Teuta Sadiku
Abstrakt
Mungesa e leximeve krahasuese dhe ndërdisiplinare të poezisë shqipe bashkëkohore çoi në analizën e poezisë së Petraq Ristos si një model poetik bashkëkohor. Poetika e Ristos ndërton figurën e subjektit lirik në një hapësirë kufitare, të konceptuar si skaj ontologjik dhe etik.
Duke u mbështetur në një qasje ndërdisiplinore që përfshin filozofinë ekzistenciale, antropologjinë kulturore dhe teorinë e tragjedisë, artikulli synon të kontribuojë në studimet bashkëkohore të poezisë shqipe mes një leximi krahasues dhe teorik duke evidentuar risitë dhe kufizimet estetike të kësaj poetike.
Poezia e Petraq Ristos përfaqëson një model poetik të ri në poezinë shqipe bashkëkohore, ku subjekti lirik vendoset në një kufi ontologjik, një skaj që funksionon si hapësirë e filozofizë ekzistenciale, vetëdije e kufirit ndërsa antropologjia e quan një rit i përhershëm, kalimi pa përfundim.
Fjalët kyçe
Simbolika e dritës, poetika korale, mitologji moderne, estetika e kufirit, përgjegjësia morale.
Të jetosh në skaj, aty ku drita harrohet nga shikimi.
Që në hyrje shënohet një ndarje epistemologjike mes dritës dhe shikimit, duke sugjeruar se njohja, drita nuk është më e aksesueshme për perceptimin e drejtpërdrejtë. Skaji, sipas filozofisë ekzistenciale, lexohet si hapësirë e një jetë në të cilën nuk të jepen detyra.
Vargu
Jeta nuk të jep detyra
përbën një thyerje radikale nga modeli antik. Në tragjeditë antike jeta të jep detyra edhe kur ato janë të papërballueshme. Në poezinë moderne të Ristos detyra mungon dhe është kjo mungesë e detyrës ç’ka bën vetë tragjedinë. Në antikitet heroi tragjik është i lartësuar edhe kur bie, Antigona, Prometeu, janë figura që përballen deri në fund me fatin, subjekti i Ristos është pa emër, pa rol shoqëror, pa detyra, pra ai është një antihero modern, i vetmuar, në periferi, që e pranon dhimbjen, vuajtjen dhe nuk lufton, por jeton brenda fatit të tij në heshtje.
Mungesa e detyrës këtu nuk është liri, po një zbrazëti etike, ku mbetet vetëm folja “vuaj”. Poezia i afrohet mendimit ekzistencialist ku njeriu përballet me absurditetin, jo si revoltë, por si qëndrim i ngrirë ndaj vuajtjes. Folja “vuaj” nuk shërben në të vepruar, por thjesht dëshmon gjendjen. Gjuha në këtë rast nuk është mjet komunikimi, por një regjistër i dhimbjes.
Për nga antropologjia kulturore skaji funksionon si hapësirë kufitare, limit, ku subjektit i hiqen shenjat identitare.
Pa mure, pa fytyra, helmeta pa koka, këpucë pa këmbë.
Mungesa e mureve dhe e fytyrave, nënkupton rrëzimin e strukturave që ndërtojnë subjektin shoqëror dhe etik. Në këtë kuptim skaji është një hapësirë e ekspozimit total, ku njeriu mbetet pa maskë dhe pa strehë, i zhveshur, lakuriq e këmbëzbathur.
Poezia e Ristos nuk komenton por mitizon gjendjen, duke rikrijuar funksionin e korit, shërbyeseve, në tragjedinë greke, një zë i ndërmjetëm mes njeriut dhe fatit.
Kori shkëlqen Hëna e re e shteg
Loja me fjalën në poetikën e Ristos e shndërron etimologjinë në mjet interpretimi filozofik, ku miti shpërbëhet në erë, në frymë të paqëndrueshme. Në tragjeditë antike, gjuha e Eskilit, Sofokliut, është solemne, plot mite, tek Petraq Ristoja gjuha është vetërefleksive, një lojë gjuhësore që tregon se miti nuk funksionon më si strukturë kuptimi por si fragment i shpërbërë.
