Toby Faber
Historia e botimeve është e mbushur me rrëfime autorësh që patën refuzim pas refuzimi — shpesh për vite me radhë — përpara se të gjenin më në fund një botues të gatshëm për t’i marrë përsipër. Historitë e tyre përmenden si inkurajim për çdo shkrimtar që përpëlitet: këmbëngul dhe përfundimisht do t’ia dalë. Po aq, sigurisht, ato mund të lexohen edhe si përralla paralajmëruese për botuesit: “Shikoni sa budallenj u treguat,” duket se thonë ato. “Mësoni nga gabimet tuaja.”
Nuk jam i sigurt nëse pajtohem me gjysmën e parë të këtij qortimi. Detyra kryesore e një botuesi është ta ushtrojë shijen e tij në përzgjedhjen e asaj që do të botojë. Askush nuk mund të pretendojë që t’ia qëllojë gjithmonë dhe mbase është më mirë të gabosh duke qenë përzgjedhës sesa duke botuar gjithçka e çdo gjë. Sidoqoftë, ideja se duhet të mësojmë nga gabimet tona — ose të paktën t’i pranojmë ato — është shumë më bindëse. Tekefundit, kjo shërben për të frenuar atë mendjemadhësinë që përndryshe mund të të rrëmbejë.
Ka shumë çaste të historisë së shtëpisë botuese “Faber” që më bëjnë krenar, por nuk ka asgjë të keqe të kujtojmë sesi ajo histori përfshin edhe ndonjë gafë të rastit.
T. S. Eliot-i refuzon W. H. Auden-in.
T. S. Eliot-i drejtuar W. H. Auden-it, 9 shtator, 1927:
Më duhet t’ju kërkoj ndjesë që i mbajta poezitë tuaja për një kohë kaq të gjatë, por jam shumë i ngadaltë në marrjen e vendimeve. Nuk ndiej se ndonjë prej tyre që tani po jua bashkëngjis është plotësisht e duhura, por do të isha shumë i interesuar ta ndiqja punën tuaj në vijim. Më vjen keq që jam tepër i zënë për t’ju dhënë ndonjë kritikë të detajuar që do t’u bënte drejtësi poezive, ndaj sugjeroj që sa herë që të ndodheni në Londër të më njoftoni; do të isha shumë i lumtur nëse do të dëshironit të vinit e të më takonit.
Auden-i nuk u shkurajua nga kjo përgjigje, ai i shkroi Christopher Isherwood-it: “Në tërësi, duke patur parasysh rezidencën e Eliot-it, mendoj se kjo është vërtet mjaft lëvduese.”
Për më tepër, refuzimi ishte vetëm i përkohshëm. Botimi nga Faber-i në vitin 1930 i vëllimit të Auden-it me titullin e thjeshtë Poems, ishte një nga treguesit e parë se shtëpia botuese po kërkonte të bëhej flamurmbajtësja e poezisë së re. Deri në kohën kur Auden-i vdiq në vitin 1973, shoqëria kishte botuar diku te 20 përmbledhje që mbanin emrin e tij.
Një lexues në redaksi i dorëshkrimeve për Zotin e Mizave:
“Mbeturinë dhe e mërzitshme. Pa asnjë kuptim. Refuzojeni.
T. S. Eliot-i refuzon James Joyce-in.
T. S. Eliot-i drejtuar James Joyce-t, 20 prill, 1932:
I kemi hyrë çështjes së botimit të Uliksit në Angli aq hollësisht sa ka qenë e mundur, dhe kemi marrë çdo mendim të disponueshëm mbi perspektivat. [. . .]
Jemi këshilluar se me siguri do të ndiqemi penalisht dhe do të marrim edhe gjoba të rënda, me mundësinë që kryetari i bordit të detyrohet të kalojë gjashtë muaj në burg, gjë që në vetvete do të ishte katastrofale për biznesin. Më tej, mendimi i përgjithshëm është se një ndjekje e tillë penale me siguri që do të ndodhë.
Është e vështirë të besohet sot shkalla në të cilën botuesit ishin të kufizuar nga censura deri në vitet 1960. E paralizuar nga frika e ndjekjes penale për turpëri, shoqëria u detyrua të shikonte në vitin 1934 se si The Bodley Head u bë botuesi britanik i Uliksit. Faber-i, megjithatë, kishte filluar tashmë botimin e fragmenteve nga ajo që në atë kohë quhej “Punë në proces” (Work in Progress) dhe që do të botohej e plotë si Zgjimi i Fineganëve (Finnegans Wake) në vitin 1939.
T. S. Eliot-i refuzon George Orwell-in: Pa Shtëpi dhe Pa Katandi në Paris dhe Londër.
T. S. Eliot-i drejtuar Eric Blair-it (George Orwell), 19 shkurt, 1932:
Më vjen keq që e mbajta dorëshkrimin tuaj. Na u duk vërtet me interes të madh, por me keqardhje më duhet të them se nuk më duket i mundshëm si sipërmarrje botuese. Është padyshim tepër i shkurtër dhe veçanërisht për një libër të asaj gjatësie, më duket i ndërtuar me shumë shthurje, pasi episodet franceze dhe angleze ndahen në dy pjesë me shumë pak gjëra që i lidhin së bashku.
T. S. Eliot-i e refuzoi dorëshkrimin Pa Shtëpi dhe Pa Katandi në Paris dhe Londër (Victor Gollancz-i përfundimisht e botoi atë në vitin 1933) dhe me këtë humbi shansin për ta marrë nën patronazh George Orwell-in në fillimin e karrierës së tij. Ai do të kishte një tjetër mundësi më vonë.
