Ars Poetica?-Czesław Miłosz
Gjithmonë kam synuar një formë më të gjerë
që të ishte e lirë nga kërkesat e poezisë apo prozës
e që do na lejonte ta kuptonim njëri-tjetrin
pa e ekspozuar
autorin apo lexuesin ndaj mundimeve sublime.
Ka diçka të padenjë në vetë thelbin e poezisë:
rrjedh jashtë një gjë që nuk e dinim se e kishim brenda vetes,
e ne pulisim sytë, sikur një tigër të ketë kërcyer prej nesh
e të qëndrojë në dritë, duke fshikulluar bishtin.
Ndaj, me të drejtë thuhet se poezia diktohet nga një daimonion*,
ndonëse do ta tepronim nëse do të pohonim se ai duhet të jetë engjëll.
Është e vështirë ta gjesh se nga vjen ajo krenari e poetëve,
kur kaq shpesh turpërohen ata nga shpërfaqja e brishtësisë së tyre.
E cili njeri i arsyeshëm do të donte të ishte një qytet dëmonësh,
që sillen sikur të ishin në shtëpinë e tyre, flasin në shumë gjuhë,
dhe që, të pakënaqur me vjedhjen e buzëve apo të dorës së tij,
punojnë për t’ia ndryshuar fatin për leverdinë e tyre?
Është e vërtetë se ajo që është e zymtë çmohet lart sot,
ndaj ju mund të mendoni se unë thjesht po ngas një shaka
apo se kam shpikur vetëm një mjet tjetër për të lëvduar Artin me ndihmën e ironisë.
Ishte një kohë kur lexoheshin vetëm libra të urtë,
që na ndihmonin të përballonim dhimbjen dhe mjerimin.
Kjo, fundja, nuk është krejt e njëjtë me shfletimin e mijëra veprave të sapodala nga klinikat psikiatrike.
E megjithatë bota është ndryshe nga ç’duket dhe ne jemi ndryshe nga sa e shohim veten në kllapitë tona.
Prandaj njerëzit ruajnë një integritet të heshtur
duke fituar kështu respektin e të afërmve dhe fqinjëve.
Qëllimi i poezisë është të na kujtojë se sa e vështirë është të mbetesh një person i vetëm,
sepse shtëpia jonë është e hapur, nuk ka çelësa nëpër dyer,
dhe mysafirë të padukshëm hyjnë e dalin si të duan.
E pranoj, çfarë po them këtu nuk është poezi,
sepse poezitë duhen shkruar rrallë dhe me ngurrim,
nën një trysni të padurueshme dhe vetëm me shpresën se
shpirtrat e mirë, e jo të ligjtë, na zgjedhin si instrument të tyre.
_______
*Daimonion – i referohet konceptit antik grek të një shpirti udhëheqës ose forcë hyjnore që frymëzon krijimtarinë.
Përktheu: Arlinda Guma
Dashuria-Czeslaw Milosz
Dashuria-Czeslaw Milosz Dashuri do të thotë të mësosh ta shikosh veten ashtu siç kundron gjërat e