PIONERËT E EKSPRESIONIZMIT/HISTORIA E PIKTURËS EKSPRESIONISTE (1880-1930)

in Pikturë by

Neo-Impresionizmi & Georges Seurat, Paul Gauguin, Vincent Van Gogh

Premtimet mbi të cilat u mbështet evolucioni i lëvizjes ekspresioniste, qartësohen më shumë kur mendojmë për Seurat-in, Gauguin-in dhe Van Gogh-un.

Georges Seurat (1859-1891) kishte një mendje të fuqishme dhe një logjike e cila nuk kënaqej nga spontaniteti i Claude Monet (1840-1926) dhe analizat e tij të dritës mbështeteshin vetëm tek instikti. Kështu, ai kërkonte që të krijonte një lloj të ri Impresionizmi – Neo-Impresionizmin – nëpërmjet një metode të çlirimit të ngjyrës nga substanca, duke përdorur ngjyra të pastra të spektrit për të arritur ”pikturimin e dritës në ngjyrë”. Hetimi sistematik nga ana e tij i teorisë shkencore të ngjyrës në pikturë dhe analizat e dritës e studimi i kontrasteve të njëpasnjëshme të ngjyrës, e çuan atë tek një zgjidhje surprizuese: ngjyrat nuk përziheshin më në paletë; por kjo arrihej tek syri i spektatorit. Rrjedhimisht, ngjyrat e pastra të spektrit pikturoheshin në pika të vogla afër njëra-tjetrës në telajo – një teknikë e quajtur Pointilizëm. Ato bashkohen në retinën e vëzhguesit, i cili është majaftueshëm larg nga piktura. Rëndësia për gjeneratën pasuese të Neo-Impresionistëve ishte përdorimi i pastër i ngjyrave nga ana e tyre si një mjet shprehjeje.

Paul Gauguin-i (1848-1903) gjithashtu kishte hapur shteg të ri krijues. Pika e tij e fillimit, Impresionizmi, mbetej shumë afër natyrës për të. Ai shkroi se Impresionistët “neglizhojnë kuptimin sekret të mendimit. Arti është abstragim; ju e merrni atë nga natyra ashtu siç e ëndërroni.” Gauguin-i po përpiqej që t’i rikthente kuptimin pikturës në pikturat e tij, të cilat mund të interpretoheshin si imazhe universale të ekzistencës njerëzore. Tek Shkolla ”Pont-Aven” në Brittany, ku ai formoi një grup primitivësh dhe më vonë në Detet Jugore, Gauguin-i po kërkonte përvojën kryesore për të arritur shprehjen e vërtetë. Për këtë arsye, ai ishte thellësisht i interesuar tek arti primitiv e folklori dhe studioi printimet japoneze në dru të Ukiyo-es që ishin atëherë në modë.

Si pasojë e stimujve të tillë, ai evoloi një stil arti dekorativ, i cili në pjesën më të madhe i braktiste teknikat iluzioniste dydimensionale për përvojën portretizuese. Tek ”Pont-Aven”, ai dhe Emile Bernard (1868-1941) zhvilluan dy teknika, Sintetizmin (rreth 1888-94) dhe Kloisonizmin (rreth 1888-94), ku ngjyra aplikohet sheshtazi (që do të thotë, me pak zona të hijëzuara apo çdo lloj modelimi 3D), duke aderuar me kujdes në zonat e imazhit të paraqitur, dhe që mbahet së bashku nëpërmjet kontureve të vizatuara rëndshëm, në stilin e xhamave të pikturuar. Një stil vizatimi i sheshtë dhe ritmikisht dekorativ ishin elementët aktivë, si edhe bindja e Gauguin-it (jo ndryshe nga ajo e Kandinsky-t dhe Kupka-s) që harmonitë e toneve të ngjyrës në pikturë kishin homologët e tyre tek harmonitë e muzikës. Kështu, ky vlerësim për rëndësinë psikologjike të ngjyrës mundësoi një ide mbi kuptimet pa nevojën për përshkrimin ”letrar”.

Vincent Van Gogh (1853-90) ishte prezantuar me të dy, Seurat-in dhe Gauguin-in në vitin 1886 nga vëllai i tij Teo. Ai u detyrohej atyre për shumë dije thelbësore rreth fuqisë shprehëse të ngjyrës dhe linjës së pastër. Për më tepër, pikënisja e tij nuk ishte ajo e llogaritjes artistike, por e nevojës ekzistenciale. Për Van Gogh-un, pikturimi ishte e vetmja mënyrë e mundshme për shprehjen e dashurisë së tij ekstazike për njeriun dhe sendet. Ai e ekspozoi veten drejpërdrejt ndaj bashkimit me objektet, për të penetruar magjepsjen e botës së jashtme dhe ferrin e një realiteti tjetër, të zbuluar tek shqetësimet më intensive. Ky mesazh parqitet nëpërmjet tonit të lartësuar të ngjyrave të tij flakëruese dhe penelatave dinamike si gjuhë flakësh, penelatat spontane të të cilit janë një reflektim i drejtpërdrejtë i gjendjes mendore të artistit. Kompulsioni i Van Gogh-ut për ta dorëzuar veten, i pambrojtur ndaj botës, për të përjetuar të vërtetën e tij, i konsumoi forcat e tij në pak vite. Mënyra sesi ai zgjodhi që ta krijonte artin – si një përgjigje ndaj ankthit ekzistencial dhe për të sakrifikuar jetën e tij kur tensioni u bë i patolerueshëm – u kthye në një fat tragjik shembullor për ata artistë që kërkuan të bashkonin jetën dhe artin në dekadën që pasoi.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top