recitoi një poezi për nder të mësuesit të tij.
Rodin-i hoqi dorë nga aktrimi në fund të adoleshencës, duke preferuar të kthehej nga librat dhe muzika. Një hallë që banonte përballë shtëpisë së familjes Sontag, në Valley, e kishte piketuar Susan-ën si një shoqe mjaftueshëm të zgjuar për të. Të dy kishin të përbashkët jo vetëm interesin pas çdo gjëje moderne – ata ndiqnin rregullisht serinë e koncerteve “Mbrëmje në çati” (Evenings on the Roof), ku Stravinsky ishte i pranishëm rregullisht – por edhe tërheqjen ndaj së njëjtës gjini.
Rodin-i dhe Sontag-u, nga fillimi i viteve pesëdhjetë ishin të dy studentë në Universitetin e Chicago-s. (Sontag-u kishte mbaruar shkollën e mesme në moshën pesëmbëdhjetëvjeçare dhe bashkë me Rodini-n e kishin vizituar Mann-in gjatë kohës që ishin kthyer nga universiteti për pushime.) Një burim tensioni ishte martesa e papritur e Sontag-ut, në vitin 1951, me Philip Rieff-in, një nga pedagogët e saj në Universitetin e Chicago-s. “Ishin të dy mjaft të mbyllur,” më tha Rodin-i, “dhe kjo i shtoi fërkimet.” Ajo dekadë ishte, sigurisht, një kohë makthesh për të qenë homoseksual. Vetë Rodin-i u martua në vitin 1961 me psikologen Jill Schwab dhe lindi katër fëmijë. Ai hyri në botën akademike, duke dhënë mësim filozofie dhe letërsie në institucione të ndryshme; gjithashtu drejtoi një kinema për filma artistikë në Grand Rapids, Michigan. Më vonë, ai u kthye në Kaliforninë e Jugut dhe u bë dekan i “Weekend College” në Universitetin Mount St. Mary. Për ditëlindjen e tij të tetëdhjetë, e bija dhe djemtë e tij morën me qira “Silent Movie Theatre” në Los Angeles dhe organizuan një festival alla Merrill Rodin.
Në vitin 1990, tre vjet pas botimit të librit Pilgrimage, Rodin-i dhe Sontag-u u takuan sërish në San Francisco. Mosmarrëveshjet e vjetra u fashitën dhe të dy shkuan mirë me njëri-tjetrin. Megjithatë, Rodin-i i tha asaj se Marum-i ishte i zemëruar që e kishin fshirë nga tabloja. Sontag-u pretendonte se e kishte harruar atë, por zhdukja e tij shpjegohet më mirë me arsye krijimtarie.
Ideja qendrore e Pilgrimage-t është se dy fëmijë amerikanë kokëfortë po guxojnë të hyjnë në një strehë të shenjtë të kulturës europiane. Rodin-i shihet duke bërë një telefonatë të “paimagjinueshme”, ndërsa Sontag-u largohet nga dhoma e tmerruar. Në fakt, ishte Marum-i ai që e bëri telefonatën dhe për të ky nuk ishte një rrezik i marrë në verbëri. Ai kishte lindur në Gjermani dhe kishte ardhur në SHBA me prindërit e tij refugjatë në vitin 1939. Jo vetëm aq, por ai kishte edhe një lidhje me familjen Mann: halla e tij, psikologia Olga Marum-i, e kishte njohur Katia Mann-in në Mynih. Marum-i më vonë u bë asistent regjisor në Hollywood duke punuar me filmat “The Graduate”, “Rosemary’s Baby” dhe në tridhjetë e dy episode të serialit “The Incredible Hulk”. Ai vdiq në vitin 2021.
Pasardhësit e komunitetit të emigrantëve gjermanofonë në Los Angeles të viteve tridhjetë dhe dyzet janë shpërndarë në të gjithë kulturën e qytetit. Një prej tyre është producenti muzikor Justin Reinhardt, i cili ka punuar në një sërë albumesh klasike të hip-hop-it të hershëm, përfshirë “The Chronic” të Dr. Dre. Ai është stërnipi i Max Reinhardt-it dhe unë e ftova në Shtëpinë e Mann-it për të takuar bashkëpunëtorin e fundit të gjallë të Reinhardt-it. Së bashku, ata panë një objekt që Rodin-i e kishte marrë nga Helene Thimig-u tetëdhjetë e tre vjet më parë: një kronometër, ose më saktë një Gallet Yachting Timer, të cilin regjisori e kishte përdorur për të kronometruar skenat. Ai nuk punon më, por është një send i bukur dhe harmonizohej me pakohëshmërinë e mistershme të studios së Mann-it.
