Si orientohet lexuesi shqiptar drejt letërsisë së mirë shqipe, në një kohë kur shkrimtari duhet t’i paguajë para të thata televizioneve?/Sondazh nga defekt-teknik

in A(rt)ktivizëm/Letërsi by
Që një shkrimtar shqiptar të dalë e t’i flasë lexuesit për librin që ka shkruar në një nga televizionet “kombëtare” shqiptare, thuhet nën zë se ai duhet t’i paguajë para të thata televizionit…
Ndoshta ka ardhur koha e një terminologjie të re për televizionet shqiptare, atyre fare mirë mund t’u shtojmë një “sh” te fjala “kombëtar”… do t’i përfaqësonte më mirë…
Duke u nisur nga kjo, defekt-teknik.com sot fillon pjesën e parë të një sondazhi me lexuesit.
Si orientohen ata për të gjetur letërsi të mirë shqipe, në mes të këtij informacioni kaq të korruptuar?
Në këtë pjesë të parë, kësaj pyetjeje i janë përgjigjur: Arbjona Çibuku, Liri Kuçi, Enkeleda Suti. 
Përgjigjet e tyre vijojnë më poshtë:

Arbjona Çibuku

Media do të duhej të shërbente si një dritare dijeje dhe promovimi vlerash. Përkundrazi, media është kthyer në një promovuese antivlerash. Gjithnjë e më tepër shohim kronika që promovojnë këngëtarë komercialë që nuk sjellin asnjë vlerë për shoqërinë, për të rinjtë, e për pasojë raportet çdo vit e më shumë tregojnë se niveli i lexuesve të rinj ka rënë. Ajo që dua të them është se media ka një rol tepër të rëndësishëm në edukimin e të rinjve dhe në përgjithësi, por po e vë theksin tek të rinjtë, pasi ata e kanë më të vështirë orientimin,  për pasojë bien pre e antivlerave dhe orientohen drejt tyre, duke shmangur çfarëdolloj gjëje që ka të bëjë me leximin, artin apo kulturën. Sot në Shqipëri është tepër e vështirë të hasesh me shkrimtarë bashkëkohorë të rinj e me letërsi të mirë. Tirana, apo dhe qytete të tjera të Shqipërisë, mund të jenë me plot shkrimtarë të rinj që shkruajnë letërsi të mirë, por problemi qëndron në gjetjen e tyre dhe në njohjen e publikut me ta. Në emisione televizive ka shumë pak hapësira për shkrimtarët e rinj, për të mos thënë fare. Personalisht me ju Arlinda, si shkrimtare, jam njohur virtualisht përmes rrjeteve sociale, dhe po të mos kish qenë për to, mund të mos ju kisha njohur. Po ashtu mes miqsh jam njohur dhe me djem  vajza të reja që shkruajnë, por që nuk i kam parë ndonjëherë të promovohen diku, duke bërë që letërsinë e tyre ta konsumojnë në rrethe të vogla. Pra në këtë aspekt, letërsia shqipe e viteve të fundit ka shumë pak mundësi të promovohet nga mediat, ku e vetmja mundësi promovimi mund të jenë faqet personale të shkrimtarëve në Facebook, të menazhuara nga ata vetë, të cilët, me sado përpjekje, nuk mund të arrijnë tek shumë lexues që mund të jenë duke pritur për ta. Kjo duhet të shërbejë si kambanë alarmi për mediat, të cilat gjithnjë e më shumë shkojnë pas politikës, pas komercialitetit dhe lënë pas vlera. Është për të ardhur keq  është e trishtë që libra të shkrimtarëve të rinj shqiptarë të humbasin në këtë mënyrë, si pasojë  e mungesës së promovimit.

