PIKTURA “GJAKU I BOTËS” E RENE MAGRITTE-s

in Pikturë by

RENE MAGRITTE

Nga viti 1925 e më tej, Magritte mori dy rrugë, njërën prej të cilave ai po e ndiqte ende rreth vitit 1930. “Gjaku i Botës” i përket një grupi të cilin ai e braktisi pas vitit 1930 dhe që është qartësisht e ndryshme nga veprat e mbështetura në figura të njohura, që i përkasin një bote njerëzish dhe objektesh, të sjella në marrëdhënie të çuditshme me njëra-tjetrën dhe të vendosura në mjedise të papritura, siç ilustrohet nga piktura “Kalorësi i Humbur”, një temë të cilës Magritte i është rikthyer sërish dhe sërish.

Drejtimi tjetër, që u shfaq shkurtimisht pas motivit të “Kalorësit të Humbur”, konsistonte në organizmat e shpikur; vegjetimi dhe format të cilat lidheshin vetëm në mënyrë të tërthortë dhe ambigue me realitetin. Vetëm nëpërmjet ndërthurjeve ne mund t’u afrohemi këtyre peizazheve shtypëse; vizualisht të prekshme dhe të qarta, ato popullohen nga forma, të cilat janë të gërshetuara në një mënyrë baroke.

Gjaku i botës” tregon organizma që u ngjajnë këmbëve dhe krahëve, të cilave u mungojnë gjymtyrët dhe që janë të qëruara nga lëkura e tyre, si ato në fotografitë e mësimeve anatomike. Formave të rrumbullakëta që ato mbulojnë pjesërisht është edhe më e vështirë t’iu afrohesh. Historianët e artit mund të gjejnë referenca në format e Arp-it në periudhën e tij Dada apo ato mund të na kujtojnë Max Ernst-in. Magritte, i cili i realizoi këto piktura shkurtimisht përpara apo gjatë viteve të tij në Paris, nga viti 1927 deri në vitin 1930, pa shumë gjëra në rrethin e Andre Breton-it atje, por ky fakt nuk na çon në drejtimin e duhur. Format menjëherë pas të ashtuquajturave këmbë të lëshuara, për shembull, mund të duken si disa faza të formimit të shkëmbinjve me shenja erozioni. Antoni Gaudf, arkitekti spanjoll i Art Nouveau-së, ka modeluar “rritje” të ngjashme, dhe Dali ishte gjithmonë i magjepsur prej tyre në bregun e Cadaques-it, afër vendlindjes së tij. Magritte u jep atyre ngjyra artificiale këtu – të gjakosura dhe të bardha.

Tek “Gjaku i Botës” ju mund të dalloni djajtë e imagjinatës së Magritte-s, obsesioni me një nevojë, nxitjen e errët lidhur me pjellorinë, e cila ka gjithashtu edhe një anë perverse; ajo ishte një mbetje e Ekspresionizmit, prej së cilës ai e çliroi veten rreth vitit 1930. Më pas erdhi qartësimi, qartësia misterioze, për të cilën ai ishte mjeshtër që në vitin 1926.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top