Shqipëria nuk është ende gati për mua-Bisedë me poeten Ardita Jatru

in Biseda/Letërsi by

Një bisedë me poeten Ardita Jatru.

Ajo jeton në Selanik dhe është autore e disa librave me poezi.

Jatru flet për mallin dhe moskuptimet me atdheun e saj.

Thekson përveç të tjerash se vetëm arti ka forcën të të shpjerë në dimensione të pashpjegueshme, ku jo të gjithë e kanë shkelur.

Bisedoi Arlinda Guma

Arlinda Guma: Në mendësinë e disa shqiptarëve “me namuz”, ekziston një paragjykim fiks se gratë që merren me art (letërsi) janë “të lehta”. Çfarë është më indinjuese në gjithë këtë, është pikërisht fakti se ky paragjykim ekziston edhe në mendësinë e disa shkrimtarëve shqiptarë “burra zamani”. Dhe e gjithë kjo më sjell ndër mend një skenë nga filmi shqiptar “Mesonjëtorja”; ata turqit që i shkonin pas personazhit të mësueses, luajtur nga Roza Anagnosti, duke bërtitur në kor: “Shumë e bukur zonjëza! E keni ndjerë këtë edhe ju ato pak herë që vini në Shqipëri? A jeni shkurajuar ndonjëherë deri në atë pikë kur i keni bërtitur vetes: – Përse duhet të ekspozoj pjesën time me vulnerabël përpara një pandjeshmërie të madhe?

Ardita Jatru: Në Shqipëri ekziston në përgjithësi paragjykimi për dinamikën e gruas, sepse jetojmë ende në një shoqëri me mentalitet patriarkal ku ekzistenca e gruas është thjesht një “urdhër”, atëherë pse duhet të përjashtohen gratë që merren me letërsi nga kjo mendësi? Çdo ditë shohim e dëgjojmë e të vjen të vesh ulërimën dhe pyes veten pa marrë përgjigje: a jemi një shoqëri e sëmurë psiqikisht nga traumat e sistemeve e s’po dimë të dalim nga ky kaos mendor, apo thellë ndërgjegjes tonë është  adoptuar-rrënjosur kultura patriarkale-anadollake dhe nuk dimë të dallojmë ndryshimin; meqënëse përmende filmin “Mësonjëtorja”, a ka ndryshuar gjë prej asaj kohe? Unë mendoj që po kthehemi prapa, shumë prapa. Sigurisht që ka raste sporadike që nuk përbëjnë sinjalet e një “revolucioni”, por çdo ditë e më shumë, e kjo gjë më lëndon ndërgjegjen; “ky vend ka vdekur prej kohësh”. Mendoj që ky varg nga një poezi e imja, mund të përcaktojë ndjesinë time. “Kanibalët” nuk i kam më frikë. Vetëm kafshën kam frikë dhe ndaj  respektoj instinktet e saj. Por kanibalët nuk respektojnë asgjë, as natyrën, as kafshën, as llojin e tij. Jam në një fazë të jetës që po luftoj frikërat e mija, e nga kjo vjen guximi. Nuk kam më frikë të shfaqem e vërtetë. Ky është qëllimi im dhe pse të kushton me distancimin dhe shkëputjen nga njerëzit, gjë të cilën unë e konsideroj rritje brenda teje. Unë vij rrallë në Shqipëri, por nuk është nevoja të shkurajohem duke qënë prezente atje për të krijuar një profil. Unë e njoh popullin tim, të mirat e të këqijat. Për t’m’u prerë krahët, mjafton e përditshmja që lexoj. Nuk ka shkurajim më të madh se të thuash: vendi im nuk është gati ende për mua.

 Arlinda Guma: Kush ishte zonja Mina që çmendi Antonin dhe që për pak e bëri atë të vriste veten? Kur kam lexuar këtë poezi tuajën, kam ndërtuar një film të tërë në kokën time, vetëm me atë skenë…

