Është Natë dhe Ajo është e Vetmuar… Mahmoud Darwish

in Letërsi/Përkthim/Tharm by

Është Natë dhe Ajo është e Vetmuar… Mahmoud Darwish

Është natë dhe ajo është e vetmuar
edhe unë jam i vetmuar si ajo,
midis qiririt të saj dhe timit janë dy tavolina bosh
në këtë restorant dimëror.

Asgjë nuk e prish heshtjen midis nesh
Ajo nuk më sheh kur unë e kap duke këputur një trëndafil prej gjoksit
dhe unë nuk e shoh kur ajo më kap
duke pirë një gllënjkë nga vera që kam përpara…

Ajo nuk e thërrmon bukën
dhe unë nuk derdh ujë mbi mbulesën e tavolinës prej letre.
Asgjë nuk e prish qetësinë midis nesh
Ajo është vetëm dhe unë jam vetëm me bukurinë e saj.

Përse nuk na bashkon brishtësia? Pyes veten:
Pse të mos e shijoj verën e saj?
Ajo nuk më sheh ndërsa unë i shikoj këmbët e kryqëzuara
dhe unë nuk e shoh atë të më këqyrë ndërsa heq pallton.
Asgjë imja nuk e shqetëson atë
dhe asgjë e saj nuk më shqetëson mua,
ne jemi në harmoni me harresën

Darka jonë, secili më vete, është e shijshme.
Zëri i natës është blu, unë nuk jam vetëm dhe ajo nuk është vetëm
ndërsa të dy dëgjojmë së bashku kristalin e tingullit të saj.
Asgjë nuk e trazon qetësinë e natës sonë.
Ajo nuk thotë:
Dashuria lind si një krijesë e gjallë
dhe pastaj bëhet ide.
E unë nuk them:
Dashuria është bërë ide…
Por kështu duket se është.

Piktura: Edward Hopper

Përktheu: Arlinda Guma

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Go to Top