Micah Mattix
Ivan Turgenev-i nuk është aq popullor sa dikur – të paktën jo në Perëndim. Gustave Flaubert-i e konsideronte atë “mjeshtër”. “Sa më shumë ju studioj, aq më shumë më lë pa fjalë aftësia juaj”, i shkroi ai romancierit pak më të vjetër se ai në moshë në vitin 1863. William Dean Howells-i shkroi në vitin 1895 se jeta “m’u shfaq me ngjyra të larmishme” pasi lexova Turgenev-in. “Kush tjetër përveç Turgenev-it”, vazhdonte Howells-i, “e ka ndier gjithë kuptimin e pasur dhe të trishtë të ajrit të natës që vjen nga dritarja e hapur; të zjarreve që digjen në errësirë në fushat e largëta?”
E majta dhe e djathta ruse e panë me mosbesim pas botimit të librit “Etër dhe Bij” (1862). Të parët mendonin se romani ishte tepër kritik ndaj revolucionarëve të rinj dhe të dytët se nuk ishte mjaftueshëm kritik. Por romani e bëri atë për një kohë të shkurtër dekanin e letërsisë ruse në sytë e Perëndimit – deri në botimin e librit “Krim dhe Ndëshkim” të Dostojevskit (1866) dhe “Lufta dhe Paqja” të Tolstoit (1867). Kritikët dhe romancierët e shekullit të njëzetë, duke ndjekur Henry James-in, e kanë parë atë kryesisht si një mjeshtër të portreteve dhe si një stilist të shkëlqyer, por që i mungonte pesha intelektuale. James-i e preferonte Turgeniev-in ndaj Dostojevskit dhe Tolstoit, por duke e lavdëruar romancierin për delikatesën dhe nuancën, në dëm të ideve të tij, ai e bëri atë thjesht një estet.
James-i mbante qëndrimin se portretet e Turgenev-it të shërbëtorëve rusë në librin e tij të parë, “Skica nga Albumi i një Gjahtari”, për shembull, ishin superiore ndaj librit “Kasollja e Xha Tomit” të Harriet Beecher Stowe-t pikërisht sepse Turgenev-i e argumenton çështjen e tij përmes “dëshmisë së grumbulluar të një morie detajesh të imëta”.
U është bërë jehonë “detajeve të imëta” të James-it në vërejtjen e Vladimir Nabokov-it se Turgenev-i “nuk ishte një shkrimtar i madh, por një shkrimtar i këndshëm”. Disa vjet më parë, A. N. Wilson-i, duke ndjekur Nabokov-in, shkroi se Turgenev-i mund të ketë qenë autor i disa “librave krejtësisht të këndshëm”, por se atij i mungon fuqia e Dostojevskit dhe ajo e Tolstoit. Edhe “Etër dhe Bij”, argumentonte Wilson-i, ishte një dështim. Ai është i përbërë nga “një set skenash të vizatuara bukur… personazhet janë realistë. Mobiljet, rrobat dhe ushqimi janë të gjitha të përshkruara me saktësi… Ne shohim tufa jargavanësh të sapokëputura, të rregulluara pranë samovarit… Mund t’i shohësh të gjitha. Por ka një boshllëk të plotë në këtë Letërsi Ruse-Të lehtë, që e lë lexuesin të uritur.”
Wilson-i ka të drejtë që “Etër dhe Bij” nuk është baras me librat më të mirë të Dostojevskit (megjithëse është më i mirë se “Vëllezërit Karamazov” sipas mendimit tim) apo me epikat e Tolstoit, por pretendimi i tij se është thjesht “i mirë” është po aq qesharak sa edhe i vjetëruar.
Në leksionin e tij të vitit 1970 mbi “Etër dhe Bij”: Turgenev-i dhe Rrethanat Liberale”, Isaiah Berlin-i vuri në dukje se Turgenev-i “shpesh përshkruhej si një estet i pastër dhe si një besimtar në art për hir të artit dhe se akuzohej për ikje nga realiteti dhe mungesë ndjenje qytetarie…” Megjithatë, këto përshkrime nuk i përshtaten atij. Berlin-i vazhdon të shqyrtojë kritikën delikate të Turgenev-it ndaj materializmit dhe nihilizmit përmes personazhit të Bazarov-it në roman.
