TË KUPTOJMË ERNST LUDWIG KIRCHNER-in NËPËRMJET 3 PIKTURAVE

in Pikturë by

ERNST LUDWIG KIRCHNER 

Në vitin 1905, një grup artistësh nga Dresden-i u bashkuan nën emrin: Die Brücke, apo Ura. Të frymëzuar nga Friedrich Nietzsche, i cili shkroi se “çfarë është madhështore tek njeriu është fakti se ai është një urë dhe jo një qëllim,” këta artistë e panë veten si ura. Ata po transportonin artistët nga bota e artit të vjetër akademik tek një lloj i ri modern shprehjeje. Veprat e tyre do të privilegjonin paraqitjet emotive të botës rreth tyre. Fjalia përmbyllëse e manifestit të tyre, e publikuar në formën e një printimi prej druri, deklaron: “Kushdo që e pasqyron drejtëpërdrejtë dhe në mënyrë autentike çka e nxit/shtyn atë për të krijuar, është njëri prej nesh.”

Ernst Ludwig Kirchner-i, një anëtar themelues i Die Brücke, do ta pasqyronte botën rreth tij në mënyrë të drejtëpërdrejtë dhe autentike deri kur ai kreu vetëvrasje në vitin 1938 pas konfiskimit, talljes dhe shkatërrimit të shumë prej veprave të tij në duart e Partisë Gjermane Nacional Socialiste. Ai ishte një artist prodhimtar, i cili punoi nëpër qytete dhe media, duke krijuar printime në dru, gravura, vizatime, skulptura, piktura, fotografi dhe tapiceri. Sipas Janis Staggs-it, bashkëkurator i një retrospektive aktuale në Galerinë “Neue” në Qytetin e New York-ut, pavarësisht se ishte një student arkitekture pa asnjë trajnim mbi artet e bukura, Kirchner-i “mishironte idealin e Gesamtkunstwerk-ut (vepër e plotë arti) në artin dhe jetën e tij.”

Tre pikturat në vijim, nga produktet e hershme të Kirchner-it në Dresden, deri tek peizazhet e tij epike që paraqesin alpet zvicerane, e tregojnë Kirchner-in si një artist të plotë dhe pioner të Ekspresionizmit Gjerman. Veprat e tij bruto të vërteta ofrojnë këndvështrime për modernizimin e shpejtë të Gjermanisë në fillim të shekullit të 20-të; natyrën si një arratisje sublime dhe ripërtëritësëse; dhe, shpesh, vetë psikikën e artistit.

Kërcimtaret e Panamasë (1910–11)

“Për Kirchner-in, ngjyra dhe drita ishin absolutisht të lidhura bashkë,” thotë Jill Lloyd-i, bashkëkurator i retrospektivës në Galerinë “Neue” me Staggs-in. “Kërcimtaret e Panamasë”, nga koha e artistit në Dresden, është një shembull se si shpikja e dritës elektrike ka ndikuar në mënyrë specifike Kirchner-in si një kolorist.

Tek “Kërcimtaret e Panamasë”, katër figura janë në skenë duke përformuar një kërcim popullor të titulluar “ecje keku” (konkurs kërcimi ku jepej si çmim një kek.) Interpretimi në pikturë është identifikuar si një shfaqje estrade nga një trupë kërcimi afrikano-amerikane që Kirchner-i do ketë parë. Kjo ecje është një kërcim i para luftës civile, i bërë historikisht nga skllevërit, ku çiftet do të përkuleshin prapa dhe do të ngrinin këmbët në një lëvizje lodruese, e cila nënkuptonte imitimin e pronarëve të skllevërve.

Në interpretimin e Kirchner-it, fytyrat e kërcimtareve dhe skena janë si ato të pijes së gjelbër “chartreuse“. Çifti i sinkronizuar shikon njëri-tjetrin, dhe tetë këmbë të zeza kërcejnë përkundrejt një toke të gjelbre acidi. Lloyd-i ia atribuon ngjyrimin e ashpër harkut të ri me drita që ishte sjellë në teatër. Këto drita qëndronin përballë skenës, duke ndriçuar interpretueset nga poshtë dhe shpesh duke i mbuluar ato me filtra të ngjyrosura. Ngjyrat në këtë vepër janë të ndezura, shprehëse dhe dukshëm arbitrare. Ngjyrat nuk janë arbitrare, megjithëse – kërcimtaret lahen “fjalë për fjalë” në dritë, harku i ri me dritat e sapoinstaluara derdh mbi to një shkëlqim neoni.

“Kirchner-i është me të vërtetë një piktor i jetës moderne”, shpjegon Lloyd-i. Për artistin, kjo do të thoshte pikturimin e subjekteve në mënyra novatore. Ai lëvizi në Berlin në fund të vitit 1911 dhe vazhdoi paraqitjen e furisë së qytetit të ndriçuar nga dritat. Në këto skena ikonike të rrugës, fytyrat ishin të nën-ndriçuara me shkëlqim dhe çdo mollzë dhe kthesë në rrugë do të kthehej në një kënd të ashpër.

Autoportret si Ushatar (1915)

Përgjatë karrierës, ai iu rikthye vazhdimisht autoportreteve. Ai krijoi pjesë të vlefshme në dru, të prerat e të cilave theksojnë qeskat poshtë syve apo mprehtësinë e tipareve të tij. Ai e ka pikturuar veten me disa modele, me partneren e tij afatgjatë Erna-n, madje edhe me macen e tij, Boby-n. Ai bëri fotografi të vetes duke punuar në studio apo i veshur si një ushtar, me raste me një cigare duke u varur nga buzët e tij. Autoportreti i Kirchner-it si ushtar është një nga më të çiltrit dhe ofron këndvështrime mbi marrëdhënien e tij me luftën dhe me autoportretin.