T. S. Eliot-i refuzon George Orwell-in, sërish: Ferma e Kafshëve
T. S. Eliot-i drejtuar George Orwell-it Shkëlqesisë së Tij, 13 korrik, 1944:
“E di që dëshironit një vendim të shpejtë rreth Fermës së Kafshëve; por minimumi kërkohet mendimi i dy drejtorëve dhe kjo nuk mund të bëhet për më pak se një javë. Po të mos ishte rëndësia e shpejtësisë, do t’i kisha kërkuar edhe Kryetarit t’ia hidhte një sy. Por drejtori tjetër është në një mendje me mua për pikat kryesore. Ne pajtohemi se është një shkrim i shquar; se fabula është trajtuar me shumë mjeshtëri dhe se narrativa e mban interesin e lexuesit në planin e vet – dhe kjo është diçka që shumë pak autorë e kanë arritur që pas Guliverit.
Nga ana tjetër, ne nuk jemi të bindur (dhe jam i sigurt që asnjë nga drejtorët e tjerë nuk do të ishte) se kjo është pikëpamja e duhur nga e cila duhet kritikuar situata politike në kohën e tanishme. [. . .]
Më vjen shumë keq, sepse kushdo që e boton këtë, natyrisht që do të ketë mundësinë të botojë edhe veprat tuaja të ardhshme: dhe unë e vlerësoj punën tuaj, sepse është një shkrim i mirë me integritet themelor.
Është ky paragrafi i fundit që më bën përshtypje veçanërisht: duke refuzuar Fermën e Kafshëve — në thelb sepse ishte “e pasjellshme” ndaj aleatëve tanë sovjetikë — Eliot-i po refuzonte gjithashtu edhe veprën ende të pashkruar, 1984.
Faber-i “pothuajse” refuzon Zotin e Mizave të William Golding-ut.
William Golding-u drejtuar Faber & Faber, 14 shtator, 1953:
Po ju dërgoj daktilografimin e romanit tim Të huaj së brendshmi (Strangers From Within), i cili mund të përkufizohet si një interpretim alegorik i një situate klishe. Shpresoj se do ta shihni të arsyeshme ta botoni.
Shënimet e lexuesit të dorëshkrimeve në redaksi të shtëpisë botuese Faber janë të shkruara me dorë në këndin e sipërm majtas të letrës shoqëruese:

Koha: e ardhmja. Fantazi absurde dhe aspak interesante rreth shpërthimit të një bombe atomike në koloni. Një grup fëmijësh që zbarkojnë në një xhungël afër Guinesë së Re. Mbeturinë dhe e mërzitshme. Pa asnjë kuptim. Refuzojeni.
Redaktori Charles Monteith — i cili kishte vetëm pak javë që kishte nisur punën me shtëpinë botuese — vazhdoi leximin përtej atij kapitulli të parë “mbeturinë dhe të mërzitshëm”, për të gjetur diçka shumë më interesante. Faber-i e riemërtoi romanin Zoti i Mizave (Lord of the Flies) dhe e botoi në vitin 1954. Vetëm botimi i Faber-it vazhdon të shesë mbi 100,000 kopje çdo vit.
Faber-i refuzon Ariu Paddington
Raporti mbi librin Një ari i quajtur Padington nga Michael Bond, 28 gusht, 1957:
Mendoj se autori nuk e ka goditur shenjën në këtë histori rreth një ariu të birësuar nga një familje e klasës së mesme me mbiemrin Braun. Nëse nuk gabohem, ai synon që kjo të jetë komike, por të gjitha shakatë bëhen në kurriz të ariut; Braunët e trajtojnë atë pothuajse siç imagjinoj se do të trajtonin një ‘të huaj’ dhe, meqenëse të gjitha simpatitë dhe pëlqimet tona janë me ariun, është e vështirë të qeshësh bashkë me autorin. Për më tepër, anëtarët e familjes Braun janë budallenj të përsosur; ata e lënë atë — i cili nuk di asgjë nga pajisjet moderne — të lahet vetëm dhe pothuajse të mbytet; ata e humbin dy herë, një herë në metro dhe një herë në një dyqan të madh, thjesht prej pakujdesisë — e kam fjalën për prindërit Braun. Jo — sinqerisht, pjesa më e mirë e librit qëndron te titulli i tij.
Është pikëpamja e mëvonshme, sigurisht, ajo që e bën sigurinë e atij gjykimi përfundimtar aq argëtues. Si pjesë e Faber-it, ndiej vetëm keqardhje, por si lexues, jam i lumtur që një botues tjetër e vlerësoi drejt.
Pavarësisht këtyre gabimeve, redaktorët e Faber-it kanë marrë mjaftueshëm vendime të mira gjatë historisë së saj, saqë shoqëria ka krijuar një reputacion të jashtëzakonshëm si botues letrar. Deri më sot, shkrimtarët e saj kanë fituar trembëdhjetë çmime Nobel, shtatë çmime Booker dhe njëmbëdhjetë çmime Pulitzer për Poezinë. Jam, natyrisht, krenar për këtë rekord, dhe krenar që Faber-i e ka arritur këtë duke ruajtur pavarësinë e tij për 90 vjet.
____________________________________
Përshtatur nga: Faber & Faber: Historia e patreguar nga Toby Faber.
i
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga Literary Hub