Liri Kuçi

Ndërhyrja e tregut në çdo aktivitet të së përditshmes po ndikon në komodifikimin e nocionit të publikes, perceptimin e shoqërisë, prodhimin e kulturës dhe imponimin e shijeve. Sot, prodhohet për konsum të gjerë – sipas asaj që reklamohet më së shumti, shitet dhe qëndiset sipas trendeve të fundit – çka  përcaktohet prej investimit dhe nxitjes prej korporatave multinacionale që ndikojnë tregun, kahjen e industrive kryesore, fokusin e mediave, e deri edhe qëndrimet politike. Për të mos llogaritur pastaj shijen në të ngrënë, në të veshur, në të lexuar – konsumerizëm – çka është dhe më lehtë të bëhet, sikur me një dorë “të vogël” parash të hedhura për reklamime në masmedia dhe të ashtuquajturat rrjete sociale, ku industrive që mbahen në bazë të kësaj, nuk u kushton dhe aq krahasimisht me fitimin që marrin mbrapsh. 
Kështu, shijet dhe zgjedhjet tona nuk janë dhe aq të tilla – shprehi e vullnetit dhe personalitetit, intelektit apo vizionit – porse vetëm një objekt i dhënë prej algoritmeve fejsbukore e instagramore. Të rrejshme janë pëlqimet, zakonet që demek fitokemi në stilin e jetës, leximit, ushqyerjes, sportit, gjumit, seksit. Janë veçse përgjigjgjia jonë ndaj “kulturës së përgjithshme”, konsumerizmit. 
Ndaj dhe kur flasim për librat, leximet, autorët, displinat, letërsinë, në fakt nuk i shpëtojmë dot tregut edhe këtu. Tregu i librit. Sa shpesh na rastis ta dëgjojmë?! Aksh libër nuk ecën se nuk po gjendet dhe aq mirë në treg. Nuk ka kërkesë. 
Nuk është e rastësishme që sot më lehtë të na bjerë në dorë një libër sesi të bëhesh i pasur në 7 ditë, apo duke numëruar deri në katër, sesa Migjeni, Petro Marko, Ali Podrimja, Drita Çomo, Musine Kokalari, Pashko Vasa, Frederik Rreshpja. Apo se fillojmë të lexojmë një poezi, një tregim, a një shkrim të Moikom Zeqos, Dritëro Agollit dhe Xhevahir Spahiut vetëm pas vdekjes së tyre, se fundja edhe homazhet nuk mund të bëhen pa kaluar edhe nga fejsbuku, të cilin po e lajkose të paktën të del nja tri ditë në kryefaqe. Algoritmi edhe këtu. 
Megjithatë, sado e vështirë qoftë t’i mbijetosh rrymës së fortë të tregut, gjithsesi ngelet e mundshme. Është e mirë një bisedë me libradashësit e njëkohësisht dhe librashitës ndanë Lanës, a qoshkave të tjera në Tiranë dhe qytete të tjera. Sigurisht janë më pak të dukshëm se llambushkat shumëngjyrëshe që ndriçojnë reklamat e librarive monopol nëpër rrugë kryesore apo qendra tregtare, ama janë aty. 
Nëse nuk përton të shkëmbesh dy a tri fjali me ta/to, të psikologjisin menjëherë dhe dinë të sugjerojnë, të mbajnë me muhabet dhe fare mirë të të flasin për autorë/e, subjekte dhe lexime shumë të mira. Udhërrëfyes mund të jenë edhe gjyshërit e gjyshet që ende popullojnë bibliotekat e lagjeve dhe i sheh gjithnjë me ndonjë libër në dorë, gazeta a revista të ndryshme, lexime kritike si dhe autorë/e shqiptare, për të cilët ndoshta ende nuk kemi dëgjuar. Këto mund të jenë dhe vetë Liri Lubonja, Drita Kosturi apo Vera Bekteshi, të cilat kanë kontribuar si në letërsi dhe shoqëri me veprimtarinë e tyre kritike në të shkruar dhe jetuar. Të mos presim sa të vdesin që të dëgjojmë e të lexojmë për to. Një intervistë, bisedë, takim apo një aktivitet kulturor është ende i mundshëm e i vlefshëm me to dhe shumë të tjerë/a. 
Pasofshin nisma të tilla nga Defekt -Teknik dhe dritare të tjera  dashamirëse ndaj kulturës dhe kështu mund të bëjmë të mundshme edhe më shume lexime e njohje të vyera në personalitete, letërsi dhe më gjerë.

