Satiristi social George Grosz

in Pikturë by

Një mençuri e mprehtë brisk!

GEORGE GROSZ

Luftë…
Dekadencë sociale…
Korrupsion politik…
Kabare…
Bordello…
Barbarizëm… dhe…
Çmenduri!

1. AI KA QENË NJË MJESHËTR I MASKIMIT

George Grosz lindi si Georg Gross në Berlin, në vitin 1893. Nuk është provuar asnjë shpjegim përse në të 20-at e tij ai e ndryshoi emrin, përveçse që i pëlqente arti i maskimit. Shpesh, në publik ai pretendonte se ishte një kauboj apo një biznesmen hollandez, ndërsa në privat, me raste, ai i priste vizitorët e parë në shtëpinë e tij, duke u thënë se ai ishte shërbërtori i Z. Grosz dhe se kërkonte ndjesë për mungesën e patronit të tij. Ai adoptoi gjithashtu një sërë pseudonimesh përgjatë jetës së tij: nga Konti Bessler-Orffyre dhe George Leboeuf – deri tek Dr William King Thomas.

2. PAVARËSISHT SESA HERË ËSHTË LARGUAR GROSZ NGA BERLINI, DIÇKA VAZHDONTE QË TA TËRHIQTE

Grosz-i lindi në Berlin, por ai u rrit në Stolp, një qytet i vogël në Pomerania-n Lindore, jo shumë larg nga Baltiku. Ai u rikthye në Berlin në vitin 1910 për të studiuar në Shkollën e Arteve dhe të Zejtarisë dhe u bë një klient i rregullt i “Café des Westens” ku mblidheshin Ekspresionistët Gjermanë.

Megjithatë, në mënyrë të argumentueshme, një influencë edhe më e rëndësishme artistike mbi të riun Grosz, ishte Futurizmi. Këndshmëria dinamike e formave goditëse në dy pikturat e tij novatore: “Funerali”: Dedikuar Oskar Panizza-s (1917-18) dhe “Gjermania: Një përrallë dimri” (1918), tregojnë një detyrim të qartë ndaj lëvizjes.

3. GJATË LUFTËS SË PARË BOTËRORE AI U BASHKUA ME USHTRINË DY HERË DHE DY HERË U SHKARKUA

Lufta shpërtheu ndërsa Grosz-i ishte ende student. Ai u regjistrua dy herë, pa dëshirë, në Ushtrinë Gjermane, në nëntor të vitit 1914, vetëm për t’u përjashtuar për shkak të një infeksioni në sinuse pak muaj më vonë. Ai u thirr në front sërish në vitin 1917, por shumë shpejt pësoi një krizë nervore e u shtrua në një spital fushor, dhe më pas në azilin mendor të ushtrisë, ku doktorët e shpallën si të papërshtatshëm për shërbim në terren për shkak të shëndetit mendor. Kjo përvojë nxiti një sërë vizatimesh të skicuara me shpejtësi, duke pasqyruar vetë fjalët e artistit: “fytyrat kafshërore të shokëve, të oficerëve arrogantë dhe të infermierëve epsharakë’.

Piktura “Gefährliche Straße” kap rënien e Berlinit në një kaos moral dhe fizik. Kjo ishte e para e një serie prej rreth 20 pikturash – ku thuajse gjysma kanë humbur – ku Grosz-i pikturoi qytetin e natës ndërmjet pranverës së vitit 1917 dhe nëntorit të vitit 1918.
Paqja u nënshkrua me Aleatët më 11 Nëntor, 1918, dy ditë pasi Perandori Wilhelm II abdikoi si Perandor. Nën dritën e kapitullimit gjerman, Grosz-i tha se ai “ishte i zhgënjyer, jo sepse ishte humbur lufta, por sepse njerëzit kishin vuajtur për një kohë kaq të gjatë pa dëgjuar ata pak zëra të ngritur kundër masakrave në masë”.

4. AI U KTHYE NË NJË FIGURË KYÇE TË LËVIZJES DADA

Duke filluar në Zyrih, përpara përhapjes në qytete të tjerë evropianë, teksa luftës i erdhi fundi, Dada ishte e rrënjosur në mosbesimin se një konflikt aq i gjatë, absurd dhe shkatërrues, sa Lufta e Parë Botërore, mund të ishte luftuar në emër të progresit. Dadaistët konkluduan se bota ishte çmendur dhe se vlerat e pranuara duhet të riktheheshin në kokat e tyre.

