Pse shkruaj-Daniela Xhani

in Letërsi/Pse shkruaj? by

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë, brenda dhe jashtë vendit.

Përgjigjia e radhës erdhi nga poetja Daniela Xhani.

Ajo vijon si më poshtë…

Pse shkruaj-Daniela Xhani

Do ta nisja me një pyetje të Marguerite Duras-it, që e kam lexuar në një intervistë: – Çfarë bëjnë njerëzit kur nuk shkruajnë? Dhe më pas do rendisja disa arsye se pse unë shkruaj:

Shkëputem nga realiteti.

Edhe kur realiteti më shtrihet përpara syve në formë materiale, e shoh në trajtën e një subjekti shpirtëror – nënshtresë e grumbullimeve të jetës së përbashkët – ndonëse në poezi abstrakti nuk është i ndarë nga masa, por janë të bashkuara në një të vetme; trup – shpirt – mendim.
(Kam një kujtim nga fëmijëria që lidhet me shkrimet e para. Doja t’i shkaktoja një zemërim babait tim dhe, duke u gjendur vetëm në shtëpi, i dogja librat, më shumë se gjysmën e biblotekës. E kam ende para syve oborrin e madh, mbuluar me fletë të djegura. Më pas, pendimi lindi nevojën për t’i shkruar diçka, për t’u lehtësuar…)

Krijoj një botë tjetër.

Kjo botë tjetër mund të jetë tjetër për të tjerë lexues. Duket si lojë fjalësh, por në gjendjen e krijuar, nganjëherë nxitimthi dhe herë të tjera në vetmi të paqtë, nuk problematizohen e bukura dhe e shëmtuara, e mira dhe e keqja, e drejta dhe e gabuara, etika dhe jo-etika e koncepte të tjera si këto nuk janë kundërshti që luftohen ndërmjet. Janë të kundërta që plotësojnë në harmoni, dhe shpesh pa asnjë ndarje, njëra – tjetrën.

Jetoj në botën e krijuar.

Kur shkruaj e ndiej vërtet, pa shtirje, atë ndjesi që prek strukturën mendore dhe emocionale, qoftë edhe në një interval të shkurtër kohor prej disa çastesh, që nëse nuk e shpëtoj përmes shkrimit do të humbasë madje edhe nga kujtesa.

Ka raste që më duket sikur i vetmi realitet është poezia.

Kjo është pjesa më munduese, që ndoshta gabimisht e kam quajtur “rregullim ndjesor të realitetit”; të shoh përrethin poetikisht – edhe atëherë kur nuk ka asgjë poetike – pa asnjë ndrojtje, pa asnjë rezervim, krejt ndryshe me natyrën time. Më ka ndodhur te jem me miq dhe të shpërqëndrohem duke u fiksuar në subjekte joreale apo në eksperienca subjektive.

Dhe gjej brenda saj shumë dashuri.

Të shkruarit është një akt dashurie, që e jap nga vetja për të sjellë më pranë diçka të largët, edhe atëherë kur vetëm dashuria nuk mjafton për të shkruar, sepse rrugëtimi ndryshon me kohën dhe merr drejtime të tjera, ku jo gjithmonë ruhet raporti ndërmjet të shkuarës dhe të tashmes.

Mund të ndihem e paplotë dhe ta braktis.

Të identifikohesh në hollësira apo bukuri që të tjerët nuk arrijnë t’i dallojnë, jo gjithmonë mund të finalizohet me qëndrueshmëri. Më ndodh ta braktis shkrimin kur nuk arrij dot të depërtoj lirisht në atë që dua të shpreh me mënyrën sesi dua ta përshkruaj dhe krijohet një parehati nga e cila nuk mund të çlirohem, ndërsa vargjet vazhdojnë të vërtiten të copëtuara në mendje derisa humbasin.

Më pas i rikthehem.

Sepse nuk mjaftohem me jetën që kam – kjo është të krijosh një vete tjetër që sërish nuk mjafton – edhe kur të shkruarit është skanim i diçkaje të jetuar, që vazhdon të zhbirojë në thellësi, duke kërkuar një mënyrë pavarësie që e shpërfill kohën.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Letërsi

Pse shkruaj?/Genci Gora

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë,

Pse shkruaj/Manjola Nasi

Pse shkruani? Revista defekt-teknik ua drejtoi këtë pyetje disa shkrimtarëve dhe poetëve shqiptarë,
Go to Top