Portreti ishte aq i saktë sa një nga miqtë liberalë të Turgenev-it, shkruan Berlin-i, i tha atij ta digjte dorëshkrimin “meqenëse do ta kompromentonte përgjithmonë me progresivët” dhe kështu rezultoi. Turgenev-i, sigurisht, refuzoi – pa dyshim me mirësjellje.
Një nga idetë e mëdha të Turgenev-it—si te “Shtëpia e Zotërinjve”, ashtu edhe te “Etër dhe Bij”—është se jeta kryesisht është e bërë prej humbjesh, megjithëse jo në mënyrë të pakthyeshme. Pyetja është se çfarë mund të shpëtohet dhe si.
Vendimet që marrim në rininë tonë – shpesh pa u menduar mirë, me pak kuptim për veten dhe botën – mund ta ndryshojnë rrjedhën e jetës sonë. Rezultati tragjik i këtyre vendimeve ndihet plotësisht vetëm kur atëherë është tepër vonë. Në raste të tjera, bota ndryshon pa ne, duke na lënë të huaj në shtëpitë tona dhe ne na mbetet shumë pak për të bërë në lidhje me këtë. Jeta është e padrejtë dhe u takon të rriturve, argumenton Turgenev-i, t’i përgjigjen kësaj gjendjeje, me përulësi dhe qetësi.
Në vepër, ne ndjekim jetën e Fyodor Lavretsky-t, pronar tokash i pasur, i cili bie në dashuri me një grua të bukur me emrin Varvara Pavlovna, pasi e sheh këtë të fundit në një opera në Moskë. Gjashtë muaj më vonë, martohen. Ata shpërngulen në Paris, ku Pavlovna bëhet një mikpritëse e njohur e salloneve të artistëve dhe gazetarëve. Pas njëfarë kohe, Lavretsky zbulon se ajo ka pasur një lidhje dashurie me një francez të ri në moshë. Në vend që ta divorcojë apo që të kërkojë anulimin e martesës, ai i jep asaj një të ardhur vjetore dhe e largon.
Pasi udhëton për në Itali, Lavretski kthehet në Rusi, ku bie në dashuri me një grua të re, por të virtytshme, të quajtur Liza. Edhe ajo ka ndjenja për të dhe duket sikur një martesë mund të jetë e mundur pasi Lavretski mëson se gruaja e tij ka vdekur.
Megjithatë, shpresat e tyre shuhen kur Varvara Pavlovna shfaqet papritur në shtëpinë e Lavretski-t me një vajzë në krah dhe e njofton atë për vendimin e saj për t’u vendosur në pronën familjare.
Liza i bashkohet një kuvendi murgeshash dhe Fyodor Lavretsky i jeton ditët e tij vetëm me kujtimet e kohës. Ndërsa Lavrestsky mund t’i ishte dorëzuar “një lloj skepticizmi të lirë universal”, si një nga personazhet e tjerë në roman, ai e pranon fatin e tij, duke njohur rolin që luajti në përcaktimin e tij, sado i padrejtë që mund të duket, pa shpërthyer në mënyrë fëminore. “Etër dhe Bij” është po aq i mençur.
Romani hapet me Nikolai Petroviç Kirsanov-in duke pritur në stacionin e trenit djalin e tij, Arkad-in, që kthehet nga universiteti për verën. Arkad-i mbërrin me një mik, një nihilist të quajtur Bazarov, i cili di gjithçka dhe i përqesh të gjithë ata që nuk janë dakord me të (veçanërisht vëllain e Nikolai-t, Pavel Petroviçin, për sjelljet e tij të vjetruara). Arkad-i, si një qenush, pëlqen gjithçka që thotë dhe bën Bazarov-i. Bazarov-i dhe Pavel-i debatojnë pa pushim. Bazarov-i ka përqafuar të gjitha mendimet e reja; Pavel-i është një tip i së kaluarës. Ai nuk u martua kurrë dhe u përmbahet idealeve të tij aristokratike sepse kjo është e vetmja gjë që i ka mbetur. Por ajo botë po ikën me shpejtësi dhe, siç shkruan Turgenev-i, “duke humbur të kaluarën e tij, ai humbi gjithçka”.