Enkeleda Suti

Aktualisht, kultura e konsumerizmit dhe shoqëria konsumeriste janë një tendencë dhe sfidë globale dhe jo vetëm në Shqipëri, e cila priret më së shumti nga përmbushja e nevojave dhe “orekseve” të çastit dhe pa një vizion më të gjerë dhe më largpamës për t’u vetëstimuluar intelekualisht dhe shpirtërisht nëpërmjet një lloj pasurimi kaq të çmuar që mund të ta dhurojë vetëm letërsia e mirë dhe e vërtetë. Sikur të mos mjaftojnë të gjitha këto, perhapja kaq e gjerë e teknologjisë, smartfonëve, shërbimeve celulare (duke përfshirë edhe Internetin e Gjërave) dhe megatrendet botërore të marrjes së informacionit në formë audiovizive (si p.sh., nëpërmjet Youtube, Netflix etj), duke i çuar njerëzit në kërkimin e mediumeve sa më të shpejta, sa më të thjeshta dhe pa shumë angazhim (apo pa angazhim fare) për të mësuar dhe për t’u kulturuar e lartësuar mendërisht. Edhe televizioni që mund të luajë dhe që absolutisht duhet të luajë një rol thelbësor dhe shumë të rëndësishëm nëpërmjet informimit se ku është, në çfarë faze është aktualisht bota dhe se ku po shkon ajo, tendencat e zhvillimet më të fundit, nxitja, stimulimi dhe drejtimi drejt letërsisë së mirë e të vërtetë, janë tërësisht të kthyera në kanale informimi konsumeriste (shumicë e kohës ‘copypaste’ lajmesh nëpër portale dhe media sociale online), për të mos thënë që në shumicën e rasteve postohen, publikohen, u jepet vëmendje lajmeve qesharake dhe/ose banale, të cilat nuk mbartin asnjë vlerë, moral, mesazh, ide, nuk kanë një “big picture”, dhe që motivohen thuajse vetëm nga raporti klikim për lajm përkundrejt sponsorizimit të reklamave. Mediat tona audiovizive janë kryesisht të fokusuara në politikë, në lajmet e ditës, dhe historiçkat rozë të të ashtuquajturve VIP-a, të cilët nuk duhet të ofrohen dhe shërbejnë kryesisht si “role model-e”, dhe tek tuk disa TV Shows, të cilat gjithashtu janë me përmbajtje argëtimi, por të cilave iu mungon përmbajtja e thellë, në dije, edukim, kulturë, që të shërbejnë për t’u hapur njerëzve mendjen dhe shpirtin, nevojën tonë të domosdoshme të njeriut, për të jetuar intelektualisht dhe shpirtërisht dhe jo vetëm materialisht, çka është ajo që na ofrohet tani. Gjenerata e re (apo ata që quhen millennials, të lindurit e pas viteve 1984 dhe që janë rritur dhe kanë jetuar me internetin dhe teknologjinë), kërkon lavdi të menjëhereshme pa angazhim dhe vullnetin për t’iu përkushtuar vetëmësimit, vetënxënies, të qenit autodidakt përmes leximit, etj, dhe duke qene 24 orë/7 ditë të javës online, janë thuajse tëresisht të shkëputur nga libri, nga leximi. Por ne e dimë shumë mirë se të lexosh atë letërsinë e mirë, të vërtetën, madhështoren duhet angazhim dhe vullnet personal, kërkohet kuriozitet për të mësuar, për t’u zhytur më thellë, për të zgjeruar dhe zhvilluar veten papushim, për stimulimin e mendjes dhe zgjerimin e horizontit intelektual, kulturor, mendor dhe shpirtëror. Dhe mbi të gjitha këto janë aktivitete, të cilat bëhen vetëm dhe jo në kolektiv dhe që për t’u bërë duhet kohë, të gjitha gjërat kanë nevojë për kohën e vet. Gjithashtu nuk duhet të harrojmë se tendencat që po nxit media sot janë tërësisht të drejtuara nga paraqitja dhe forma e gjërave apo fenomeneve dhe jo drejt bukurisë së brendshme që duhet edukuar. Të gjitha këto justifikohen me: “Kështu bëjnë të gjithë!” Kur flasim për librin dhe letërsinë e mirë, shtëpitë botuese duhet gjithashtu të luajnë një rol më proaktiv dhe të gjejnë forma alternative të drejtimit dhe tërheqjes së lexuesit drejt leximit. Tani që flasim, shtëpitë tona botuese edhe ato më të mirat, kanë mbetur tek kanalet e furnizimit të librarive dhe krijimit dhe postimeve në faqet e tyre në mediat sociale, por sot, në kohë kaq dinamike që po jetojmë dhe ku e gjithë lufta nga çdo kanal i mundshëm drejtohet nga kapja e vëmendjes së njerëzve, këto nuk mjaftojnë. Duhet ta rimendojnë dërgimin e librit tek lexuesi, duhet të jenë krijues dhe novatorë. Një kulturë konsumeriste dhe shoqëri konsumeriste kanë të bëjnë vetëm me konsumin material dhe në çast të gjërave. Ndërsa, ne jemi ende në fazën e konsumerizmit të dukjeve, bota po artikulon tezat e post-konsumerizmit, drejt thjeshtësisë apo siç na pëlqen neve që të shprehemi “pak e saktë”, të jenë në ato gjëra që ndodhin tani dhe tani, sesi të arrijnë bukurinë e brendshme dhe sesi të investojnë në kapitalin mendor, intelektual dhe shpirtëror dhe jo në atë material. Në fakt, ajo që duhet të mundësonte teknologjia, duke qenë kaq e disponueshme, për të gjithë ne, së bashku me internetin dhe aksesin kaq të madh që ne kemi ndaj burimeve të pakufizuara të dijes, e vetmja gjë që duhet është shtysa e brendshme, stimuli mendor për të mësuar, për t’u vetëzhvilluar dhe guximi për të shkuar përtej, gjithmonë. Gjeneratat përpara nesh janë rritur dhe ekspozuar vetëm ndaj TV dhe radios, por gjenerata e sotshme ka akses nӓ çdo gjë, e vetmja gjë që ne, ata, duhet të kenë është oreksi intelektual, që fatkeqësisht mungon dhe që, nga ana tjeter, edhe konfirmohet nga ajo që transmetojnë dhe ku e si investohen sot mediat tona audiovizive të “thara” nga arti, kultura, muzika, letersia e mirë, etj, etj. Më ka pëlqyer gjithmonë një shprehje shumë e famshme e Carl Rogers, i cili ka thënë diçka pak a shumë si kjo: “Unë nuk besoj në vlerën e mësimdhënies; ai që do të mësojë mëson. E shumta që mund të bëjë një edukator, një mësues është që të shtrojë tavolinën dhe të tregojë se sa e shijshme është e gjitha kjo.” Duhet t’u hapim njerëzve “oreksin’”dhe t’i tregojmë se çfarë kënaqësie është dhe se çfarë do të thotë të bëhesh një njeri i bukur.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from A(rt)ktivizëm

Go to Top