Në autoportretet e shumta të Kirchner-it, Staggs-i thotë se ju mund të shikoni “kalimin/ndryshimin në kuptimin se kush ishte ai si një burrë dhe si artist.” Trajektorja artistike e Kirchner-it mund të gjurmohet nëpërmjet eksperimentimit të tij me materiale, ngjyra dhe kuadro/mjedise të ndryshme. Autoportreti si një ushtar del nga një çast i turbullt emocional në jetën e artistit, e pikturuar sapo ai kishte filluar trajtimin në sanatoriumet nëpër Gjermani dhe Zvicrër në përpjekje për të rimarrë veten nga traumat e shkaktuara nga lufta.

Në pranverë të vitit 1915, Kirchner-i doli vullnetar për të shërbyer në Regjimentin e 75-të të Artilerisë Fushore për të shmangur hedhjen në betejë. Në vjeshtë të atij viti, ai pësoi një krizë mendore e fizike dhe u shkarkua përkohësisht deri sa të rifitonte fuqitë. Kirchner-i ishte aq shumë i tmerruar nga perspektiva e rikthimit në luftë, saqë ai e ekzagjeroi sëmundjen e tij fizike duke e lënë veten duke vdekur urie. Ai e fshihte nga infermieret bukën e pangrënë, në një xhep që e kishte qepur brenda palltos së tij. Gjatë kësaj kohe ai u diagnostikua me alkoolizëm dhe u bë i varur nga Veronal-i dhe morfina.

Autoportreti si Ushtar është një vepër me ngarkesë psikologjike. Kirchner-i e prezanton veten duke veshur një uniformë, por jo në një fushëbetejë: Ai është në studio me një model nudo që po pozon pas tij. Dora e tij e djathtë, në fokus qendror, është prerë, dhe ai vështron i përhumbur në distancë. Për portretin, Lloyd-i thotë se “ka një sasi të madhe teatrale në veprën e Kirchner-it.” Kirchner-i nuk e humbi dorën e tij në luftë, por krahu i sakatuar aludon humbjet e paevitueshme të të kthyerit në një ushtar: humbja e identitetit të tij si artist, humbja e shëndetit të tij mendor, dhe humbja e sigurisë në mendimet e tij për luftën dhe Gjermaninë.

Ky portret do të ekspozohej në ekspozitën e “Artit të Degjeneruar” të organizuar nga Partia Nacional Socialiste në vitin 1937. Ajo ishte një nga 32 veprat e Kirchner-it në ekspozitë, e cila u organizua për ta larguar publikun gjerman nga ajo që ata e shikonin si “arti i prishjes”, duke ofruar shembuj të veprave realiste, akademike, të preferuara nga regjim i ri. Vepra nga Ekspresionistët e tjerë gjermanë, të tillë si Oskar Kokoschka, Max Beckmann, dhe Emil Nolde u përfshinë gjithashtu si shembuj të prishjes/rënies morale.

Pyll Malor (1918–20)

Pas vitesh trajtimi, Kirchner-i u vendos plotësisht në Davos, Zvicër, në vitin 1918. Ai e shmangu shumë Davosin metropolitan, por bisedonte ngrohtësisht me fermerët që rrethonin shtëpinë e tij në luginë. Megjithëse, atmosfera ishte shumë më pak e furishme sesa ajo në Dresden apo Berlin, Kirchner-i organizonte festa vallëzimi dhe grumbullime në shtëpinë e tij (ai ishte i vetmi që kishte një gramafon në zonë). Ai gjeti partneritete artistike me një endëse tapicerie të quajtur Lise Gujer dhe me një kërcimtare të quajtur Nina Hard.

Në Davos, eksperimentimi i hershëm i Kirchner-it me artet dekorative dhe të aplikuara që nga kohët e tij në Kolegjin Teknik të Dresdenit, plotësohen me bashkëpunimin e tij me Gujer-in. Rreth vitit 1922, çifti filloi të punonte së bashku për të krijuar tapiceri epike të tilla si “Udhëtimi i Bagëtive në Alpe” (1926). Përfshirja e Kirchner-it në këto tapiceri, së bashku me dritën frymëzuese të alpeve, do të shërbenin për realizimin e peizazheve që ai pikturoi në Davos. Skenat malore që ai krijoi fituan një cilësi si ajo e tapicerive – telajot e ndezura tregojnë plane të mëdha ngjyrash, të përziera me detaje më të vogla, të ndërthurura kudo.

Me zhvendosjen e Kirchner-it erdhi një pamje e ndryshme dhe një grup i ri ngjyrash të paraqitura në artin e tij. Një vepër si “Pylli Malor” (1918-20) nuk është më pak e gjallë se autoportreti i tij apo pikturat e jetës së natës në Berlin, por paleta është më e ftohtë dhe ndoshta më e kufizuar në qëllim. Siç shkruan Lloyd-i në esenë e tij: “Ashtu siç ndriçonin dritat e skenës subjektet e kabaresë që Kirchner-i pikturoi në vitet e tij në Dresden, hëna sipër Alpeve në Davos vepron si dritat e vetë natyrës, duke dramatizuar dhe intensifikuar ngjyrat që përndjekin imagjinatën e artistit.”

Marrë nga: ARTSY

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

GJENIU SALVADOR DALI

SALVADOR DALI Dali nuk rresht kurrë së na magjepsuri! Dali ishte mjeshtër
Go to Top