Vertigo-Analiza e femrës fatale: E vetmja grua e mirë është një grua e vdekur!-Slavoj Žižek

in Kinema by

Vertigo-Alfred Hitchcock

   

Slavoj Žižek

Shpesh gjërat fillojnë si trillim, si diçka joautentike dhe artificiale, por ku ti bie në kurthin e vetë lojës tënde. Dhe kjo është tragjedia e vertetë e Vertigo-s. Vertigo është një histori për dy njerëz, të cilët, secili në mënyrën e tij ose të saj, bien në kurthin e lojës së tyre të dukjeve. Për të dy, Madeleine dhe Scottie, dukjet fitojnë përmbi vetë realitetin.

Cila është historia e Vertigo-s?

Është historia e një polici që ka dalë në pension dhe që ka frikë patologjike nga lartësitë për shkak të një aksidenti në punë, dhe pastaj një mik i tij i vjetër e punëson për të ndjekur gruan e tij të bukur, të interpretuar nga Kim Novak. Gruaja është e pushtuar mistershëm nga fantazma e një bukurie spanjolle të së shkuarës, Carlotta Valdes. Ata bien në dashuri dhe gruaja vetëvritet. Pjesa e parë e Vertigo-s, me vetëvrasjen e Madeleine-s, nuk është aq shkatërruese nga sa mund të ishte. Ajo është një humbje e tmerrshme, por në këtë humbje mbijeton ideja. Ideja e gruas fatale të zotëron krejtësisht. Ajo që qëndron përfundimisht pas këtij imazhi magjepsës është vdekja.

Magjepsja me të bukurën është gjithmonë velloja që në fakt mbulon një makth. Ashtu si ideja e një krijese magjepsëse, por nëse i afrohesh shumë afër do të shikosh mut, kalbësi, dhe krimba që zvarriten kudo. Humnera përfundimtare nuk është një humnerë fizike, por humnera e një personi tjetër. Kjo është ajo që filozofët e quajnë nata e botës. Kur e shikoni një person në sy do të shikoni humnerën. Kjo është spiralja e vërtetë që na tërheq për tek ajo.

Scott-i i vetmuar, i thyer nuk mund ta harrojë atë dhe endet nëpër qytet duke kërkuar për një grua, një grua të ngjashme si gruaja e vdekur. Ai zbulon një vajzë të zakonshme, thuajse vulgare, dhe morali këtu është njësoj si shakaja e Vëllezërve Marx; “ky burrë duket si idiot”, sillet si idiot, mos u mashtroni prej tij, ai është një idiot.” Gruaja e re, e sapogjetur, ngjan me Madeleine-n, sillet si Madeleine, bukuria fatale, dhe ai zbulon që ajo është Madeleine. Ajo që mësojmë është se miku i Scottie-t, i cili punësoi Scottie-n, gjithashtu ka punësuar edhe këtë grua, Judy-n për të luajtur Madeleine-n në një komplot djallëzor për të vrarë Madeleine-n e vërtetë, gruan e tij.

Filmimi në profil tek “Vertigo”, është ndoshta filmimi kyç në të gjithë filmin. Aty kemi Madeleine-n, apo si të themi, identitetin e Judy-t në të gjithë tensionin e saj tragjik. Ajo paraqet sfondin e errët për profilin tjetër magjepsës të Madeleine-s në restorant. Scottie është shumë i frikësuar dhe ka turp ta shikojë atë drejtëpërdrejtë. Është sikur ajo që ai po shikon të ishte “stofi” i ëndërrave të tij, më e vërtetë për të sesa realiteti i vetë gruas pas kurrizit të tij.

Kur shikojmë një fytyrë, ne bazikisht shikojmë gjithmonë vetëm gjysmën e saj. Një subjekt është diçka e pjesshme, një fytyrë, diçka që e shikojmë, dhe pas saj ka një zbrazëti. Asgjëja! Dhe sigurisht që në mënyrë spontane ne kemi tendencën që ta mbushim këtë asgjë me fantazitë tona mbi pasurinë e personalitetit njerëzor dhe kështu me radhë.

Të shikosh atë që mungon në realitet, që ta shikosh për atë që është aty, do të thotë që do të shikosh subjektivitetin. Të përballesh me subjektivitetin do të thotë të përballesh me feminitetin.
Gruaja është subjekti. Mashkullorësia është fallco. Mashkullorësia është një shpëtim nga dimesioni më radikal ankthioz i subjektivitetit. Kur Judy hyn në derë si Madeleine ai çast është përmbushja e fantazisë. Dhe sigurisht që ne kemi emrin e përsosur për fantazinë e përmbushur që quhet makth.

Çfarë do të thotë fantazi e përmbushur?

Sigurisht që ajo mbështetet nga një dhunë ekstreme. Dhuna në këtë rast, ka të bëjë me rifreskimin brutual që Scottie i bën Judy-t, një vajze të vërtetë, të zakonshme duke e shndërruar atë në një Madeleine. Dhe ky është një proces sakrifikimi i vërtetë; që është edhe sakrifikimi, ndrydhja e dëshirave të gruas që do të thotë që, për ta pasur atë, për të pasur marrëdhënie seksuale me të, Scottie duhet ta sakrifikojë atë. Ta kthejë atë në një grua të vdekur. Është sikur sërish, për ekonominë libidinale mashkullore ose për të perifrazuar shprehjen e vjetër; “e vetmja grua e mirë është një grua e vdekur.”

Scottie nuk është i magjepsur në të vërtetë nga ajo, por nga e gjithë skena. Ai shikon rrotull duke kontrolluar nëse koordinatat fantazmike janë aty dhe në çastin kur realiteti përputhet plotësisht me fantazinë, më në fund, Scottie është në gjendje të realizojë marrëdhënien seksuale, të shtyrë për një kohë të gjatë.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Kinema

Go to Top