Grosz-i ndihmoi gjithashtu në fillimin dhe kryesimin e teknikës së fotomontazhit, e cila përfshinte mbledhjen e fragmenteve të fotografive për të krijuar një imazh të ri sintetik – një reflektim i Evropës së ndarë, që po rimblidhej së bashku, pabindshëm, nën dritën e Marrëveshjes së Versajës.

5. GROSZ-i ISHTE NJË KRONIST I SHQUAR I BERLINIT TË VITEVE 1920

Ndërmjet rënies së monarkisë gjermane në vitin 1918 dhe ngritjes në pushtet të Adolf Hitler-it në vitin 1933, Berlini fitoi reputacionin si qyteti më i pistë dhe më i shthurur në Evropë. Kabaretet e Berlinit ishin në mënyrë eksplicite dhe bordellot famëkeqe. Thuhet se, kokaina mund të blihej në klubet e natës së qytetit për gjysmën e çmimit të një darke të denjë.

“Mbizotëronte barbarizmi… ishin kohë të çmendura,” ka shkruar Grosz-i në autobiografinë e tij “Pak po dhe pak jo”. Veprat e tij më të njohura janë vizione të pjesëve të brendshme të jetës metropolitane gjermane në atë kohë, të cilat, së bashku me historitë e Berlinit nga Christopher Isherwood-i rreth “Z. Norris dhe Sally Bowles”, kanë formësuar në mënyrë të pashlyeshme panoramën tonë sesi dukej kryeqyteti gjerman në vitet e Vajmarit. Ato i japin një duhmë të rëndë dekadencës sociale dhe korrupsionit politik. Shikoni, për shembull, veprën me bojra uji të Grosz-it të vitit 1922: “Orgjia”, e cila paraqet një bar të zymtë, ku një pijanec grotesk, po thith cigare dhe spërkat dhëmbët me verë, ndërsa patronët e tjerë jashtëqisin dhe çiftohen rreth tij.

6. AI ËSHTË PADITUR DISA HERË

Në koleksionin e vizatimeve të tij, të tillë si: “Fytyra e Klasës Sunduese” dhe “Ecce Homo” – si edhe veprat e tij për gazeta dhe fushata – Grosz-i ka paraqitur kapitalistët makutë, borgjezinë e vetëkënaqur dhe plakaruqet e reja pasanike, midis grupeve të tjera sociale. I bekuar me një mençuri të mprehtë brisk, ai ishte një satirist social, i cili e shikonte veten si vazhduesi i traditës së William Hogarth-it.

Megjithatë, siç do të vëzhgonte dhe filozofja gjermane, Hannah Arendt disa vite më vonë, karikaturat e Grosz-it “na duken më shumë si reportazhe realiste sesa si satirë. Ne i njohim këta lloje njerëzish; ata ishin që të gjithë rreth nesh”.

Tutorët dhe prostitutat rreth “Ecce Homo”, një libër që shkaktoi një zhurmë aq të madhe, saqë Grosz-i ndjeu se duhet të aplikonte për një liçensë pistolete për arsye vetmbrojtjeje. Gjithashtu ai u dërgua në gjykatë me akuzën se 52 nga 100 imazhet e tij ishin pornografike. Grosz-i u gjykua në shkurt të vitit 1924 dhe u gjobit me 6,000 marka. Seksione të shumta nga publikimi u konfiskuan dhe u ndaluan. Ky ishte rasti i parë nga tre raste të ndarë, gjatë të cilëve Grosz-i u padit me sukses për prodhimin e veprave fyese.

Këto ngjarje mund të kenë bërë që ai ta zgjaste udhëtimin e tij në France në vitin 1924 dhe qëndrimin në Paris nga qershori deri në tetor të vitit 1925. Bari “Dingo American” u hap në vitin 1923 dhe shumë shpejt fitoi një famë të keqe midis artistëve dhe shkrimtarëve anglishtfolës, edhe sepse ai ishte ndër vendet e pakta ku pihej dhe që ishte i hapur gjatë gjithë natës. Ernest Hemingway u takua për herë të parë me F. Scott Fitzgerald-in atje në prill të vutit 1925, dy javë pas publikimi të “Gatsbit të Madh” dhe pak muaj përpara se Grosz-i të realizonte një studim në bar.

