Pikërisht si një fantazmë, Marksi sillet me libër në xhep në qiellin e romanit të Gumës…
Tinka Kurti
Marksi ka humbur kujtesën.
Karl Marksi, ai vetë.
Nga qielli i përcjell ngjarjet në Tokë, shoqërohet me Danten, luan tenis, por libri i tij nuk i kujtohet. “Kapitali”, vepra madhore, e njohur botërisht, nuk i thotë asgjë autorit. Ai nuk mban mend asnjë shkronjë. Asnjë prej vëllimeve. As vepra të tjera.
Ky është titulli romanit të shkrimtares Arlinda Guma:
“Marksi ka humbur kujtesën”.
Kjo është ironia e saj e thellë.
Një libër me personazhe në tokë dhe në qiell. Por edhe një libër për një tjetër libër. Për Kapitalin që askush nuk e njeh përtej titullit. Të gjithë dinë citime nga citimet. Askush nuk e njeh mirë, të gjithë nga pak. Ata që e lexuan, i bishtnuan duke pranuar të moskuptuarit e tij. Ata që e lexuan përciptazi e keqkuptuan. Ndërkohë të shumtë janë ata që nuk e lexuan.
Ekzistenca e tij ndërkaq nuk mohohet. Pikërisht si një fantazmë, Marksi sillet me libër në xhep në qiellin e romanit të Gumës… Një libër i palexuar, një libër i papërdorur, një libër diku i djegur, diku aksesor; ç’ka mund të jetë tjetër pos i harruar…
Pavarësisht disa ngjarjeve vendosur në qiell, romani i Gumës nuk është një libër “qiellor”. Përkundrazi, është shumë jetësor. Është jeta moderne me sfidat e saj etike.
Ky është një roman që e ruan dhe që e zhvillon emocionin. Paradoksalisht, në ditët e sotme kur emocioniteti është në krizë të thellë, libri e sjell këtë emocion ashtu ftohtë dhe ngrirë, siç koha e kërkon.
Pikërisht një kritikë për kohën.
Vetë personazhi i Toska M’Buzatit është një kritikë e tillë. Një rikujtim se sa e vështirë është ruajtja e skrupujve, denoncimi i korrupsionit, moskonfirmimi me shoqërinë e parasë si Zot. Këto janë tiparet e këtij personazhi. Tiparet rezistuese. Tiparet që nuk hasen sot në media, të cilat Guma me qëllim i ka shquar. Kështu Toska, heroina e Gumës, një grua e re që përfaqëson pavarësinë; jo vetëm financiare por edhe ideologjike e karakteriale, duke u distancuar nga lakmia për pushtet, duket si një specie në rrezik zhdukjeje.
Megjithatë është e lehtë të bashkëndiesh me këtë personazh. Me shqetësimet e saj. Me jetën aktive të saj dhe me dashurinë e saj të vetmuar. Një personazh, bindjet dhe shijet e të cilës janë ndërtuar nga veprat më të mira. Këtë e përçon shumë natyrshëm autorja. Nëpërmjet dialogjeve ku ajo përfshihet, romani bëhet një libër që e nderon gruan. Nganjëherë mjafton të mos mohohet intelekti i grave dhe niveli i letërsisë rritet vetëvetiu.
Usiani, ndërkohë një avokat i sukseshëm, përfaqëson pikërisht atë që nuk përmendet, por që shoqërohet shpesh me fjalën avokat; djallin. Prej të cilit mund të vijë braktisja, lëndimi, tradhtia. Dhe duke qenë i kundërt me Toskën, jo vetëm personazhet e tjerë befasohen me lidhjen e tyre, por edhe lexuesit mund të mendojnë pse autorja e ka bërë të mundur diçka vërtet të pamundur. Kah fundi i librit, personazhi i Usianit, i thyer dhe i penduar, i shkruan një e-mail Toskës. Asaj nuk i pëlqen përmbajtja por lexuesit mund t’i pëlqejë stili letrar përdorur aty. Këtu është aftësia e autores për ta bërë atë jo një personazh thjesht negativ, por më intrigues se kaq. Duket si dikush që ka vetë talent të shkruajë, ndoshta andaj e tërheq personazhi i Toskës.
Kjo është aftësia e autores Arlinda Guma, ta nxjerrë në pah këtë tipar shumë hollë… Pra, si dikush që ka studiuar drejtësinë duke dashur letërsinë, që ka kalkuluar fitimin mbi pasionin, që ka shitur shpirtin. Për këtë shkak, autorja e përfshin atë pikërisht me shpirtin. Në formë shumë ironike, pa e thënë banalisht, ai që ka shitur shpirtin, i shkruan asaj për një lajm që ka lexuar në lidhje me shpirtin; sa gramë duhet të peshojë shpirti i njeriut?… Ai e përmend këtë si metaforë për t’u afruar me temën për të cilën do t’i flasë asaj, por realisht në libër lexuesi nënkupton se ky është ai që e ka vënë shpirtin në tezgë pazari.
Këto detaje nuk thërrasin, por e përbëjnë librin. Sikurse një shembull tjetër me të cilin autorja nuk kritikon industrinë e estetikës me të gjitha përmasat e saj sot. Thjesht, libri përmend një lajm ndërkombëtar që në Arabinë Sauditë është anuluar një konkurs bukurie për devetë, i cili parashihte 60 milionë dollarë për fituesin, por për shkak të sasisë së madhe të botoksit përdorur tek këto kafshë, konkursi duhej përsëritur. Sigurisht që libri merr vlerë për kategorinë “ato që shihen nuk thuhen”.
“Marksi ka humbur kujtesën” është një roman i shkruar me një imagjinatë shumëplanëshe, stilistik për sa i përket gjuhës dhe i mençur.
“Marksi ka humbur kujtesën” është një roman metaforik, ironik. Por është edhe një roman politik.