PIKTURA “MALLI PËR SHTËPINË”, 1940/RENE MAGRITTE

in Pikturë by

MALLI PËR SHTËPINË

RENE MAGRITTE

Kthimi tek mitra!
Soditja e vuajtjes dhe e dhimbjes!

Fillimisht Magritte mendoi që ta titullonte këtë pikturë të vitit 1940: “Menopauza” (një periudhë dëshpërimi), por titulli përfundimtar është “Le Mal du Pays” (Malli për shtëpinë).

Qartësisht një nga pikturat më të ndershme emocionalisht të Magritte-s dhe në vend të emërtimit të pikturës me një prej titujve të tij të mistershëm si “Duke pritur mjegullën” (një titull i propozuar nga një prej miqve të tij që Rene e mori në konsideratë, por e refuzoi), ai zgjodhi titullin që reflektonte sesi ndihej ai… sesa i humbur ishte… sesa shumë dëshironte që të kthehej në shtëpi.

Në Maj të vitit 1940, shtëpia e tij u pushtua nga nazistët gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe Magritte u largua së bashku me miqtë e tij të ngushtë: Paul Eluard dhe Scutenaire. Do të ishte e lehtë të supozonim se kjo pikturë ishte rreth pushtimit gjerman të Belgjikës dhe mallit të Magritte-s për shtëpinë, pasi iu desh të largohej nga vendi që dashuronte. Sigurisht që ky është një komponent emocional i pikturës, por aty ka shumë më tepër sesa kaq.

Dëshirimi për shtëpinë është një nga dëshirat më të forta të njeriut. Për shumë njerëz shtëpia përfaqëson sigurinë apo çlirimin nga shqetësimi, duke u kthyer sërish fëmijë dhe të mbrojtur nga prindërit. Shtëpia është vendi së cilës i përkasim dhe tek e cila dëshirojmë që të kthemi me çdo grimcë të qenies sonë.

Duke u rikthyer tek mendimet tona më të hershme, tek mitra, ne mund t’i shpëtojmë frikës dhe mundimeve të jetës.

Magritte, kishte, siç e kemi edhe ne të gjithë, një dëshirim të fuqishëm për t’u kthyer në shtëpi. Jeta e tij në shtëpi nuk kishte qenë e lehtë dhe ai nuk dëshironte që të fliste për të. Ai kishte lëvizur shpesh me dy vëllezërit e tij kur ishte i vogël. Më pas, kur ai ishte vetëm 13 vjeç nëna e tij vrau veten, duke u mbytur në lumin Sambre. Kjo ishte diçka e re për një fëmijë që po rritej.

Babai i Magritte-s vdiq në vitin 1928 nga diabeti, duke e lënë Rene-në pa prindër. Ai ishte vetëm, me përjashtim të gruas së tij të dashur, Georgette-s. Në atë kohë, ata jetonin në periferi të Parisit. Shumë shpejt ata që të dy do të kishin mall për shtëpinë dhe pas tre vitesh qëndrimi në Paris, Magritte u rikthye në shtëpi, në Bruksel, ku ata mund të ishin më afër anëtarëve të tjerë të familjes së tyre.

Gjashtë apo shtatë vite më vonë, jeta e Rene Magritte-s filloi që të ndryshonte. Duke lënë shtëpinë e tij të lumtur në Bruksel, ai udhëtoi në Londër për të vizituar Edward James-in dhe ELT Mesens-in për t’u përgatitur për ekspozitën e tij. Gjatë asaj kohe, Rene u përfshi në një marrëdhënie me modelen e re surrealiste, të njohur si “Fantoma Surrealiste” e vitit 1936, artistja Sheila Legg, e cila pozonte për eventet surrealiste me Dali-në dhe artistë të tjerë, ajo ka qenë një nga gratë më të fotografuara surrealiste në atë kohë. Sipas një burimi: “Magritte, në fakt, ra në dashuri me të.” Magritte nuk dëshironte që ta lëndonte Georgette-n apo të shkaktonte dyshime, kështu që ai organizoi që miku i tij Paul Colinet (1898-1957), poet surrealist belg, të kalonte kohë me Georgette-n, kështu, Paul Colinet u përfshi në marrëdhënie romantike me Georgette-n. Në një pikë, Georgette i kërkoi Rene-s divorcin.

Kështu, Rene Magritte u largua nga Brukseli dhe nga problemet e tij martesore për në Francë, në Maj të vitit 1940, pesë ditë pasi trupat gjermane të pushtonin Belgjikën dhe Hollandën. Georgette nuk shkoi me të. Rene kaloi tre muaj në Carcassonne, të Francës, me Paul Eluard-in dhe Scutenaire-n.

Piktura “Malli për shtëpinë” paraqet një Magritte të dëshpëruar, si një ëngjëll i mbështetur mbi një urë, duke soditur lumin, ndoshta duke menduar për vetëvrasjen.

Magritte kishte guximin dhe ndershmërinë që ta pikturonte veten në buzë… në prag të katastrofës. Ai po humbiste dy gjërat që çmonte më shumë në jetë… bashkëshorten e tij Georgette-n dhe shtëpinë.

Ky luan nuk ka sesi t’i shpëtojë vëmendjes sonë. Është interesante të shikojmë që mbreti i xhunglës: nuk po kërcënon apo frikëson dhe duket i painteresuar.

Qartësisht, luani përfaqëson Georgette-n, dhe ndoshta Magritte vetë nuk e kuptoi kurrë këtë. Të dy janë të ndarë, të painteresuar për njëri-tjetrin, ndërkohë që Magritte po sodit vuajtjen dhe dhimbjen e tij.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

GJENIU SALVADOR DALI

SALVADOR DALI Dali nuk rresht kurrë së na magjepsuri! Dali ishte mjeshtër
Go to Top