7. AI U BË KOMUNIST PËR NJË KOHË TË SHKURTËR

Shpesh, vepra e Grosz-it shprehte simpati për të varfërit, për punonjësit e nëpërkëmbur që vuanin në duart e të pasurve dhe të bosëve trashaluqë. “Qëllimi i punës sime është që t’u tregoj të shtypurve fytyrën e vërtetë të patronëve të tyre”,  ka thënë ai njëherë.

Për pak kohë, ai u bë anëtar i Partisë Komuniste, madje mori edhe kartën me emrin e tij personal nga Rosa Luxemburg-u (megjithëse, me kalimin e kohës dhe pas një takimi nënçmues me Leninin në Bashkimin Sovjetik në vitin 1922, besnikëria e tij ndaj partisë u luhat).

Grosz-i ndjeu se rënia e Perandorit largoi disa nga pabarazitë që kishin ekzistuar për një kohë të gjatë në shoqërinë gjermane. Në vitin 1930, ai gjeti një vend shkarkimi për frustracionet e tij, duke dizenjuar kostumet për adoptimin nga ana e Carl Sternheim-it të satirës politike të Flaubert-it: “Kandidati”.

I modernizuar nga Franca e shekullit të 19-të dhe Berlini bashkëkohor, ai ndjek një kandidat ambicioz për Reichstag-un (ish Parlamenti i Perandorisë Gjermane), i cili kortezhohet nga tre lidërë të ndryshëm politikë – dhe në fund, ai madje i jep njërit prej tyre bashkëshorten e tij për të fituar zgjedhjet.

8. AI U PËRFSHI NË EKSPOZITËN E “ARTIT TË DEGJENERUAR” TË NAZISTËVE

Pas një kohe të shkurtër dhe të këndshme mësimdhënieje në Nju Jork, Grosz-i u rikthye në Shtetet e Bashkuara për nje përiudhë më afatgjatë, në vitin 1933, vetëm një javë përpara se Hitleri të bëhej Kancelari Gjerman. (Ai qëndroi në Amerikë për dy dekada të tjera). Subjekti i Grosz-it ishte tejet i kundërshtuar nga Nazistët: ata e etiketuan si “Bolshevikun Kulturor Numër Një” – shkatërruan shumë prej veprave që ai kishte lënë pas, duke përfshirë 15 të tjera që u përfshinë në Ekspozitën e “Artit të Degjeneruar” në Mynih, në vitin 1937.

Megjithatë, deri në këtë pikë, Grosz-i po argëtohej nëpër Atlantik; si një artist, ai i ndau përpjekjet e tij ndërmjet skenave të rrugës së Manhattan-it dhe peizazheve të erës së Kepit të Cod-it. Për të parën, ai endej ditën nëpër Nju Jork, me bllokun e vizatimeve në dorë, duke krijuar variante të përfunduara të skenave të tij natën – një rezultat tipik i këtij procesi është “Dreka e Shpejtë”, e cila tregon klientë të të gjitha background-eve socio-ekonomike të bërë turmë rreth një cepi fast-food-i.

9. AI U BË QYTETAR AMERIKAN

Në vitin 1938, pasi i kishin hequr nënshtetësinë gjermane, Grosz-i u bë ligjërisht qytetar amerikan. Gjatë këtyre viteve, stili i tij u zbut, megjithëse, me raste, kishte ende piktura apokaliptike me zjarr ferri në Tokë, të cilat bëjnë fjalë për lirinë e shtypur në vendin e tij mëmë, i cili nuk ishte kurrë larg mendjes së tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nëna e tij (e cila nuk kishte emigruar me të në Shtetet e Bashkuara) u vra nga një bombardim ajror.

10. GROSZ-i U KTHYE NË BERLIN GJASHTË JAVË PËRPARA VDEKJES SË TIJ

Deri në vitet 1950, Grosz-i kishte filluar që të pinte shumë dhe bashkëshortja e tij, Eva, shpresonte që një ndryshim mjedisi – kthimi në Gjermaninë post-naziste – do ta ndihmonte që të hiqe dorë nga ky ves. Në maj të vitit 1958, ata u kthyen në apartamentin e vjetër të prindërve të saj në Berlinin Perëndimor; por në korrik, pas rrëzimit nga shkallët gjatë një natë kur ai kishte pirë shumë, Grosz-i vdiq. Ai ishte 65 vjeç.

Nga: SHËPIA E ANKANDEVE CHRISTIES

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top