Regjisorët nuk duhet të kenë qëllim që t’i argëtojnë masat, por t’i bëjnë ato që të mendojnë/Bisedë me regjisorin Ben Apolloni

in Kinema by

Bisedë me regjisorin Ben Apolloni

Arlinda Guma: Si adhuruese e kinemasë franceze, ajo që së shumti pëlqej në këtë kinema, është fakti se edhe në një film mesatar gjej thellësi mendimi. Pastaj në ata të realizuarit shkëlqyeshëm thellësitë bëhen edhe më filozofike. Të njëjtën gjë vërej edhe në kinemanë angleze (tek këta sfumohet paksa filozofia). Ndoshta sepse në Europë, jo rrallë skenarët i shkruajnë shkrimtarë të mirëfilltë… Sa ndihmon formimi juaj letrar në punën e regjisorit? A duhet të jetë pak shkrimtar një regjisor i mirë?

Ben Apolloni: Sapo fillojmë të flasim për kinemanë, mendja na shkon tek Franca, të cilën unë (por besoj edhe të gjithë ata që e duan kinemanë) e quaj “nëna e kinemasë“. Aty lindi arti i kinemasë dhe aty u rrit, dhe mandej udhëtoi e pushtoi mbarë botën. Pajtohem që shumica e filmave francezë janë të thellë, sepse autorët francezë (edhe termin “Autor” në kinema e kanë krijuar francezët) nuk janë thjeshtë regjisorë që dinë disa “trika” (truqe), por janë filozofë që mund të krahasohen me bashkëvëllezërit e tyre letrarë si: Albert Camus, Sartre, Faucault, etj.

Unë e adhuroj letërsinë dhe mendoj që formimi letrar është tepër i nevojshëm për një regjisor filmi apo teatri. Një regjisor i madh amerikan, të cilin unë shpesh e citoj, ka thënë:“Nuk është patjetër që një regjisor të dijë të shkruajë, por është patjetër që të dijë të lexojë”. Unë pajtohem 100% me të madhin Billy Wilder. Por besoj që regjisori, përveç letërsisë, duhet të ketë njohuri shumë të mira për të gjitha artet. Regjisori duhet të jetë filozof.

Arlinda Guma: Ç’mendim keni për artin e angazhuar? E dëmton cilësinë artistike angazhimi në një kauzë? Në Kosovën e sotme ku ekstremizmi fetar ka gjetur terrenin më pjellor në analfabetizëm, mendoni se arti i angazhuar nevojitet si kurrë më parë? Mund të luftohet me art ekstremizmi fetar?

Ben Apolloni: Nuk jam fort dashamir i artit që reagon flakë për flakë, artit pamfletist, sa për të fituar fonde nga organizatat e ndryshme. Mendoj që ky lloj arti është i cekët, madje as që është art. Por, nëse një çështje, një kauzë, do ta trajtohej mirë artistikisht, kjo do të ishte shumë mirë. Sepse fundja ne, artistët, krijojmë art që ta ndryshojmë botën, ta bëjmë më të mirë, më të bukur, dhe patjetër që do të trajtojmë edhe problemet nga aktualiteti ynë.

Besoj që arti, kultura dhe arsimi, janë shpëtimi i vetëm i Kosovës. Përndryshe Kosova është në rrezik dhe do të shkatërrohet. E di që tingëllon shumë pesimiste kjo, por është e vërtetë.

Arlinda Guma: Shumica e njerëzve të letrave e shohin kinemanë si një degëzim sipërfaqësor të letërsisë, por unë do të sillja këtu rastin e shkëlqyer të regjisorit Woody Allen, i cili në filmat e tij i bën një prerje të thellë, tragjike dhe mjaft filozofike absurdit të ekzistencës së njeriut. A druheni se mos publiku ju braktis nëse trajtoni në filmat tuaj tema të tilla, të thella, të rënda?

Ben Apolloni: Unë kam studiuar në Prishtinë, por kam dëshirë të them se Woody Allen është profesori im, njëri nga profesorët e mi. Ai është autori më i madh që ka sot kinemaja amerikane dhe një ndër gjigandët e kinemasë botërore. Woody ka thënë se nëse filmat e mi e bëjnë vetëm edhe një njeri të ndihet keq, unë ia kam dalë me sukses. Mendoj që me këtë shprehje ai ka treguar se regjisorët nuk duhet të kenë qëllim që t’i argëtojnë masat, por t’i bëjnë ato që të mendojnë. Woody Allen është filozof dhe unë ëndërroj që të bëhem si ai, kur të rritem…

Unë besoj që publiku nuk ikën nga arti, nga filozofia. Por publiku ikën nga disa kinse filozofë, filmat e të cilëve nuk janë asgjë më shumë se sa “masturbime filozofike”. Publiku e do artin, publiku e do filozofinë, e do mendimin e thellë.