Cila ishte, saktësisht, rrënja e “turpit” të Sontag-ut lidhur me takimin me Mann-in, nëse tregimi i saj gjysmë fiction pasqyronte qëndrimin e saj në jetën reale? Ditari, raporti i parë, jep pak shenja të ndjenjave të tilla. Ajo, përkundrazi, duket paksa e ekzaltuar pas gjithë kësaj, duke regjistruar jo vetëm komentet e Mann-it, por edhe duke detajuar se çfarë kishte veshur ai (“kostum bezhë, kravatë vishnje, këpucë të bardha”) dhe si fliste (“ngadalë dhe me saktësi”).
Një shënim anash në ditar tregon se Mann-i kishte kërkuar ndjesë për “përgjigjet e tij të pakënaqshme”, duke fajësuar “njohuritë e tij të dobëta në anglisht”. Megjithatë, në krye të një faqeje, gjendet një gjykim shumë më i prerë: “Komentet e autorit e tradhtojnë librin e tij me banalitetin e tyre”. Kjo është shkruar me një bojë të ndryshme nga pjesa tjetër dhe ka pamjen e diçkaje të shtuar më vonë.
Tregimi i pabotuar, “Te Thomas Mann-i” (At Thomas Mann’s), është gjithashtu relativisht i patrazuar nga “formulat moralizuese” të Mann-it. Në fakt, ai thuajse nuk e citon fare atë; flet tërësisht për rritjen e ankthit dhe të tensionit deri në çastin e takimit. Por ai bën një vëzhgim domethënës mbi dinamikën e skenës. Sontag-u u trazua kur kuptoi, me të mbërritur në shtëpi, si Mann-i i kishte pritur ata. Ai ishte “aq i vëmendshëm, aq i ngrirë”. Ajo kishte hamendësuar se njeriu i madh do të ishte i bezdisur nga ndërhyrja, por prapëseprapë do të na “falte pak nga koha e tij”. Ai do të thoshte: “Po, po, fëmijë, çfarë do të dëshironit të dinit?” Në vend të kësaj, ai duket se ishte “edhe vetë nën njëfarë tensioni”. Edhe Katia Mann-i ishte nervoze. “Ishte e tmerrshme, ishte më shumë se e tmerrshme”. Mann-i kishte dështuar të luante rolin e gjeniut perandorake; ai ishte një njeri krejtësisht i zakonshëm. Është shumë e besueshme që Mann-i shqetësohej për atë që këta adoleshentë mendjemprehtë mendonin për të. Përmendja e Joyce-it prej tyre mund të ketë aktivizuar frikën e tij se ai po mbetej pas vijës së parë të modernizmit letrar. Në fakt, vlerësimi i vetë Sontag-ut për Mann-in pësoi rënie shpejt. Në qershor të vitit 1950, ajo shkroi në ditarin e saj: “Mali Magjik“, me keqardhje po e them, ka filluar të më shfaqë të çarat. Ndoshta nuk është romani më i madh, në fund të fundit!” Në vitet e mëvonshme, Sontag-u e shpërfilli Mann-in, duke u dhënë lavdata më të larta Proust-it, Kafka-s dhe Beckett-it. Te “Kundër interpretimit“, ajo kritikoi mungesën e forcës së papërpunuar të Mann-it: “Ndonjëherë një shkrimtar ndihet aq i pasigurt përballë fuqisë së zhveshur të artit të tij, saqë do të instalojë brenda vetë veprës – ndonëse me pak turp, me një prekje të shijes së mirë të ironisë – interpretimin e qartë dhe të shprehur të saj. Thomas Mann-i është një shembull i një autori të tillë tepër bashkëpunues.”