Në skaj, po çfarë të bëj në skaj
Në poezinë e Petraq Ristos trupi funksionon si kategori simbolike përmes të cilës artikulohet kriza e identitetit historik dhe kulturor. Figura të tilla si helmeta pa kokë, këpucët pa këmbë, paraqesin një trup të fragmentuar, duke shenjuar shkëputjen midis subjektit dhe përvojës së plotë njerëzore. Këto metafora nuk operojnë në nivel dekorativ, por ndërtojnë një diskurs mbi dehumanizmin dhe reduktimin e individit në shenja të zbrazëta funksionale. Në këtë kuptim, trupi shndërrohet në hapësirë ku ndërthuren dhuna historike, humbja e subjektivitetit dhe pamundësia e rikthimit në një identitet të tërësishëm. Në poezinë e tij, autori ndërton një diskurs poetik, ku poetika nuk synon estetizimin e dhimbjes, por funksionon si një akt etik i kujtesës
Risi në poezinë e Ristos
Rikthen tragjiken në poezinë bashkëkohore, tragjedia nuk riprodhohet por kthehet në formë. Autori fut korin në poezi, si një strukturë korale moderne.
Një element risi në poezinë e Ristos është formulimi paradoksal
Kujt e sa – Fajtor pa faj
Në se tek Eskili faji është metafizik dhe i trashëguar sepse tragjedia antike e lidh fajin me rendin hyjnor, tek Petraq Ristoja faji është ekzistencial dhe i pashmangshëm sepse faji në poezinë moderne lidhet me vetminë dhe me zbrazëtinë e kuptimit. Subjekti lirik te poetika e Ristos nuk fajësohet për një akt konkret por për vetë qenien e tij në skaj, në periferi. Kjo është risi, një transformim modern i fajit tragjik.
Në tragjedinë greke, kori përfaqëson komunitetin, ndërgjegjia etike e polis-it, kurse te Petraq Ristoja kori nuk moralizon, nuk këshillon, nuk flet në emër të qytetit. Kori te autiri është kozmik dhe fatalist, nuk e ndihmon subjektin, por e vëzhgon. Hëna, nata, nuk janë figura dekorative, por forca strategjike.
Nata vdekjen ka strateg
Poetika e Ristos këtu afrohet më shumë me Eskilin sepse forcat kozmike jepen mbi njeriun sesa me Sofokliun, ku etika njerëzore përpiqet të përballet me fatin.
Poezia e Petraq Ristos lexohet si një tragjedi pa skenë, një kor pa polis-in, një hero pa detyra. Edhe pse e ruan strukturën tragjike antike, ajo është e zhveshur nga besimi në rendin hyjnor. Heshtja ekzistenciale e njeriut ka zënë vend në poezinë moderne.
Edhe pse poetika e Ristos ka risi, ajo në dialog me poezinë moderne bashkëkohore ka kufizimet e saj estetike .Mungesa e konfliktit dinamik, abstraksioni i tepruar, tonaliteti i pandryshuar, një homogjenitet total.
Këto nuk ia ulin vlerën poetikës së Petraq Ristos por e pozicionojnë saktë si një poetikë që karakterizohet nga thellimi ekzistencial, një etikë e qartë e fjalës, si dhe prirja për strukturim meditativ, ku poezia nuk zhvillohet si rrëfim, por si gjendje mendimi. Lirizmi është i menduar, e ndjenja kalon përmes reflektimit filozofik.
Në kontekstin e letërsisë shqipe, poezia e Ristos zë një vend të veçantë, jo si poezi angazhuese, as si poezi eksperimentale formale, por si një poezi serioze reflektive dhe etike që i reziston kohës. Në poezinë e Ristos, mitologjia moderne shfaqet si një proces i rimitizimit të përvojës historike. Në poezinë e tij nuk rikthehen figurat mitike tradicionale, por ndërtohen arketipe bashkëkohore, ushtari pa trup, trupi pa kokë, subjekti kolektiv i zhveshur nga identiteti. Këto figura funksionojnë si mite moderne në të cilat trauma historike dhe përvoja shndërohen në struktura simbolike të qëndrueshme. Historia, trupi dhe kujtesa kolektive zëvendësojnë narrativat sakrale të miteve klasike.
_________
Bibliografia
Ernest Cassirer ,An Essay on Man
Paul Ricoeur,The Symbolism of Evil.
Roland Barthes ,Mythologies
Homer ,Iliada
Julia Kristeva Powers of Horror Black Sun.
Teuta Sadiku
Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë dega Gjuhë -Letërsi Shqipe në Universitetin e Tiranës. Interesat e saj kërkimore përfshijnë poetikën moderne,mitologjinë kulturore dhe analizën filozofike të tekstit letrar.
Ndonjëherë -Julia Gjika
Ndonjëherë -Julia Gjika Ndonjëherë sekonda të fundos,të hedh tre pashë nën dhe.Ngritja