Arlina Guma: Është i ndjeshëm publiku kosovar ndaj teatrit? Jeni shkurajuar ndonjëherë kur e keni parë sallën bosh, pasi keni punuar shumë për të vënë një vepër në skenë? Apo e keni justifikuar këtë indiferencë me varfërinë ekstreme që gjendet sot gjithandej në të dyja anët e kufirit shqiptar? (Por, a nuk janë kohëra të tilla të vështira, njëherazi edhe ato më të uriturat per art?)

Ben Apolloni: Nuk dua të dukem sikur po e marr me të mirë publikun, por ju siguroj që nuk është faji tek publiku kur na ndodh që t’i shohim bosh sallat e teatrove në Kosovë, Shqipëri apo Maqedoni. Problemi kryesor që ka teatri shqiptar është tek menaxhimi i keq. Shumica e drejtorëve janë njerëz të politikës që veç marrin rrogë, por nuk punojnë. Më ka ndodhur në disa qytete ku kam punuar, që qytetarët, taksistët, çuditeshin kur u tregoja se po vë në skenën e teatrit të tyre një shfaqje. Nuk e kishin idenë se teatrot e qyteteve të tyre funksionojnë. Merreni me mend, kur taksistët dhe berberët (floktarët) nuk e dinë këtë, ata që janë ciceronët më të mirë të qyteteve.

Unë gjatë këtij viti kam punuar shumë me teatër, por mund t’ju tregoj vetëm përvojën time ne Kaçanik, ku pas dymbëdhjetë vitesh u servirëm qytetarëve një shfaqje teatrore. Për tri netë salla ishte e stërmbushur. Dhe ende vazhdojnë ta kërkojnë shfaqjen qytetarët e Kaçanikut, e sigurisht që do ta shohin sërish. Njëjtë ndodhi edhe me shfaqjen më të re që vura në skenë në Ferizaj. Por për këtë, përveç punës së regjisorit, kam punuar shumë edhe me marketingun e shfaqjeve. Nuk ka mbetur njeri pa e marr vesh që ka shfaqje dhe jam ndje shumë i gëzuar që në të gjitha netët e shfaqjeve, sallat ishin plotë me spektatorë.

Arlinda Guma: Thuhet se letërsia është baza e arteve, por duket se së fundmi atë nuk e përfshijnë mjaftueshëm. Ç’mendim keni për mosbashkëpunimin e shkrimtarëve me regjisorët, apo atë të poetëve me kompozitorët, në Kosovë e Shqipëri? Shumica e teksteve të këngëve janë qesharake, nuk ka poezi aty, ashtu siç kemi dhe skenarë të dobët, me dialogë të ndërtuar keq.

Ben Apolloni: Plotësisht keni të drejtë kur thoni se letërsia është baza e arteve. Pak a shumë edhe unë e kam thënë këtë në një shkrim timin të titulluar:“Letërsia dhe filmi”. Ne duhet të bashkëpunojmë sa më shumë, ne regjisorët me shkrimtarët, por edhe me piktorët, kompozitorët, fotografët… Ne duhet të bashkëpunojmë e mësojmë nga njëri-tjetri. Filmi është art sintetik dhe ka nevojë për shumë artistë të profileve të ndryshme. Nuk duhet të kemi frikë nga njëri-tjetri, nuk duhet të kemi frikë të bashkëpunojmë.

E, sa i përket këngëve, ka vite që nuk kam dëgju këngë të bukur shqipe. Analfabetët krijojnë tekste këngësh. Nuk mund t’i duroj. Shqetësohem kur në ndonjë lokal më bie të dëgjoj ndonjë “këngë” shqipe.

Arlinda Guma: A keni ndonje vend tuajin piktoresk në Kosovë ku uleni dhe punoni për projektet tuaja? Dhe meqë jemi te projektet, keni në dorë ndonjë të tillë?

Ben Apolloni: Po, është Kaçaniku. Aty fillon çdo projekt i imi, aty edhe zhvillohet. Mandej mund të përfundojë kudo. Por çdo ide e imja vendlindjen e ka në Kaçanik.

Po, aktualisht jam duke punuar për dy filma të shkurtër: njëri i financuar nga Fondi i Filmit në Maqedoni, kurse tjetri nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Shpresoj të mund t’i realizoj ashtu siç i ëndërroj unë.

Arlinda Guma: Ju falënderoj për bisedën!

Ben Apolloni: Faleminderit edhe juve për pyetjet shumë interesante!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.