Në mes të romanit, pas një debati veçanërisht të nxehtë, Pavel-i ankohet me hidhërim: “Pra, kështu!… Pra, këta janë të rinjtë tanë të këtij brezi! Ata janë të tillë – pasardhësit tanë!” Kjo e çon Nikolai-n në një përfundim të vështirë që ai megjithatë e pranon: “Pasardhësit tanë!”, përsëriti Nikolai Petroviçi me një buzëqeshje të trishtuar. Ai ishte si i ulur mbi gjemba gjatë gjithë debatit dhe nuk kishte bërë gjë tjetër veçse i kishte hedhur një vështrim të fshehtë, me zemër të lënduar, Arkadi-t. “A e di çfarë më kujtoi, vëlla? Njëherë pata një grindje me nënën tonë të varfër; ajo u zemërua dhe nuk më dëgjoi. Më në fund i thashë: “Sigurisht, ti nuk mund të më kuptosh; ne i përkasim”, thashë, “dy brezave të ndryshëm”. Ajo u fye tmerrësisht, ndërsa unë mendova: “Nuk ka zgjidhje tjetër. Është një ilaç i hidhur, por duhet ta pijë”. E shikon, tani, radha jonë ka ardhur dhe pasardhësit tanë mund të na thonë: “Ju nuk jeni të brezit tonë; pini ilaçin.”
Mund të duket sikur Nikolai po dorëzohet shumë lehtë, por ka mençuri në dorëheqjen e tij, dhe ajo mençuri është kjo: Brezi i ri do t’ju zëvendësojë, pavarësisht nëse ju pëlqen apo jo, dhe do të mbështesë ide që ju i konsideroni të pamenduara ose të tmerrshme, dhe një ditë ju nuk do të mundni të bëni dot asgjë për ta ndryshuar këtë.
Po, të rinjtë mund të jenë të paturpshëm dhe tepër të sigurt në vetvete (kaq të sigurt në vetvete, në fakt, aq të frikësuar se mos duken sikur nuk dinë diçka, saqë nuk arrijnë ta kuptojnë sa e dukshme është maskarada). Një ditë, edhe ata do të zëvendësohen. Kjo nuk do të thotë që brezi i vjetër duhet thjesht të dorëzohet. Aspak. Nikolai nuk e bën këtë, por fjalimi i tij është i marinuar me kripën e përulësisë. Ai e di që është i kufizuar dhe gjen ngushëllim në faktin se edhe njerëzit e tjerë janë të kufizuar.
Nëse e keni lexuar romanin, e dini që ai ka një fund të lumtur si për Nikolai-n ashtu edhe për Arkad-in. Jeta mund të bëhet prej humbjesh, por edhe prej surprizash; herë pas here të këndshme. Megjithatë, këto surpriza rrallë shkaktohen nga veprimi i madh i një njeriu të madh. Ato thjesht ndodhin.
Turgenev-i ndoshta nuk ka qenë kurrë më parë jashtë mode saç është tani. Ai është stoik në kohën e aktivizmit, realist në kohën e fanatizmit dhe i moderuar në kohën e ekstremizmit.
Megjithatë, romanet e tij na kujtojnë se jeta nuk na detyrohet asgjë, pavarësisht se sa kërkesa i bëjmë (ose “të drejta” që pohojmë), dhe se ka një fisnikëri në të qenit i përgatitur të vuash për shkak të veprimeve të të tjerëve – duke e ditur se edhe ti i ke dëmtuar të tjerët në mënyra për të cilat nuk je i vetëdijshëm. Ishte kundër radikalizmit të të gjitha llojeve, besonte se ai i kthente njerëzit kundër njëri-tjetrit, gjë që çon në të gjitha llojet e të këqijave.
“Shtëpia e Zotërinjve” dhe “Etër dhe Bij” janë romane thellësisht humane, pikërisht sepse na kujtojnë se njerëzit janë njerëz – kurrë perëndi dhe rrallë bisha – të kufizuar dhe me të meta, po, por megjithatë të aftë për akte të qeta dashurie dhe sakrifice.
Përktheu: Arlinda Guma
Marrë nga Revista Humanities

Requiem: Si i bëri qëndresë Stalinit një poezi/Martin Puchner
Për të shmangur persekutimin nga Stalini, poetja Anna Akhmatova i dogji shkrimet dhe ia mësoi përmendësh