PIKTURA “ARTI I TË JETUARIT”, 1967, E RENE MAGRITTE-s

in Pikturë by

RENE MAGRITTE

Në vitin që vdiq, Magritte pikturoi “Artin e të Jetuarit” për Alexandre Iolas-in Kjo pikturë përbëhet nga tipare të njohura nga krijmtaria e tij: portrete me fytyrë të plotë të qytetarëve “të gatshëm”, me kokën e prerë dhe të vendosur përpara një parmaku guri, përkundrejt një sfondi me male.

Siç është shpesh rasti në veprat e Magritte-s, aty ka gjithashtu diçka të re. Këtu një tullumbace e madhe po pluskon sipër trupit me kokën e prerë dhe tullumbacja është koka. Ajo është rozë, një ngjyrë që Magritte po e përdorte tashmë përpara vitit 1930 dhe ndaj së cilës ai mbeti i dhënë në disa situata.

Brenda tullumbaces është një kompleks shumë i vogël sy-hundë-gojë, e cila duket e mistershme, edhe pse nuk është e tillë, sepse ajo është një shprehje e bollëkut të normalizuar, si kostumi i gatshëm, i cili përfaqëson një qenie njerëzore dhe fsheh gjithçka që duhet të mbetet sekrete – mëkatet e vogla që përshkruajnë traditat, mëkatet madhore që ndalon shoqëria. Është imazhi i të pashquarës që na godet.

Pamohueshmërisht, i pranishëm në këtë përfaqësim të qytetarit borgjez, është një element i atij “humori objektiv”, të cilin Andre Breton-i ia kundërvinte “humorit subjektiv” në leksionin e tij “Pozicioni Surrealist i Objektit.” Breton-it i dukej humori i tij objektiv triumfalisht i pranishëm në veprën e Alfred Jarry-t, dramaturgut, dhe gjithashtu në veprën e Futuristëve dhe të Dadaistëve. Kritika shkatërruese e Magritte-s për qytetarin mesatar, vetëmanifestohet edhe një herë në këtë vepër, në humorin objektiv të tullumbaces së madhe me një roze goditëse, ngjyrë që përfaqëson sharmin e jetës së mirë, që këtu është lëkura që mbulon vetëknaqësinë dhe bollëkun.

Përzgjodhi dhe përktheu: Enkeleda Suti

Leave a Reply

Your email address will not be published.

*

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

Latest from Pikturë

Go to Top