Shumë lexues të veprës gjithë labirinte të Man-it do ta shohin këtë formulim si të habitshëm, por mbase ai pasqyron sjelljen e tij atë ditë në Pacific Palisades.
Shqetësimi i Mann-it mund t’i ketë patur rrënjë më të thella. Në ditarin e tij të datës 28 dhjetor, 1949, takimi me Sontag-un dhe të tjerët kalon shpejt: “Pasdite, intervistë me tre studentë nga Chicago rreth ‘Malit Magjik’“. Çështje të tjera po e brenin. “Dje përfundova esenë e ashpër ‘Me rastin e një reviste’“, shkruante ai. “Botimi i saj kërkon shumë mendim, pasi mund të shkaktojë rrënimin tim këtu“.
Ky artikull, i frymëzuar nga periodiku zviceran Extempore, u konceptua si një denoncim kumbues i histerisë antikomuniste, sipas stilit të artikullit “J’Accuse” (Unë akuzoj) të Zola-së. Vetë Mann-i ishte sulmuar me akuza për anshmëri ndaj të kuqve dhe prirje si “bashkëudhëtar” i tyre.
Gjuha e thiktë i ngjante Gjermanisë së viteve para 1933-shit. “Me rastin e një reviste,” me gjasë i synuar për Aufbau-n, vajtonte “rënien tronditëse morale” të Amerikës, dënonte “mjegullimin fashist” në media dhe demaskonte mbështetjen për Shahun e Iranit. Ai nuk u botua kurrë. Më 1952, Mann-i u largua sërish në ekzil, duke i kaluar vitet e tij të fundit në Zvicër. Kur qeni Niko ngordhi, pasardhësi i tij u pagëzua Alger, sipas Alger Hiss-it.
Nëse me pak gjasë Mann-i do t’ua kishte zbuluar vizitorëve betejat e tij private, a do të kishte menduar më mirë Sontag-u për të? Jo domosdoshmërisht. Te “Pilgrimage“, ajo shfaqet përçmuese ndaj angazhimit politik të autorit: “Mann-i kishte staturën e një orakulli në Amerikën bien-pensant të Roosevelt-it, duke shpallur ligësinë absolute të Gjermanisë së Hitlerit dhe fitoren e ardhshme të demokracive.”
Emigrimi nuk e kishte zbehur shijen apo talentin e tij për të qenë një figurë përfaqësuese.” Sontag-u, përkundrazi, po drejtohej drejt një lloj estetizimi të erotizuar. Te “Shënime mbi ‘Camp-in'” (1964), ndjeshmëria homoseksuale që ajo kishte hulumtuar me Merrill Rodin-in lëvdohet si “e shkëputur, e depolitizuar- ose si të paktën apolitike”. Më vonë ajo i rregulloi pozicionet e saj mbi artin politik, por Mann-i nuk e rifitoi kurrë shkëlqimin e tij të dikurshëm në galerinë e saj të madhështisë.
Nuk është e pamundur të imagjinohet se çfarë mund të kishte thënë Mann-i nëse do t’i paraqitej dilema e turpit të Sontag-ut. Ai kishte kohë që bluante në mendje problemin e artistit karizmatik, mbi rreziqet e fshehura të kulteve estetike. Kjo temë lundron përmes romanit të atëhershëm të preferuar të Sontag-ut, “Mali Magjik”, dhe përfshin tërësisht “Doktor Faustus-in”, rrëfimin për një gjeni dhe për një komb të çmendur.
Mann-i mund të kishte argumentuar se ka një virtyt jo vetëm moral, por edhe artistik në të qenit i rëndomtë dhe banal prej së jashtmi. Kjo është një mbrojtje kundër manisë. Adhurimi i madhështisë, në rastin më të mirë çon në zhgënjim dhe, në rastin më të keq, në çmendurinë e shpërthyer nga Hitleri vagnerian. Çdo pelegrinazh është i dyshimtë: Mann-i e përçmonte të shenjtën e Wagner-it në Bayreuth pikërisht për këto arsye. “Vetëm për njerëzit shumë të rinj,” shkruante ai, “admirimi dhe adhurimi janë e njëjta gjë.”
Përktheu (me pak shkurtime): Arlinda Guma
Marrë nga The New Yorker