Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.
Përgjigjia e radhës erdhi nga Fatlum Sadiku.
Vijon më poshtë.
Pse shkruaj?-Fatlum Sadiku
Shkruaj sepse u ndesha me jetën dhe këtë nuk e zgjodha. Shkruaj, sepse prindërit më bënë në bisht të beqarisë së tyre, për të më parë përfundimisht të tillë: bisht. Shkruaj, pse kjo më ktheu në një atlet a frontmen kokëposhtë. Diktoi një jetë të asisojtë, që aty ku niste turravrapi, pasonte menjëherë kthimi, mu si tek sinjalizimi i Kazanzaqit në Asketikë. Shkruaj, pse megjithë luftën e tyre që ‘fëmija i plakut, të mos jetë vaji i sokakut’, ngjaj edhe vaji edhe sokaku. Shkruaj, pse kjo diktoi një jetë prej insekti në gjalpë e ku masivi i gjalpës përuron një jetë bardhësisht funerabël nga dikush që kalkuloi jetëgjatësinë, jo jetën.
Shkruaj, pse në shkolla na sollën prurje të shkrira në libër e unë u isha vënë tragjeve të prurësve-të-shkrirë-me-gjithë-librin. Shkruaj pse doja kuptime apo më saktë kuptimësime, jo mësime. Shkruaj pse doja horizont jo hierarki unformash, kurrikulash e oraresh që nisnin që në klasën e parë. Shkruaj se njoha pikëllimin pasditor e mbrëmjesor këndeve të vdekura të shkollës e ndërtesave, kënde që, si për ironi, Pascal Bonitzerin e shtynë të shkruajë libër. Shkruaj, pse urrej terrorin burokratik. Shkruaj pse i dua ringjitjet në tarracë të ndërtesës, diçka e sythuar tek unë herët. E dua atë vend të vetëvrarëve dhe besoj se të vetëvrarët kanë destin të shkruar. Shkruaj sepse, nëse pyeteni cila do të ishte pamja që do të donit të shihnit nga tarraca, përgjigjia është: “Tek merret një qytet!” Inverzion kavafisian: ai thoshte qyteti të merr kudo me vete, ndërkohë që mua m’u mor qyteti si dheu nën këmbë.
Shkruaj, pse s’pajtohem që rreshti të më kthehet në rreshtim. Shkruaj pse vargu i parë poetik që doli në jetën time ishte: “M’u ke ba si qelli”, shkruar ish të dashurës, teksa s’dija të emërtoja në isha në dashuri a në mbërthim. Apo gjasme, si për të më shkundur, kjo pat qenë shenjë që epifania nuk vjen nga këta mbi tokë. Shkruaj, pse konflktin famëlartë mes historisë e poezisë përfundimisht e gjykova në favor të së dytës, kur para ca muajsh shkrova se poezia “ngjan me viganin skocez që kalon në këmbë male e kodra, por përnjëherë n’mjedis fushe ia lëshon filgjani i gjurit”. Të nesermën më vdiq babai. Epo nëse skozecin vigan e lëshon gjuri, edhe malësorin tim zemër-inxhi e lëshoi zemra. Kontradiktor? Patjetër. Une mund ta dua familjarin, por kurrë familjen.
Shkruaj pse e njoha situatën kufitare të quajtur luftë e tentim-shfarosje. Fatin e refugjatit që kush më mirë se Hölderlini e praroi në varg: “Shenjë e palexueshme jemi ne. S’ndiejmë dhimbje. Humbëm gjuhën në këto fusha”. Shkruaj pse e njoha në palcë indiferencën njerëzore, që më pas prodhonte cinizëm shoqëror e prostituim politik. Shkruaj, pse jetova aq sa t’i shihja paslufte në shtrat ish të burgosorin politik me ish torturuesin e tij. Shkruaj sepse besoj në socios, në shok, jo në ortak. Shkruaj pse besoj në mjedis njerëzor, jo në treg. Shkruaj, pse dua besim e shpirtni jo kler. Shkruaj, pse shoh se gogoli teknodigjital na vetmon më shumë se familja e politika. Shkruaj pse s’shoh të shndrisë njeriu, por gjëja. Shkruaj, sepse urrejta provincë e metropol. Shkruaj, sepse më mirë Sokrat i vuajtur sesa derr i ngopur. Shkruaj pse asnjeherë nuk mohova Zotin, por e humba vazhdimisht. Si e gjithë gjenerata ime e i gjithë njerëzimi.