 Ardita Jatru: Është e gjitha një miniskenar midis reales dhe trillit. Në fakt dhe unë jam habitur me veten kur e lexoja poezinë më pas. Shpesh më ndodh të habitem me veten, ndoshta e nënvlerësoj. Antony është personazh real, po ashtu dhe znj. Mina, por që s’kanë lidhje fare si personazhe, nuk e njohin njëri-tjetrin. Jetojnë në dy pika të ndryshme të planetit. E unë i bashkova në imagjinatën time teksa dëgjoja një natë Antony-n duke kënduar, sikur jepte shpirt, sikur rrëfehej, sikur kërkonte të vetëvritej teksa këndonte dhe ishte e pamundur të mos krijoje një skenë të dytë. Një gjendje e hatashme. Kaq fuqishëm e përjetova atë interpretim dhe rezultati: një poezi, siç unë e pashë. Vetëm arti ka forcën të të shpjerë në dimensione të pashpjegueshme, ku jo të gjithë kanë shkelur. Dhe udhëtimet duan talent. Por më vjen mirë që dhe ti ke krijuar një skenë të tretë, një lexues tjetër një skenë të katërt, e kështu me rradhë, skena pafund nga këndvështrime të ndryshme. Kjo është magjia e poezisë, mendoj, artit në përgjithësi.

Arlinda Guma: Diku në lajme kam dëgjuar diçka interesante mbi një nismë të Kryeminsitrit  Grek Tcipras, që çdo pajisje teknologjike, kompjuter apo celular, të taksohej me një shumë të caktuar, dhe të ardhurat që do të vileshin nga kjo taksë, do shkonin për financimin e artit.

Si ju është dukur juve kjo nismë nëse e keni dëgjuar? Vërtet është kaq dashamirës Tcipras ndaj artit? Apo thjesht çështje populizmi?

 Ardita Jatru: Nuk e kam dëgjuar këtë lajm dhe nuk e di nëse është vënë në realitet, por arti në Greqi dhe pse në krizë gjithëpërfshirëse, mundohet të mbijetojë. Arti është gjallë në Greqi, megjithë luhatjet ekonomike, por dëshira për të krijuar gjen vatër, mbështetjeje për financim. Edhe sikur çështje populizmi të jetë nga ana e Tsipras, se fundja politika është e tillë dhe në kohëra fushatash premtohen shumë, por duke njohur temperamentin dhe shpirtin vendas, pse mos të jetë dashamirës dhe ai? Grekët e kanë artin mënyrë jetese, është arti i tyre të jetuarit.

 Arlinda Guma: A keni votuar për Tcipras? Ç’mendim kanë për të elitat greke? Po populli i thjeshtë? Po emigrantët shqiptarë? Mendoni se Greqia, edhe për shumë kohë do të mbetet e majtë?

 Ardita Jatru: Unë nuk merrem me politikë.  Edhe lajmet i shoh e dëgjoj përciptas sa për të thënë që jam një qenie e gjallë e këtij planeti dhe si e tillë duhet të njohë realitetin. Nuk kam votuar sepse nuk e kam ende të drejtën e votës, por nëse do ta kisha, atë moment kritik do ta votoja. Nuk kishte rëndësi se kujt partie politike i takonte, nuk më interesojnë partitë, unë votoj për individin. Këtu votuesi ka tjetër mendësi (gjithnjë përmend mendimin tim personal si qytetare e thjeshtë). Dhe tek Tsipra pashë, siç pa dhe gjysma e popullsisë, njeriun vizionar. Por opinioni ndryshoi përgjatë kohës, profili i tij si  politikan u ngushtua, u kritikua shumë nga gazetarë dhe politikanë të kahut të kundërt. Ende vazhdon kjo klimë. Masa të rrepta, taksat shtrënguese, e kanë vështirësuar jetën e përditshme të çdo qytetari. Edhe shqiptari nuk bën përjashtim si pjesë e kësaj shoqërie dhe kthimet në atdhe e tregojnë qartë situatën. Dhe nuk jam ende në gjendje të përcaktoj se për sa kohë do mbetet e majtë, përderisa njerëzit kanë njohur realitetin.

Arlinda Guma: Si lind një poezi tek ju? E mbani gjatë në mendje tharmin e saj, përpara se ta hidhni në letër? A ka patur raste kur ky tharm është trembur dhe ka refuzuar të zbresë në letër?

Ardita Jatru: Si mendim. Më gërryen kokën, më shpërqëndron se vetëm aty më rreh truri, si çekiç. Nëse më jepet mundësia ta shkruaj atë çast, jam fatlume, ndryshe dënohem me harresë. Harroj shumë dhe ky përbën një problem të madh tek unë dhe duke ia njohur vetes mirë këtë hata, unë as nuk organizohem. Refuzoj t’i dorëzohem harresës, pa disiplinë, me kokëfortësi. Të dalë ku të dalë, të paktën nuk i kam çmendur të tjerët akoma.

