Të ka lali xhan!-Arlinda Guma

in Uncategorized by

Arlinda Guma

Ti lexues mos thuaj që nuk e ke dëgjuar këngën e “lalit” se s’do ta besoj. Si? Nuk e ke dëgjuar? Dhe e pohon kështu? Po kjo këngë është bërë një lloj bible apo himni për çdokënd që ka një makinë dhe një kasetofon (si? as makinë nuk ke? edhe këtë e pohon kështu?) Ke parasysh atë tipin, që ndryshe nga ti, ka makinë dhe kasetofon, dhe që zbret nga makina në fjalë, duke lënë derën hapur, me volumin ngritur në kupë të qiellit, në mënyrë që gjithë audienca përqark të ketë një shpërfaqje sa më të plotë të estetikave të tij kulturore? (hë, t’u kujtua?)

Pa “lalin” jeta do dukej e zbrazët, i gjithë universi po ashtu. E ç’mund të donit më tepër nga jeta ju vajza përveçse “një lali”? “Një lali” mund të të ndryshojë jetën dhe konceptin filozofik mbi të. Je në depresion? Ti duhet të dëgjosh “lalin”. Ke probleme ekonomike? “Lali” është gati të të ftillojë mëndjen. Të ka lënë e dashura? Me “lalin” duket gjithçka fushë me lule.

Një ndër admiruesit e “lalit” mund të qëllojë të jetë edhe shefi yt, apo deputeti’ zonës. Një nga ata shefa që libri i parë dhe i fundit që kanë lexuar në jetë ka qenë menuja e restorantit (paçka se edhe atë mund ta lexojnë me rrokje), apo një nga ata deputetë që kushtetutën e lexojnë apo e kanë si menu restoranti, me po aq rrokje sa dhe kafshata.

Deri sa të vendosja të ulesha e të bëja shkrimin, nga kënga kisha dëgjuar ndonjë tingull aty-këtu, që më ka bërë të fik televizorin menjëherë prej agresionit të papërballueshëm. Por me të marrë vendimin për të shkruar, e pash të udhës ta dëgjoja nga fillimi deri në fund. Për ta bërë këtë, për një kohë të gjatë m’u desh të vija rrotull me telekomandë në dorë, me një tendosje të tillë nëpër muskujt e gishtave, prej frikës se mos e shtypja. Gjithmonë e shtyja atë çast (kjo edhe prej turpit se mos më dëgjonin fqinjët), sepse duhet të përgatitesh strategjikisht për të dëgjuar lalin! Sikur të më jepnin një lopatë dhe të më thoshin të gërmoja tokën për të mbjellë ndonjë pemë, do të qe më e lehtë, por të dëgjoje “lalin” nga fillimi deri në fund qe një mynxyrë më vete.

“Lali” ka në qafë një zinxhir të trashë floriri, aksesori më i domosdosshëm për t’ia identifikuar statusin, në kokë ka një kapele si prej kartoni që bën grusht me rrobat që ka veshur, ndërsa ai herë pas here qëllon kraharorin te vëndi i zemrës me gjeste prej politikani. Vajza ka veshur pantallona lëkure, që një Zot e di si do t’i heqë më pas se duken shumë të ngushta, si dhe një qylaf, që dhe ky bën grusht me ato që ajo i quan pantallona. Pastaj se nga futet në një shtëpi luksoze (për të treguar mirëqenie gjithë klipet xhirohen në shtëpi të tilla, për të mos thënë në të njëjtën), por tani ka veshur një pellush dhe në qafë mban një zinxhir po aq të trashë sa ai që mban “lali”. Të dy hidhen e përdridhen nëpër dy vargje të vetme; gjeniale, të cilave u duhet vendosur urgjentisht copyright-i se asnjëherë s’i dihet plagjiaturës;“t’ka lali shpirt/t’ka lali xhan”. Pastaj vargjet që pasojnë të ashtuquajturën këngë janë thjesht ndërrim vendi i kryefjalës dhe kallzuesit.

Në skenën përfundimtare “lali” heq kapelen, ndërsa vajza ka veshur një fustan në ngjyrë të kuqe të ndezur që bërtet. Skenën e vulosin një palë reçipeta të bardha, që vajza ia ka “mballosur” fustanit për sipër. Në fund të klipit, dikush ka patur guximin të shkruaje; lyric; 2step, të cilët me ç’duket e kanë lodhur shumë veten me ato dy fjalë, si dhe x-hair styling, që i bie të jetë salloni që ka llangosur vajzën.

“Lali”tashmë është bërë pasqyra e hidhur e zgërlaqjes sonë kulturore, mjerimit tonë të përbashkët kolektiv. Kur dëgjon “lalin” të ndodh si në atë thënien e Ajnshtajnit; dy sekonda vë dorën në zjarr dhe të duket sikur zgjat një jetë, sikur të kanë lyer me benzinë dhe pret të të vënë flakën, një pritje e tmerrshme; kënga duket sikur zgjat në pafundësi, ndërsa këngëtari përdredh zërin sikur e ka zënë korrenti.

Po si mbrritëm deri këtu lexues? (dhe unë ç’pyes ty që për më tepër nuk ke as makinë!) Nga kënga aq elegante;”Ku t’ka lala mi boj esmere”, deri tek “lali”, ka një humnerë të frikshme në mes. Aq mjeshtëror interpretimi i Merita Halilit, po aq sa të gjithë përpunimet e tjera, artistike që i kanë bërë me zërin apo notat e tyre artistët e Ansamblit Kombëtar folklorit tonë; përpunime elegante e të harmonishme, të cilat, gjatë periudhës komuniste kanë mahnitur botën nëpër turne. Ndërsa tani kam përshtypjen se do të dilte një numër i frikshëm po t’i numëroje makinat luksoze që mbajnë “lalin”në kupë të qiellit, si dhe koketat që tunden e shkunden në vendin e parë, mundësisht me nga një qen si mi në prehër. (sa më të rënda bizhuteritë, aq më i shëmtuar qeni, i cili përveç të tjerash shërben edhe si një lloj njësie matëse e shkallës sociale.)

Pyes veten: Si ka mundësi që një popull që ka krijuar një përsosmëri të tillë muzikore siç janë këngët dhe vallet çame, të ketë krijuar edhe një “lali”?

I kemi kritikuar aq shumë bunkerët e regjimit komunist, por ka ardhur një kohë që t’i meremetojmë e t’i vëmë sërish në përdorim… Për t’u mbrojtur prej agresionit të këtij orientalizmi vulgar që po na gjunjëzon shijet e fyen inteligjencën… Për t’u mbrojtur prej “lalit”…

Botuar në vitin 2013 dhe sjellë sot për defekt-teknik.com, meqë asgjë nuk ka ndryshur që nga ajo kohë, përkundrazi, gjithçka është përkeqësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.