 Arlinda Guma: Ju jetoni prej shumë vitesh në qytetin  Selanikut. A ka patur herë kur ky qytet ju është dukur i jashtëzakonshëm dhe here të tjera kur keni ndjerë se është duke ju marrë frymën? Mund të na i përshkruani ato herë?

Ardita Jatru: Po ç’të të përshkruaj, sa herë çmendem e sa herë dashurohem? Mendoj se çdo përjetim është gjendje shpirtërore. Ka patur shumë raste që më është dukur dashuri, e kam ndier të tillë në frymëmarrje, në puls. Kam 27 vjet lidhje me këtë qytet e nuk është pak. Thellohen gjërat në kaq vite lidhje. Bëhen më të përshpirtshme. Ka patur dhe raste që kam dashur të zhdukem, në fakt unë shpesh kam tendenca ikjeje. Por nuk ma ka fajin qyteti ku jetoj, unë mund të rroja dhe në mal. Shpesh janë njerëzit ata që ma marrin frymën. Dhe sa më shumë që po më rëndojnë vitet, shtoj shëtitjet në natyrë dhe pakësoj kontaktet me njerëzit.

Arlinda Guma: Ka jetë artistike qyteti i Selanikut? A jeni pjesë e ndonjë klubi arti? Nëse këtë qytet do ta përkufizonit me një ngjyrë, cila ngjyrë do të ishte?

Ardita Jatru: Sigurisht që ka. Gëlon qyteti nga aktivitetet. Vetëm kohë e dëshirë të duhet, dhe ekonomikisht janë të përballueshme. Isha dikur pjesë e shoqatës së krijuesve grekë, pastaj e një komune fotografësh (hobi im i dytë), por nuk jam më. Ndoshta nuk jam e prerë dhe e qepur për shoqatat. Kemi dhe një klubin tonë të krijuesve emigrantë “Dega e blertë”, që rrallëherë takohemi, të paktën unë. Nuk kemi një fole tonën, takohemi në kafene. Si mund ta përkufizoja me një ngjyrë Selanikun? Është si të më thuash, vendosi një titull poezisë në fjalë. Gjëja ime më e vështirë dhe e fundit që mendoj kur shkruaj, në fakt s’e mendoj asnjëherë titullin. 90% të rasteve u vë vargun e parë. Por të mos tregohem kaq e rëndomtë, po them e kuqe. Mendoj se e kuqja përfaqëson adrenalinën, energjinë pozitive me të gjitha ndjesitë brenda. Nuk e di se ç’ngjyrë do të të them në një tjetër rast. Ngjyra është shpirti dhe shpirti ndërron ngjyrë sipas gjendjes emocionale.

 Arlinda Guma: A ndiheni  ndonjëherë se Shqipëria “nuk ju do”. Nëse po, si i zgjidhni moskuptimet me të? Çfarë ju mungon me tepër prej Shqipërisë?

Ardita Jatru: Ndihem, çdo ditë. Jo nga Shqipëria, por nga shqipëtarët. Nuk është nevoja të pyes, ata të flasin vetë, ankohen, lëndohen, pikëllohen, vriten, ikin. Dhe unë pjesë e kësaj mosdashurie jam, kemi humbur pikat e orientimit. Mënyra e vetme për të zgjidhur moskuptimet, është poezia. Dhe prapë s’e di a kam gjetur një pikë të përbashkët paqeje. Rrugë tjetër s’kam. Fundja kaq më është dhënë e kaq bëj. Nuk jam as gjysëmperëndi dhe as perëndia vetë, edhe pse në shumë raste kam dashur të isha, por zgjidhja më e mundshme për një moskuptim, përtej poezisë si shaka, është justifikimi. Por dhe kjo e fundit ka nisur të mos ketë më efekt tek unë. U lodha. Më mungojnë dy gjëra, nëna ime dhe 18 vitet që u rrita atje me gjithë ç’përfshihen brenda. Nënën e kam gjallë. Vitet sa vjen e i mbulon një mjegull, por më ka shpëtuar poezia që deri diku i mban gjallë ca gjëra, duke rrënuar thellë unit tim dhe veç rrëfen kur t’i teket.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Go to Top